ARKIVI:
24 Nëntor 2024

Martirja e Kosovës Marie Shllaku (1920-1946), strehohej në shtëpinë tonë…!

Shkrime relevante

Shpërndaj

Tomë Mrijaj, New York 

Para disa vitesh, kam botuar një libër monografik, kushtuar heroinës shqiptare të trojeve etnike, shkodranes Marie Shllaku. Sot për lexuesit, po ofroj disa kujtime të reja të gjyshës dhe babait tim, të cilat zbardhen për herë të parë në këte shkrim modest nderimi dhe respekti, për jetën dhe veprimtarinë e pandërprerë të martires sonë kreshnike dhe stoike.

Sot, është dita dhe momenti i lumtur historik, kur në qytetin historik të Pejës në Kosovë, do të vendoset më në fund në një shesh të saj busti i nuses së Shqipërisë etnike Marie Shllaku, për të qendruar e pavdekshme përgjithmonë në zemrat e popullit martir dardan, trojeve etnike amtare dhe diasporës shqiptare kudo në botë, që asnjëherë nuk e harroj heroizmin e saj, për dekada me radhë.

Shkodranja Marie Shllaku, ishte femra e vetme shqiptare ndër 50 çetat nacionaliste, në mesin e shekullit XX, që vepronin në Kosovë me armë në duar, me synim patriotik të bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm dhe në luftë të papajtueshme, kundër epidemisë së mortajës komuniste në trojet tona. Sinonimi i pandashëm Maria dhe Atdheu, ishin si dy motra binjake të shpirtit dhe zemrës së saj, që gjithë jetën qëndruan bashkë, në ditë të mira dhe të vështira.

Lidhur me qëndrimin e Marie Shllakut në shtëpinë tonë (gjatë kohës që Kryetar i Komunës në Zllakuqan ishte babai im Nikollë Pren Mrijaj), po risjell të freskëta kujtimet e paharruara, për sokoleshën e re sypatrembur, shkodranen dhe martiren e pamposhtur liridashëse të atdheut tim Dardanisë martire.

Sëpari, trimëresha patriote Marie Shllaku, në luftën e saj kishte si synim Shqipërinë Etnike, që është edhe thelbi kryesor i Lidhjes së Parë të Prizrenit (1878), të Dytë (Prizren, 1942) dhe të Tretë (1962, New York, SHBA), për të cilën s’ka nevojë të bëj shumë komente.

Sëdyti, qysh në moshën time të fëmijërisë, shumë herë e dëgjoja ketë emër në odën e burrave, në sofrat mikpritëse, që shtronte babai im për miqët e ftuar ose vizitorë të rastit, që ishin të shpeshtë në shtëpinë tonë.

Më gjerësisht, për këtë personalitet të madh më tregoi gjyshja (lokja), se si ajo vajzë trime, kishte buajtur mëse një javë në shtëpinë tonë. Ajo në shtëpinë tonë dukej si një flutur e bukur pranvere, sepse ishte gjithnjë e dashur, qeshur dhe gojeëmbël si me gjyshen time dhe të gjithë antarët e tjerë të familjes sonë asokohe.

Me ardhjen e babait të saj, Mark Simonit nga Shkodra në Kosovë (i dërguar nga Qeveria komuniste dhe forcat e Sigurimit, që përndiqnin për t’i vrarë antikomunistët dhe nacionalistët e vërtetë të asaj kohe, shënimi im T.M.), për t’a bindur vajzën e tij të re, që të hiqte dorë nga rruga e saj patriotike, në male me çetat nacionalistetë Kosovës, kishte lindur ideja, që Maria të vinte në shtëpinë tonë, ku, ishte më e sigurtë.

Për më tepër Marku, i ishte drejtuar fratit të Pejës asokohe atë Bernardin Llupit o.f.m. dhe ky e kishte dërguar tek frati i kishës së Zllakuqanit patër Tomë Xhaja o.f.m.

Pader Toma, që njihte shumë mirë familjet tona asokohe, në ato kohë dhe ditë plot trazime nga përndjekjet komuniste, si vend strehimi më të sigurtë dhe me besë të palëkundur shqiptare ndë shekuj, kishte zgjedhur shtëpinë tonë, sepse misionari françeskan kishte lidhje të ngushtë me babain tim.

Dhe pse!?

Duke qenë se, babai im asokohe punonte në administratë të pushtetit lokal, askush nuk mund të dyshonte, se në shtëpinë e tij, ai mbante heroinën Marie Shllaku, një anti-komuniste të përbetuar, të regjimit kolonial sllavo-komunist serb dhe atë shqiptarë të vendlindjes.

Sikurse dihet nga nëna histori, asokohe qyteti i lashtë i Shkodrës, ishte kthyer në qendër të rezistencës së armatosur kunër regjimit të ri bolshevik (si kryengritja e armatosur e patriotëve të zonës së Postribës, jo shumë kilometra larg qytetit historik, si dhe kryengritja e famshme e armatosur e malësorëve Kelmendit etj., shënimi im T.M.) dhe se hienat komuniste po ndiqnin këmba-këmbës të gjithë disidentet nacionalistë dhe kundërshtaret antikomunistë të regjimit të egër ushtarak komunistë, të cilët fatkeqisht kishin filluar të instalonin juntën e tyre të dhunës antishqiptare fatkeqsisht në tokën martire të Arbërit.

Një ditë kujtonte gjyshja ime, miku i shtëpisë Lekë Marleku, një burrë besnik e solli Marien nga malet e Dollcit (Lugu i Drinit), të veshur me teshat e nuses në shtëpinë tonë.

Unë, -tregon gjyshja ime- fjeta në një dhomë me Marien, ku, ruaj shumë kujtime të bukura. Atë e doja si vajzën time. Ishte një javë shumë e gjatë për mua dhe e frikshme, sepse nacionalistja shkodrane mbante me vete armë, disa bomba dore, radio-lidhje dhe një bllok shënimësh, që me sa duket ishte ditari i saj personal.

Ishte shumë e bukur nga pamja dhe tepër tërheqëse dhe e kandshme në biseda të lira dhe ato me përmbajtje historike për Shqipërinë. Ajo tregonte vazhdimisht për historinë e lavdishme të qytetit të saj të lindjes, dashurinë dhe respektin e vijueshëm për figurat e shquara të klerit katolik, prelatëve dhe intelektualët të spikatur laik të lagjës së saj dhe qytetit në tërësi, me një pjesë të të cilëve fati dhe jeta i kishte krijuar mundësi që të njihej dhe të bashkëpunonte vazhdimisht, për të mirën e Atdheut.

Gjatë natës, kur dëgjonim ndonjë të lehur qeni, ajo me armë në dorë vraponte drejt oborrit pa pasur frikë.

Unë friksohesha, se gjatë zgjimit të rrufeshëm të saj dhe daljes së shpejtë me pushkë në dorë drejt oborrit të shtëpisë (mes territ të natës), mos padashje po ndeshet me bombat e saj luftarakë, të cilat, mund të shpërthenin nga çasti në çast.

Gjatë ditës, kur antarët e familjes gjendeshin në fushë, për t’u marrë me punët e përditshme të bujqësisë (në arat e mbjellura), ajo kalonte ditën, duke biseduar me babain e saj. Ishin vërtetë momente emocionuese, dhe gëzohesha, kur i shihja tek bisedonin ngrohtësisht atë e bijë.

Askush nga familja e jonë, nuk ka ditur, se kush ishin këto miq shumë të rëndësishëm, që qëndronin në shtëpinë tonë, përveç meje dhe djalit tim Nikollës. Ditët kalonin shumë shpejt.

Nuk e harroj kurrë ditën e ndarjes mes babait dhe bijës së vet të re. Shumë lot derdhi shkodrani Mark Simoni, për bijën e tij. Maria, si burrëneshë malësh qëndroj e fortë deri sa babai i saj u largua.

Ajo, duke menduar babain, filloi të qajë me dënesë, saqë mendova se zemra po i del nga kraharori. Në mbrëmje Lekë Marleku, e mori Marinë dhe e dërgoi tek shokët e vet në male…

Edhe më vonë, kam dëgjuar përsëri dëshmi qendrese të fortë të çetave nacionaliste, të prirë nga luftëtarët e vërtetë liridashës, ku, spikaste trimëresha e maleve Marie Shllaku.

Gjatë tërë jetës time, kam risjellur në kujtesë ditët e paharruara, që kalova me sokoleshën stoike, vendosmërinë e saj, për t’i luftuar pushtuesit e huaj shumëshekullorë serb në Dardani nga sëmundja vdekjeprurëse e komunizmit bolshevik (proletarë), që ishte përhapur si kancer, për fat të keq, në të gjithë trojet arbërore në gjysmën e dytë të shekullit XX…”

Dhe për herë të parë, këtë histori po e zbardhi me ngjarjen, që më ka treguar gjyshja disa herë. Nënë lokja  fisnike e moshuar, kishte shumë besim tek unë edhe pse isha një fëmijë.

Ju kujtoj, se i isha betuar babait tim, se një ditë unë do t’a shkruaj një monografi të kësaj heroine dhe e realizova me modesti, pas shumë dekadave këtu në Amerikë.

Shtëpia e jonë, ishte vatër e sigurtë e heroinës Marie Shllaku dhe e shokëve të saj. Ajo qëndroi aty e fshehur për një javë. Tek ajo, familja jonë shikonte një luftëtare të vendosur, për të flijuar jetën, sikurse ka thënë Poeti Kombëtar atë Gjergj Fishta O.F.M. “me ba deken si me le”, për interesat e larta të Atdheut.

Maria, qëndroi në krah të bashkëluftëtarëve të mirënjohur si: Ndue Përlleshi, Ukë e Shaban Sadiku, Prof. Ymer Berisha, e trima të tjerë, prandaj nuk pranoi të shkonte me të atin.

Babai im, kishte lidhje miqësore me dy tribunët e luftës çlirimtare në Dukagjin: Sadik Ramën e Gjurgjevikut (1872-1944) dhe Zef Gjidodën (1878-1948), por ndihmoi edhe luftëtarët e mëvonshëm, si: Marie Shllakun, Ndue Përlleshin (1908-1949), Ukë e Shaban Sadikun, Prof. Ymer Berishën (1912-1946), Qazim Bajraktarin, Alush Smajlin, Shaban Demën (1919-1948) etj.

Flamuri kombëtar në kujtimet e mia 

Për çdo shqiptar në Kosovë, që ishte nën zgjedhën e egër të kolonizatorëve barbarë serbë, shfaqja e flamurit të Gjergj Gjon Kastriotit, ishte asokohe një dëshirë e zjarrtë dhe një mall gëzimi i papërshkruar.

Të gjithë ne e kemi të fiksuar historinë e lavdishme shumë shekullore të simbolit tonë kombëtar, për të cilin kanë dhënë jetën me qindra dhe mijëra martirë, gjatë periudhës së lavishme të historisë, për liri dhe pavarësi me humbje dhe fitore.

Për herë të parë, flamurin kombëtar e pashë në shtëpinë time në vitin 1958. Porsa hyra në dhomën e grave, në një cep të shtëpisë shoh  gjyshen, që mbante në dorë një rubë të kuqe, të cilën ishte duke e larë dhe nga sytë e saj pashë lot dhembjeje, me një pikëllim të thellë…

Në atë gjendje që ishte, unë iu afrova ngadalë, për t’a qetësuar, por ajo vetëm qante… Iu afrova më shumë dhe gjyshja nisi të përshpërisë fjalët… që për momentin si kuptoja … Ajo fliste ngadalë dhe me një zë të ulët, ku, vaji ishte bashkuar me përshpëritjen e lehtë, që vinte nga dhembja e brendshme e shpirtit të trazuar…

Gjyshja mes lotëve, që i rridhnin rrëke tha: “E kisha amanet! E kisha amenet!” E pyeta gjyshën, se për çfarë ameneti e kishte fjalën?! Ajo ashtu e përlotur m’u drejtua me flamurin, që e mbante shtrenguar në duar: “Bir, e kisha amanet nga ajo e gjorë e mjerë, që sot nuk i dihet as varri….”

Sërish e pyes, se për cilën e kishte fjalën. Ajo m’u përgjigj: “Marie Shllakun!”

Po kush është Maria, vazhdova t’a pyes përsëri gjyshën. Ajo pasi më hedh një vështrim të butë në sy, nis të flasë me zërin e saj, që i dilte me vështirësi, por e sigurtë për gjithçka thoshte, sepse kishte përjetuar histori të dhembshme gjatë jetës së saj.

“Bir im, -vazhdoi gjyshja- Marie Shllaku, ka bujtë mëse nji javë si mike speciale në shtëpinë tonë, ku, frati i Pejës atë Bernardin Llupi o.f.m., e kishte drejtuar babën e saj Mark Simon Shllakun tek Pader Tomë Xhaja o.f.m. e ky i fundit i kishte sugjerue të vinte në shtëpin tonë, mbasi takimi mes babës e bijës ishte më i sigurt tek ne. N’at kohë Qeveria komuniste e Enver Hoxhës e kishte derguar Mark Simon Shllakun, që t’a bindte vajzën e tij të kthehej n’Shqipëri.

Bir i dashur! Babai yt, ishte njeriu më i besuar tek drejtuesit e çetave nacionaliste të malit. Ata ia besuan edhe takimin e babës me të bijën në shtëpin tonë. Pas një jave qëndrimi të Markut me vajzën, ai nuk mundi t’a bindte ate që të kthehej në vendlindje. Dhe baba e bij, u ndanë atë ditë me lot ndër sy…” 

Marie Shllaku, në Luftën e Drenicës 

Gjatë hulumtimeve të mia, për të shkruar librin jetëshkrimor: Marie Shllaku bijë e Shkodrës, martire e Kosovës (New York, 2004), kam ndeshur një shkrim shumë interesant, shkruar nga miku im Profesor Zef V. Nekaj (1919-2003), me pseudonimin Kosovari.

Autori, me banim në Kaliforni, shkrimin e botoi në numrin e parë të revistës fetaro-kulturore “Jeta Katholike Shqiptare” (New York, 1966), me titull: Marie Shllaku, martire shkodrane në Luftën e Drenicës” (Viti I, No.3, 1966, f. 22-23), ku, ndër të tjera ai shkruan, se:

“Gjatë gjithë dimnit 1944-1945, ajo u gjet aty, ku shkoi gjaku deri ne gju. Në pranverën e vjetit 1945, ajo ishte në mes t’Kryengritjes së Drenicës me trimin e pamposhtun Shaban Polluzhën n’krye.

Kur kjo kryengritje u shue nga ushtrit e panumërta titiste të përqendrume n’Kosovë nga të gjitha anët e Jugosllavis, Marije Shllaku qëndron n’llogoret e fundit pa e molisë as tymi as flaka, as uria e as t’ftohtit.

Ajo vendos m’u shkri dhe mos me u dorëzue. Por fati nuk i qeshë, sepse 6 plumbat ia bëjnë trupin shoshë dhe e sakatuan krahësh e këmbësh.

Me të gjithë shokët e vramë, ashtu e plagosun, ajo s’qe ma në gjendje as t’ia merrte shpirtin vetes dhe u kap ende gjallë, por pa ndjenja…

Dy javët e fundit, Maries i erdhi një afsh me u shfry në kangë, sa që të gjithë të burgosunit tjerë kujtojshin se doli mendsh, ose ajo kishte marrë ndonji lajm tinëz e po e falin, mbasi ishte vajzë.

Por Maria, i qetësonte me këto fjalë: “Edhe ‘kaq’ ditë e po martohem, prandej po këndoj, e këndoni edhe ju kosovarë, se kurr s’ka marrë Kosova nuse shkodrane më këngëtare se unë!”…”

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu