ARKIVI:
14 Nëntor 2024

Ja cilat janë metodat e menduara nga Vasa Çubriloviq për dëbimin e Shqiptarëve

Shkrime relevante

Planifikimet e keqija komunale, pasojë e tërheqjes së mjeteve nga përmbaruesit

Komuna e Gllogovcit (Drenasit) në Hartën e Kosovës Zeqir Bekolli, Drenas Kohët e...

Rikthehet ndonjëherë edhe e pamundura…

Ervina Toptani, shkrimtare, Vjenë Botuesi i shtëpisë botuese gjermane që po përgatit...

Republikanët nuk do t’i gjunjëzohen Vlladimir Putinit!

Bardhyl Mahmuti, politolog, Zvicër ___ Në kohën kur regjimi totalitar komunist i BRSS-së...

86 vjet që nga Nata e Kristalt, që u zhvillua midis 9 dhe 10 nëntorit 1938

Bitte Assarmo   09.11.2024 Sot janë 86 vjet që nga pogromi i nëntorit –...

Poemë satirike kushtuar imamëve antikombëtar dhe përçarës të vlerave tona shqiptare!

Luan Dibrani, Gjermani Kjo poeme përfshinë shumë metafora dhe imazhe të forta...

Shpërndaj

Memorandumi i Vasa Çubriloviq për Dëbimin e shqiptarëve në PDF, shkarko: [ english ] dhe [ shqip ]

Xhelal ZejneliXhelal Zejneli

– memorandumi famëkeq “Dëbimi i shqiptarëve” –   

Memorandumin “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta) akademiku dhe politikani serb Vasa Çubrilloviq e ka shkruar në vitin 1937 për qeverinë e kryeministrit të Mbretërisë së Jugosllavisë Millan Stojadinoviq (1888 – Buenos-Aires, 1961).

Në këtë memorandum apo elaborat, Çubrilloviqi i propozon mënyrat e zgjidhjes së “problemit shqiptar” me pastrimin etnik total të Kosovës prej shqiptarëve. Memorandumin e sipërthënë, Çubrilloviqi ia paraqit qeverisë së Beogradit më 7 mars 1937. Ky program, i cili të lë mbresën e një varianti të zbutur të procesverbaleve të Konferencës naziste të Vanze-it (Wannsee) më 1942, parashikonte një fushatë energjike për të shpopulluar Kosovën nga banorët shqiptarë dhe për t’i zëvendësuar me kolonë serbë dhe malazezë.

*   *   *

Shënim: Vasa Çubrilloviqi (1897-1990) ka qenë historian dhe politikan gjatë Mbretërisë së Jugosllavisë. Ka qenë pjesëtar i organizatës “Mlada Bosna”. Në vitin 1914 ka marrë pjesë në atentatin ndaj pretendentit të fronit Austro-Hungarez, arqidukës Franc Ferdinand (Archduke Franz Ferdinand, 1863 – Sarajevë, 1914). Ka qenë sekretar i Klubit Kulturor Serb* me seli në Beograd. Në vitet 1945-1950, në qeverinë e RPF të Jugosllavisë bëhet ministër i bujqësisë, më pas i pylltarisë. Më vonë bëhet dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1961 bëhet anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve.

*    *    *

Memorandum të ngjashëm për “zgjidhjen” e çështjes së pakicave etnike në Jugosllavi, Çubrilloviqi hartoi edhe kah fundi i Luftës II Botësore për nevojat e pushtetit të ri komunist, duke i sqaruar atij se pikërisht tani është çasti i volitshëm për dëbimin e pakicave. Të njëjtën e bën edhe BRSS-ja (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike). Po këtë janë gati ta bëjnë edhe vendet e tjera të Evropës që kanë pakicë gjermane të konsiderueshme.

Si duket, pushteti komunist i dëgjoi këshillat e Çubrilloviqit dhe në vitin 1945, nën akuzën se paskëshin qenë kolaboracionistë, dëboi nga Jugosllavia, kryesisht nga Vojvodina, rreth gjysmë milioni gjermanë apo Folksdojçerë.

Ai thotë: “Mund të mbahet vetëm ai territor që është i banuar me popullin tëndËshtë detyrë imperativë e shtetit të mos lejojë që territorin e tij me rëndësi strategjike ta kenë në dorë elementet e huaja, e që ndaj nesh janë armiqësore”.

Çubrilloviqi e kritikon kolonizimin serb të deriatëhershëm të Kosovës, duke thënë se  ka qenë joefektiv. Propozon metoda më efektive të dëbimit fizik të popullsisë shqiptare dhe thotë: “Gabimi themelor i pjesëmarrësve përgjegjës ka qenë fakti se problemet etnike në Ballkanin e trazuar dhe të përgjakshëm kanë dashur t’i zgjidhin duke zbatuar metoda perëndimore”. Në vend të kësaj, propozon që problemi të zgjidhte në mënyrë ballkanike:

“Është e pamundur që arnautët të luftohen vetëm me kolonizim gradual… E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e një pushteti shtetëror të organizuar. Në këtë pikëpamje, ndaj tyre, ne gjithmonë kemi qenë në epërsi”.

Çubrilloviqi i propozon mjetet e pastrimit etnik. Ai niset nga pikëpamja se e vetmja mënyrë efektive e zgjidhjes së çështjes shqiptare është “shpopullimi masiv i arnautëve”, d.m.th. shpërngulja masive apo dëbimi masiv i tyre. Për t’u realizuar shpërngulja masive, ai i propozon mjetet e trysnisë, si:

Krijimi i psikozës – Kushti i parë i trysnisë për shpërnguljen apo për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre në Kosovë apo në Jugosllavi është krijimi i psikozës. Për këtë arsye, së pari duhet gjetur agjitatorë të cilët do të agjitojnë për shpërngulje, duke e bërë për vete klerin shqiptar dhe njerëzit me ndikim të parisë, ose me para ose duke iu kanosur.

Trysnia e aparatit shtetëror – Mjet tjetër i parashikuar nga Çubrilloviqi është trysnia e aparatit shtetëror. Shteti, deri në skajshmëri duhet t’i shfrytëzojë ligjet në mënyrë që “sa më tepër ta vështirësojë ekzistencën e arnautëve te ne”. Për këtë qëllim ai i propozon qeverisë jugosllave: gjoba, burgosje, zbatim të pamëshirshëm të të gjitha rregullave policore, dënim të kontrabandës, dënim për prerjen e pyjeve, ndërsimin e qenve, punë angarie dhe çfarëdo mjeti tjetër që mund t’i përdorë një polici praktike.

Përpos trysnive policore, Çubrilloviqi propozon edhe trysni ekonomikesi: mospranimi i tapive të vjetra; pezullimi i punës së kadastrave; caktimi i pamëshirshëm i tatimeve dhe i të gjitha borxheve – publike dhe private; sekuestrimi i kullotave shtetërore dhe i kullotave komunale; heqja e koncesioneve, e lejeve të punës për kafenetë, për tregtizat dhe për zanatet; sekuestrimi i lejeve monopoliste, largimi nga shërbimi shtetëror, nga shërbimi privat dhe nga ai  vetëqeverisës, etj.

Për ta shtuar trysninë mbi popullatën shqiptare, ky akademik gjakpirës parashikon edhe masa sanitare, siç janë: zbatimi i dhunshëm i të gjitha dispozitave edhe nëpër shtëpitë e shqiptarëve; shembja e mureve si dhe e mureve rrethuese të larta përreth shtëpive; zbatimi i përpiktë i masave veterinare me të cilat do të parandalohej nxjerrja e bagëtisë në tregje, etj.

Çubrilloviqi propozon po ashtu edhe trysni që kanë të bëjnë me ceremonitë apo me ritualet fetare, siç janë: përndjekja e klerikëve; prishja e varrezave; ndalimi i poligamisë dhe zbatimi i përpiktë i ligjit që vajzat të shkojnë në shkollë.

Sipas Çubrilloviqit, përpos trysnisë shtetërore, duhet të ushtrohet edhe trysnia private. Në këtë mes, mund të bëjë shumë edhe nisma private. Ai propozon që kolonëve serbë dhe malazezë t’u jepet armë dhe që në Kosovë të fillojë aksioni i çetnikëve.

Në vijim, ky kriminel propozon që ndërmjet malazezëve dhe shqiptarëve në Metohi të shkaktohen konflikte. Të shkaktohen edhe rebelime lokale të cilat “me mjete efektive do të shuheshin në gjak”, jo aq me ushtri, sa me kolonët, me fiset malazeze dhe me çetnikët.

Një prej masave të këtij pseudo-akademiku është edhe djegia e vendbanimeve. Përveç mjeteve të lartpërmendura të trysnisë mbi popullsinë shqiptare civile, ai propozon edhe një mjet tjetër – djegien sekrete të fshatrave dhe të lagjeve të arnautëve nëpër qytete. Ai thotë se “këtë lloj trysnie, Serbia e ka përdorur në mënyrë tejet praktike pas viti 1878”.

*   *   *

Për shkak të gjendjes ekonomike dhe rrethanave në politikën e jashtme, memorandumin e Çubrilloviqit, qeveria e Millan Stojadinoviqit nuk ka mundur ta zbatojë tërësisht. Jetësimin e tij e ndali lufta e prillit e viti 1941 dhe shkatërrimi i Mbretërisë së Jugosllavisë. Për këtë arsye, memorandumi mbeti në arkiva dhe për të, vite me radhë nuk ka ditur kush, përpos një numri të vogël njerëzish.

Ide të ngjashme, përkatësisht plan që do t’i përfshinte të gjithë popujt josllavë të Jugosllavisë, në vitin 1944 Çubrilloviqi u ofroi edhe autoriteteve të reja komuniste.

Plani u zbatua vetëm ndaj pakicës etnike gjermane, e cila u dëbua për një, për të sjellë në vend të tyre popullsinë sllave, kryesisht serbë dhe malazias.

Më vonë, Çubrilloviqi u bë anëtar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Elaborati i tij “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta) u shlye nga biografia zyrtare e tij. Në biografinë e tij nuk përmendet as memorandumi i ngjashëm i mëvonshëm që iu prezantua autoriteteve komuniste.

Për memorandumin e Çubrilloviqit, opinioni ndërkombëtar mësoi për herë të parë në vitet ’60 të shekullit XX. Në këtë kohë, ky elaborat ra në duart e autoriteteve të Shqipërisë. Autoritetet jugosllave e mohuan ekzistimin e tij, por ai filloi të qarkullojë në radhët e historianëve, sidomos atyre kroatë.

Për “Dëbimin e shqiptarëve” të Çubrilloviqit, opinioni në Jugosllavi mësoi për herë të parë kur disa pjesë të tij u publikuan në janar të viti 1988 në gazetën “Borba” të Beogradit. Pak më vonë, memorandumi i sipërthënë u publikua edhe në revistën “Start” të Zagrebit.

Publikimi i memorandumit shkaktoi skandal në opinionin jugosllav, për arsye se me këtë dëmtohej jo vetëm reputacioni i Çubrilloviqit, por edhe i nobelistit Ivo Andriq (1892-1975), i cili në vitet ’30 të shekullit XX i ka mbështetur planet antishqiptare të historianit.

Më vonë, teksti shpesh është cituar si një prej dokumenteve themelore të ideologjisë serbomadhe të shekullit XX, përkatësisht si bazë e metodave që u përdorën gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë nga autoritetet serbe për pastrimin etnik të shqiptarëve, të boshnjakëve dhe të kroatëve.

Disa autorë konsiderojnë se planin e Çubrilloviqit për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, Millosheviqi tentoi ta realizojë në vitin 1999 gjatë operacionit ”Patkoi”. Vojvoda i çetnikëve Voisllav Sheshel (1954- ) deklaronte zëshëm: “Shqiptarët do t’i dëbojmë përtej Bjeshkëve të Nemuna”.

*   *   *

ShënimKlubi Kulturor Serb ka qenë organizatë politike serbe me orientim patriotik dhe kombëtar. U formua në Mbretërinë e Jugosllavisë në vitin 1937. Gjatë Luftës II Botërore, ideologjia e saj paraqiste ideologjinë jozyrtare të Lëvizjes së Ravna Gorës, që ishte lëvizje çetnike. Klubi u formua prej intelektualëve të njohur. Shkas për formimin e kësaj organizate ka qenë “pozita gjithnjë më e pabarabartë e serbëve në shtetin jugosllav”. Kuvendi i parë i Klubit u mbajt në Beograd më 4 shkurt 1937. Një prej parullave të tij ka qenë: “Serbizëm i fuqishëm në Jugosllavi të fuqishme”.

Klubi i lartpërmendur thotë: “Vetëm hapësira etnike serbe në Jugosllavi nuk është shënuar me kufij. Është koha që kjo të bëhet, meqë s’është bërë në vitin 1918. Hapësira serbe që do të shënohej me kufij, do të kishte kufij të ngjashëm me kufijtë e Serbisë së Madhe”. Anëtarët e Klubit ishin të pakënaqur me “shpërfilljen e identitetit serb në favor të kombit jugosllav” si dhe me krijimin e Banovinës së Kroacisë.

Kryetar i Klubit ishte profesori dhe akademiku Sllobodan Jovanoviq (Novi-Sad, 1869 – Londër, 1958). Sekretar i Klubit ishte Vasa Çubrilloviqi. Në maj të vitit 1939, Klubi kishte rreth 500 anëtarë. Sllobodan Jovanoviqi ka qenë jurist, historian, letrar dhe politikan serb. Në vitet 1941-1942 ishte nënkryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Jugosllavisë. Në vitet 1942-1943 ishte kryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Jugosllavisë në Londër. Në vitet 1897-1940 – profesor në Universitetin e Beogradit, kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe, rektor i Universitetit të Beogradit, profesor i të drejtës publike dhe dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Beograd.

Shumë pikëpamje të Memorandumit famëkeq të viti 1986 të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve përputhen plotësisht me ato të Klubit Kulturor Serb. Ati shpirtëror i Memorandumit të ASShA-së të vitit 1986 ishte akademiku Dobrica Qosiq (1921-2014), i konsideruar pater patriae.

Akademikët serbë vendnumërojnë. Të verbuar me të ashtuquajturën çështje kombëtare serbe, ata ndodhen në anën e kundërt të demokracisë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu