Nga Dr Sadri Ramabaja, Prishtinë
Kosova dhe shqiptarët përgjithësisht në rajon, tutje, me gjithë vullnetin e dëshmuar, nuk mund të parandalojnë në mënyrë vendimtare në mjedisin e saj të politikës së sigurisë rikthimin e luftës. Por ne mund të japim kontribut të rëndësishëm. Sidoqoftë, Kosova nuk mundet e nuk duhet të lejojë që të rrezikojë integritetin dhe subjektivitetin e saj.
Politikat largëvajtëse të sigurisë bazohen në thelb në parandalimin e luftës. Por, ndërkohë mbetet e qartë se objektivi kryesor i Serbisë në përpjekjet e saj për realizimin e “Botës serbe” mbetet provokimi I luftës së re shqiptaro-serbe.
Nëse Zvicra e ka luksin që ta trajtojë sigurinë si objektiv politik afatgjatë, meqë rreziqet mund të cilësohen se janë larg ndikimit permanent brenda kufijve të shtetit, Kosova sigurinë e ka objektiv jetik, afatshkurtër.
Përveç sfidave pushtet-politike pas luftës në Ukrainë, duhet të merren parasysh edhe rreziqe të tjera: transformimi dixhital, trazirat demografike, deglobalizimi, ndryshimet klimatike dhe konfliktet edhe në pjesë më të largëta të botës, por që janë të rëndësishme për sigurinë e Republikës së Kosovës.
Federata Shqiptare si platformë politike e sigurisë në rajon
Në fillim të dhjetorit 2022, Shoqata për gjuhën gjermane [Gesellschaft für deutsche Sprache] kishte përzgjedhur si fjalë të vitit “Zeitenwende” [Pikë kthese] që pasohej nga togfjalëshi “lufta për paqen” dhe fjalën e përbërë “Gaspreisbremse” [“frenimi i çmimit të gazit”].
Po ta kishim ne shqiptarët një institucion të ngjashëm me këtë shoqatë gjermane, për vitin 2023, fare lehtë do të mund t’i përzgjidhnim fjalët: “koordinim” dhe antipodin e saj “moskoordinim” tok me togfjalëshët “Ballkani i hapur” dhe “Bota serbe”.
Natyrisht do të mungojë tutje togjalëshi me semantikën politike “Federata Shqiptare” si kundërvënie e plotë “Botës serbe”. Ato nocione përfaqësojnë krizën që prek interesat e përditshme dhe afatgjata të qytetarëve shqiptarë në dy republikat tona dhe në gjithë hapësirën shqiptare [në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Serbinë e Jugut -Preshevë, Bujanoc, Medokë dhe Sanxhak. Sidoqoftë togfjalëshi Federata Shqiptare ka të ardhmen e tij, jo thjeshtë si fjalë e vitit, por gjithnjë e më shumë ajo do të imponohet si platformë politike e së ardhmes së kombit.
Modeli i organizimit federal është në përputhje me interesat tona nacionale. Sidomos modeli federal gjerman. Qeveria Qendrore e Qeverisë qendrore Shqiptare do të duhej të ishte në Tiranë dhe do të duhej të ishte përgjegjëse për politikën e jashtme, mbrojtjen, financat dhe politikat sociale, ndërsa çështjet tjera mund të jenë të përbashkëta me shtetet federale.
Federata Shqiptare do të duhej t’i kishte dy dhoma të Parlamentit: Kuvendin dhe Këshillin Federal. Kuvendi, i cili zgjidhet nga populli dhe përfaqëson interesat e qytetarëve shqiptarë, dhe Këshilli Federal, i cili përfaqëson dy shtetet federale. Këshilli Federal do të duhej të kishte një rol të rëndësishëm në legjislacionin federal, duke përcaktuar politikat në bashkëpunim me Kuvendin.
Modeli gjerman i organizimit federal ka funksionuar si një mjet për të menaxhuar diversitetin e ndryshëm të shteteve dhe për të siguruar përfaqësimin adekuat të interesave të shteteve dhe qytetarëve në nivelet qendrore dhe lokale të qeverisë.
Ky model do të mund të aplikohej së paku për dy-tri dekda edhe në Federatën Shqiptare.
Në kuadër të ndryshimeve të pritshme në rajon, Federata Shqiptare duhet të shihet edhe si platformë e sigurisë.
Lufta në Ukrainë – thyerje e epokës në rendin ndërkombëtar
Lufta e agresionit rus në Ukrainë, e pasuar pas një pauze testuese të pushtimit të Krimesë [2014] tani me idenë për ta gllabëruar për pak javë gjithë Ukrainën, e pasuar më 24 shkurti 2022, shënon thyerjen e epokës në rendin ndërkombëtar, duke filluar edhe ndryshimin rrënjësor dhe afatgjatë në politikën evropiane dhe ndërkombëtare të sigurisë.
Kjo luftë me kalimin e kohës reflektoi edhe në Europën Juglindore dhe në përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë. Shërbimet serbo-ruse si për të dëshmuar prezencën e tyre edhe në Kosovë, prodhuan 24 shtatorin [2023], si një test prove për rianeksimin e Kosovës ose së paku të veriut të saj.
Se Rusia e Putinit pretendon të rihapë frontit të dytë të luftës në Europë me zhvillimet e fundit në Bosnjë, Mal të Zi dhe Kosovë, duke shfrytëzuar satelitin e saj – Serbinë, tashmë është shumë e qartë. Kjo intencë ndërlidhet ngushtësisht me interesat ruse dhe objektivin e saj për ripushtimin e plotë të Ukrainës, që do t’i hapte rrugë pastaj marshit drejt zonave që Moska i ka cilësuar në doktrinën e saj të sigurisë si “Novaja Rasia”. Në këto rrethana edhe përdorimi i armëve bërthamore taktike në frontin e luftës në Ukrainë nuk përjashtohet.
Rikthimi i këtij fronti tashmë duket më real, jo veëtm nga studjuesit e fushës së sigurisë në nivel të perendimit, por edhe nga qendrat e vendimmarrjes politike. Institute me renome në lëmin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të sigurisë [1] kanë paralajmruar se, Serbia ka kohë që është përgaditur për një qasje të kësaj natyre, duke imponuar dhe bërë fakt të kryer krijimin e “Botës serbe”.
Në këtë përshkallëzim krizash të mëdha, etnonacionalizmi në Europë sërish po hedhë shtat, ndërkaq në Europën Juglindore, me theks në Serbi, ai ka përmasat e shovinizmit tipik dhe rrezikon seriozisht rendin dhe paqen europiane. Ky rrezik tashmë është evident si asnjëheër më parë, që nga përfundimi i procesit të shkërmoçjes së ish Jugosllavisë dhe luftës në Bosnjë e Kosovë, që pat kulmuar me gjenocid ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve.
Ruajtja e sovranitetit dhe integritetit të Republikës bashkë me sigurinë për qytetarët është një detyrë e rëndësishme themelore e politikës shtetërore. Në këto tri vite të qeverisë Kurti, Prishtina ka shtri sovranitetin në veriun e Republikës dhe po garanton integritetin e Republikës. Sidoqoftë, në aktualitetin që po jetojmë, politikat e sigurisë përfshijnë më shumë sesa thjesht mbrojtjen e territorit të Republikës nga sulmet e jashtme, qofshin ato nga organizata terroriste apo shtete, siç është rasti i Serbisë që ka pretendime territoriale dhe nuk pranon as egzistencën e Republikës së Kosovës.
Por siguria si koncept edhe politik nënkupton gjithashtu që individët, shoqëria si tërësi dhe shteti gëzojnë gjendje të mirë ekzistenciale dhe prosperitet të plotë. Siguri d.t.th parasëgjithash garantimi i jetës për qytetarët, i pasurisë së tyre, garantimi i rendit politiko-kulturor dhe shmangie e çfardo rreziku.
Në këtë plan, ndërtimi i kornizës së plotë të sigurisë, kërkon koordinimin në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, të politikës së jashtme dhe zhvillimit ekonomik etj. mes dy republikave tona tok me aleatët tanë strategjik.
Tirana – qendër rajonale politike dhe siguria bashkëpunuese
Cili do të ishte kontributi i Kosoëvs në sigurimin e paqes dhe rendit në Europë?
Fuqia ushtarake dhe politike e Kosovës është shumë modeste për të ndikuar në mënyrë efektive në parandalimin e shpërthimit të mundshëm të luftës.
Por, sidoqoftë, Kosova ka një fuqi të konsiderueshme të Soft Power-it. Kjo fuqi bazohet në njohuri, tek brezi i ri, tek vlerat perednimore… Ky potencial duhet të përdoret gjithnjë e më shumë për sigurinë dhe politikën e jashtme të Kosovës.
Fuqia e butë luan një rol qendror në fushat e politikave të sigurisë dhe është e aftë të ndikojë në dinamikën e konfliktit. Ka kohë që Kosova që kishte dhe vazhdon të ketë kufizime në lëmin e sigurisë që kanë rol vendimtar në mjedisin e saj politik dhe të sigurisë. Por, Kosova siç e dëshmon bashkëpunimi i FSK-së me aleatët tanë strategjik, do ët mund të kontribuojë ndjeshëm, duke e thelluar këtë bashkëpunim. Nga perspektiva e politikës së sigurisë, do të ishte fatale nëse buxheti do të përcaktojë vullnetin për ndikim të gjerë dhe parandalues të politikës së sigurisë.
Agresioni rus ndaj Ukrainës, i cili shkeli ligjin ndërkombëtar, ka trandur në themel rendin dhe paqen të bazuar në rregulla në Evropë. Nëdrkohë, kur kjo luftë ka hy në vitin e tretë dhe tendencat e Putinit për ta shtri atë, duke hapur frontin e dytë në Ballkan, janë të hapura, këtë rend egzistues do ta shkatërroj tërësisht.
Në fakt, rendi i bazuar në rregulla është gërryer që nga fundi i mijëvjeçarit, edhe me kontributin e madhë që kishte dhënë në atë plan nomenklatura shovene serbe përmes shpërthimit të katër luftrave njëra pas tjetrës gjatë procesit të shkërmoçjes së Jugosllavisë dhe tendencës së hapur për zgjerimin e saj në perendim dhe shndërrimin e Kosovës në një Toplicë të dytë – pa shqiptarë.
Sidoqoftë, luftrat në ish Jugosllavi ishin menaxhuar nga faktori ndërkombëtar, prandaj flakët e tyre nuk kaluan kufijtë e ish Jugosllavisë. Kjo mundësi menaxhimi nuk është më e mundur, meqë multilateralizmi është në krizë, sado që aty këtu shenjohen suksese individuale.
Shtetet e vogla si Shqipëria politike apo Kosova, varen nga marrëdhëniet e besueshme ndërkombëtare. Këto marrëdhënie janë cenuar deri në pikën pa kthim. Prandaj, e drejta ndërkombëtare, e drejta për vetëvendosjen e kombeve, multilateralizmi dhe rendi i sigurisë bashkëpunuese marrin karakter shtesë në rangun e interesave nacionale. Shih për këtë, si përpjekjet e Kosovës për aderim në Këshillin e Europës, tani kur prej andej është larguar Rusia, edhe pengesat e pakuptimta që i vihen në këtë rrugë në trajtën e parakushtit që ka të bëjë me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke e nxjerrë atë nga konteksti i Marrëveshjes Bazë të Brukselit [27 shkurt 2023], nuk i shërbejnë as qëllimit për një kthim në rendin që ekzistonte fill pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Një rend i ardhshëm i bazuar në rregulla e marrëveshje që i imponohen më të dobëtit, nuk mund të realizohet dot pa cenuar në themel vetëveten dhe atë që në fillet e egzistencës së tij.
Ajo që është tani urgjente është rivendosja e besimit të lëkundur në marrëdhëniet mes partnerëve perendimor dhe aleatëve tanë konkret. Po të vepronin në unison, konform interesave nacionale, Shqipëria politike dhe Republika e Kosovës, do të ishin fare lehtë në një pozicion të mirë fillestar në realizimin e kësaj kauze. Tirana, si piemonti i Kombit, fare lehtë do të mund të shndërrohej në një qendër politike me peshë për rajonin. Kjo u dëshmua me samitet e organizuara së fundmi në Tiranë por edhe me shprehjen e interesit nga ana e NATO-s për forcimin e krahut të saj jugor me rastin e promovimit të Bazës Ajërore të NATO-s në Kuçovë. Prandaj, forcimi i Tiranës si qendër politike rajonale është i rëndësishëm dhe nevojë urgjente që ndërlidhet me politikën e sigurisë.
Strategjia unike e mbrojtjes – pjesë e platformës së sigurisë
Në dy republikat tona së fundmi janë marrë vendime e qëndrime të mira në rrafshin e sigurisë, e që nënkupton faktin se dy ushtritë tona marrin atë që meritojnë – qasjen e qeverive konform interesit nacional, duke rritur buxhetin për armatim.
Në themel të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë është aspirata e popullit shqiptar, [theksohet qartë aspirata e popullit shqiptar – SR] dhe vullneti politik për të realizuar vizionin e përbashkët, për një atdhe që garanton siguri, drejtësi, barazi dhe mirëqenie për të sotmen dhe brezat e ardhshëm; një vend i lirë, demokratik dhe i zhvilluar, anëtar i përkushtuar i NATO-s dhe i integruar në Bashkimin Europian.[2]
Më tej në këtë dokumet nënvizohet:
“Rëndësi strategjike për Shqipërinë ka paqja, stabiliteti dhe begatia e rajonit. Interesi ynë për një rajon të integruar në strukturat europiane dhe euro-atlantike, ku mbizotëron harmonia ndëretnike dhe ndërfetare, realizohet përmes marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit në mirëbesim, respektimit të pakicave dhe gjithëpërfshirjes.”[3]
Por shndërrimi tani edhe i Shqipërisë në tabelë çitjeje të luftës hibride ruse, e bën të qartë faktin se sa nevojë urgjente është që të kemi një strategji unike të mbrojtjes.
Ushtria jonë në kushte lufte, sipas kësaj strategjie, do të duhej të shndërrohej në forcë unike dhe garantuese për mbrojtjen e interesave nacionale në plan të gjerë e gjithëpërfshirës. Pikërisht ky fakt do të duhej të potencohej në këtë dokument që korrekton këtë egzistues. Ndërkaq përshtatja e saj urgjente për përballje të skenarëve që i përkasin lufëts hibride me forma të luftës kibernetike, siç ishte ai i 15 korrikut 2023, i drejtuar nga Irani, apo ky i fundit pas samitit të vendeve të Ballkanit me BE-në në Tiranë, kur kishim paralajmrime të nxehta nga Moska [4]; më pas ndaj akteve me elemente terrori, siç ishte agresioni serb i 24 shtatorit 2023, akte sabotazhi e sulmi rus që po paralajmrohen ndaj sektorit të energjisë në Kosovë,[5] përdorimin e dronëve, përdorimin ushtarak të inteligjencës artificiale e kështu me radhë, merrë karakter të urgjencës dhe interesit jetik.
Agresionin serb përmes sulmeit tokësor në Kosovë me njësi të mekanizuara dhe të këmbësorisë, sado që nga ekspertë ushtarak cilësohet si i paimagjinueshëm, duke marrë në konsideratë prezencën e KFOR-it, nuk guxojmë ta trajtojmë si të pamundur. Janë pikërisht njësitë e KFORit ato që do të donte Putini t’i kishte objekt sulmi dhe turprimi dhe asgjësimi, edhe si një lloj hakmarrjeje e lloit të vet për mbështetjen që po i jep NATO Ukrainës që prej fillimit të lufëts.
Forca e qëndrueshme, në këtë rast kombëtare, bashkë me fuqinë e zgjuar [Smart Power] do të bazohej në disa shtylla ose faktorë: Këto përfshijnë konsensusin e lirisë, si të arriturën tonë më të madhe në përmbyllje të shekullit 20-të; shndërrimin e dy republikave tona në demokraci funksionale dhe shtete të mirëfillta të së drejtës; mbrojtjen e minoriteteve gjithësesi edhe të minoritetit serb, duke investuar në ruajtjen e identitetit të tyre kulturor e gjuhësor; rritjen e performancës ekonomike përmes inovacionit dhe produktivitetit; sigurimin e prosperitetit me bazë të gjerë dhe sigurinë sociale…
Mungesa ose dobësia e një ose më shumë prej këtyre faktorëve mund të çojë në dobësim të kohezionit shoqëror, shpërfaqje të dobësive strategjike dhe në fund në një lloj jostabiliteti sistemik.
______________
1. Shih raportet dhe publikimet e fundit të: 1. NEW LINES INSTITUTE [https://newlinesinstitute.org/];
- SIPRI Yearbook 2023: Armaments, Disarmament and International Security www.sipriyearbook.org;
3. International institute IFIMES [https://www.ifimes.org/en/ … - STRATEGJIA E SIGURISË KOMBËTARE: https://www.mod.gov.al/images/PDF/strategjia_sigurise_kombetare_republikes_se_shqiperise.pdf
3. Po aty
4. https://www.youtube.com/watch?v=dFTM3cepPSg
5. https://www.youtube.com/watch?v=57MmuNGJJL8