ARKIVI:
28 Nëntor 2024

“Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë e artë!” – Atë Benardin Llupi o.f.m. (1886-1946)

Shkrime relevante

Pjesëza nga intervista e Nënkolonel Vëllazërim Qerimi, në “Dita e Hapur” me rastin e Ditës së Forcës dhënë RTK-së

Gani I. Mehmeti DIÇKA NGA INTERVISTA E NËNKOLONEL VËLLAZËRIM QERIMI, NË «DITA...

Mërgata Shqiptare në Botë ua uron Shqiptarëve 28 Nëntorin

MËRGATA SHQIPTARE NË BOTË ME SELI NË NJU JORK Gjithë shqiptarëve, ku...

Shpërndaj

Klajd Kapinova, New York

“Klerik i shquar katolik. Ai kishte kryer studimet për Teologji dhe Farmaci. Njeri me kulturë të gjerë, njohës i anglishtes, italishtes, latinishtes, spanjishtes e serbishtes. Ai nuk u mjaftua me detyrën e meshtarit, por qysh prej 8 qershorit 1942, kur ishte emëruar epror në Kishën Françeskane të Pejës, e deri sa e prangosen, nuk reshti të bashkëpunonte me luftëtarët e lirisë e t’u gjendej atyre. Ai është një ndër organizatorët (sadoqë pa pjesëmarrjen e tij fizike), të Kuvendit të Dobërdolit dhe i Organizatës së NDSH-së. Si gjithmonë, kishte prej atyre që përpiqeshin të futnin përçarjen fetare, sidomos duke qenë katolikët pakicë. Atyre ai u përgjigjej me pak fjalë e prerë: “Na nuk jemi romakatolikë, por katolikë, e para së gjithash jemi shqiptarë”. Ndërsa në një letër që iu gjet Marie Shllakut, ai i shkruante: “Asht i lumë ai që des për Atdhe”. Në gjyqin e Prizrenit, frati stoik u akuzua për verimtarinë e tij atdhetare, por edhe me akuza të rreme të sajuar nga regjimi komunist asokohe. U  mbrojt me një gojëtari dhe dinjitet të rrallë. Dënimin me vdekje e priti me këto fjalë: “Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kapak florin”. Si farmacist pasionat, ai ishte në prag të zbulimit të ilaçit për shkrirjen e gurëve të veshkave të njeriut. U kërkoi organeve të larta asokohe, që t’i jepnin një vit kohë të përfundonte kërkimet e tij shkencore, por nuk iu miratua.” – Danie Gazulli (1944-2012)[1]

”E vranë me 2 shkurt 1946. Të njejtat fjalë Dom Nikollë Gàzulli ua tha edhe malësorëve të Shkrelit më 1945, kur Shqipnia faktikisht ishte kthye në një republikë të shtatë jugosllave: “Lirinë e fitueme me gjak, këta duen me e lëshue pa gjak në dorë të shkjaut në emën të idelogjisë së tyne çnjerëzore komuniste! Pra, o burra, armët për syni!” ”Tre vëllaznit Gàzulli, nën rrasën e randë të harresës…” Fritz Radovani, studiues, Australi

Ndokush kujtimet e fratit mund t’i konsiderojë ngjarje periferike, apo dikush tjetër mund t’i mendojë pak të randësishme. Në të vërtetë ky libër kallëzon krejt të kundërtën. Ajo qëndresë burrnore shfaqi personalitetin e fratit françeskan në mbrojtje të tokave shqiptare dhe bashkimin e malësorëve rreth fratit, pa dallim katolikë e myslimanë dhe rreth flamurit të Shqipnisë gati me derdhë gjakun për mos cenimin e kufijve të vendit tone. Ky kontribut i çmueshëm i shtohet kolanës së shkrimtarëve françeskanë si shërbim i përvujt për historinë kombëtare. Dhe me ketë libër publiku dhe lexuesit e censhëm tashma do të njihen me nji tjetër personalitet të spikatun në radhët e françeskanëve, me fratin martir At Bernardin Llupi”. – Atë Viktor Demaj o.f.m., frat dhe studiues [2]

Kush ishte patrioti atë Bernadin Llupi o.f.m.?

Në një studim dinjitoz mbi jetën dhe veprimtarinë e patriotit të zjarrtë të martirit të pushkatuar atë Bernardin Llupit o.f.m., shkruar nga shqiptaro-australiani shkodran Fritz Radovani, ndër të tjera mësojmë, shumë episode interesante të panjohura më parë mbi personalitetin e shquar dhe paharruar të pader Llupit, të Urdhërit të shën Françeskut, që si gjithmonë ndër shekuj ka pasur si primare trenomin e mirënjohur: Fe-Atdhe-Përparim.[3]

Vdekja si kjo, vdekja për Shqiptarizëm, asht kupë e artë!”, ka thanë  atë B. Llupi  në vitin 1946, pak minuta para togës së zezë të pushkatimit komuniste shqiptaro-sllave serbe në qytetin Prizren në Kosovë.[4]

Sikurse kujtojnë pak vëllezër të Urdhërit (Kuvendit) Françeskan në qytetin e Shkodrës, cilët kanë mundur të mbijetojnë kalvarit dhe shembjes së diktaturës ateisto-komuniste në vitet 1944-1990, tregojnë se vëllai i tyre në Krishtin atdhetari i shquar dhe stoik frat Bernardini ishte asokohe një ndër figurat më të nderuara dhe respektuara intelektuale françeskane.

Ai lindi në qytetin e Shkodrës më 7 shkurt të vitit 1886, prej prindërve të dashur babait Filip dhe nënës fisnike Luçia Llupi. Prindërit e pagëzuan vogëlushin në kishën katolike të qytetit, me emnin Mati, dhe ai ishte vëllai i pestë i Cinit, Zefit, Ejllit dhe Franos.

Nga burimet historike, mësojmë se ai vjen prej një familje fisnike të vjetër me tradita të mirëfillta qytetare dhe patriotike shkodrane.

Gjatë viteve të errëta të diktaturës shohim, se persekutimi i vazhdueshëm komunist ndaj klerit ishte i pashembullt në gjithë historinë e diktaturave komuniste të vendeve të Europës Lindore dhe si më klasikja dhe si model original në krime shtazarake në të gjithë botën.

Golgota e mundimshme e këtyre shërbestarëve të atdhetarizmës, traditës, visareve, këndimit dhe shqipshkrimit, këtyre vullnetmirëve, që ishin përbetuar për zbatimin në praktikë, gjatë misioneve të tyre fetare të trinomit Fe-Atdhe dhe Përparim duke e ba jetën e tyre, me vdek si me le.

Burgjet e shumta famëkeqe nazikomuniste asokohe, torturat mizore, seancat e vazhdueshme makabre, e rëndisin dhunën e madhe dhe persekutimin sistematik të xhelatëve specialistë nazikomunistë në kryelistën e gjaksorëve më më të përbindshëm  dhe gjakftohtë, në kryerendien e barbarëve të pashpirt dhe pa ndjenja humane në të gjithë historinë e plotë të njerëzimit në planetin tonë.

Gjithë këte zezonë ata e lëshuan me një zell të pashpjegueshëm histerizmi ndaj atyre që “krimin” e vetëm që kishin bërë, është se ata kishin përhapur fjalën e shenjtë, kishin mësuar pa ndërprerje lexim dhe këndim njerëzve të thjeshtë, u kishin shërbyer çmos asaj popullsie të shtypur dhe të varfër nën barrën e madhe të injorancës gjatë shekujve.

Ata kishin bërë “krim”, se kishin koleksionuar traditat amtare, doket e lashta, zakonet tipike shqiptare, ligjësitë e kodifikuara në kanune të ndryshme po trevave etnike shqiptare, pra me një fjalë krejt atë pasuri të madhe dhe shumë shekullore shpirtërore, që vazhdimisht rrezikonte të shuhej dhe që u shndërrua në një e drejtë legjitime për mburrje nacionale, për krenari kombëtare, për cilësi dhe virtyt i një populli sa të lashtë aq dhe të qytetëruar, shkruan studiuesi dhe gazetari dhe studiuesi i talentuar bashkëkohor Albert Vataj.[5]

Me Medalje Nderi si një ndër studentët më të shkëlqyer të kohës në Insbruk të Austrisë 

Seminaristi dhe më vonë meshtari i ri shkodran atë Bernardin Llupi o.f.m., studimet e larta akademike univeristare i ka krye me sukses në gjuhën e bukur gjermane, në qytetin e vjetër historik Insbruk të Austrisë, ku mori Medalje Nderi si një ndër studentët më të shkëlqyer të kohës. Kjo ishte asokohe dhe sot një krenari e vërtetë për Shkoderlocë dhe Atdheun e tij të varfër dhe shumë të prambetur asokohe.

Meshtari i ri patër Llupi, shugurohet meshtar në Romë dhe më pas rikthehet në atdheun e tij të dashur Shqipëri, ku shërben me devocion dhe pasion si bari shpirtëror i grigjës shqiptare, në famulli të ndryshme, si në: Palç (Mërturë), Hot, Grudë (Malësi), Bizë të Durrësit, qytetin bregdetar të Vlorës dhe kryeqytetin antik shqiptar të Shkodrës.

Në vitin e vështirë kur ai rivjen në në Shqipëri dhe në veçanti pranë vëllezërve françeskanë në Krishtin,  situata në Shkodër dhe më saktë pranë Urdhërit Françeskan gjendet shumë keq ekonomikisht (me një varfëri absolute) në atë kohë lufte e zije për bukë etj., mbas vitit 1942 ai dërgohet në qytetin Pejë si famullitar, mbasi njihej qysh i rij si ekonomist i aftë dhe talentuar. “Prej andej ai ban të mujtun mos shpërndamjen e xhakojve në Kuvendin e Shkodrës, tue i dërgue vazhdimisht ushqime. Për këtë ndihmë të madhë ekonomike ban fjalë në procesin e tij edhe At Çiprian Nika, rektori i Fretënve në Shkodër. Ai asht bashkohës i Etënve të famshëm të kohës, si: Harapi, Doda, Prennushi, Cani dhe mik i Don Nikoll Ashtës. Asht ndër misionarët e njohun, që me nder dhe dinjitet, ka bajtë zhgunin e Sh’ Françeskut. Ai ishte autoritar në fjalë dhe i palodhun në pajtime gjaqësh e ngatrresash, që kishin kapërthye keq malcorët e maleve tona. Edhe pse në 1939 asht operue në qytetin Italian Padova, ku ka heq një eshk, asnjëherë nuk i shmangët misionit të tij, madje, shkon me qejfë malesh për me ndihmue çështjen kombëtare dhe niset për në Kosovë.”, kujton dhe shkruan studiuesi shkodran Friz Radovani, një ndër njohësit më të mirë (me fakte dhe me histori të dhimbshme) dhe nga afër të jetës dhe veprimtarisë së madhe të shumë klerikëve katolikë, me të cilët fati dhe jeta e ka bërë Frizin, të qëndroj shumë afër me ato, kur shumë shkodranë të tjerë u shmangshin dhe nuk i ndihmonin ato në ditë dhe vite të vështira para dhe mbas burgut të tyre nën diktaturën e egër ateisto-nazikomuniste…[6]

Atje ka shërbye në famullitë e Zllakuçanit, Zym të Hasit dhe Pejë. Frati i përkushtuar për trinomin e pandashëm ndër shekuj: Fe-Atdeh-Përparim, pa u lodhur dhe me dashni të përhershme humane dhe kristiane, ndihmon vazhdimisht shqiptarët pa dallim feje dhe krahine, të cilët me guxim dhe pa frikë asokohe kishin marrë malet për liri nga fashizmi dhe nazikomunizmi, duke u dërguar përherë ushqime, veshmbathje dhe medikamentet e nevojshme mjeksore, për luftëtarët e plagosur apo të sëmurë.

Frati ynë atdhetar dhe fisnik në zemër, vazhdimisht mban afër prof. Kolë Parubin,[7] Marie Shllakun,[8] Marsel Vuçën, prof. Ymer Berishën,[9] Gjergj Martinin[10] dhe të tjerë luftarë shqiptarë të lirisë të kohës.

Me një shqetësim të madh patrioti, ai porositë fshatarët “me e ruejtë dhe me e ndihmue këte vajzë atdhetare! (Marie Shllakun)”. “Theksova fjalët e tij ndër thojza, mbasi me shumë dashtni dhe burrni vlerëson virtytet e femnës shqiptare, ashtu si ma parë vëllaznit e tij, Norën e Kelmendit. At Llupi asht “ATI I DYTË” i Marie Shllakut.

Maria tek Ati i saj i dytë sheh shpresën dhe të mirën, tue i kërkue si vajza e tij: “Lutju Zotit për mue!”

Ai lutej për të gjithë shqiptarët pa dallim feje. Kjo asht arsyja që të gjithë e donin dhe e ndigjonin misionarin e përvujtë.

Ai njihej si misionar i Atdhetarizmit prandej qela e tij ishte vatra ku delnin shkëndijat e lirisë.

Shovenistët serb, shërbëtorët e tyne komunistë dhe tradhëtarët e shitun të Atdheut, nuk e duronin zhgunin e Françeskanit në Pejë, prandej, në marsin e vitit 1946 e arrestojnë si një organizator i “Katoliçeskaja Banda”, organizatë që nuk ka kenë kurrë.

Krijuesi i këtyne bandave, organizatave, grupeve terroriste, duerve të zeza, të futjes së armëve ndër Kisha etj,, asht një për të gjithë Shqiptarët: Komunistët e shovenistët jugosllavë me qendër Moskën.[11]

Edhe para trupit gjykues At Llupi asht kryenaltë, trim dhe i pathyeshëm ashtusi në tortura të mnershme që i bahën në hetuesi. Nuk pranon asnjë akuzë. Nuk i trembet vdekjes fare, aq sa edhe tallet me prokurorin Ali Shukriu, gjatë procesit gjyqsor kur ai e pyet, se ç’ke menduar kur ke thënë: “Ishalla e pështon Zoti Kosovën!”? – At Llupi përgjegjet: “Kam mendue që të shpëtojë nga sëmundjet dhe hallet e ndryshme!” Kur prokurori e pyet se a i ke dërgue djath në mal, At Llupi nuk i përgjegjet, mbasi nuk kam ardhë këtu për djathë.

Kur pyetët Maria, edhe ajo përsëritë: “Nuk përgjegjem, nuk kemi ardhë për djathë këtu!”. Kur flitët për njerzit e vramë ndër male, At Bernardin Llupi thotë: “Ata kanë vdekë si trima, si burrat, prandej, duhët të jenë shembull për né të gjithë!”.

Autori z. Muhamet Vokshi, shkruan në kujtimet e veta për intelektualin dhe fratin e shquar atë Llupin: “Fliste anglisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, serbisht, latinisht. At Llupi ishte komunikativ, modest, shakaxhi. Fishtën e adhuronte. Italianët nuk i donte aspak, i quante “bretkocarë”. Ai e ka dashur vendin dhe popullin e vet pa urrejtur kurrkend tjetër. E deshti dhe dha jetën për Shqipërinë brenda kufijve të saj etnikë

Fjala e fundit e atë Bernardin Llupit o.f.m., para togës së zezë të pushkatimit komunist ishte: “Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë e artë”!

Mbas të shtimeve me breshëri të automatikëve atë B. Llupi of.m., kishte mbetë në kambë edhe pse zhguni i panjollë ishte la me gjakun e këtij martiri të pafajshëm për F e Atdhe.

Ai thirri edhe njëherë: “Rrnoftë Shqipnia!”, xhullinjtë iu afruen tue shti mbi tè, derisa Frati 60 vjeçar u shtri mbi tokën shqiptare, për të cilën dha jetën e vet.

Bashkëvuajtësi Viktor Gashi rrëren në kujtimet e tij

Në mbrëmjen e 14 nandorit dikush përshpëriti sikur kishte dëgjuar nga biseda mes dy rojeve se nesër në mëngjes, do të pushkatoheshin të dënuarit me vdekje. U tronditëm shumë dhe vendosëm me i treguar At Bernardit.

I thamë në veçanti: Padër, nesër.., ndoshta.., nuk e dijmë, por… Ai ndërpreu fjalën dhe tha: – Shumë bukur që erdhi kjo ditë dhe mbas pak sekondash iu drejtua Kolës, – Kolë, eja pak këtu! Shkuan në qoshen e dhomës, At Llupi bashkoi dy duart, ndërsa Kola u ulë në gjunjë.

Kur Kola desh të fliste diçka, At Llupi i tha: – Kolë, i dij gjynahët tuaja por ban punën e Pendimit, se Zoti do t’i falin të gjitha fajet mbasi ti po lanë me gjakun tand tokën që të ka lindë, t’i po shkon tek Zoti, jo si mëkatar, por si martir, ti je i zgjedhun prej Atit të Pushtetshëm, me dhanë shembull si duhët me vdekë për të mirën e popullit Shqiptar dhe të Atdheut, që po e lamë të robnuem, por shpejt Zoti dhashtë e u bashkoftë edhe Kosova me Nanën Shqipni! Mbas tij shkoi edhe Gjergji.

Atë natë nuk fjeti njeri. Biseda mbahej nga At Bernardi, të cilit edhe atë natë nuk i mungoi humori e gazi, sikur të nesërmen po lirohej dhe jo…

Ishin orët e para të mëngjezit, kur u dëgjuan çelsat e randë të dyerve. Mbretroi një heshtje e përmortshme. Menjëherë e mori fjalën At Bernardin Llupi: – Ç’keni o burra që heshtët? Mos u shtangni, se vdekja nuk na frikson. Kushdo që lind do të vdes herët a vonë aqsa ka thanë Zoti.

Na po vdesim ballhaptë dhe po shkojmë nga kjo botë të bindun se me vdekjen tonë, do ta ndihmojmë çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e sajë me Atdheun Nanë, Shqiptari shkon në vdekje si në darsëm sëpse lufton dhe vdes për popull, për liri, për jetë ma të lumtun!

Sakaq u dëgjua zani i ambël i Gjergj Martinit: “Po vdesim për Atdhe, Burra, se Atdheu mbrohët me gjak. Kështu me gjakun e Shqiptarëve të ramë, krijohët Shqipnia. Gjaku i derdhun, s’ka sesi të mos japë fryt, tue mbjellë atdhedashtni, mirësi, mirëkuptim, ai do të ngjallë edhe ma tepër ndjenjat kombëtare

U hap dera me rrëmbim: – Hajde, hajde, brze, majku vam vasu!- briti roja.

At Bernard Llupi, pa iu trembur syri dhe pa u nervozuar fare iu drejtua rojës: – Ndaluni pak, se due të përshëndetem për herë të fundit me Vllaznit e mij. Në përqafim nuk muejta t’i mbaj lotët, mos u trego i ligësht, – më tha, – të dijmë si xunxarë, kështu me quanin në burg.

U drejtua – Gjergj, Kolë, ejani, të shkojmë krenarë, le ta shohin ata se nuk ia kemi frigën plumbit! Duhet të jemi të lumtun që po vdesim për idealet e kombit.

Atëherë Gjergji na u drejtua: “Lamtumirë, o Vllazën! Tregoni botës mbarë se Kosova dhe Shqipnia ka trima, që japin jetën për vatan dhe nuk ka anmik, që na tremb! Shqiptari nuk përkulet kurrë!”

Roja e shtyri, e Ai thirri edhe ma më të madhe: “Rrnoftë Shqipnia bashkë me Kosovën!”

Edhe Kol Parubaj me një za të shteruar, na tha: “Lamtumirë Vllazën! Ma keni kujdes vajzën. Rrnoftë kombi Shqiptar! Rrnofshin Shqiptarët!”

Zëri i tij treti dhe nuk u dëgjua më, sëpse roja e shtyri me rrëmbim dhe pas tij u mbyll dera. Të gjithë ne që ishim mbrenda mbetëm të shtangur.

Pas pak u ndigjua zëri i thekshëm i Marie Shllakut. Të gjithë vrapuam kah dritarët që ta shikonim në oborrin e burgut dhe pamë hijen e sajë, meqë bënte shumë terr.

Nuk pranonte të dilte nga dera e burgut pa përfunduar këngën, që bënte fjalë për prof. Ymer Berishën, dhe luftën për çlirimin e Kosovës. Fjalët e këngës sot nuk më kujtohen, por zëri i saj ishte tamam pushkë dhe jehoi në tërë burgun.

At Bernard Llupi atëherë i tha me zë të naltë: Të lumtë, bylbyli i Shqiptarizmës! Le t’a marrin vesht bota si shkon me vdekë femna shqiptare, me kangë në gojë!

Maria, ia këtheu me za të fortë: “RRNOFTË SHQIPNIA E MADHE! RRNOFTË BASHKIMI I  SHQIPTARËVE!”

Me të drejtë Miss Durham shkruen shumë vite perpara: “Zotnimet e hueja kanë kalue mbi kombin Shqiptar pa lanë në té kurrfarë gjurmët, si ujë që kalon mbi shpinën e rosës”.

Dhe… vitet kalojnë!

Kujtimet e atyne atdhetarve që dhane jeten, nuk harrohen nga shqiptarët! Shqipnia, asht nder vendet e Europës Lindore (Ballkanit), nder ma të pergjakunat!

Ata ishin po, trima të palëkundun dhe të vendosun me dhanë jeten e tyne! Vlerat e tyne atdhetare u vlersuen edhe nga të huejtë, prandej edhe mbetën të perjetshem nder faqet e historisë së lavdishme! Prizrendi ruen në gjiun e vet gjakun e paster të këtyne martirve!

Ata ishin dhe janë zamakë të flamurit të Gjergj Kastriotit –  Skenderbeut!

Lavdi veprës së tyne atdhetare! Melbourne, 8 Korrik 2022.[12]  

Fragmente nga libri autobiografik: “Lufta kundra Malit të Zi”, të autorit atë Bernardin Llupi o.f.m. 

Intelektuali i shquar dhe atdhetari i flaktë e largpamës atë Bernardin Llupi o.f.m., ka shkruar kujtime të historisë së lavdishme të malësorëve tanë trima, gjatë vitit 1915. Në fakt ato janë historia e autobiografisë së tij në formë ditari me përshkrime historike të shumë bashkëluftarëve të kohës, me të cilët iu desht asokohe të punoj dhe bashkëpunoj shumë ngushtë, për të mirën e interesave të popullit pa dallim feje dhe krahine dhe kombit të tij.

Ai shpesh, sikurse dëshmojnë të tjerët, ishte në ballë të grigjës së vet, në luftë për t’u mbrojtur kundër ushtrive grabiqare malazeze në Palç, të cilët synonin vazhdimisht të copëtonin Shqipërinë dhe të merrnin Veriun e saj.

Stafi i Shtëpisë Botuese Botimet Françeskane në qytetin e Shkodrës, falë misionit të tyre tradicional fisnik shumë shekullorë kulturorë dhe historike, kanë nxjerrë në dritë e botimit si libra të rrallë sot, shumë dorëshkrimeve të pabotuara të misionarëve të përkushtuar katolikë të Urdhërit të shën Françeskut, disa vite më parë kanë botuar në gjuhën origjinale të dialektit gegë librin me kujtime interesante: “Lufta kundra Malit të Zi”, me autor fratin qytetar shkodran atë Bernardin Llupin o.f.m., ku në këto kujtime historike zbardhen për hërë të parë trimëria e malësorëve, bujaria dhe fisnikëria e Bajram Currit dhe Prel Tulit dhe shumë prijësve të tjerë trima të pamposhtur malësorë.

Dihet se asokohe, frati patriot atë Bernardin Llupi o.f.m. ishte vetë personazhi kryesor i atyre ngjarjeve të trazuar historike të popullit shqiptar, në pjesë të ndryshme të vendit.

Libri në fjalë me vlera të mëdha dhe reale historike, është ruajtur me kujdes të veçantë për disa dekada (nën regjimin apo inkuizicionin e tmerrshëm ateisto-komunist) në arkivin personal të patriotëve dhe qytarëve të vjetër fismik kulturdashës shkodranë Gjon Palok Kamsi dhe djalit të tij bibliotekarit të shquar të qytetit tonë, Willy Gjon Kamsi (1926-2017)[13] ish Ambasadori i parë i Shqipërisë demokratike, pranë Selisë së Shejtë në Vatikan dhe fatmirësisht është botuar vite më parë sipas origjinalit, që ka lënë si dorëshkrim vetë atdhedashësi ynë i flaktë pader Bernardin LLupi o.f.m.

 

Pjesë nga kujtimet:

Kreu I

Bashkimi e lidhja e besës së bajraqeve të Malcis së Gjakovës

Porsá mbrrijten te kulla kû ishin kenë të bashkuemë këta të dytët çeta e burrave të Nikajve e të Merturit, qi u kishte prî frati, kund 40 vetë, veshë mirë, shterngue edhe mâ mirë; prá të gjith si kjene u çuenë në kambë, porsá ndienë zânin e fratit, qi u tha: Mirë se rrini e kuvendi i mirë o burrat e Malcís.

Ata nji zânit i pergjegjen: Mirë se të bjen Zoti Zotní Pater. Të parët e Krasniqes, Bajram Mani, Bajram Nimani e Zeqir Halili perpara se t’u afrote frati me burrat e Nikajve e të Merturit, kishin ndejë gati tue i dalë para e grishen fratin tue i thanë: Z. pater shka të kesh bajraktarë e krenë merri me vete; tjerët të xanë vend te këta burrat këtû, e na po shkojmë në kuvend kû gjindet Bajram Curri me tjerë.

Atëherë pá tjeter i prînë fratit e bajraktarve e krenve. Edhe këtû para se me mbrrijtë te ai livadhi i bukur, u çuenë në kambë e u aviten nja 3 a 4 hapa Bajram Curri, Izá Boletini i Kosovës, Zefi i vogël prej Gjakovet, Halil Brahimi Bajraktar i Gashit bashkë me Rrustem Bajramin, e disá tjerë të permendun.

Sá u afrue frati i pershndeti tue u thanë: kuvendi i mirë burra, e ata i a kthenë mirë se vjen. Si u pershndeten me sho-shojnë, Bajrami grishi fratin e per nderim desht me i lshue vendin e vet, por frati s’e prandoi, por u ul njat tijë.

Porsá u ulen; të gjith burrat qi kjene aty u hollen ka ‘i cingare të bâme të gjithve, qi kishin ardhë e s’vonuenë me u qitë kafe.

Nji heshtim mbretnote at, qi Bajrami e the tue i a hî kuvendit e tue pëvetë fratin: Z. shka kena të ré? Të gjith veshtrojshin fjaltë.

Frati atëherë ndisi me folë: Z. Bajram, dje kam pasë letra prej Shkodret e njana nder to thote se devrija e Malit të Zí kishte xanë vend te ura e Buenës e se Shkjau kishte menden me hî në Shkoder edhe këtu nder né.

Po, i a kthej Bajrami, veçse pá u merzitë mirë nuk kanë me e lanë.

Në ketë mbledhjë qilluenë të gjith bajraktarët e krenët e Gashit e të Krasniqes, të Bytyçit, të Nikajve e të Merturit. Muer pjesë edhe Bajram Curri, fis prej Krasniqes e mâ i ndershmi i të gjithve, kje njoftë si kryetar i këtij bashkimi e i lidhjes së besës. Kjenë: P. Bernard Llupi, Famullitari i Palçit të Merturit, Izá Boletini kryekomitës prej Gjakove – Kosove, Zefi i Vogel prej Gjakove, Hasem Galica, kryetari i komitës prej Rrjeket, Jah Salihi i Babaj e Osman Aga i Kaskoçit. I persriten edhe nji herë fjalët qi kishin folë para se me ardhë Bajrakët e Nikajve e të Merturit.

Mâ e para punë qi u fol në ketë mbledhje kje, se lidhen besë ndermjet vetit me bajrakë qi u gjeten aty. Besa u lidh si mbas kanunit e i u dha forca e êmni: “BESË GJAJE E ÇOBANI”, e cilla besë â mâ e fortë se besët tjera.

Kush e prishë ketë besë, ká per ndeshkim prej të gjitha bajraqeve besëlidhun, qi t’i digjen trí kulla, ase vllaznís së tij e mu shemë, e me i marrë gjobë 24 qese besëlidhunt e së mbramit me metë gjaku me gjak.

Per do ngatrresa qi Nikajt e Merturi ankojshin kundra Gashit e Krasniqes e këta me ta; u dá prej burrave e të parve të këtij bashkimi në nji kuvend se do t’i ndreqshin mâ vonë.

Këtyne fjalve e lidhjes së besës ju gjegjen të gjith. Mandej lidhën besë e u betuenë me sho-shojnë, muhamedant tue bâ bé n’êmen të Dinit e t’Imanit, tue thanë fjaltë e tue i marrë doren Bajram Currit në shêj dashnije.

Të krishtentë tue hjekë ksulen bâne bé n’êmen të Zotit e të Krishtit se do të luftojshin i madh e i vogel e per të gjállë s’do t’u lêjshin Malin e Zí me hî nder vende t’ona, edhe këta tue thanë fjaltë e tue i marrë doren Bajram Currit.

Mâ së mbramit u dá prej të gjithve me çue në luftë ká nji per shpí. Vetem Bajram Curri kësohere kshilloi e e bâni Malcín me luftue kundra Malit të Zí; pse tjerët nuk kjene kësi mendimi.

Atij qi nuk e njef Bajram Currin, Frati i Palçit, çi ká pasë shum relacjone me tê e suguron se âsht i vetmi muhamedan, qi me tanë Kosoven e nder këto vende, u diftue, jo vetem në nji rasë, por gjithmonë, shqyptarë i vertetë, tue kerkue perherë të mbaren e Shqypnís me dam të vet e t’interesave vehtjake.

Tue kenë se të gjith beglerët e agajt janë kundra këtij mendimi âsht i sulmuemë prej të gjithve nder veprime.

***

  1. Llupi çili nji fletore t’orove e filloi me persritë fjalët, qi u folen e tha: Qellimi i parë i kësajë mbledhje kje bisedimi, qi të gjith Malcija e Gjakovës lidhi besë simbas kanunit ndermjet vetit e me bajrakë besëlidhun.

Qellimi i dytë i mbledhjes kje ankimi qi Nikajt e Merturi kanë me Gash e Krasniqe: u dá nji zâni prej të gjithve se do t’u ndreqshin porsá të kishin rá në fashë.

Qellimi i tretë kje se lidhen besë me bé me sho-shojnë, qi mos me lanë asnjani tjetrin në luftë, por me luftue të gjith i madh e i vogel e me dekë mâ parë se me lanë Shkján me hî nder vende t’ona.

Qellimi i katert kje se u dha besa, qi se e cilla shpí t’epte ka’i nieri per luftë, e në Qafë të Morinës n’e lypet nevoja i madh e i vogel me rá në luftë e mos me e lshue per së gjallit atmen pá u farue të gjith.

Qellimi i pêstë kje mâ i randsishmi (ultimatum), qi i u çue Malit të Zí se s’e lêjshin me hî mbrendë, pá u farue i madh e i vogel. Si kreu së shkruemi, Bajrami e luti, qi mbasi penda gjindej aty, t’i rreshtote nja dy fjalë si të dite mâ mir e mâ, e t’i a ndiste Shkjaut.

Frati atëherë pá u vonue muer e hoq nji fletë prej fletores e ndisi me shkrue: Krasniqe 8 Qershuer 1915, Shkelqesís së Tij Z. Vladomirit Vasoviç, Gjeneral i Malit të Zí.

Komisjoni dergue prej Shkelqesís s’Uejë erdh e na njoftoj fjalët e dishirit t’Uej, se Shkelqesija e Juej lypte lêje me kalue me ushtrí të veta vetem per me shkue në Shkoder.

Prá na Malcija e Gjakovës fíll per ketë punë jena bashkue e nuk e pamë t’arsyeshme me u lêjue neper né mbasi njetin e keni mâ të mirë e të kollajtë.

Vetem nji punë na bindë e jo pak se si ju kujtuetë se nuk jena në gjeje të kuptojmë nji marshtrim të pá burrní ká kenë per Z. t’Uej me na thanë se dishrojshi me zaptue vendin t’onë e jo me e ulë vetin me tradhtí tue dashtë me na e marrë.

Prá mos t’i u rrejë mendja e mos kujtoni se âsht aq e kollajtë me hî nder vende t’ona, pá u shkrî i madh e i vogel nuk të lamë me hî nder né.

Me shum nderime Bajram-Beg Curri, P. Bernard Llupi, Bajraktari i Gashit, i Krasniqes, i Bytyçit, i Nikajve e i Merturit n’êmen të gjith popullit. Sejcilli vuni vulen e vet. Mbasi letra u krye, frati e lexojë me zâ të naltë, qi t’a merrshin vesht të gjith.

Si e pat lexue i pëveti, si ishte shkrue. Të lumtë dora se mirë e ké shkrue. Atëherë i a dorzoi letren Bajramit, njiherit edhe Bajraktarit të Krasniqes, e zgoll tre burra të squetë e të gojës tue i porositë t’i a epshin Gjeneralit Vasoviçit e t’i diftojshin njiherit fjalët e vendimit të bajrakve.

Këta i premtuen se neser nadje do t’u ndesheshin me Vasoviçin. Bajrami qi nuk dote me lanë gjâ mangut prej anës së vet, urdhnoj, qi nja 10 vetë të shkojshin me hasë ndonji kál per me marrë dy mitroloza, qi i kishte pasë te nji mik, tue u kallxue shpinë e tue u dhanë nji shêj të vetin per me e vertetue punen.

Mbasi pat kalue bukur do kohë; frati me gjith bajraktarë e krenë kje grishë me fjetë te Bajraktari i Krasniqes. Grishi edhe Izá Boletinin, Zefin e Vogel, Jah Salihin e Osman Agen e Rraskoçit. Teprica tjeter u shperdá fisit. 

Kreu III 

Shqyptarët lshojnë ballin e luftës 

Edhe nji herë para se me dalë pine kafe e tue u bâ gati me shkue, po ndihet prap nji zhurmë e nji poterë e jashtzakonshme n’oborr të kullës.

N’e parë kujtuenë se do t’ishin të varruemtë e të dekunt qi ishin tue i bajtë prej luftet e prandej u çuene të gjith në kambë, disá duelen jashtë e disá qiten kryet në dritsore palè a po mujshin me marrë vesht shka ishte gjith ajo zhurmë e poterë.

Qe se u muer vesht e të gjith meten të habitun tue pá shum popull qi kishte ardhë te kulla se e dijshin se aty parija kishte ngulë. Diftunë se kishin lshue ballin e luftës e shkakun e të hikunit tue thanë se mbasi panë se Izá Begu Boletin me nja 70 vetë kishte lshue ballin e luftës e muer hiken, edhe tjerve u hini friga e lshunë pritat.

Gashi por sá muer vesht hiken e Izá Boletinit, jo vetem se lshoj pritat por i a ndisi me dlirë shpijat e me hikë kahë të mujshin i madh e i vogel. Lufta vijote gjithnji mâ e rrebtë.

Kúr Izá Boletini muer hiken e lshoi pritat pá kenë endè i ngushtuemë persë fortët prej Shkjaut, bâni disá me pasë dyshim a thue mos do t’kishte hanger para Shkjaut, tue u bâ marak tjerët per ata të hikun të pa arsyeshem, tue ligshtue edhe tjerët.

Të hikunt e tij shkaktoi zhgatrrimin e luftës e kështu njani mbas tjetrit merrshin hiken pá dijtë psehin. Mbas atyne atëherë edhe Zefi i Vogel me çetë të vogel të Begashit, qi ishin kund njiqind vetë, lshoi pritat e shkoi fill te Bajrami me i diftue gjithsesi arsyenë e të hikunit.

Bajrami porsá pau Zefin e Vogel e muer vesht fjalët se ushtrija kishte fillue me u demoralizue tue lshue pritat e luftës; si muer vesht se Izá Boletini me gjith ata burra qi pat me veti, hiku, e tue pá se edhe Zefi dote me hikë me ta, i hini nji frigë e madhe, u zbé në fëtyrë e fryma filloi me i mungue.

Ah! Ma paç faqen e zezë si na korite e na fike per së gjallit i u suellë e i tha, e të gjith i persriten këto fjalë tue thanë, si mbrrijti me e bâ ketë punë; me hikë para të gjithve pá pasë nevojë. E sjellë kahë Zefi i tha: More Zef, páshë Zotin t’and e fén t’ande, nemose ti rri me né e të qindrojmë së bashkut.

Pse tha Zefi na besen e bén i a kena dhanë të gjith shoqi-shojt me qindrue së bashkut e jo dikush po e dikush jo. Shpirt kena të gjith e të gjithve na dhimbet jeta. Këjo punë ishte dashtë m’u mendue para se me u lidhë me besë e fé.

Kùr pashë se Izá Beg Boletini s’pat gajle per marre se aq shpejt e kishte harrue benë e bâme e besen e dhanun, atëherë edhe un qi s’kam interesë as gajle se po fiket e po koritet ky kuvend, lshova priten si tjerët e tash jé tue më pá këtu.

Të lutem i thotë Bajrami: Páshë Zotin, Dinin e Imán, dredhoni në luftë burra. Zefi u pá kjartë se s’kishte mend me hî mâ në luftë, por per me i a mbyllë gojen e me e xanë ngusht Bajramin i tha: Qe un me gjith çetë t’ême po dredhi; por due mâ parë të më prijnë gashnjanët; pse atëherë jam gati me u shkue mbas.

Ndersá Bajrami ishte tue u mundue me i a mbushë menden Zefit e tjerve, shifeshin çetë çetë kahë ushtrija e populli merrshin hiken. Nuk vonuenë e u drodhen edhe kualt, qi kjenë ndisë me mitroloza e me pushkë.

Drita kishte ndisë pak me dalë, kur po i a behin disá burra e mâ e shumta prej Gashit, qi të dispruemë prej idhnimit e trâmet, kahë panë se sharruenë me gjâ e me máll, me të madh e me të vogel e kahë panë se Gashi me gjithshka pat nisi me hikë tue lshue vendin; filluenë me u ngatërrue me Bajramin, e me do krenë qi ishin kenë shkaku, per të cillin i kundershtuenë Shkjaut. Prandej mzì mujten me u zhgatrrue perpá u mbytë ndermjet vetit.

***

Atë vend e kishin zaptue do tjerë, qi kahë fëtyra dukeshin t’idhnuem e të dispruem. Dyerët e kullave i kishin të çiluna, mrendë nuk rrite kerkush qi me thirrë mikun me fjalë të zakonshme: Mirë se të pruni Zoti e hoshgjelden.

Robnija kur kishin marrë vesht se kishte hikë Izá Boletini e kur paten marrë urdhnin e të zotët e shpís, pá u tallë hiç u vunë në të hikun me gjâ e me mall tue lanë shkret kullat.

Gjithkush qi kalote andej pari tue pá kullat e vendin vojtë aq në hall, tue lujtë kryetë prej dhimbet e të thekunit thote: Ah! Medet se çë rrezik na gjet, e ty qi u bane shkaku i këtij rrenimi kurr mos t’a priftë marë Zoti. Rruga qi banë ishte kanë mbushë me gjâ të gjállë e me robni qi i ndlojshin udhtimin shtegtarit, per me shpejtue.

Rrugës s’u ndiete tjeter veçse brim robnijet, fëmish e shtâsësh njaq sá me i u dhimtë deri anmikut. Bajrami e Zefi i Vogel nuk u hetuenë fort rrugës, u grahen njani kalit, tjetri kambve kahë drojshin mos t’u ngatrrote kush me ta e mos t’i ndollte ndo’i rrezik prej popullit, qi prej disprimit mzí çë pritshin me u ngatrrue me ndokend sidomos me ata qi kjene shkaku i rrenimit të tyne.

Lufta u ndiete se vijote bukur mirë sado qi ishin pakue mbas fjalve prej 2000 e mâ teper qi kjene në fillim paten metë nja 600 vetë, qi luftojshin si burrat.

Lajmi i fratit e i krenve se kishin hikë u hap me ‘i herë e popullit të shkretë i u duk si t’u bite nji rrfè prej së naltit.

U ligshtuenë faret e tjeter s’menduenë veçse me hikë. Ky lajm i zí u mbrrijti në vesh luftarve, qi të Diellen në nadje me 13 pa kenë shterngue prej Shkjaut lshuene pritat e u vunë në të hikun sá kû mujten.

Shkjet kur hetuenë se Shqyptarët lshuenë pritat e u vunë në të hikun, pa i u vu mbas, por kot, pse s’mujten me xanë kend

***

Burrat e mdhaj atëherë mueren rrugen me Ismi Currin tue dalë pertè Drinin. Disá luftarë qi erdhen prej ballit të luftës lajmuenë se edhe në Qafë të Gjonaj, të Stobers e të Bytyçit i paten kundershtue pak Shkjaut per së largut.

Diten 14 Qershuer, e Hane, ushtarët e Malit të Zí u hapen gjatë lumit të Valbonës kahë Sernica, kahë Bukova, Molla e Kuqe, Dushaj e në breg të Drinit.

Në ketë ditë disá djelm prej Rajet, prej Nikajve e Merturit i bânë nji kundershtim të letë Shkjaut, per me mujtë me u a ndalë hovin, qi të hikunt të mbrrijshin në kufi të Merturit.

Në ketë ditë shka kje shpi, stan e tagjí të Tropojës, të Gashit e të Krasniqes u kje dhanë zjarmi e në ketë ditë Shkjau filloi me ndreqë nji urë të ré në Mulesmanaj.

Kur frati erdh në Palç te shpijat e veta, gjet djalin qi pat ndreqë per Shkoder te Korculla i Austrís me letër të përgjegjes.

Letra ishte kenë shkrue kështû: Të Ndertve Z. P. Llupit e bajraktarve të Nikajve e të Merturit.

Fort keq më vjen pse nuk mundem me u kondendue per me u dhanë do armë e do fyshekë, qi më kanë ndollë.

Por t’u bijë nder mênd se mâ mirë me dekë me nderë se m’u zdeshë me marre. Halla Korcull i Austrís.

Shkodër, 12-VI-1915[14]

[1] Daniel Gazulli, “Natë mizore – Në kujtim të 4 martirëve: Marie Shllaku, At Bernardin Llupi, Kolë Parubi, Gjergj Martini”, Dorëshkrim.

[2] Fatmira Nikolli, 1915 Kujtimet e At Bernardin Llupit: Kur Isa Boletini e theu besën”, Gazeta shqiptare, 12.06.2019

[3] Fritz Radovani, “In memoriam, At Bernardin Llupi O.F.M.!”, www.Albspirit.com

[4] Albert Vataj, “Fjalët e fundit që thanë para ekzekutimit martirët, meshtarët katolik, vullnetmirët shpirtëror shqiptar”, www.albertvataj.com

[5] Po ati, po aty

[6] Fritz Radovani, “In memoriam, At Bernardin  Llupi O.F.M.!”, ëëë.Alb-sprint.com

[7] Prof. Kolë Parubi (1906-1946), u lind në fshatin Dajç të Bregut të lumit Buna, më 22 nëntor 1906. Ai kishte të kryer studimet e larta fetare teologjike dhe filozifike për prift katolik dhe ishte shugurua si i tillë. Kolë Parubi ndërkohë dashurohet me vajzën Zina, me të cilën u martua, dhe patën një vajzë të quajtur Nineta. Rrethi shoqëror në Shkodër nuk e priti mirë këtë martesë, andaj, ai vendos që të largohet nga aty dhe kaloi në Kosovë për të punua si profesor në gjimnazin e Prizrenit. Ai punon në vende të ndryshme të Kosovës. Në fund punësohet si profesor në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë. Dihej se gjimnazi i Prishtinës ishte qerthe e madhe e patriotizmit shqiptarë. Puna në gjimnaz i sjell Kolë Parubit shumë njohje të reja me patriotë të shumtë shqiptarë. Aty punonin prof. Ymer Berisha, prof. Gjon Serreqi, nxënësit Hamdi Berisha, Galip Badivuku, Hamdi Mustafa, Xhahit Gafurri, Shefki Qitaku Ilias Neziri e shumë të tjerë. Ai, porsa u njoh me ato, krijoi miqësi me prof. Ymer Berishën, prof. Gjon Serreqin e shumë atdhetarë të tjerë. Me ndihmën e prof. Ymer Berishës iu bashkua radhëve të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, ku më herët kishin aderua Gjergj Martini, Marie Shllaku, at Bernard Llupi, Hajdar Pllaneja, Enver Sudi e shumë të tjerë. Kolë Parubi në organizatën e LNDSH-së ishte caktua në sektorin e propagandës, që kishte për detyrë përhapjen dhe masivizimin e LNDSH-së në tërë Kosovën. Prof. Parubi ishte i interesuar që në radhët e lëvizjes të ketë sa më shumë të rinj dhe të reja. Për të arritur këtë qëllim, Kolë Parubi, kishte vu kontakte me të riun nga Prizreni, Marsel Vuçaj dhe me shumë të rinj të tjerë, dhe me direktivat e atë Bernard Llupit o.f.m., bënin çmos që t’a krijonin Komitetin Qendror të Rinisë Nacional Demokratike Shqiptare me seli në Prizren apo në Pejë. Për bashkimin e tokave shqiptare duke sakrifikua çdo gjë, kontribut tё madh kishin dhënë: Atё Bernard Llupi (7 shkurt 1886), Kolё Parubi (5 dhjetor 1906), profesori Gjergj Martini (29 gusht 1917), Gjergj Bahtiri i cili shërbente si mësues nё Gjakovё dhe shumё shkodranë tё tjerё qё i shërbenin atdheut e Kosovës, duke e pasur çdo herё si qёllim suprem bashkimin e tokave shqiptare. Kontribut tё çmuar nё Lëvizjen Ilegale në Kosovë dha edhe Zef Mekaj, profesor nga Shkodra, qё tёrё aktivitёn e vet politik e pёrqёndroi nё Gjakovё. Sipas aktgjykimit të Gjyqit Popullor për Kosovë e Metohi, në Prizren, sipas aktgjykimit P. nr. 21/46, thuhej se “Shtylla më e fortë e këtij komiteti dhe anëtari më aktiv i saj ishte prof. Kolë Parubi, i cili kishte lënë pozitën priftërore, vetëm e vetëm që të angazhohej në realizimin e ëndrrës gjithë shqiptare për një shtet të përbashkët shqiptarë.” Ai, qysh më 1939, me qëllime patriotike, kalon kufirin dhe vije në Kosovë, vetëm e vetëm që të bëjë organizimin e ilegales në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Kolë Parubi, me prof. Y. Berishën njiheshin qysh herët, menjëherë pas okupimit të Jugosllavisë. Ai ishte, njëri ndër miqtë më të mirë të idealit. Atdhetari Kolë Parubi, për të ndihmuar luftëtaret e rezistencës shqiptare, nga prof. Y. Berisha, më 1944, në muajin nëntor, kishte marr një sasi armatim (mbi 70 pushkë, 1 mitraloz, 4-5 pushkë- mitraloza, 10 sënduk municion dhe shumë gjëra tjera ushtarake: këpucë, tesha, kazanë ushtarak, të cilat prof. Ymer Berisha i kishte marr nga gjermanet me rastin e tërheqjes së tyre, të cilat në realitet, Kolë Parubi më vonë i kishte dërgua në mal dhe kur merret parasysh lidhja e tij me atë Bernard Llupin, dhe takimet që kishte pas në verën e vitit 1945, dhe kur merrej parasysh i tërë aktiviteti i tij në organizatën ilegale, na del se Kolë Parubi, ishte njëri ndër personalitet e shquara të ilegales, që kishte shumë ndikim në masat e gjëra shqiptare. Gjithashtu dihej se me iniciativën e Kolë Parubit është formua komiteti ilegal në rrethin e Prizrenit, me qëllimin që të përfitonin popullatën dhe të tregonin realitetin për ri okupimin e Kosovës nga ana e Serbisë dhe e Jugosllavisë. Ata punonin fortë dhe shumë, për shembjen e pushtetit në Jugosllavi, me qëllim që populli të jetë i përgatitur për luftë të armatosur kundër ushtrisë jugosllave dhe bandave çetnike serbe që bënin kërdinë në fshatrat e Kosovës. Edhe dëshmitë e shumta që kishte dhënë në hetuesi, vet Kolë Parubit, vërtetojnë se me datë 26 ose më 27 dhjetor të vitit 1943 në shtëpinë e Kolë Parubit, ishte mbajtur një mbledhje, të cilën e kishte udhëhequr vet Kolë Parubi, dhe aty ishte diskutua që sa më parë me u formua komiteti ilegal- qendror, ku ishin ndarë edhe detyrat. Kolë Parubi, ishte caktua që të udhëheqëte me sektorin më kryesorë, atë të propagandës. Ndërsa, Hajdar Pllanejës, që ishte një atdhetar i madh i lëvizjes për bashkim kombëtar, i ishte caktuar që të ishte kryetar i organizatës. Për Sektorin e informimit ishte caktua Gjergj Martini, e sektorin e armatimit ia kishin besua Enver Sudit. Për Sektorin sanitar ishte caktuar Marcel Vuçaj. Për tu bë anëtar i organizatës, kryesia e saj kishte caktua edhe kriteret që duhet plotësuar. Paraprakisht personi që donte të bëhej anëtar i saj: duhet të vinte nga një familje e pa njollosur kombëtarishtë; të jetë i pa njollosur; të jetë i besës; të ruaj fshehtësitë e organizatës dhe të shokëve dhe mbi të gjitha të jetë i gatshëm me u flijua për çështjet e atdheut. Bile, në shumë raste Kolë Parubi, shpesh iu shkruante letra anëtarëve të organizatës, nga të cilët kërkonte dhe i këshillonte se si duhet punuar në terren. Iniciator i formimit të Komitetit të Rrethit të LNSH-së, në Prizren, ishte prof. Kolë Parubit, që për kryetar kishin zgjedhur Seb Matejen. Veç Ymer Berishës, ndikim të dukshëm në veprimtarin e Kolë Parubit kishte edhe atë Bernard Llupin. Në verën e vitit 1945, s’bashku me atin e nderuar, kishte mbajtur dy mbledhje, në të cilat ishte bisedua për aksionet e tyre kundër forcave jugosllav. Me direktivën e tij, në mbarim të vitit 1945, në Prizren ishte formua Komiteti Qendror i LNDSH-së. Në këtë komitet, merrte pjesë edhe Enver Sudi, që thuhej se ishte njëri nga tre pjesëmarrësit që vranë Milladin Popoviqin. Duke e parë aktivitetin e ilegales në terren, OZN-a i bie në gjurmë anëtarëve të organizatës dhe fillon arrestimin e tyre duke i mbushur burgjet me të rinj shqiptarë, si në Prizren, njashtu edhe në Pejë. I arrestoi idealistët e vërtet për ribërjen e Shqipërisë Etnike. Pas torturave të shumta në hetuesi, i nxori 27 atdhetar para gjyqit, në mesin e të cilëve ndodheshin At Bernard Llupi, Marie Shllaku, Kolë Parubi, Gjergj Martini dhe shumica e tyre ishin nxënës të gjimnazit dhe profesorët e tyre. Procesi gjyqësor që zgjoi interesimin e masave tё gjëra shqiptare, pa dyshim se ishte ky proces: “Procesi i Atё Bernard Llupit”, siç u quajt ndryshe procesi i atё Brnard Llupit, Kolё Parubit, Gjergj Martinit, Marie Shllakut e shumё tё tjerёve, qё ishin bashkëpunëtoret e ngushtë tё prof. Ymer Berishёs. Procesi i lartpërmendur filloi me 29 qershor 1946 dhe përfundoi mё 11 korrik, po tё njëjtit vit, që do tё thotë se zgjati gjithsej 13 ditë pa i llogaritur ditët e hetuesisë. Në këtë proces u shqiptuan dënime drakonike: 4 vetë u dënuan me pushkatim: Marie Shllaku, At Bernard Llupi, Kolë Parubi dhe Gjergj Martini, të cilët me 24 nëntor 1946, u ekzekutuan nga eskadroni i vdekjes jugosllave, në Prizrenin e bukur, ndërsa të tjerët u dënuan prej 1- 12 vjet burg. Procesi gjyqësor i 27 vetave ose “Procesi i At Bernard Llupit”, nuk ishte as i pari e as i fundit për shqiptarët e Kosovës. Burimet që disponojmë për këtë qëllim flasin se nga pushtimi i Kosovës më 1913, regjimi shoven serb kurrë nuk ka pushuar ndjekjen sistematike të shqiptarëve. Dënimet dhe proceset gjyqësore politike, as sot e as kurrë, nuk munden të shuajnë idealin e shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar. (Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, “T’i kujtojmë atdhetarët tanë: Veprimtaria atdhetare e prof. Kole Parubit”)

[8] By Gjon Sinishta, “Maria Shllaku”,  “The Fulfilled promise”, A Documentary Account of Religious Persecution in Albania, Santa Clara, California, U.S.A., 1976, Library of Congress Catalog Card numer: 76-57433, f. 167-168. 

[9] Prof. Ymer Berisha (1912-1946), ka qenë arsimtar dhe kryetar i organizatës antikomuniste dhe antisllave Besa Kombëtare. U lind më 13 maj 1912 nё fshat Gjurgjevik të Madh, në Prekorubë të Rrafshit të Dukagjinit, i biri i Shaban Berishës dhe Fazës së Jetish Tafilit prej Turiçefcit të Drenicës. Pasi i ati kishte vrarë kryetarin e komunës së Zllakuqanit, Den Ribaçin, detyrohet të kalojë në territorin e shtetit shqiptar së bashku me familjen, kur Ymeri ishte ende 7 vjeç. Në fillim vendosen në Krumë dhe më pas në Fushë Krujë, ku Ymeri ndoqi shkollën fillore dhe më pas Normalen e Elbasanit më 1932. Më tej me bursë të shtetit shqiptar ndoqi shkollën e lartë në Itali, ku u diplomua për Histori e Gjeografi në fakultetin e shkencave natyrore të universitetit të Firences më 1936. Më tej u regjistrua në Akademinë Ushtarake të Romës, prej ku doli me gradën major këmbësorie. Përcillet se shkoi edhe në Sorbonë për të studjuar filologji, por nuk dihet sa ndenjti. Me pushtimin italian të Shqipërisë, u kthye dhe punoi si arsimtar në fshatrat e Fushë Krujës, Kukësit, Peshkopisë, Lushnjës, Beratit. Në të gjitha këto lokalitete ai formoi koleksione muzeale, grumbulloi lëndë arkeologjike, mblodhi dhe botoi lëndë folklorike në revistën Visaret e Kombit. Pas pushtimit të Jugosllavisë nga Gjermania Naziste dhe hyrjes së administratës shqiptare në Tokat e Lirueme, mё 1941 u hap normalja Sami Frashёri nё Prishtinё. Aty Berisha dha gjuhë e letërsi shqipe dhe histori. Më 12 shtator 1943 themeloi organizatën politike e ushtarake Besa Kombëtare me mëtimin për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. Nga nёntori i vitit 1944 doli nё ilegalitet, formoi organizatёn Besa kombёtare dhe u shqua si ideolog i qёndresёs sё armatosur pёr mbrojtjen e kufijve dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Pas tërheqjes graduale gjermane, Berisha punon për mbajtjen e kuvendeve ku të koordinoheshin veprimet për luftimin e rrezikut komunist. Pas një aktiviteti në fshatrat e Gjakovës, me 10 korrik të vitit 1946 në malet e Hereçit të Gjakovës, i rrethuar nga forcat e të ashtuquajturës “Mbrojtja popullore dhe e milicisë jugosllave”, u vra në udhëtim e sipër për në Kongresin V të ONDSH-së, që mbahej në Lipovicë. Së bashku me përcjelljen bëjnë rezistencë, për të dalë nga rrethimi. Por prof. Ymer Berisha vritet me 8 patriotë, dhe 12 të tjerë plagosën rëndë. Së bashku me ta vritet edhe mësuesi Fehmi Kura. Referime: “1945, Ymer Berisha: Memorandum of Besa Kombëtare”, albanianhistory.net (në anglisht). Marrë më 2 janar 2021; Fazlija, Emin. “Prof. Ymer Berisha”, bkdsh.de.tl. Marrë më 3 janar 2021; Keçmezi-Basha, Sabile (15 janar 2010), “Profesor Ymer Berisha dhe Organizata Politike Ilegale Patriotike Shqiptare Besa Kombëtare në Kosovë”, zemrashqiptare.net. Marrë më 3 janar 2021.

[10] Gjergj Martini (1917-1946). Ai kishte le në Hot, në pjesën që sot e ka Mali i Zi, me datë 17 gusht 1917. Si kryen gjimnazin e ultë në Shkodër, ndjek dhe mbaron Normalen e Elbasanit. Në vitin 1941 asht në grupin e parë të mësuesve shqiptarë që shkojnë në Kosovë për përhapjen e arësimit shqip atje. Shërben në fillim në Mitrovicë e Prishtinë. Edhe ai, si prof. Kolë Parubi, ishte pjesëmarrës në themelimin e ONDSH-së. Gjergj Martini ishte edhe muzikant, sportist e i pasionuem mbas teatrit. Në Gjakovë, ai shkroi dramën “Kosovarja”, të cilën edhe e vuni në skenë po vetë. Gjyqi në Prizren. Në sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës, u zhvillue nga data 29 qershor deri me 13 korrik 1946 gjyqi kundër 27 të pandehunve, ku ma i vjetri ishte frati me zhgun, At Bernardin Llupi, 60 vjeç, kurse ma të rijtë, studenta në gjimnaz të Pejës, sa i kishin mbushë 16 vjeç, si Shefqet Kelmendi, Viktor Gashi, Engjëll Berisha, Ramiz Kelmendi etj.. Kryetar i trupit gjykues ishte egërsina Dragustin Janjiç, kurse prokuror famëkeqi Ali Shukriu. “Për ne nxanësit, – kujton njeni prej të rijëve,- ishte krenari të ishim pranë Fratit me zhgun dhe Orleanës shkodrane”. Akt akuza randonte sidomos katër të pandehunit shkodranë: Marie Shllakun, At Bernardin Llupin, Kolë Parubin e Gjergj Martinin. Të ishin të vërteta të gjitha ato për të cilat akuzoheshin, do të ishin superheroj. Por edhe ata mohuen vetëm sa nuk ishin aspak të vërteta, e pranuen me krenari akuzën që u bante nder për veprimtarinë e tyne antiserbe. Marie Shllaku kishte provue gjatë hetuesisë torturat ma çnjerëzore. Në sallën e gjyqit pak kush do ta kishte njohë, po të mos e dinin për cilen bahej fjalë. Ishte krejtësisht e shpërfytyrueme, shpesh herë nuk ishte në gjendje as të mbante drejtqendrim, por kur fliste nuk ndjehej fill dridhërime në zanin e saj tingllues. Pyetje: Qysh kur je marrë me politikë? Maria: “Qysh në moshën 20 vjeç, nëse politikë mund të quhet dashunia për Atdhe, lufta për një Shqipni etnike bashkë me pjesët e shkëputuna, Kosovë e Çamëri”- i përgjigjej prokurorit vajza e imtë, aty në mes çerdhes sllavo-komuniste, me plagë lufte në shtat, me sa e sa plagë të tjera e trupin e dërrmuem nga torturat në hetuesi, e vetëdijshme se e priste pushkatimi. Pyetje: Pse keni luftue kundër partizanëve? Maria: Me iu rrëzue ju nga pushteti. Pyetje: Çka të lidh me Mehmet Berishën? Maria: Ideali kombëtar. Pyetje: Çfarë the në Kuvendin e Drenicës? Maria: Luftë deri në vdekje për çlirimin e Kosovës. Pyetje: Çka kishe me ba me ne, sikur të kishit fitue? Maria: Kisha me ju gri si duhanin në çark! Pyetje: A e di se për këto krime të pret pushkatimi? Maria: Nuk do t’i mungojnë kurrë lulet Kosovës t’i sjellë mbi vorrin tim. Dhe nuk iu dridh zani një herë! U dridhën po, ata, gjakatarët, para Marie Shllakut, para Norës e Shotës njëherësh! Vendimi: Marie Shllaku, dënim me vdekje, pushkatim. At Bernardin Llupi, dënim me vdekje, pushkatim. Kolë Parubi, dënim me vdekje, pushkatim. Gjergj Martini, dënim me vdekje, pushkatim. Njëzet e tre të tjerët me afate të ndryshme burgimi. Nata mizore ishte nata në mes 24 e 25 nandorit 1946. Askush nuk e di nëse ishte ende data 24 apo kishin kalue në datën 25. Nata ishte sterrë e zezë dhe me shi e llohë bore bashkë. Gjithkça ishte zhytë në errsinë. Të burgosunit, në mes tyne edhe të dënuemit me vdekje, lëviznin nëpër dhomën e madhe e të vetme ku i kishin grumbullue. Të gjithë ishin me hekura në kambë, edhe pse të mbyllun në një dhomë burgu. Vijnë ata, xhelatët. “Në emën të popullit ….. “. Marrin të denuemit me vdekje. Para se me dalë, te dera, kthen kryet At Bernardin Llupi dhe u thotë të burgosunve: “Burra!” Mos u ligshtoni për ne!” Atë çast, ende pa u largue mirë të dënuemit me vdekje, të burgosunit ia morën kangës: Se mjaft në robëri, Kosovë e Çamëri! Ishte nata mizore në mes 24 dhe 25 nandorit 1946. Katër lisa u këputën nën breshninë e plumbave, por nuk u përkulen. Ishin bijët e shqipes! Marie Shllaku, At Bernardin Llupi, Kolë Parubi, Gjergj Martini. I lehtë u qoftë dheu në jetë të jetëve! (Danie Gazulli, “Natë mizore e pushkatimit të heronjve – Në kujtim të 4 martirëve: Marie Shllaku, At Bernardin Llupi, Kolë Parubi, Gjergj Martini”, www.kujtoj.al)

[11] Fritz Radovani, “In memoriam, At Bernardin  Llupi O.F.M.!”, ëëë.Alb-sprint.com

[12] Fritz Radovani, “In memoriam, At Bernardin  Llupi O.F.M.!”, www.Alb-sprint.com

[13] Willy Kamsi (1926-2017), ka qenë arsimtar, bibliograf, publicist, albanolog dhe diplomat shqiptar. U lind në Bari, djali i vetëm i Gjonit të Palokë Kamsit dhe Rozës së Pjetër Daragjatit. Të vendosur në qendrën puljeze nga pjesëmarrja e të atit në Lëvizjen e Qershorit. U pagëzua në Bazilikën e shën Pjetrit në Romë, ku jetonin gjyshërit e tij amësor. Ndoqi shkollimin fillor dhe atë të mesëm në qytetin e lindjes, pranë Institutit “Di Cagno Abbrescia” të drejtuar nga etërit jezuitë. Shtëpia e tij në Bari ishte një votër e ngrohtë për patriotë dhe politikanë shqiptarë, aty u përshkuan: Luigj Gurakuqi, atë Gjergj Fishta o.f.m., mons. Bumçi, dom Lazër Shantoja, Mustafa Kruja, Bahri Omari, Sotir Gjika, Xhevat Kortsha e shumë të tjerë. Willy u rrit në mërgim, prej nga erdhi në Shqipëri në kulmin e Luftës së Dytë Botnore, në qershor të vitit 1943. Prej 1943 gjer më 1946 nuk ndoqi shkollim në Shqipëri dhe vetëm më 1946 u regjistrua, për të marrë diplomën e pjekurisë më 1946. Më 1944 u angazhua në bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare, drejtor i të cilës qe Filip Fishta, që e ndihmoi të përvijonte një formim albanologjik megjithëse fort i ri. Edhe pse i ati, Gjoni, nuk ishte marrë gjatë luftës me politikë, familja e tij në qershor të vitit 1953 dëbohet prej Tiranës dhe detyrohen të shkojnë në Shkodër. Punoi si bibliotekist në Institutit të Lartë Pedagogjik në Shkodër më 1954. Vitin tjetër punësohet në zyrën teknike të Komitetit të Shkodrës, punë në të cilën qe për afro 9 vjet, deri më 1963, kur u emërua përgjegjës i bibliotekës së Institutit të Lartë Pedagogjik. Prej 1963 e deri më 1990 drejtoi këtë bibliotekë duke e pajisur me rreth 120 mijë vëllime, libra dhe të përkohshme. Ndër punët e vyera formoi prej së pari sektorin e albanologjisë me botime të blera kryesisht prej familjeve shkodrane. Sektor i cili mbahet si njëri prej më të mirëve në Shqipëri, pas Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Ndërkohë ndoqi studimet e larta duke u diplomuar më 1975 për Histori dhe Gjeografi. Një prej miqve të tij më të mëdhenj, atë Viktor Volaj o.f.m.; ish-sekretar personal i atë Anton Harapit o.f.m. dhe komentues i Fishtës, çmonte tek Kamsi mendjen e tij logjike dhe kujtesën mirandoliane, që i jepnin vlerë kërkimeve të tija të censhme në lëmin e historisë mesjetare. U muar part time me rindërtimin e bibliotekës “Át Zef Valentini S.J.” të Institutit të Lartë Filozofik dhe Teologjik në Shkodër. Mori pjesë ndër konferenca, simpoziume, takime shkencore që u zhvilluan në Shqipëri dhe veçanërisht në Shkodër. Ndërroi jetë më 24 janar 2017 në shtëpinë e tij në Shkodër, duke pasë pranë të motrën Milën. Ai ka shumë kontributet kulturore. Krahas punës ndër biblioteka Willy Kamsi është marrë edhe me studime historike dhe bibliografike. Ka botuar një seri artikujsh, ka përkthyer vepra dhe ka disa punime të gatshme për botim. Mbas rënjes së komunizmit, në vitin 1993 me dekret nga Presidenti i vendit Sali Berisha ai u emërua prej qeverisë demokratike ambasador i parë i Republikës shqiptare pranë Selisë së Shenjtë. Letrat kredenciale ia paraqiti Papës Gjon Pali II më 25 prill 1993, tri ditë para ardhjes së tij në Shqipëri. E kreu atë detyrë deri në dhjetor të vitit 1996, vit në të cilin kaloi në pension. Willy Kamsi jetoi në qytetin Shkodër, i përkushtuar i tëri mbas botimit të disa veprave të randësishme siç është treguesi i plotë i revistave “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Albania” e Konicës, “Shêjzat” si edhe i disa materialeve me rëndësi historike, siç janë “Ditari” historik i Shuk Gurakuqit, “Kujtimet” e Gjon Kamsit, një përmbledhje të studimeve të veta me karakter historik. Merret dhe me histori, monumente e arkeologji, me gjuhë shqipe, sidomos me etimologji të toponomastikës historike e fusha të tjera shkencore. Kohët e fundit ka dorëzuar në shtyp përkthimin e veprës së atë Jak Marlekajt o.f.m., profesor për shumë dekada në Universitetin e Barit, “Pjetër Bogdani dhe Shqipnia e kohës së tij”, të pajisun me treguesin e plotë të emnave. Ai ka marrë tri dekorata: Medalja “Naim Frashëri”, për merita pune në punën bibliotekare (1987), “Kalorës i Kryqit të Madh të Urdhërit të Shën Gregorit të Madh” (1995) dhënë nga shën Papa Gjon Pali II, mbas dy vjetëve shërbimi diplomatik; dhe “Kalorës i Urdhërit të Yllit të Solidaritetit Italian”, prej Presidentit të Republikës së Italisë Carlo Azeglio Ciampi më 2005. Referime: Dushi, Anila (5 prill 2010). “Familja Kamsi, intelektualët e djeshëm e të sotëm të Shkodrës”, Gazeta “Shekulli”. V (2926): 16–17; Logoreci, Pjetër (14 shtator 2014). “Ju lutem… mos e vritni Gurakuqin për herë të katërt“. voal.ch. Shqiptarja.com; “Curriculum Vitae – Willy Gjon Kamsi”. voal.ch. 7 nëntor 2004; Ndreca A., “Mirënjohja ndaj intelektualit Willy Kamsi”, Publikue ne albanovaonline.com me 11.11.2007

[14] Fritz Radovani, “In memoriam, At Bernardin  Llupi O.F.M.!”, www.Alb-sprint.com

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu