Albana Bajrami| RTK-Radio
Samiti “Ukrainë – Evropa Juglindore”, që po mbahet në Tiranë, është një mundësi e mirë që diplomacia mbarë shqiptare të bashkë-koordinojë kërkesat apo artikulimet publike. Kështu tha në një intervistë për Radio Kosovën analisti nga Shqipëria, Aleksandër Çipa, i cili theksoi se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të duhej të artikulonin potencialisht kërkesën për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Për rëndësinë e këtij Samiti, analisti Aleksandër Çipa, tha se prezenca e krerëve të shteteve rajonale, është gjithashtu një mundësi për t’u përfituar dhe shfrytëzuar.
“Këtu e kam fjalën edhe për prezencën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila përmes komunikimeve që do të ketë me partnerët e lartë të NATO-s, apo edhe me përfaqësuesit e shteteve rajonale, në këndvështrimin tim, mund ta shfrytëzojë këtë si një mundësi të dialogimit, pse jo edhe të një kërkese dhe gatishmërie edhe për përshpejtimin e proceseve të integrimit të Kosovës në këto struktura.”
“Së pari do të ishte me vend që dy autoritetet e larta shtetërore, përkatësisht kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të duhej të artikulonin potencialisht kërkesën për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO, sepse plotësohen shumë kritere dhe natyrisht kanë ndryshuar shumë situata dhe kontekste. Ndërsa në planin e kërkesës dhe inkurajimit që Kosova të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në strukturat euroatlantike dhe sidomos në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, nuk është e tepërt të themi se duhet artikuluar këto zëra dhe duhet të shprehen kërkesat. Më herët, kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në NATO e ka bërë Kroacia. Shqipëria ka momentin e rëndësishëm të artikulojë këtë gjë, e pse jo edhe vendet e tjera fqinje me Kosovën, që janë Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi”, ka deklaruar Çipa.
Më tutje ai ka theksuar se sjellja e vëmendjes institucionale të strukturave më të larta mbrojtëse dhe të sigurisë në botë, siç është NATO, për rajonin tonë do të thotë që ka vëmendje dhe interesim.
“Komunikimi me krerët e shteteve rajonale bën të mundur që të rritet interesimi i këtyre shteteve për ruajtjen e stabilitetit, shmangien e provokimeve që kryesisht vijnë nga Serbia, evitimin e konfliktit dhe tensionit sidomos në pjesën kufitare të Kosovës me Serbinë, dhe nga ana tjetër ushtrohet një presion edhe më potencial kundrejt Serbisë, e cila për shkak të afërsisë që ka me Rusinë, shpesh krijon qasje të një ndikimi malinj. Nën këtë pikëpamje, mendoj se prezenca e krerëve të shteteve të ish-Evropës Juglindore rrit interesimin edhe për stabilizimin në zonën tjetër, në atë të Bosnjë e Hercegovinës, kur dihet që influenca ruse e kryesisht provokimet malinje që ushtrohen prej Moskës të jenë të evitueshme, të izoluara dhe të mbajtura në një izolim të autoritetit lokal, rajonal dhe ndërkombëtar. Ndërsa në planin e ndikimeve të sferave dhe presioneve gjeopolitike globale, ardhja e përfaqësuesve më të rëndësishëm të NATO-s, e krerëve rajonalë, kryesisht të shteteve që potencialisht kanë ndikim në hapësirën e ish-Evropës Juglindore, nuk bën gjë tjetër veçse rrit garancitë dhe kryesisht investohet për diplomaci pozitive, atë të interesit luajal dhe jo atë të mbajtjes në fuqi të vatrave të konfliktit apo me tension”, tha ndër të tjera Çipa.
Mbajtja e shpeshtë e samiteve në Ballkanin Perëndimor ka rritur interesimin institucional të Evropës për këtë rajon, tha Çipa, derisa theksoi se vetë qasja e vendeve të Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor ka ndryshuar.
“Siç e keni vënë re, në harkun kohor të kësaj javë janë duke u zhvilluar dhe janë kryer tri samite të rëndësishme. I pari ishte në Londër, ku u fol për projekte e investime që kanë të bëjnë me përshpejtimin zhvillimor për Ballkanin Perëndimor, i dyti është samiti për Ukrainën dhe i treti është ai që zhvillohet nën autoritetin e Komisionit Evropian, ku do të jetë prezent edhe presidentja e këtij komisioni dhe komisionari për fqinjësi dhe zgjerim i BE-së. Prezenca e krerëve diplomatikë të hapësirës kontinentale dhe të institucioneve të larta të BE-së në rajonin tonë, jo vetëm që ka rritur interesimin institucional të Evropës për rajonin tonë, por në mënyrë potenciale ka shumëfishuar besimin dhe vlerën e partneritetit bilateral dhe multilateral rajonal”, tha ai.
Analisti Çipa theksoi se në këtë këndvështrim, krerët e shteteve rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe kryesisht ata të hapësirës shqiptare, duhet të rrisin artikulimin, sepse kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin dëshmi të një konstruktiviteti rajonal dhe fqinjësor. “Vëmendja e BE-së dhe kryesisht institucioneve evropiane në Bruksel, për këtë kontribut që jep rajoni duhet shumëfishuar dhe bashkëshoqëruar edhe me faktin që në agjendën e inkurajimit ekonomik dhe financiar përfshihet prej Komisionit Evropian edhe granti që diskutohet me datë 29 shkurt, që kap një vlerë prej gjashtë miliardë eurosh për infrastrukturën dhe çështje të sigurisë në këtë hapësirë rajonale, siç është Ballkani Perëndimor”, tha Çipa.
Megjithatë, Çipa theksoi se zhvillimet në raport me integrimin e Ballkanit Perëndimor kanë qenë të ngadalta. “Ka përshpejtim të agjendës por jo të zhvillimeve, sepse Evropa gjithmonë jep provën atë të lëvizjes me ngadalësi në raport me Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor e ka rritur edhe artikulimin edhe kërkesën për përshpejtimin e këtij procesi dhe e vërteta është që gjashtë apo shtatë vjetësh të fundit ky proces ka qenë më tepër në lëvizje se sa në periudhën e mëparshme, kryesisht para dhjetë vjetësh. Kështu që kjo është një gjë pozitive. Do të varet nga faktorët institucionalë të republikave të hapësirës së Ballkanit Perëndimor se sa mund ta vënë në lëvizje në mënyrë të përshpejtuar procesin integrues të tyre dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar analisti Aleksandër Çipa.