ARKIVI:
26 Nëntor 2024

Sanxhaku dhe Luftërat Ballkanike

Shkrime relevante

Presidentja Vjosa Osmani: Gjatë qëndrimit në Halifax, Kanada, takova shumë shqiptarë që janë rrëfime suksesi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Halifax,...

Të votohet për një legjislaturë të re politike!

Ilustrim ... Florim Zeqa  Elektorati kosovar kërkon ndryshime në të gjitha partitë pa...

Deformimi i Historisë: Hoxhallarët nuk ishin ata që e formuan Alfabetin Shqiptar

Nga: Luan Dibrani, Gjermani Në Kongresin e Manastirit, i cili u mbajt...

The Musical Times (1926) / “Zbulova dy lloje muzike në Shqipëri…” — Udhëtimi i Paul Edmonds në Elbasan, njohja me Lef Nosin dhe transkriptimi...

Ilustrim: Dua Lipa... Nga Aurenc Bebja*, Francë –  26 Nëntor 2024  Revista britanike “The...

Shpërndaj

Ismet Azizi, kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”

___

Në Konferencën e Ambasadorëve është konfirmuar gjendja nga dy luftërat ballkanike, me të cilën Shqipërisë i njihet pavarësia në kufijtë e sotshëm. Kosova mbetet nën sundimin serb, ndërsa Sanxhaku i Pazarit të Ri, si pjesë e Vilajetit të Kosovës, tashmë i okupuar, ndahet në mes Serbisë dhe Malit të Zi.

Luftën e Parë Ballkanike e kanë udhëhequr së bashku shtetet e koalicioni ultra ortodoks, si: Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi. Ky koalicion ballkanik u ngrit në luftë, kundër Perandorisë Osmane me qëllim që të pushtojë dhe të ndajë më shumë toka shqiptare në Ballkan, të cilat deri atëherë kishin mbetur nën sundimin osman. Koalicioni ballkanik kishte për qëllim ndarjen e territorit të Kosovës, të Sanxhakut, të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Marrëveshja ishte për daljen e Serbisë në bregdetin e Shqipërisë. Me klauzola të fshehta me të gjitha marrëveshjet e tyre ishte paraparë ndarja e Shqipërisë nga katër shtetet aleate. Shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike e shpejtoi kryengritja shqiptare e verës së vitit 1912, e cila kulmoi me hyrjen e kryengritësve në Shkup në gusht 1912 nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit e të tjerëve. Xhonturqit pranuan të hyjnë në bisedime me Komitetin Kombëtar për bashkim për autonominë e Shqipërisë, e cila do të përfshinte Vilajetet e Shkodrës, Kosovës, (pjesë e të cilit ishte edhe Sanxhaku i Jeni Pazarit), Manastirit dhe i Janinës. Në këtë luftë Perandoria Osmane humbi, ndërsa aleatët ballkanikë e ndanë mes veti Maqedoninë, Kosovën, Sanxhakun dhe Shqipërinë.
Konferenca e Ambasadorëve e thirrur me iniciativën e Anglisë, për shkak të çështjeve kontestuese në Ballkan, kishte për qëllim që të pengojë një konflikt të gjerë evropian. Në këtë konferencë është konfirmuar gjendja nga dy luftërat ballkanike, me të cilën Shqipërisë i njihet pavarësia në kufijtë e sotshëm. Kosova mbetet nën sundimin serb, ndërsa Sanxhaku i Pazarit të Ri, si pjesë e Vilajetit të Kosovës, tashmë i okupuar, ndahet në mes Serbisë dhe Malit të Zi.
Ushtria serbe arriti të hyjë me lehtësi në Shkup dhe në disa qytete të Kosovës, mandej kishte depërtuar edhe në thellësi të tokave të Shqipërisë. Gjatë Luftës së Parë Ballkanike në zonën e kufirit me Serbinë deri në Prishtinë, ushtria serbe kishte vrarë 1450, kishte plagosur 2530 dhe burgosur mijëra shqiptarë. Në Prishtinë, pas hyrjes së ushtrisë serbe, korrespondentët e shtypit evropian gjetën 5.000 kufoma. Petar Karagjorgjeviq deklaroi ato ditë para ushtarëve të plagosur në spitalin e Nishit se shqiptarët, të cilët i quante “derra”, do të dënohen ashpër. Për këtë gjenocid të programuar zyrtarisht në Beograd, dëshmon edhe pohimi që gjenerali Kirkoviq bëri në Pazar të Ri më 23 tetor 1912, ku, midis tjerash, thekson: “Kjo pjellë e keqe duhet shfarosur!” Edhe Mali i Zi mori masa për të vendosur kontrollin dhe administrimin e tij në trojet shqiptare të pushtuara. Sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, Mali i Zi aneksoi vise me një popullsi të përgjithshme prej 240 000 vetash, nga të cilët rreth 180 000 ishin shqiptarë. Më 20 shkurt 1914, qeveria e Serbisë nxori dekretin për kolonizimin e “vendeve të çliruara” që i ishin bashkuar Mbretërisë Serbe. Serbia i quante “vende të çliruara”, të gjitha trevat shqiptare, pra edhe Sanxhakun. Përderisa forcat serbe përparonin, në të njëjtën kohë, forcat malazeze iu drejtuan Shkodrës, rrafshit të Dukagjinit dhe Sanxhakut. Mali i Zi hyri në Luftën Ballkanike me qëllim të zgjerimit të territorit të tij në drejtim të Shqipërisë dhe në Verilindje drejt Sanxhakut. Pas pushtimit të trevës së Bjellopolës, Kolashinit, Plavës dhe Gucisë, ushtria malazeze ishte nisur drejt Senicës, ku i shkon në ndihmë edhe ushtria serbe, e cila, kudo që shkonte, vriste dhe plaçkiste popullsinë vendase myslimane (shqiptarë e boshnjakë).

Në foto: Malsorë të Masbjeshkës, Sanxhakut

Në tetor të vitit 1912, Sanxhaku u dorëzua, duke rënë kështu në duart e ushtrisë serbo-malazeze. Udhëheqësi famëkeq ushtarak malazez, Boshkoviq, fillon çarmatosjen e menjëhershme të popullsisë së Peshterit. Ai ishte vendosur në fshatin Doliq i banuar krejtësisht me popullsi shqiptare, ku edhe kishte kaluar natën. Ushtria malazeze kishte çarmatosur dhe mbledhur mbi 100 pushkë në Doliq dhe në disa fshatra të Peshterit. Nga një raport i oficerëve serbë rezulton se: “Të gjitha fshatrat i kanë sjellë armët, përveç një pjese, e cila nuk i solli me dëshirë. Mbi njëzet kriminelë që rezistuan dhe filluan të gjuajnë mbi ushtarët tanë trima, i vramë dhe i therëm”. Doliqi dhe fshatrat e tjera të Rrafshnaltës së Peshterit ishin të banuara me popullsi shqiptare. Në këtë raport nuk flitet për humbjet që kishin pësuar nga luftëtarët shqiptarë (vërejtja jonë I. A.), të cilët mbronin pragun e nderin e shtëpive, pra edhe vendin e tyre nga ushtria serbe e malazeze. Në raportin e lartpërmendur, nuk janë ofruar të dhëna për njësitë ushtarake të këtij batalioni për humbje apo të plagosur në radhët e tyre.
Pas Luftërave Ballkanike (1912), fillon me të madhe shpërngulja e popullsisë vendëse për në Turqi e vende të tjera. Kjo, para se gjithash, bëhej për shkak të krimeve që kryente pushtuesi. Posaçërisht shpërngulja ishte më intensive, pas qërimit të hesapeve të ushtrisë malazeze me peshterasit. Veprimet makabre të forcave ushtarake, përveç me vrasje e tortura ndaj njerëzve duarthatë, shoqëroheshin edhe me plaçkitje, djegie të shtëpive etj.
Sipas autorit Avdiq, H.: “Për ta “qetësuar” Plavën dhe Gucinë, kryekomanda ia kishte besuar brigadierit Cemović, për të cilin ishte një lloj shpërblimi për bëmat e tij të mëparshme, në pjesën e Sanxhakut lindor, përkatësisht në fshatrat e rrethinës së Tutinit dhe Ribariqit, (vendbanime myslimane të banuara me shqiptarë e boshnjakë) ku ushtria e tij dogji shtëpi, plaçkiti kafshë, vrau njerëz të pafajshëm, dhunoi gra e vajza”. Zekeria Cana në librin e tij “Gjenocidi i Malit të Zi mbi Popullsinë shqiptare, 1912-1913 (dokumente), ndër të tjera, shkruan se “nga banda e Cemovićit, vetëm në fshatin Mojstir afër Rozhajës, u plaçkitën 95 qe, 3 lopë, 4 shqerra, 213 dele dhe 3 kuaj të Ali Dragës, kurse sharrës së tij iu vu zjarri”. Humbjet në njerëz ishin të mëdha. Vetëm “gjatë tetorit- nëntorit 1912 u vranë rreth 25.000 shqiptarë”.

Disa autorë serbë e boshnjakë, shkruajnë se sjelljet e ushtrisë serbe ndaj myslimanëve (sanxhaklinjëve) kanë qenë korrekte. Sipas të gjeturave të Skënder Rizajt, kjo nuk qëndron. Ushtria serbe kishte urdhëresë që secili fshat shqiptar, i cili bënte sado pak rezistencë, të digjej në tërësi, pavarësisht se aty jetonin gra e fëmijë dhe pleq. Si është e mundur mos të vlente edhe për fshatrat e Peshterit të banuara pothuajse në tërësi me shqiptarë. Për dhunën, krimet, dëbimet që bënte pushteti serbo-malazez dëgjohej gjithkah, edhe nëpër kancelaritë evropiane. Diplomatët austriakë të akredituar në Beograd, jo vetëm që ishin tmerruar nga masakrat, që po bëheshin nga ushtria serbo-malazeze- çetnike mbi shqiptarë, por gjatë atyre ditëve ata shpeshherë kishin dëgjuar deklarimet jo formale nga zyrtarë të lartë serbë se kishin dëgjuar se “shqiptarët duhet zhdukur, pavarësisht se aty jetojnë gra, fëmijë dhe pleq. Diplomatët…. kishin dëgjuar se “shqiptarët duhet zhdukur“. Sa i përket shpërnguljes, përkatësisht dëbimit, sipas të dhënave të konsullatës së përgjithshme të Serbisë në Selanik, vetëm gjatë periudhës nëntor 1912–prill 1914, nga Kosova, Sanxhaku e nga Maqedonia, domethënë nga ato treva që u quajtën “toka të çliruara”, kanë kaluar nëpërmjet Selanikut në Turqi mbi 240. 000 myslimanë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin shqiptarë.
Perandoria Osmane, e lodhur, e sulmuar nga të gjitha anët, pothuajse ishte dorëzuar. Harun Crnovrshanin dhe Nuro Sadikoviq japin këto të dhëna “Mundësitë për mbrojtjen e Sanxhakut ishin të vogla. Banorët e Pazarit të Ri dhe të qyteteve të tjera i rezistuan pushtimit serbo-malazez. Beteja për Pazarin e Ri ka zgjatur prej 19 deri më 23 tetor 1912. Ushtarët osmanë së bashku me shqiptarët dhe boshnjakët rezistuan fuqishëm, por, në mungesë të ushtrisë dhe të armatimit, mbrojtja u thye”.
Se ka pasur rezistencë për ta mbrojtur Jeni Pazarin (Pazarin e Ri) nga ushtria okupuese serbe dëshmon e dhëna faktike e autorëve të lartpërmendur se “në mbrojtje të Pazarit të Ri humbi jetën kryetari i komunës dhe 28ushtarë të tjerë shqiptarë e boshnjakë”. Marshimi i ushtrisë serbe drejt tokave shqiptare në jug tregon se gjithçka veprohej sipas projekteve të përpiluara në detaje nga Beogradi. Pas instalimit të plotë të pushtetit okupues, serbët dhe malazezët menjëherë e bënë ndarjen territoriale-ushtarake dhe iu përveshën punës për regjistrimin e banorëve. Se cili ishte qëllimi, dihej fare mirë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu