ARKIVI:
26 Nëntor 2024

Banesa Qytetare shqiptare e shekullit XIX në Shqipërinë veri-lindore

Shkrime relevante

A po u mbesim borxh nismave për kthim në origjinën fetare të kombit

Nga: Ragim Kçiku ___ NISMAT PËR KTHIM NË ORIGJINË ___ A u kemi mbetur borxh...

Një trashëgimi e përbashkët dhe rruga e kombit Shqiptar përmes Heroit të Kombit, Profetit Gjergj Kastriotit – Skënderbeu

Nga: Luan  Dibrani Besimi Abrahamik është një trashëgimi e përbashkët për të...

Kryetari Konjufca priti në takim homologun e Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashin

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar...

Presidentja Vjosa Osmani: Gjatë qëndrimit në Halifax, Kanada, takova shumë shqiptarë që janë rrëfime suksesi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Halifax,...

Shpërndaj

Shtëpitë e banimit në fshatin “Kosovo”, dhe një shtëpi banimi në fshatin Mandrica të Bullgarisë

Nga Qazim Namani: Dr. Arkeologji Trashëgimi Kulturore

Banesa qytetare në territorin e Kosovës së sotme e shekullit XVIII-XIX, është tërësia e mbarë banesave të ndërtuara në mbarë qytetet e hapësirës së Kosovës, në periudhën kohore të përmendur, pavarësisht prej përkatësisë së porositësit dhe ndërtuesve, tipit dhe vlerave arkitektonike-teknike.

Në fillim të shekullit XIX me fuqizimin e klasës feudale shqiptare, fillojnë të shfaqen marrëdhëniet kapitaliste që ndikuan në zhvillimin e ndërtimeve në mbarë qytetet tona.

Banesa qytetare më hajat dhe çardak kanë afri me banesat fshatare të këtyre tipave, por se hajatet dhe çardakët të banesave qytetare kanë një organizim më të mirë në qoshk si mjedise të mirëfillta verore.

Në qytetet e Kosovës, për shkak të dimrave të ashpër shoqëruar me sasi të mëdha bore, banesat përdhese ngritën në lartësi, madje deri 1,20 m, prej truallit të oborrit.

Studime të këtij tipi të banesës qytetare në Kosovë është bërë më parë kryesisht nga studiues serbë, të cilët kanë krijuar dokumentacionin teknik, i cili lejon të njihet, madje saktë kompozimi vëllimor, përbërësi themelor i banesës Këto dokumente të kryera gjatë viteve 1955-56 kanë përparësinë, sepse në ato vite këto banesa ruheshin në gjendje të mirë teknike dhe nuk iu kanë nënshtruar ndryshimeve të thella

Është e kuptueshme se pikërisht në këtë periudhë kohore ishte faza e rrënimit të shumë komplekseve dhe çarshive të vjetra në mbarë qytetet e Kosovës, por megjithatë një numër i këtyre banesave mbijetoi dhe u morën në mbrojtje të ligjit.

Objektet arkitektonike, ndërtimet e vogla me volum pa arritje të vlerave monumentale duhet të zhvlerësohen për arsye dhe motive madhore. Faktori kryesor për të qenë një objekt monument është vlera historike e monumentit. Sidoqoftë, zhvillimi ekonomik si faktor i rëndësishëm i njerëzimit luan rol të madh në mbrojtjen e vlerave të trashëguara kulturore edhe pse diferencimi shoqëror është i pranishëm në zhvillimin e një shoqërie.

Ky tip i banesës deri kohët e fundit është ruajtur mjaft mirë në qytetin e Gjakovës e më pak në Prishtinë, Pejë, Vushtrri, Mitrovicë, Gjilan, Janjevë etj. Bartësit e këtyre banesave kryesisht ishin shqiptarët sepse serbët nuk banonin pothuajse fare në qytete gjatë shekujve XVIII-XIX, këtë e vërteton dhe studiuesi serb akademik, Branisllav Kojic. Po të kemi parasysh se në Kosovë nuk kemi vendosje të kolonëve turq, mund të pohojmë për praninë e përhershme të shqiptarëve nëpër qytetet e Kosovës.

Branislav Kojiç, që në vitin 1931, shfaqi interesim për studimin e banesave qytetare në Kosovë, dhe këtë trashëgimi arkitekturore e emërtoi “Arkitekturë profane ballkanike”. Emin Riza e Nijazi Haliti besuan dhe e kuptuan se Kojici ishte i shtyrë që të anashkalojë trashëgiminë shqiptare në këtë fushë.

Branislav Kojiçi po ashtu, nuk shkëputet prej koncepteve se banesat tradicionale, si pjesë e arkitekturës popullore, u dashka lidhur domosdo me burime krijese. Sipas tij, arkitektura e vjetër qytetare në Kosovë ishte e njëjtë me ndërtimet profane në Ballkan dhe ne perëndim të Azisë së Vogël, e cila u përvetësua dhe u shpërnda nga turqit, duke qenë krijim greko-bizantin.

Këto hipoteza u hodhën në vitin 1968, kur ende nuk kishte studime sistematike të vendeve ballkanike për këto çështje më përjashtim të disa trajtesave. Shembulli i Kojicit, fatkeqësisht pa qenë i vetmi, përmban qëndrime të shtrembëruara, duke pohuar se popullsia serbe kinse është autoktone që në kohë të vjetra.

Gjorgje Petroviqi, i cili trajtoi mjediset e hapura të banesës, hajatin në katin përdhese dhe çardakun në kat, duke pohuar se ky tip banese njihej para ardhjes së osmanëve në Ballkan. Ky autor pohon se shqiptarët kinse paskan ardhur në Kosovë, para rreth tre shekujve dhe e paskan sjellë tipin e shtëpisë së mbyllur me divan hane, duke pohuar se në qytetet e Kosovës jetonin kryesisht turq, se shtëpitë me çardak kanë tipare orientale, ndërsa shtëpitë me hajat u lidhkan me truallin e Serbisë.

Sllobodan Nenadoviq në një artikull i ka trajtuar banesat në qytetin e Prizrenit, sipas të cilit vlerat e trashëgimisë në fushën e banesës qytetare në Kosovë i plotësojnë tri parimet kryesore të arkitekturës së shëndoshë, funksionin, konstruksionin dhe estetiken, është me interes pohimi i tij se shqiptarët kanë ndërtuar me të njëjtin stil si në banesën turke. Ranko Findik i ka shkruar dy artikuj për banesën qytetare të Vushtrrisë dhe Janjevës gjatë viteve 1955/56. Findik për banesën në qytetin e Vushtrrisë një artikull më të plotë e ka botuar në Revistën: Antikitetet e Kosovës-Metehisë, Vëllimi I, Prishtinë 1961, fq. 259-275.

Për mjeshtër të ndërtimit gjatë kësaj periudhe kanë shkruar edhe udhëpërshkrues të ndryshëm që i vizituan trevat shqiptare. “Muratorët në Turqinë Evropiane, janë të gjithë nga Shqipëria” shkruan Hahn në vitin 1854. Për mjeshtër muratorë të Dibrës shkruan edhe një autor tjetër  anglez (Hanry Tozer, 1829), duke i quajtur si më të mirët në Turqinë Evropiane.

Këto të dhëna vërtetojnë bindshëm se bartës të ndërtimeve arkitektonike në të gjitha llojet dhe gjinitë e ndërtimeve duke e përfshirë edhe banesën qytetare në Gadishullin Ilirik (Ballkan) ishin shqiptarët.

Shtëpitë qytetare shqiptare të shekujve XVIII dhe XIX ruajnë një inventar të gjerë artikujsh shtëpiakë, të veshmbathjes, fjetjes, kuzhinës, stolisje të ndryshme, artikuj të filigranit, armë, pëlhura të qëndisura etj. Me luftën e parë botërore vërehet re se është bërë shthurja dhe shkatërrimi i plotë i esnafeve.

Në Turqi si studiues i banesës popullore në Ballkan është shquar Seldat Eldem me veprën e tij “Planimetrit e shtëpive turke”. Pohimi i tij se shtëpitë turke i kanë zëvendësuar tipat e shtëpive tjera ekzistuese në Ballkan qysh në shekujt XV e XVI-të, shpreh idenë e importimit të stilit të banesës. Emin Riza dhe Nijazi Haliti, theksojnë se autori e ka shprehur idenë e tij pa i njohur ndërtimet para ardhjes së turqve në Ballkan, kur dihet se në atë kohë turqit jetonin në tenda.

Nga studiuesit e sotëm turq shquhet Reha Gunai. Sipas tij “Banesat turke mund të definohen si lloje të banesave në të cilat turqit kanë jetuar gjatë historisë”. Në studimet e tij ai e përmend odën, ku origjinën e kësaj banese  e vendos në Azinë qendrore, duke kërkuar lidhje me banesën megaron dhe madje edhe me tendën turke.

