Nga: Klotilda Saracini
TIRANË, 2 prill/ATSH/ Aktorja e njohur e kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”, festoi sot 90-vjetorin e lindjes.
Kryeministri Edi Rama solli momente nga aktiviteti i organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. “Margarita Xhepa, aktorja ikonë e historisë së teatrit e filmit shqiptar, mbush sot 90 vjeç”, shkroi Rama në rrjetet sociale duke i uruar ditëlindjen aktores.
Në aktivitetin e organizuar me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Margarita Xhepës, ishte i pranishëm Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, aktorja e njohur Tinka Kurti, aktorja Yllka Mujo, aktorë të tjerë njohur të skenës shqiptare, miq, familjarë etj.
Në fjalën e tij, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se “sot feston ditëlindjen një nga margaritarët e gjerdanit tonë të kinemasë me aq shumë kontribute në artin shqiptar”.
“Margarita Xhepa është një ikonë e çmuar e këtij kombi, është një artistja që i dha jetë dhe përjetësoi aq shumë personazhe që janë skalitur kaq thellë në kujtesën e miliona shqiptarëve”, theksoi Gonxhja.
Ministri Gonxhja u shpreh se “ky aktivitet sot na rikthen pas në rrugëtimin e saj prej një ylli kinematografie ku çdo vit që kalon i shton më shumë asaj edhe shkëlqimin”.
“Margarita siç koha e ka dëshmuar me sharmin dhe fisnikërinë që ju karakterizon jeni krenaria e këtij vendi”, tha Gonxhja.
Aktorja Margarita Xhepa falënderoi ministrin Gonxhja për aktivitetin e organizuar, ndërsa theksoi se “në qytetin tim të lindjes në Lushnjë, ishte një zakon që nuk i festonin ditëlindjet e vajzave edhe djemtë e mi më vonë donin të më festonin ditëlindjen, por unë u thosha nuk jam mësuar. Kështu që sot është ditëlindja e parë që festoj në këtë moshë madhore”.
Xhepa solli në vëmendje edhe fillimet e nisjes së karrierës së saj.
“Një fat të madh që kam pasur në jetën time kur dhashë provim në Liceun Artistik aty fati im qëlloi regjisori Pandi Stillu, i cili pasi dëgjoi dy poezitë e mia më bëri edhe një ushtrim edhe u bind më tha vajzë më prit në korridor sa të mbaroj provimin, kur doli më tha, nesër eja në teatër se kemi bashkë me drejtorin diçka për t’ju thënë. Rrugës duke ecur mendoja çfarë do të ishte. Shkova në teatër ishte drejtor Kolë Jakova, regjisori Stillu i propozoi drejtorit dhe i tha këtë vajzë do ta marrim në teatër si aktore dhe të bëjë edhe Liceun Artistik”, tha Xhepa.
Më tej aktorja Margarita Xhepa u shpreh se “arti ka të veçantën e tij që emancipon shoqërinë”.
Aktorja e njohur Tinka Kurti tha se “Margarita është ylli i skenës dhe ylli i jetës, edhe për shoqërinë edhe për skenën. Lum ai që ka mundësi të ketë miqësi aq shumë sa kam unë me të apo si di ajo të trajtojë njerëzit”.
Regjisori Kujtim Çashku u shpreh se “të flasësh për ty është një privilegj, të flasësh për ty është si të flasësh për dashurinë. Por a ka njeri të thotë ç’është dashuria në vetvete. Pse e them këtë gjë? Sepse mendoj që për breza të tërë që kanë kaluar që janë dhe do të vijnë do të mbetesh një simbol dashurie”.
Ndërsa aktorja Rajmonda Bulku tha se “Margarita Xhepa është një aktore e jashtëzakonshme, unike si një brilant që shkëlqen”.
Të ftuarit vizituan edhe një ekspozitë me veshjet që Margarita Xhepa ka veshur në film dhe teatër.
Margarita Xhepa, një nga zonjat më të mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, gjatë karrierës së saj, ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi.
/k.s/ ATSH
TEATRI SHQIPTAR NUK KA FILLU MBAS VITI 1944 QE MOREN PUSHTETIN NE TIRANE KOMUNISTAT.
Komunistat burgosen, internuen dhe pushkatuen asat shqiptar te teatrit, te cilet kishin KULTURE ERUOPIANE dhe lujten ne skenat e teatrit shkodrane pjeset klasike me fame botnore.