ARKIVI:
27 Nëntor 2024

Lufta e Shkodrës 1912-1913 dhe vrasja e Hasan Riza Pashës si dhe a e shiti Esat Pasha Shkodrën?

Shkrime relevante

Presidentja Vjosa Osmani pritet me nderime të larta ushtarake nga Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u prit me nderime...

Përse qendrat spitalore universitare të Tiranës nuk presin të gjitha llojet e emergjencave polivalente mjekësore?

Nga:Prof. Pirro Prifti, Tiranë Ngjarja e ditëve të fundit ku një djalë...

Në Pollatë të Podujevës u vu gurthemeli i kishës katolike, të pranishëm edhe gazetarët e “The New York Times”

Arber Gashi, Prishtinë Dje pasdite, në fshatin Pollatë të Besianës është vënë...

Poezi kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë

Nga: Luan Dibrani "Flamuri i Lirisë: Pavarësia dhe Bashkimi i Shqipërisë" Në thellësinë...

Betejë gladiatorësh në fushë të Diasporës!

Florim Zeqa Liberalizimi i vonuar i vizave erdhi si mundësi e artë...

Shpërndaj

Nga Dr. Hasan Bello*

 

Pjesë nga një shkrim më i gjatë i autorit.

  • Ditari që përmbys gjithçka mbi Luftën e Shkodrës

Nëshkrimi i paqes mes Perandorisë Osmane dhe shteteve ballkanike krijoi një situatë të nderë për forcat e mbrojtjes. Hasan Riza Pasha refuzoi të nënshkruante armëpushimin me serbo-malazezët.

Këta të fundit pas tërheqjeve taktike ktheheshin për të goditur më furishëm. Artileria nuk kursente as objektet e kultit as konsullatat. Për mënyrën sesi rrodhën ngjarjet po i referohemi një ditari anonim, që ruhet në arkiva dhe që do të botohet së shpejti.

Në fund të dhjetorit 1912 autori shkruan se mes komandantit Hasan Riza Pashës dhe, zëvendëskomandantit Esat Pashë Toptanit kishte patur dy përplasje “por i kishin hi ndërmjet asqeria e të mdhajt”. Kjo tregon se mosmarrëveshjet mes tyre lidhur me taktikën e luftës dhe çështje të tjera kishin shpërthyer hapur në sy të ushtarëve dhe drejtuesve kryesorë të shtabit.

Por një nga shënimet më interesante të këtij ditari është ai datës 26 janar 1913, ku autori shkruan “Do thonë edhe qi Hasan Rizaja, komandari i Shkodrës, i ka thirrë t’parët e myslimanëve e u ka thanë: “Çka doni me ba se unë po dal e po e la”. Ata i kanë thënë qi “kur t’vinë koha me dalë, na dona me ju pshtetë Austrisë”. Valiu i paska sha tue ju thanë se, “si nuk ju vjen marre me thanë ashtu. Kështenimi i Shkodrës me rrethe thonë me kenë n’vedi e ju doni Austrinë”.

Kjo konfirmon faktin se Hasan Riza Pasha kishte vendosur që të tërhiqej nga Shkodra bashkë me ushtrinë osmane dhe këtë ia kishte bërë të qartë parisë myslimane, e cila shpëtimin e shihte tek vazhdimi i qëndresës dhe mbështetja austro-hungareze.

Lexo edhe: Betejat heroike për Shkodrën, roli i Esat Pashë Toptanit dhe Hasan Riza Pashës, tentativa për të futur malësorët në radhët e mbrojtësve

Të njëjtën gjë mendonte edhe Esat Pashë Toptani dhe oficerët shqiptarë. Sipas tyre, tërheqja e forcave osmane nga Shkodra do të shoqërohej me masakrimin e popullsisë. Përpjekja për ta bindur Hasan Riza Pashën që të hiqte dorë nga ky plan absurd rezultoi e kotë.

Kjo bëri që të mos i mbetej asnjë alternativë veçse ta vrisnin dhe të vazhdonin qëndresën derisa Fuqitë e Mëdha të vendosin përfundimisht për fatin e Shkodrës.

Në këtë ditarë ngjarja e mësipërme përshkruhet me këto fjalë: “Sonde në nji e gjysë sahatin natë, Hasan Rizaja, komandari i Shkodrës, tue dalë prej Esat Pashë Tiranës bashkë me javerin e vet, kje gjue pushkë e vra. Nuk dihet se kush e ka vra, sado qi rrugët u mbyllën me të shpejt. Do thonë se qenë 4 asqerë shqyptarë, do tjerë thonë ndonji mysliman shkodran e do tjerë thonë qi ka ardhë ndonji prej anmikut, ka hi n’sheher dhe e ka vra” (30 janar 1913).

Qëndresa për të mbrojtur qytetin pas vrasjes së Hasan Riza Pashës vazhdoi më me intensitet. Ajo tashmë do të drejtohet nga Esat Pashë Toptani.

Autori përshkruan ardhjen e negociatorëve malazezë për ta bindur Esat Pashën që ta dorëzonte qytetin, por ai do të refuzojë. “Thonë qi ata kanë bisedue me Esat Pashën për me e lëshue Shkodrën, por Esat Pasha nuk i ka ndigjue” (3 shkurt 1913).

Në fakt betejat më të ashpra për mbrojtjen e Shkodrës nga agresioni serbo-malazez do të zhvillohen në periudhën kur komandonte Esat Pasha. Kjo konfirmohet nga dokumentacioni dhe dëshmitarët okularë.

Një fakt i tillë pranohet në librin e dy oficerëve turq të botuar për herë të parë në vitin 1933 dhe ribotuar në 2007, gjeneral lejtënant Abdurrahman Nafiz dhe gjeneral brigade Kiramettin si bashkëpunëtorë të Hasan Riza Pashës e Esat Pashë Toptanit  dhe anëtarë të shtabit drejtues.

Prandaj akuzat për “shitje”, “dorëzim” etj, etj, me qëllimin denigrimin e Esat Pashës a priori nuk kanë bazë faktike.

Kjo dëshmohet dhe nga shënimi i datës 8 shkurt 1913: “U fol qi Esat Pasha kishte shkue me ndej n’nji vend e kishte gjetë edhe nji prej korculladesh, qi e kishte pyetë se “çka ke n’mend me ba”. Esati i kishte thanë se, “deri kur t’mundem po e mbaj e kur ta shoh se s’mundem ma, po e çoj flamurin e Shqypnisë e t’vijnë e hinë mbasandej mbrendë”.

Sipas ditarit, perceptimi i përgjithshëm i mbrojtësve të Shkodrës ishte se, një nga shkaqet e epërsisë së forcave malazeze ishte ndihma ushtarake që ato merrnin nga Serbia. E plot keqardhje, edhe ajo e malësorëve shqiptarë. “Po thonë qi serbi i ka çue nja 20 000 vetë asqerë Malit t’Zi për ndihmë. Asqerët qi kanë ik thoshin se “na batisi malcija qi vjen e na këcen ndër istikame, se për malazezët nuk kena zor”.

Pavarësisht rrethanave ekstreme dhe kequshqyerjes, në radhët e mbrojtësve nuk mungonte humanizmi. “Kur i kanë çue me hangër nishanxhi-taborit, ata nuk e kishin mbajtë bukën tue i thanë: “Danje nëpër fukara se nuk asht koha me hangër bukë” (9 shkurt 1913). Kjo deklaratë rrënqethëse, vinte kur armiku kishte 72 orë që bombardonte qytetin dhe popullsinë pa pushim.

Lufta po kalonte limitet e mbijetesës njerëzore nga dita në ditë. Megjith se Perandoria Osmane kishte nënshkruar paqe me aleancën ballkanike, drejtuesit e mbrojtjes dhe paria ishte e vendosur për të rezistuar në maksimum.

Në shënimin e datës 10 shkurt 1913 autori shkruan “Sot nade duel tellalli e tha: “Emni i hyqymetit, për hatër të Pejgamberit, t’Zotit e t’Vatikanit, kush t’jetë mysliman qi asht i zoti për pushkë, t’vinë n’Fushëqelë e t’marrin pushkën”. Thonë qi dje i ka mbledhë (Esati-H.B.) t’parët e myslimanëve e i ka thanë: “Çka doni me ba se Stambolli na ka lëshue?” Por këta i kanë thanë se “deri ku t’mundena duem me e mbajtë”.

Ajo që të bën përshtypje është fakti se vendimet e mara nga shtabi i mbrojtjes që drejtohej nga Esat Pasha konsultoheshin me parinë e qytetit. Kjo hedh poshtë akuzat për tradhëti. Kështu, në shënimin e datës 13 shkurt 1913, shkruhet “Kësaj jave janë mbledhë asqeria e myslimanët e i paska thanë Esat Pashë Tirana “çka doni me ba?”. Thanë qi tri hise janë ba razi me ja lëshue e nji hise ka thanë jo. Do tjerë thonë qi të tanë janë ba razi salldé. Tepia (lagje-H.B.) nuk ndigjon”. Situata u rëndua me depërtimin e forcave serbe afër Beltojës dhe Bërdicës. Në qytet nuk gjendeshin më as dru, as lakër, as purri, as mish, as bukë, as bereqet e shumë sende të tjera.

Ndërsa çmimet shkuan në stratosferë dhe monedhat nuk hynin më në punë, aq sa lypësat thonin “Nuk due pare, por due bukë se u fika unit”. Kjo gjendje po e çonte qëndresën drejt fundit.

Edhe Esat Pasha paska mbledh t’parët e t’kshtenëve e t’myslimanëve e i paska thanë: “A mundeni me qindrue edhe 15 ditë?” Myslimanët i paskan thanë se, “edhe 15 ditë mundena me qindrue, por ma tepër jo”. E t’kshtenët i kanë thanë se, “edhe 4 ditë s’dijmë a mundena me qindrue”. Po thonë qi nja 50 kuaj i paskan vra se kashta e elbi asht marue e s’kanë me çka me i mbajtë” (2 mars 1913).

Në formë presioni nuk u kursyen me bombardime as lagjet e banesat e katolikëve. Vetëm më 4 mars, në qytet u hodhën 200 gjyle të mbushura me dinamit, të cilat i shkulnin shtëpitë me themel. Njëra prej tyre ra mbi Kishën e Madhe dhe, një tjetër një shtëpi pas asaj të ipeshkvit.

Krahas kësaj ushtria malazeze vazhdoi negociatat për të bindur Esat Pashën që ta dorëzonte qytetin. “Duket se kanë ardhë me i thanë “çka po ban, a po don me na lshue, apo ta baj ma zi”. Por Esat Pasha,- çka duket terezia,- i ka thanë “ban çka të duesh se unë s’ta l’shoj”. Po thonë qi edhe nji herë tjetër kur paskan ardhë, i ka thanë  kumandari i Taraboshit qi “si s’keni marre me ardhë, edhe s’keni pse vini me na lutë për kët punë, se pa gjak s’e l’shojmë” (14 mars 1913).

Për shkak të mungesës së bukës ushtria dhe popullsia filloi të ushqehej me mullaga, hithra, farë lini, lëkura pemësh, breshka, bretkosa, kaçamill, kafshë të ngordhura etj, etj, duke shkaktuar çdo ditë shumë të vdekur për shkak të helmimit. Në radhët e disa mbrojtësve pakënaqësia shpërthyeu hapur. Esat Pasha u përpoq tu jepte zemër.

Sot, tue bisedue me nji asqer shqyptar prej Elbasanit, tha: “Qi sot presin se kto punë marojn, edhe flamurin e Shqypnisë kena ba gadi e asht sa kiameti”. Dje janë mbledhë muhaxhirët e Postribës, t’Krajës e anëve tjera e kan shkue me kja hall te Esat Pasha, tue thanë qi “ne ma nuk mundena me qindrue”. Por Esat Pasha i ka thanë: “Duroni deri t’dielë”. E muhaxhirët i kanë thanë: “Jo, na po t’presim deri t’hanën. T’hanën s’na banë derman, ne t’lamë pushkën”. Dje e pardje kanë ik nja 50 vetë shqyptarë e kanë dalë n’hudude t’serbit e po thonë qi po s’u krye më shpejt, kanë me ik e me i ra anmikut n’dorë” (21 mars 1913).

Më 23 prill 1913, afërsisht tre javë pasi Konferenca e Ambasadorëve në Londër kishte vendosur që Shkodra t`i mbeste shtetit shqiptar, Esat Pashë Toptani, ushtria dhe popullsia shkodrane vendosi të nënshkruante marrëveshjen e armëpushimit dhe të dorëzimit të qytetit tek malazezët. Misioni ishte realizuar. Austro-Hungarisë dhe Italisë iu dha preteksti të luftonin në favor të çështjes shqiptare. Ndërsa aspektin diplomatik, hyrja e ushtrisë malazeze, ishte vetëm një skenarë i përkohshëm.

Në historinë e artit ushtarak marrëveshja për dorëzimin të Shkodrës është nga më të rrallat dhe më dinjitozet. Për dorëzimin e kalasë, sipas dy oficerëve turq të shtabit drejtues, u ndoqën të gjitha protokollet e luftës.

Hyrja e forcave malazeze nuk u prit njësoj nga të gjithë banorët. Sipas shënimit të datës 24 prill 1913: “T’parët e koçobashi i t’kshtenve deri n’pazar edhe fmija, djelm e vajza t’shkollës s’shkjeve e nji shkja Shkodre i kishte pri me bajrak t’Malit t’Zi edhe dy bajrakë tjerë fejet mbrapa. E shkojshin tue këndue e tue bërtitë: “Zhivio krajl Nikolla” (“Rroftë mbreti Nikolla”-H.B.), por kërkush nuk i ndihmonte e u dukshin keq”. Fatkeqsisht disa krerë të malësorëve katolikë që kishin mbështetur agresionin serbo-malazez filluan të lëviznin lirshëm bashkë me “çlirimtarët”. “Sonde kan ardhë kah Shtoji krenët e Grudës e thanë qi t’shtunën vjen edhe Dedë Gjo (Luli) me t’parët e Malcis”; “{…} mramë kanë ardhë Sokol Beg Baci, Mehmet Shpeni, Mirash Luca, t’birt krent e Grudës” (25 prill 1913).

Me 26 prill komandanti i ushtrisë malazeze në të katër anët e qytetit vendosi një shpallje ku, pasi lavdëronte veten, deklaronte se: “po gzohem qi m’keni pritë mirë edhe mos kujtoni se kam me ju kqyrë me sy t’mirë e kam me ju shikjue të tanve njisoj, e un kam ardhë për t’mirën tuej, me ju skapullue prej osmanllisë, prej t’cilit t’parët tuej kan hjekë keq e u mushnë n’kët muaj 435 vjet qi osmanllija ka hi n’kto vende e shum të tjera fjalë t’mira flitte për ne. Thotë qi thoni t’gjith me një gojë me ushtrinë teme, tri herë: “Zhivio, zhivio zhivio krajl Nikolla” (“Rroftë, rroftë, rroftë mbreti Nikolla”-H.B.). Kjo letër ishte e shkrueme nashke (në gjuhën malazeze-H.B.) e shqyp”.

____

Dom Nik Ukgjini

Ja se çka shkruan prifti dhe intelektuali i njohur Dom Nikë Ukgjini për Luftën e Çanakalas, ose beteja e Gallipolit , tek profili i tij në fb:

Lufta e Çanakalas, ose beteja e Gallipolit në prill 1915 deri më 9 janar 1916 në Turqi, nga njëra anë luftonin ushtritë Angleze dhe Franceze dhe në anën tjetër luftonte ushtria osmane me ndihmë nga Austro-Hungaria dhe Gjermania. Në këtë beteje, pësuan pa ndonjë arsye të logjikshme tragjikisht rreth 25.000 shqiptar, kryesisht të shpërngulur dhunshëm para vitit 1912 në Turqi dhe të tjerë të organizuar nga disa qytete të trojeve arbërore.
Me këtë rast në rolin e një intelektuali, shtrojë pyetjen, perse na u dashka kjo ngjarje nga Ambasada Turke të përkujtohej në Shkodër e pikërisht të përkujtimorja e komandantit pushtues, Hasan Riza Pasha, e ngritur para disa viteve në mënyrë enigmatike !? Përgjigjen i takon të jap Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë dhe pushteti lokal në Shkodër!
Mund të jetë një ilustrim i 1 person, harta, monument dhe teksti
Ttulli i autorit: Lufta e Shkodrës 1912-1913
Shinie videon dhe vërejeni përzierjen e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, duke e imponuar historinë islamike sikur ajo të ishte histori shqiptare.

K O M E N T E

11 KOMENTE

  1. Dr. Hasan Bello pergezime per kete shkrim shume interesant. Ne fakt kjo teme asht shume komplekse, e ngatrrume siç ishin rrethanat e asaje kohe.

    Forcat shkodrane aleate te kalifatit turk-osman nuk e pranojshin rrealitetin se Turqia Osmane kishte mbaru. Edhe sot keto elementa perpiqen te ringjallin kohen e tyne te lavdishme gjate pushtuesit turk-osman.

  2. Edhe pse Lufta e Shkodres ndodhi perafersisht para nje shekulli, qe shikuar historikisht nuk eshte nje ngjarje e kahershme, ne vehte ngerthen shume sekrete dhe pyetje te ndryshme si p.sh. a eshte Hasan Riza Pasha hero apo jo, a eshte Esad Pasha tradhetari i Shkodres apo jo, perse disa malesore te Malesise se Madhe luftuan ne anen e malazezeve.
    Prej te gjitha ketyre pyetjeve mua me se shumti me interesonte kjo e treta qe ka te beje me malesoret. Jam munduar shume dhe kam studjuar gjate historine e malesoreve dhe erdha ne nje perfundim te cilin do ta komentoj te nesermen sepse sonte jam i nxene.

  3. Albert, pershendetje!
    Hasan Riza Pasha i Stambollit, padyshim se ka qene nje hero ndersa Esat Pasha, nje tradhtar, ne baze te deshmive te shkruara qe kam lexua une. Thuhet se Hasan Riza Pashen, tradhtisht, naten e ka vra Esat Pasha.
    Naten Albert!

  4. Z. Kastrati, edhe une mendoj njejte si Ju, megjithese kam disa dyshime. Ne kohe te fundit po dalin disa historianë qe po pretendojne te kunderten. Nder ta eshte edhe artikullshkruesi Hasan Bello. Nuk e di c’te them, por mendoj se per kete lufte do te duhej qe historianet tane te merren me shume dhe qe me ne fund t’i sqarojne disa dyshime.
    Kenget popullore nuk jane deshmi qe duhet marre si te verteta. Tash vonë degjova nje kenge per betejen e Canakalasë ku shqiptaret na dalin heronj. Fakti eshte krejtesisht tjeter, ajo beteje ishte turpi i shqiptareve. Ndoshta e keni lexuar nje shkrim te Ibrahim Kelmendit per Oso Kuken. Eshte botuar ne Drini.us. Ishte teper interesant dhe i guximshem. Edhe ai ve ne dyshim patriotizmin e Oso Kukes. A thua ai luftoi per shqiptari apo per osmani. Ai, i veshur me uniforme osmane shkon dhe lufton kunder malazezeve te cilet luftonin pushtuesit turq.
    Mbreme premtova se do te shkruaj per Malesoret e Malesise se Madhe, prandaj nuk po e zgjas.
    Ju pershendes.

  5. Albert, me pelqejne keto fjale qe i thua. Ato qe I. K. flet per Oso Kuken, nuk duhet besua. Tjetra: kenget popullore historike, te trimerise, keni shume te drejte dhe te besoj ty se nuk duhen marre 100% si te sakta por edhe Osa e edhe Hasani jane trima qe luftuan per mbrojtjen dhe nderin e Shkodres.
    Ty te deshiroj jete te gjate e te shendetshme. Prej komenteve tua une mesoj shume. Je i kujdeshem dhe i respekton te tjeret.
    Albert i nderuar, u be e zorshme me shkruajt dhe me komentua sepse edhe me Drini, disa komentues me shume nofka (nje njeri me shume ”fytyra”) po fyejne e ofendojne duke perdorur edhe fjale e fjalor te vrazhde e teper banal prandaj po mundohem te rrije anash.
    Diten e shendet!

  6. Pyetja eshte, perse nje pjese e malesoreve te Malesise se Madhe (Malesise se Mbishkodres) moren pjese ne anen e malazezeve kunder Shkodres. Perse keta malesore qe pa asnje dyshim mund te themi se jane ajka e shqiptarizmes, pernjehere u bene “tradhetarë” duke marre anen e kundershtarit. Pergjigja eshte shume komplekse dhe e veshtire, por une do te mundohem qe ta jap mendimin (kontributin) tim modest.
    Opinionin tim do ta ndaja ne tre pjese:
    1. Raporti i Malit te Zi me shqiptaret.
    2. Kryengritja shqiptare e Dedë Gjo’Lulit e vitit 1911 dhe
    3. Mbrojtja e Shkodres me flamurin osman (turk).

    Ne pergjithesi raportet e Malit te Zi me shqiptaret ne ato vite nuk ishin te keqia. Mali i Zi ishte shtylla mbeshtetese e kryengritesve shqiptare. Mali i Zi gjate dimrit te vitit 1910-1911 pranoi rreth 800 familje qe numeronin permbi 3000 veta, te gjithe shqiptare Ata ishin te arratisur qe ishin shtrenguar te hidheshin ne Malin e Zi. Ne mes të të ikurve ishte edhe kapedani me famë Isa Boletini. Kete e thot Skender Luarasi duke e cituar Fletoren Tajms (29. 10. 1910) Pra ne kete rast malazezet ju dolen ne ndime shqiptareve duke i strehuar nga zullumi i ushtrise turke. Gjithashtu malazezet ishin edhe furnizuesit kryesor te shqiptareve me arme. Edhe pse ato arme ishin te vjetra, sic e thot edhe mis Edit Durham ne librin e saj “Lufta per Shkodren”, shqiptaret pothuajse nuk kishin mundesi tjeter te furnizimeve. Me vone Mali i Zi nderroi mendje dhe u mundua qe me shqiptaret te manipulojë dhe t’i shfrytezoj per qellime te veta.

  7. Paul Tedeschini , Milano, Itali
    (Asht me prejardhje nga Shkodra, Shqipëri)
    ___
    Nuk e kishe ndermend te futem ne kete diskutim ku me te drejte vehen shume pikpytje. Po i marr me rradhe.
    1- Se pari Hasan Riza Pasha i Stambollit nga Iraku ka luftu me flamur tork-osman dhe jo me flamur shqiptar dhe e pat rrefuzu kerkesen e katolikve shkodrane, qe te luftonte malazezt me flamur shqiptar. Vrasja e Hasan Riza PASHES (komandant i ushtrive te Turqise) nga Esat PASH Toptani (po ashtu komandant i ushtrive te Turqise) asht nji grindje ne mes komandantve turq. Pra ato jane heroi te pushtuesit turk kundra sllaveve, por jo proshqiptarve te vertete. Kjo vertetohet edhe nga monumenti qi i kan ngrite mbas viti 1990 ne nji shesh kryesor ne Shkoder i porositun nga Erdogani dhe i inauguruem nga ambasadori turk ne Tirane, ku te pranishem nder te tjere ishte se bashku me krye-bashkiaken Voltana Ademi dhe myftiu Muhamet Sytari, i cili gjithe kohen hymnizon sulltanet turq dhe i atribuon atyne CLIRTIMIN E SHKODRES nga shkodrant kur ushtrite pushtuese turk-osman e pshtuen Shkodren. Ne pllakaten perkujtimore te monumentit thuhet se Hasan Riaza PASHA ishte ne kry te USHTRIVE TONA, ne nji kohe qe ne Shkoder nuk ka pase ushtri shqiptare por vetem ushtri turke. KY MONUMENT ASHT FAQJA E ZEZE E SHKODRES. Myftiu i Shkodres mban ne fasaden e xhamise se lagjes Parruce STEMEN E TURQISE OSMANE. Ai se bashku me krye-bashkiaken Voltana Ademi nuk kan shku asnjihere per nderim tek monumenti (i shemtuem) i atdhetarit At FGjergj Fishtes qe gjindet vetem 50 meter ma ndej.

    2- Ne lidhje me qendrimin e Malsorve te Mbishkodres:
    A) Malsort e veriut GEGNISE ne pergjithesi dhe ne veçanti ato te Mbishkodres kan pas me shekuj dy armiq, Turqit dhe shkijet (sllavt) te cilve nuk ua kan nda kurr pushken. Ata ishin te paret ne te gjithe trojet shqiptare qe mbas gati 450 vjetve e ngriten me 11 prill 1911 ne Deçiç “FLAMURIN E LIRISE”. Ka boll shkirme per kete veprim heroik.
    Gjate luftave te ketyne SHQIPTARVE TRIMA MAOLESOR GEGE kundra pushtuesit osman, atyne iu kundravu ne vitin 1908 Turgut PASHA. Atehere MYFTINIA e Shkodres, kjo pjedhe dhe sherbetore kuislinge e pushtuesit turk-osman, i bani thirrje xhamatit te Shkodres qe kush te jete TURK ELAHAMDULLILAH ti bashkohet ushtrive turk-osmane dhe te luftojne malsort e Mbishkodres. Per kete ka fakte te shkrume te asaj kohe me nji pershkrim te hollesishem te ngjarjeve. Malsort rrezistune dhe i shkaktune humbje te mdhaja njerzore dhe materjale animqve turq dhe xhametit shkodran (Kete materjal e kam edhe un ne shtepi).
    B) Gjate rrethimit te Shkodres nga malazezt, malsort e Shkodres u gjinden njikohesisht ne mes dy zjareve, ne mes dy anmiqve, atyne turq qe e mbajshin popullin shqiptar per 450 vjet, dhe anmiqve malazez qe dojshin me aneksu Shkodren me malesi. Ne ate kohe fuqite e mdha nuk kishin nderhy edne ne kete konflikt. Keshtu, simbas mendimit tem, malsort zgodhen si kresore luften kundra turkut ne aleance me malazezt. Ndersa kundra malazezve ishin Fuqite e Mdha europiane, te cilat ishin kundra kalimit te Shkodres Malit te Zi te Car Nikolles. Ne fakt Fuqite e Mdha detyruen ushtrite serbo.malazeze ta dorezojne shkodren. Me kete rast ne kalane Rozafat u mblodh populli liridashes shkodrane dhe bani nji tubim ku fjalimin e rastit e mbajti Monsinjor Vinçens Prendishi. Mosninjor Prendushi, mbas te ashtu quejtun Clirim te Shkodres nga partizant komunista te ardhun nga Tosnkia, u arrestu, u torturu dhe vdiç ne burgjet komuniste ne Shqipni. Keshtu e psuen ma vone edhe shume e shume atdhetar te tjere. Shqiptart e Kosoves duhet te lexojne ma shume mbi ngjarjet dhe krimet ne Shqipni gjate kohes se komuniszmit te vendosun nga sllavt.
    Edhe gjate luftes dyte botnore psh Stalini u ba aleat me Hitlerin ne nji aleance ushtarake (jo ideologjike) kundra Aleatve anglo-amerikan. Kur Hitleri sulmoi Rusine, atehere Stalini bani aleance ushtarak (jo ideologjike) me Aleatet anglo-amerikan Keshtu e ka politika, kur simbas rrethanave detyrohesh te bahesh aleat edhe me kundershtarin. Kjo nuk asht gja e re ne historine botnore.

  8. Shkodranja dikur kishte te drejte kur tha se: Nje turk me pak ne Stamboll ose Anadoll, nje shqiptar me shume ne Shkoder dhe Malesine e madhe te MbiShkodres..

    A pajtohesh ti me kete menim te shkdranes,..? eshte pune jotja, jo e shkodranes.

  9. Kryengritja shqiptare e Dedë Gjo’ Lulit e vitit 1911

    Me 24 mars te vitit 1911 filloi kryengritja e Malesise se Madhe. Ate e udheheqte malesori Dede Gjo’ Luli. Lufta ishte shume e rrepte. Lufta me e madhe u be ne malin e Deciqit. Turqit gjuanin kryengritesit me topa nga Shipshaniku. Pas nje beteje te madhe me ne fund malesoret triumfuan dhe ne Bratilë me 6 prill e ngriten flamurin kombetar. Ka shume gjasa qe ky flamur u ngrit per here te pare ne tere shqiptarine pas pushtimit 450 vjecar osman-turk. Kjo kryengritje solli Memorandumin e Grecës te mbajtur ne Pllajen e Greces me 23 qershor te vitit 1911. Memorandumi u shkrua bashkerisht nga Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi.
    Derisa vazhdonte lufta e malesoreve kunder turqeve, valiu i Shkodres, Bedri Pasha u vu te shfrytezonte fanatizmin fetar te myslimaneve duke ju thene se “dini ishte ne rrezik” dhe se duhet luftuar kunder malesoreve kaurrë. Fatkeqesisht myslimanet e Shkodres u organizuan dhe shqiptari Emin Beu u be komandant i mijerave vullnetareve shkodranë te cilet u bene me turkun kunder kryengritesve shqiptare. Po keta fanatike perseri ju bashkuan Shefqet Turgut Pashes i cili u mundua qe malesoret t’i disiplinoje duke ju djegur shtepite dhe grabite gjene e gjalle. Nuk mbet shtepi malesori pa u djegur nga Shefqe Turgut Pasha dhe vullnetaret shkodrane.

  10. Mbrojtja e Shkodres me flamurin osman

    Si shkas tjeter shume i rendesishem per pjesemarrjen e nje numri malesoresh ne ushtrine malazeze sigurisht qe ishte edhe mbrojtja e Shkodres nen flamurin osman. Shumica e malesoreve dhe sigurisht edhe nje pjese e mire e klerit katolik e shihnin perandorine osmane si armikun me te pare, shekullor, fetar, kulturor, politik. Kjo beri qe disa klerike katolike, nder ta edhe Jak Serreqi, direkt te bisedonin me Hasan Riza Pashen per kushtet qe malesoret te behen pjese e mbrojtesve te Shkodres. I vetmi kusht i malesoreve ishte qe Shkodra te mos mbrohej me flamur osman por te mbrohej me flamurin shqiptar. Me 27 janar 1913 Hasan Riza mblodhi shtabin e garnizonit dhe deklaroi se nuk mendonte ta mbronte me Shkodren ne favor te Turqise por per llogari te Shqipnise. Data 31 janar 1913 ishte caktuar dita e ngritjes se flamurit shqiptar ne kalane e Rozafes dhe dita e fillimit te sulmit te perbashket te forcave te garnizonit te Shkodres dhe malesoreve shqiptar kunder trupave malazeze dhe serbe. “Barren” e qendisjes se flamurit shqiptar e mori vajza shkodrane me emrin Bernardina Marubi. Fatkeqesisht dikush nuk deshi qe te behet bashkimi ne mes shqiptareve. Me 30 janar, nje dite para se te fillonte sulmi i perbashket kunder malazezeve dhe serbeve u vra Hasan Riza Pasha. Ai ishte ftuar per darke te Esad Pashe Toptani dhe vetem pak caste pasi leshoi shtepine e tij u vra nga dora e djathte e Esadit, Osman Bali.
    Sigurisht qe rreshtimi i nje pjese te malesoreve katolikë ne krah te malazezeve nuk i nderon ata, por duhet pare edhe aresyet se perse ata vepruan ashtu. Dhe nese ne i analizojme rrethanat pa emocione dhe me mendje te shendoshe, ajo cka me se paku mund te themi eshte se malesoret gjithmone ishin ne krahun e drejte te historise sone.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu