Marjana Bulku
Një Jetë Disa Histori (Albanian Edition) Paperback – March 1, 2024
Albanian Edition by Marjana Bulku (Author)
Libri “Një jetë disa histori” është një përmbledhje me intervista, profile shqiptaro-amerikane, esse dhe refleksione letraro-gazetareske. Ky publikim ka si qëllim të sjellë bashkë individualitete shqiptare të cilat udhëve të integrimit kalojnë sfida të përbashkëta, shumë prej të cilave janë iluminuese për të tjerët, sot dhe nesër.
Libri është produkt i njohjeve dhe komunikimeve të drejtpërdrejta në studion e televizionit Albanian Culture TV në New York si dhe i mjaft veprimtarive pranë institucioneve të tjera si Federata Panshqiptare Vatra, Albanian American Dual Language & Culture, Dita Botërore e Librit, etj. Është një stil i veçantë shkrimi ku alternohen pyetjet e shumta argumentuese me përgjigje analitike, evokime veprash dhe vlerësime mbi individë, akte e veprimtari të cilat me rritjen e emigracionit e kanë intensifikuar sasinë por edhe cilësinë.
Komunikimi përmes intervistave, përgjithësimeve, reflektimeve dhe krijimeve letrare sjell në një volum të vetëm një galeri të gjërë plot me informacion historik, kulturor dhe intelektual duke krijuar kështu një kulturë përbashkuese të shqiptarëve që jetojnë jasht territoreve shqiptare dhe që Shqipërinë e kanë gjithmonë me vete.
Një prej të intervistave të botuara në këtë libër është intervista me Frank Shkrelin:
————————————————————————————————-
1.Zoti Frank Shkreli ju njiheni në botēn shqiptare si gazetar i Zërit të Amerikës, si mund ta përshkruani rolin tuaj si gazetar para viteve 90 -të, po pas 90-tës?
FSH: Unë kam filluar punën si gazetar dhe më vonë edhe si redaktor dhe producent në Zërin e Amerikës, seksioni shqip në vitin 1974 deri në vitin 1984. Më pas po tek Zëri i Amerikës, kam shërbyer edhe si shef i seksionit shqip të VOA-s (1984-1985). Nga viti 1985 deri në vitin 1990 kam shërbyer si këshilltar i lartë programacioni në Drejtorinë Europiane të Zërit të Amerikës, duke këshilluar dhe duke ndihmuar qindra gazetarë evropiano-lindorë të gjuhëve të ndryshme, në lidhje me programet dhe gazetarinë, subjektet dhe mbulimin e lajmeve në përgjithësi, drejtuar vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore. Ju kujtoj që në këtë periudhë, duhej punuar në kushtet e luftës së ftohtë. Nga viti 1990 deri në vitin 1994 jam emëruar zevendës drejtor i Drejtorisë për Euroazinë në Zërin e Amerikës, ent i cili në atë kohë përfshinte edhe Bashkimi Sovjetik që ndërkohë u shpërbë. Gjatë luftërave ballkanike, nga viti 1994 e deri në vitin 2003 më kanë emëruar dhe kam shërbyer si Drejtor në Drejtorinë e Zërit të Amerikës për Evropën, një ent nga i cili vareshin programet e VOA-s, në nja 20-gjuhë të ndryshme drejtuar Evropës, kryesisht asaj ish-komuniste, përfshirë programet në shqip të VOA-s, por nën mbikqyrjen time kisha edhe disa radio-programe të tjera drejtuar si për shembull, Spanjës, Portogalisë dhe Greqisë, ndër të tjera.
Në vitin 2003 kam dalur në pension pas 30-vjet shërbimi në Zërin e Amerikës dhe jam marrë me shkrime dhe vazhdoj të shkruaj për median shqiptare anë e mbanë trojeve si dhe në diasporë mbi çeshtje dhe subjekte, me të cilat, ata që ndjekin shkrimet e mia modeste, e dinë se mbuloj një seri çështjesh, subjektesh, ngjarjesh dhe personalitetesh, të cilët kam pasë fatin të njihja gjatë dekadave të shkruara, sidomos nga diaspora e vjetër shqiptare, për të cilët shumë pak shkruhet, aq më pak kujtohen, por të cilët kanë merita të mëdha për të gjithë ne.
2. Një i ri i emigronte në SHBA, kur vendit amë i mungonte liria dhe prek tokën ku liria frymëzonte botën, a mund të na i përshkruani shkurtimisht stacionet e këtij rrugëtimi?
FSH: E vërteta është se nuk ishte një rrugëtim i lehtë për mua, ashtu si nuk ishte i lehtë as për mijëra shqiptarë të cilët ishin detyruar gjithashtu të largoheshin nga Atdheu për të gjetur lirinë dhe një jetesë më të mirë për ta dhe familjet e tyre, e disa prej tyre – si kundërshtarë politikë të komunizmit – ishin detyruar të arratiseshin përball rreziqesh edhe për të shpëtuar jetën nga komunizmi.
Unë kam lindur në Amull, fshat në rrethin e Ulqinit. Shkollën fillore, 8-vjeçaren e kam krye në vendlindje ku mësimet kryheshin në shqip dhe serbisht, si gjuhë e dytë. Shkollën e mesme e kam ndjekur në Seminarin Katolik të Urdhërit të Salezianëve në Kroaci dhe Slloveni në serbo-kroatisht siç quhej në atë kohë, ku mora disa njohuri edhe për disa gjuhë të huaja. Kurse përvetësimi i gjuhës shqipe, e sidomos përvetësimi i gjuhës letrare është meritë e punës studimore autodidakte me fjalor në vitet më vonë, mbas ardhjes në SHBA dhe me ndihmën e shumë njerëzve të mirë me të cilët pata fatin të punoja.
Viti 1969 ka qenë viti i kthesës së madhe për mua dhe familjen time. Atë vit qeveria jugosllave, duke marrë shkas nga demostratat e organizuara në Prishtinë një vit më parë, i shtoi përndjekjet ndaj shqiptarëve anë e mbanë Jugosllavisë. Familjet malësore shqiptare të Malit të Zi deri në atë kohë nuk e njihnin largimin nga vendlindja as në formën e kurbetit dhe as si arratisje. Familja ime e përbërë nga prindërit, dy motrat Drania dhe Tereza dhe dy djemtë unë dhe vëllai Toma, për të shpëtuar nga këto përndjekje, vendosëm ndër të parat familje të atyre anëve, të arratiseshim në Itali. Mbas disa përpjekjesh u realizua ky akt.
Qëndrimi im në një kamp refugjatësh politikë në Itali zgjati një vit. Aty u bë njohja me punonjësit e ambasadës amerikane dhe u mbushën dokumentet. Familja jonë në vitin 1970 u lejua të shkonte në SHBA, aty ku kishte kërkuar. Me të arritur në Amerikë, ne u vendosëm në lagjën Bronks të shtetit New York, për të qenë pranë kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës” dhe disa të afërmëve tanë. Unë si 19-vjeçar fillova të punoja që javën e parë, çdo punë që mund të gjëja. Pastaj, pa vonesë, u regjistrova në një kurs mbrëmjeje për mësimin e anglishtes, kurse ditën vijoja të punoja çfardo pune. Më tej u regjistrova në disa kurse mbrëmjeje në “Hunter College” në Manhattan dhe “Lehman College” në Bronx, ku fillimisht u përqendrova në disa kurse për shkencat politike dhe histori.
Në verë të vitit 1974, u largova prej familjes dhe u vendosa në Washington DC, ku fillova punën tek Zëri i Amerikës, seksioni shqip. Në kryeqytet edhe pse kisha një punë që më pëlqente dhe krahas punës me orar të plotë si gazetar, u regjistrova në “George Washington University”, dega Shkenca Politike, me mjaft mundime e sakrifica.
Në Washington DC nuk kishte familje emigrantësh shqiptarë me përjashtim të disa punonjësve shqiptarë të “Radios Zëri i Amerikës”. Këta edhe pse ishin në moshë të madhe dhe nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, më afruan dhe më mbështetën shumë dhe u bënë si mësues të mij duke më ndihmuar për të përvetësuar më mirë gjuhën shqipe dhe të shprehive radiofonike dhe për t’iu përshtatur më kollaj jetës amerikane të kryeqytetit, për çka unë dhe familja ime u mbetemi përgjithmonë, mirënjohës.
3. Nga shkrimet tuaja qartazi dallohet një arkiv i pasur më fakte e informacione por edhe personalitete që bota letrare, ajo historike dhe politike shqiptare pak ose aspak i njihte për shkak të izolimit por edhe nihilizmit tendencioz të dirigjuar nga politika apsurde e kohës, si u kristalizua ky raport i juaji me këtë pasuri intelektuale që frymëzon dje, sot, përherë?
FSH: Merita ishte e këtyre personaliteteve shqiptaro-amerikane dhe të diasporës në përgjithësi dhe ishte fati im që i kam njohur, gjatë një periudhe dhe një moshë kur ndoshta kisha më s’shumti nevojë për mësimet, udhëzimet, këshillat dhe përvojën e tyre, shpesh shumë dimensionale. Nuk dua të përmend emëra pasi lista është shumë e gjatë, por jam munduar që shumë prej tyre i kam përmendur e kujtuar, me mirënjohje të thellë gjatë viteve, me artikuj dedikuar atyre, jo vetëm për ndihmën dhe këshillat që kam marrë prej tyre, por jam përpjekur të theksoj dhe rolin e tyre historic, ashtuqë brezat e ardhëshëm të mos harrojnë kontributin e tyre të madh në fushat të shumta të veprimtarisë atdhetare, politike dhe kulturore, gjatë shekullit të kaluar, kryesisht në mërgim. E vërteta është se unë kam pasë fatin e mirë të takoj dhe disa prej tyre edhe të punojë me ta, siç thua edhe vet, ishin njerëz që pak ose aspak nuk njiheshin në atdhe – emërat e të cilëve ishin shlyer nga historia shqiptare — sepse konsideroheshin si kundërshtarë të regjimit komunist dhe më keq trajtoheshin edhe si tradhetarë nga regjimi komunist i Tiranës për shkak të “izolimit por edhe nihilizmit tendencioz të dirigjuar nga politika apsurde e kohës”, siç thua edhe vet.
Fatkeqësisht, shumë prej tyre mbeten edhe sot të tillë, të shlyer e të harruar nga historiografia shqiptare. Natyrisht, se ishte edhe dëshira ime dhe kurioziteti intelektual për të takuar njerëz të tillë, nga të cilët e dija se do të mësoja shumë gjëra me vlerë, pasi njohuritë e mia në atë moshë – mbi Shqipërinë dhe shqiptarët – ishin mjaft të kufizuara, sidomos njohuria mbi komunizmin kishte shumë për tu dëshiruar. Ishte ndryshe kur lexoje shkrime në anglisht mbi komunizmin dhe ishte krejt ndryshe kur dëgjoje, drejtë për drejtë nga goja e tyre, përvojën e këtyre njerzëve dhe vuajtjet e familjeve të tyre, nën komunizëm. Unë, modestësisht, i kam venë në dukje disa prej tyre, nepërmjet artikujve të ndryshëm, që në të vërtetë janë botuar gjithandej, kontributin e shumë prej këtyre patriotëve shqiptarë të shekullit të kaluar, pikërisht me qëllimin që – jo vetëm t’i kujtojmë ata – por edhe që, mundësisht, vepra e tyre të shërbejë edhe si frymëzim për të rinjë ose të reja shqiptare që mund të lexojë për ta shkrimet që, fatbardhësisht, falë teknologjisë moderne mund të gjënden lehtë në internet.
4. Le të ndalemi pak te botimi juaj, “Demokracia nuk pret” i cili në këndvështrimin tim êshtë këmbana e një alarmi për shuarjen e demokracisë, po për ju si autor?
FSH: Tre vëllimet e “Demokracia nuk pret”, janë një përmbledhje vetëm e 25-30 % e shkrimeve të mia që tani mund të kenë arritur mbi 1000 artikuj gjithsejt. Shkrimet, siç e dijnë lexuesit e rregullt, kanë përfshir gjatë viteve – përveç personaliteteve shqiptaro-amerikane e të tjera që përmenda më lartë – i kam përqëndruar mbi subjektet dhe temat që janë shumë afër zemrës time dhe të cilave mund të them se ua kam kushtuar edhe jetën dhe profesionin tim, me fjalë tjera, vlera të cilat i kam konsideruar si mision të jetës time, për t’i mbrojtur, për t’i promovuar dhe për t’i mbrojtur: mbi të gjitha, demokracia, fjala e lirë, liria e shtypit dhe të drejtat e njeriut – jo vetëm për botën tonë shqiptare të cilës këto vlera njerëzore i janë mohuar për një shekull – por edhe si vlera dhe të drejta që duhen promovuar dhe mbrojtur për mbarë botën.
Është e vërtetë se titulli i vëllimeve I, II dhe III përbën një alarm se Demokracia e vërtetë në trojet shqiptare, sidomos në dy shtetet shqiptare — Shqipëri dhe në Kosovë – këto 30-vjet post-komunizëm, jo vetëm që nuk u vendos kurrë bazuar në thirrjen e studentëve shqiptarë 30-vjet më parë: “E Duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”, por edhe parlajmëron se mungesa e një demokracie të vërtetë, kollaj i lë vendin një autoritarizmi personal, siç e shohim sot në Shqipëri. Nëqoftse demokracia e vërtetë nuk merret seriozisht nga politika dhe nga votuesit– atëherë ajo zevendësohet me diçka tjetër – Demokracia e vërtetë nuk pret për gjithmonë, boshllëkun e mbush dikush që nuk ia do të mirën demokracisë as zhvillimit të saj në trojet shqiptare.
Kështu edhe po ndodh, fatkeqësisht. Për mua, titulli, “Demokracia nuk pret” do të thotë se stili i qeverisjes ndër shqiptarët, sidomos në Shqipëri, por edhe në Kosovë, duhet të ndryshojë patjetër dhe me themel ashtu që të ndalohet migrimi i shqiptarëave nga tokat shqiptare dhe që kjo klasë politike, të cilën me të drejtë ose pa drejtë, e kam kritikuar për 30-vitet e kaluara, ka nevojë që të përqendrohet tek interesat themelore kombëtare e jo tek ato partiake ose tek objektivat politike dhe ekonomike të momentit, siç po ndodhë edhe tani. Për ndryshe do vazhdojmë të kemi një Shqipëri dhe një Kosovë, pjesërisht demokratike ose pjesërisht të lirë, siç janë cilësuar vazhdimisht gjatë viteve në raportet mbi të drejtat e njeriut të Departamentit Amerikan të Shtetit si dhe nga organizata ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut. Vëllimet I, II dhe III nënkuptojnë për mua se klasa politike ka nevojë për një shkundje të madhe dhe shoqëria shqiptare ka nevojë gjithashtu për një zgjim nga amullia dhe apatia politike, para se të jetë tepër vonë.
5. Gazetaria juaj aktive përfshin shumë dimensione të informimit, çfarë mesazhi keni për gazetarinë sot në kushtet kur bota e informacionit nuk njeh limit dhe ku e vërteta dhe mashtrimi janë sa larg po aq edhe pranë për shkak të disinformimit?
FSH: Mesazhi im është i thjeshtë: Të thuhet dhe të shkruhet e vërteta! Jam plotësisht dakort me ty, Marjana. Nuk është aspak e rastit se në një botë si sot, ku “informacioni nuk njeh limit dhe ku e vërteta dhe mashtrimi janë sa larg po aq edhe pranë për shkak të disinformimit” – që liria e shtypit, gazetaria e lirë në pëgjithësi, është sot më e kërcënuar se kurrë. Prandaj, sot është më e rëndsishme se kurrë që të mbrohet, të promovohet dhe të fuqizohet shtypi i lirë, në interes të publikut dhe në interes të demokracisë së vërtetë.
Unë kam punuar për 30-vjet për një ent mediatik amerikan ndërkombëtar – Zëri i Amerikës – në detyra të ndryshme me përgjegjësi politike, menaxhuese, redaksionale dhe programore. Si i tillë nuk mund ta largoj veten, as tashti që kryesisht shkruaj opinione, nga përvoja ime prej tre dekadash si gazetar dhe si përgjegjës e drejtor lajmesh e transmetimesh ndërkombëtare për audienca, kryesisht, të kapura nga propaganda komuniste e asaj kohe. Zëri i Amerikës, si asnjë ent tjetër mediatik në botë, ka vepruar dhe vepron, gjithnjë, bazuar në një ligj të vitit 1976, i cili përcakton që të gjitha transmetimet qeveritare duhet t’u përmbahen standarteve strikte mediatike, për të cilat mbështetësit e shtypit të lirë thonë se janë thelbësore për të qenë një burim i besueshëm lajmesh për audiencat ndërkombëtare. Ishte detyra ime si përgjegjës dhe drejtor programesh të mbroja, pothuaj me fanatizëm, ligjin sipas të cilit Zëri i Amerikës, të shërbente si burim i besueshëm dhe autoritativ lajmesh dhe informacioni, që lajmet të ishin të sakta, objektive dhe të shumanëshme. Që programet në të gjitha gjuhët të pasqyronin në mënyrë të balancuar dhe të gjithanëshme idetë dhe institucionet më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara. Në Kodin e Zërit të Amerikës thuhet se pasqyrimi i politikave amerikane duhet të transmetohet në mënyrë të qartë dhe të efektshme, përfshir debatet apo opinionet rreth këtyre politikave. Mesazhi im: e Vërteta dhe Besueshmëria janë tepër të rëndësishme për një shtyp të lirë. Shtypi i lirë është, jetik për një shoqëri demokratike si dhe për zhvillimin e saj në çdo lami. Kur nuk thuhet e vërteta, humbet besueshmëria, pa besueshmëri, më mirë t’i vemë çelsin entit mediatik ku punojmë dhe të shkojmë në shtëpi e të merremi me diçka tjetër!
6. Sa peshë ka liria në profilin e gazetarit, apo intelektualit dhe duke qenë se jeni formuar në një vend ku liria nis nga rregulli cili është mendimi i juaj për politikën shqiptare?
FSH: Pa dyshim se liria për gazetarin është alfa dhe omega e gjithçkaje, e profilit të tij ose të saj, po se po, e punës dhe natyrisht, pasqyrohet patjetër edhe në produktin përfundimtar të gazetarit. Përgjigja ime ndaj pyetjes për mendimin tim mbi politikën shqiptare që më është bërë shpesh në intervista të shumta, fatkeqësisht, kurrë nuk më ka bërë miqë në radhët e politikës shqiptare, përkundrazi.
Unë kam menduar gjithnjë se problemet e demokracisë në Shqipëri, ose “antagonizmat politike’ siç i quajnë disa, janë rezultat i trashëgimisë së kaluarës së tmershme komuniste. Elita e sotme politike në Shqipëri, qoftë ajo qeveritare, shtetërore, udheheqës partishë, deputetë, drejtorë e udheheqës të ndryshëm institutesh, akademishë e entesh të ndryshme deri edhe drejtues të mediave — në mos të gjithë, atëherë shumë prej tyre janë pjedhë e një klase që dikur ka mbajtur gjallë regjimin diktatorial të Enver Hoxhës. Në këte kuptim, mund të thuhet se ishin “normale” zhvillimet politike të 30-viteve të fundit. Por kjo “normale” eshtë abnormalitet për Shqipërinë e sotme dhe të nesërmen shqiptare, të krahasohet me zhvillimet në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës. Antagonizmi ose më mirë të themi ngërçi aktual politik rrjedh dhe ushqehet, natyrisht, nga kjo elitë që kryesisht është rritur dhe edukuar në komunizëm.
Dihet se komunizmi shqiptar ushqente një frymë mos-tolerance të pa kompromis ndaj kundershtarëve, deri ne zhdukjen e tyre fizike dhe nuk ishte një sistem që inkurajonte dialogun e bashkpunimin midis njerezëve me mendime të ndryshme, për të mirën e përbashkët.
Fatkeqësisht, fryma e mos kompromisit të ish-regjimit komunist, vihet re kudo në shoqërinë shqiptare nga parlamenti e deri në stdudiot televizive – ndërkohë që të ulurit në tryezë për të diskutuar për zgjidhjen e problemeve, për të mirën e përbashkët dhe për tu përballur me sfidat që afektojnë të gjithë — duket se nuk është në “modë”. Ky polarizim politik, që siç duket nuk ka të ndalur midis palëve kryesore politike, për fat të keq, mund të keqësojë edhe mëtej situatën politike edhe ashtu të acaruar dhe mund të prekë edhe gjendjen ekonomike të vendit, duke shkaktuar kështu edhe emigrimin në masë, sidomos të rinjve, duke zbrazur vendin nga njerëzit më të mirë të Kombit. Shpresa ime është për një gjeneratë të re për ta nxjerr vendin nga ky ngërç politik – para se të bëhet tepër vonë — dhe u takon votuesve shqiptarë të mbajnë përgjegjës elitën e sotme për gjëndjen e krijuar politike dhe ekonomike që e ka çuar vendin në një greminë, fundi i të cilës nuk shihet.
7. A mund të na rrëfeni sekretin e ruajtjes gjallë të gjuhës shqipe dhe lidhjes së fortë me të edhe pse disa dekada larg atdheut?
FSH: Me të thenë të drejtën, nuk ka ndonjë sekret të madh. Interesimi personal, kurioziteti intelektual dhe ndihma e pa kursyer e njerëzve të mirë. Në këtë pikë, më shumë në zhvillimin e gjuhës shqipe se në ruajtjen e saj — më kanë ndihmuar disa prej atyre personaliteteve të diasporës shqiptare që përmenda më lartë, përfshir Ernest Koliqin gjatë qëndrimit tim në kampet e refugjatëve në Itali, i cili më dhuroi disa prej librave të tij në vitin 1970 në Romë, Dom Prenk Ndrevashaj, i cili më pasuroi me Lahutën e Malësisë dhe vepra të tjera të Fishtës, gjithashtu gjatë qëndrimit tim në Itali, si refugjat. Me të ardhur në Amerikë, ishte Mons Zef Oroshi i cili më dha mundësi për të ndihmuar në përgatitjen due botimin e revistës, “Jeta Katolike” dhe të tjerë patriotë të komunitetit që mu gjënden pranë në atë kohë. Për fat tim të keq, unë nuk pata kurrë rastin të studjoja shqip në nivel universitar dhe as në shkollë të mesme. Vetëm 8-vjeçaren kisha bërë shqip, përzier me serbo-kroatisht.
Por gjuha ime shqipe vërtetë u përmirësua dukshëm pasi fillova punën në seksionin shqip të Zërit të Amerikës në vitin 1974. Ishte aty që hodha hapat e para serioze me ndihmën e disa veteranëve të gazetarisë shqiptare, sidomos Xhevat Kallajxhiu, botues i gazetës Demokracia në Gjirokastër para Luftës dhe më vonë Kryeredaktor i Diellit në Amerikë. Ishte Xhevati dhe kolegët e tij që i gjeta në Zërin e Amerikës, ata të cilët u munduan të përsosnin gjuhën time shqipe, megjithëse jam tepër i vetdijshëm për mungesat e mia në këtë fushë, sot e kësaj dite. Atyre u takon merita edhe për urimin që më bëri shkrimtari, poeti dhe politikani, z. Besnik Mustafaj me rastin e promovimit të tre vëllimeve “Demokracia nuk pret”, dy vjet më parë në Tiranë: “Gjuha e Frank Shkrelit është shumë e pastër nga fjalët e huaja se sa shumë nga gazetarët që kanë lindur, shkolluar, jetojnë e punojnë në Shqipëri. Ky është një shembull për të gjithë ne” – ka thënë me atë rast, zoti Mustafaj. Urim dhe përshëndetje më të mirë nuk mund të prisja nga një njeri i njohur i letrave shqip!
Shumë Faleminderit, Marjana!