Ndër autorët shqiptar të Kosovës kontribut të madh për studimin e llojeve të banesave janë shquar: Mark Krasniqi, Fejaz Drançolli, Flamur Doli, Nijazi Haliti, etj.

Në Shqipëri, kontribut në studimin e banesës në viset shqiptare të Kosovës kanë dhënë Emin Riza, Pirro Thomo, i cili mbështet tezen se kulla është vazhdim i banesës me çardak. Këtë tezë e mbështet dhe Ali Muka, i cili mendon se kullës si banesë prej guri i pararend shtëpia çardak.

Këto shtëpi  bënë pjesë ndër shtëpitë më të bukura të tipit banesë me qoshk në qytetet shqiptare.

Shtëpitë e tilla  në kompozimin e katit tregojnë qartë kalimin e tipit të banesës prej çardakut në  qoshkun e gjerë dhe të hapur. Banesa e tipit me qoshk në kronologjinë e ndërtimeve zë vend mbas tipave të banesave me hajat dhe asaj me çardak.

Si objekte me vlera të larta arkitektonike dhe historike shtëpitë e tilla bënë pjesë në krijimtarinë arkitekturore të popullatës autoktone shqiptare që pasqyrojnë  një pasuri kulturore me vlera të mirëfillta burimore dhe kombëtare të shqiptarëve.

Këto shtëpi si objekt banimi karakterizohen për kah kompozimi vëllimor, arkitekturorë dhe materialit teknik të kohës së ndërtimit dhe fuqizimit të pashallëqeve shqiptare. Shtëpitë e familjeve të pasura zakonisht janë dy kate ku në secilin kat kemi ndarje prej tri mjedisesh, atij qendror dhe dy anësor. Në të shumtën e rasteve në katin përdhes pjesa qendrore formohet prej sallonit të pajisur me oxhak, një dhome për pushim ditor dhe para hyrjes. Prej para hyrjes ngritën shtyllat e drurit për të mbajtur strukturën e qoshkut. Në katin e sipërm kemi ndarje në dy mjedise, ndërsa ana fundore dhe ballore përdoreshin për qëndrim të qetë. Në mes të dy mjediseve në shume raste ndodhej një kthinë e vogël. Nga para hyrja ngritshin shkallët  prej druri që qojnë në katin e dytë në para hyrjen e sallonit në kat dhe me dalje në qoshkun në anën ballore të shtëpisë. Qoshku i këtyre shtëpive kishte hapësirë të mjaftueshme për qëndrim ditor familjar gjatë stinës së verës. Sallonet ndërlidhës në katin e dytë kanë nga dy mjedise të pajisura me oxhak. Dhomat e qifteve për fjetje të këtyre shtëpive ishin në mjedisin e majtë dhe të djathtë në katin e dytë e të cilat pajiseshin edhe me ambiente sanitare. Tavanet dhe dollapët e këtyre shtëpive janë të punuara me ornamente të gdhendura në dru.

Çatitë e këtyre shtëpive zakonisht janë katër kullim uji me strehë të mbyllur dhe të lëshuar për afër 1m larg mureve të objektit. Muret e shtëpisë janë të suvatuara dhe të lyera me gëlqere të shuar. Dritaret janë të punuara prej druri me ndriçim të gjerë në anën ballore, ku çdo dritare në të gjitha anët është e pajisur me shufra metali për të siguruar nga hyrjet e padëshiruara brenda objektit.

Këto banesa qytetare zakonisht janë ndërtuar në mes të oborrit dhe të larguara nga rruga. Sipas pozitës së ndërtimit lënë vend të kuptohet se përveç objekteve tjera ndihmëse këto familje e kishin edhe odën  për miq në ballin kryesor të oborrit përbri rrugës ku ishin të ndërtuar edhe objektet tjera ndihmëse me funksione të qarta të tyre. Pranë odës së miqve oborri mbyllej me dyer të mëdha tradicionale nëpër të cilat hyhej me qerre, ndërsa pranë dyerve është edhe porta hyrëse për familjar dhe miq.

Familjet Borgjeze dhe tregtare të pasura qytetare të qyteteve shqiptare në shekullin XVIII e deri në gjysmën e dytë të shekullit XX kishin një lidhje të ngushtë me ekonominë bujqësore, andaj edhe njiheshin si familje që kishin prona të mëdha bujqësore në rrethinën e qyteteve.

Brendia e oborrit të këtyre shtëpive kryesisht ishte me kopsht për nevojat familjare përderisa shtëpia rrethohej me lule të llojeve të ndryshme shumëvjeçare dhe se zonale. Në oborr mbilleshin edhe fruta pemësh zakonisht pëlqehej druri i blirit, arrës, dudat, mollës, dardhës etj.  Familje të pasura qytetare mundë të kuptohet se e kishin edhe objektin ndihmës të gatimit në oborrin e tyre që shoqërohej me një depo ushqimesh ku si element kryesor ishte oxhaku për gatim e që zakonisht punohej më thjeshte se sa oxhaqet në hapësirat e banimit. Po ashtu në organizimin e oborrit bënin pjesë edhe objektet sanitare për miq dhe për familje. Dhomat e qifteve për fjetje të këtyre shtëpive ishin ndodheshin në katin e dytë e të cilat pajiseshin edhe me ambiente sanitare.  Në oborrin e këtyre familjeve ekzistonin edhe objekte bujqësore, objekte  për mjete pune, kafshë, shpezë, hambari dhe objekt për ruajtjen e ushqimeve të cilat duhej të mbaheshin të freskëta, pasi që shumica prej tyre punoheshin prej qumështi. Në hambar ruheshin produktet  bujqësore, drithërat që korreshin gjatë një sezone verore.

Në territorin e sotëm të Kosovës, stili i ndërtimit ka qenë në nivel të  lartë. Në këtë kohë si vendbanime të fortifikuar kishin mbetur shumë pak, prej të cilëve veçoheshin kështjella e Prizrenit, një lagje rreth kështjellës së Artanës, Vushtrrisë dhe Kaçanikut. Ndërtimet në qytete zakonisht ndaheshin në disa kategori, varësisht nga ekonomia familjare e qytetarëve. Për kah stili i ndërtimit shquheshin shumë shtëpi të bukura, me oborre të mëdha të rrethuara me avlli të larta dhe ndriçim të mjaftueshëm. Shtëpitë të ndërtuar në mes të oborreve zakonisht ishin shtëpitë e bejlerëve dhe qytetarëve të pasur, që kryesisht ngriheshin rreth pazareve dhe objekteve publike.

Rrugët ishin të shtruara me kalldrëme dhe në qendër të qyteteve ishin pak më të gjera, ndërsa në lagjet periferike ishin më të ngushta dhe dredhuese, shumica prej tyre të pashtruara dhe me shtëpi të shpërndara pa ndonjë renditje.

Shtëpitë ishin të grupuar në lagje, të cilat shpesh emërtoheshin sipas familjeve më të pasura dhe më të njohura. Në çdo lagje kishte burime uji, të sjellë me tuba që nga kohët e mëhershme. Çdo lagje kishte zakonisht objektet e kultit dhe varrezat e veta. Shtëpitë e familjeve të pasura ishin të ndërtuara sipas porosisë me çardak dhe me dekorime të shumta në tavane, dollapë, oxhaqe luksoze për kohën etj.

Shtëpi qytetare të shekullit XIX në qytetin e Prishtinës

Lidhur me qëndrimet e studiuesve serb për banesën qytetare në trevat shqiptare më së miri tregon Jovan Jonicijevi? i cili kur shkruan për “Konakun e Pashës” në Vrajë thotë se; konaku është ndërtuar  në vitin 1765 nga Raif Beg Gjinolli që sot është ndër kopjet më të mira të stilit ballkanik  në Serbinë e jugut. Kjo shtëpi është murosur me konstruksion të drurit dhe të mbushur me tulla. Shtëpia është dy kafshe dhe në të dy katet ekzistojnë para hyrjet e mëdha të lidhura me shkallë druri. Prej para hyrjeve, hyhej në dhoma me tavane të dekoruara dhe me oxhaqe.

Objekti pranë rrugës në të cilin hyhej përmes dyerve të mbuluara shërbente për qëndrim të meshkujve, ndërsa objekti në oborr shërbente për qëndrim të grave. Katet e sipërme të këtyre dy objekteve lidheshin përmes shkallëve të drurit.

Pas pushtimit të këtyre trevave shqiptare në krizën lindore kjo shtëpi është shfrytëzuar për organizim të jetës shoqërore në qytetin e Vrajës. Prej vitit 1881 e deri në vitin 1932 kjo shtëpi shërbeu si shkollë (Gjimnaz), më pas komunë, ndërsa sot këtu ndodhet Muzeu Popullor i Vrajës (shiko fig. 180).

Për fuqizimin e familjes Gjinolli në shekullin XVII dhe XVIII, dëshmon edhe fakti se kjo familje në fund të shekullit XVII e bartën selinë e Sanxhakut nga Vushtrria në Prishtinë. Nga të dhënat e kohës mundë të pohojmë se familja Gjinolli si duket ishte nga fshati Keqekollë, komuna e Prishtinës e shpërngulur Prishtinë e në Artanë dhe nga Artana në shekullin e XVIII e themelon qytetin e sotëm të Gjilanit.

Muhamet Ternava shkruan se sipas regjistrimit të shekullit XV  “Gjinova Kulla” gjendet në “Nahinë e Treboshnicës” në mes Gllasit të Epërm (sot Lagje në Koliq) dhe Papratincës sot (Prapashtica). Në mes Koliqit dhe Prapashticës sot shtrihet Kështjella në  fshati Keqekollë, andaj mendoi se kulla në këtë fshat ishte e familjes Gjinolli. Pjesëtar të kësaj familje gjatë shekullit XIV, jetonin edhe në Janjevë dhe në Raguzë. Familja Gjini me origjinë nga Janjeva që në shekullin XIV, jetonte në Raguzë, njihej si ndër familjet më aristokrate të qytetit.

Kjo tipologji e banesës qytetare, të ndërtuara nga mjeshtër shqiptarë gjatë shekullit XVIII e XIX, ishte e shtrirë në të gjitha qytetet shqiptare të Gadishullit e më gjerë, në Bullgari, Greqi, Bosnjë etj. Aftësia e mjeshtërve shqiptar në ndërtimin e banesës qytetare dëshmohen edhe sot Në qytetin e Gjirokastrës dhe Beratit.

Në vijim po ofrojmë foto nga shtëpitë qytetare të ndërtuara nga mjeshtër shqiptarë në qytetet e ndryshme, e me fokus të veçantë nga qytetet veri lindore shqiptare.

Shtëpi qytetare Raif Beg Gjinollit në Vrajë – Shtëpi qytetare në Tetovë

-Konaku i Beqir beut ne qytetin e Nishit

Ky kompleks i objekteve profane në qytetin e Nishit, i ndërtuar pranë lumit të qytetit, përbëhej nga dy pjesë të ndara, Hanin e vjetër dhe Hanin e ri,  të cilat ishin të lidhura mes veti si një kompleks banimi shume funksional. Rreth viteve gjashtëdhjeta të shekullit XIX. Beqir beu në anën perëndimore e ndërtoi një han të ri. Pas pushtimit të qytetit të Nishit në vitin 1978, në këtë objekt u vendos princi i Serbisë Milan Obrenovici dhe administrata publike serbe.

Përveç objekteve të banimit, të gjitha pronat e shqiptarëve u konfiskuan, dhe me to u shpërblyen ushtarakët dhe qeveritarë serbë. Pjesa më e madhe e popullatës shqiptare u shpërngulën në drejtim të P. Osmane, shteteve tjera fqinjë dhe trevave shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri.

Ata banorë shqiptar që mbetën në tokat e tyre, iu nënshtruan asimilimit të shpejtë, dhe në tokat e tyre u sollën, po ashtu shqiptar e vllah gjysmë të sllavizuar.

Procesin e asimilimit të shpejtë, e mundësuan edhe luftërat ballkanike, dhe mbetja e këtyre trevave nën sundimin serbë edhe pas Luftës së Parë Botërore.

Konaku i Beqir Beut në qytetin e Nishit

-Shtëpia e Selim Zekës dhe osman Smakës ne Krushec

Konsiderohet një pasuri kulturore me rëndësi të madhe dhe i përket objekteve më të vjetra të ruajtura. Mendohet se është ndërtuar në fund të shekullit të 18-të ose në fillim të shekullit të 19-të. Përveç vlerave arkitekturore, ai është i rëndësishëm edhe për historinë kulturore të qytetit Kjo shtëpi unike, sot plot me bukuri, por edhe me histori

Pas pushtimit të Krushecit pronar i kësaj shtëpie është bërë, familja e Stojan Simiqit, kumbari i princit Millosh Obrenoviç

Shtëpia është dykatëshe me hajat të mbështetur në shtylla, Kati përdhe është ndërtuar me gurë dhe kati i parë me çatma. Kati i sipërm, i cili shërben si muze, Ambienti i muzeut ndryshon herë pas here, kështu që për këtë shtëpi ka shumë  foto dhe pamje të ndryshme.

Shtëpia e Selim Zekës dhe Osman Smakës ne Krushec

-Shtëpitë qytetare në Leskoc

Në Leskovc kishte tre saraj (pallate) ose banesa të njohura me arkitekturë të avancuar qytetare shqiptare të ndërtuara po ashtu nga mjeshtër shqiptar. Një nga shtëpitë më të bukura qytetare shqiptare ishte shtëpia e Ismail Pashës.

Gragolub Trajkovic në librin: “Iz Proslosti Leskovca i Okoline”, botuar në vitin 1977, në Leskoc shkruan duke e cituar Johann Georg von Hahn (1854), se shtëpia e Ismail Pashës në Leskoc dhe ajo e Mahmit Pashë Begollit në Pejë janë ndër shtëpitë më të njohura në terë Shqipërinë.

Nga ky burim kuptojmë se pronar, dhe ndërtues të shtëpive qytetare në qytetin e Leskocit ishin shqiptarët, dhe se kjo trevë deri në vitin 1878/79, ishte e banuar me shqiptar autokton, andaj edhe njihej si Arnautluk (Shqipëri). Shih faksimilen nga libri i Trajkovicit.

Faksimile nga libri i Dragolub Trajkoviqit

Shtëpi qytetare të ndërtuara në Leskoc gjatë shekullit XIX nga mjeshtër shqiptar

Për ne është me interes të theksojmë se tradita e ndërtimeve të shtëpive qytetare me kalimin e kohës nga mjeshtër shqiptar u bart edhe në fshatra, por edhe kudo që shkuan në vende tjera, mjeshtërit shqiptar e bartën traditën dhe stilin e ndërtimeve të shtëpive qytetare në shumë qytete të P. Osmane.

Vlen të theksohet se mjeshtrit shqiptar ndërtuan edhe në vendet fqinjë pasi u dëbuan nga vendbanimet e tyre autoktone.

Ne po veçojmë dy fshatra në Bullgari, fshatin Mandrica dhe Kosova ne malet e Rodopeve, ku shqiptarët lanë gjurmët e tyre në fushën e arkitekturës popullore. Për fat të keq banorët e këtyre fshatrave tani janë integruar në shoqërinë bullgare dhe janë asimiluar. Në fshatin Mandricë ende mund të hasen banorë të moshuar të cilët e flasin gjuhën shqipe.

Bazuar në disa të dhëna por edhe nga disa shkrime mund të pohojmë se fshati “Kosovo” ne malet e Rodopeve ishte një fshat i cili u themelua pas dëbimit të shqiptarëve nga fshati Pllana e Madhe në Sanxhakun e Nishit. Nuk ka të dhëna të sakta se kurë këta banorë nga Pllana, u vendosën në këtë lokalitet, të cilin e pagëzuan Kosova, por besojmë të jetë shekulli XIX, por që ju nënshtruan një presioni të shpejtë të asimilimit. Ajo që bie në sy është arkitektura e punimit të shtëpive, ku një numër i madh prej tyre ruhen si monumente të kulturës në Bullgari.

Mandrica është një fshat tjetër shqiptar në Bullgari, që gjendet në pjesën më lindore të maleve Rodope pranë kufirit bullgarë-grek. Për këtë fshat kemi burime të shkruara se u themelua në shekullin e XVII, nga shqiptar të ardhur nga rrethinat e Korçës. Banorët e këtij fshati deri më tani e ruajtën kujtesën, veshjen dhe traditën shqiptare.

Nga këto burime që u dhanë më lartë, vërtetohen edhe shkrimet e udhëpërshkruesve të huaj, se mjeshtrit shqiptar të ndërtimit ishin ndër më të njohurit, në Evropën Jug-lindore.

-Shtëpi të ndërtuara nga popullata shqiptare në territorin e Bullgarisë.

Shtëpitë e banimit në fshatin “Kosovo”, dhe një shtëpi banimi në fshatin Mandrica të Bullgarisë

Shqiptarët e Pllanës së Sanxhakut të Nishit, në rrugë për në Turqi përgjat Krizës Lindore (1878/79), u ndalen afër Plodviv të Bullgarisë dhe e formuan fshatin Kosovë (Kosovo). 

K O M E N T E

1 KOMENT

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu