-Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës -Njoftim për Media, 25 korrik 2021/
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nga komunikimi me autoritetet kroate njofton opinionin publik se nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 11:30, si pasojë e një aksidenti tragjik në trafik që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë kanë humbur jetën 10 persona,bashkëatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda.
MPJD-ja, do të njoftojë opinionin publik ne kohë reale me të dhënat e tjera të konfirmuara gjatë orëve në vazhdim lidhur me këtë ngjarje tragjike.
Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkëatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme.
MPJD- ja shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të bashkëatdhetarëve tanë, iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe ju dëshiron shërim të shpejtë të lënduarve.
Gjatë ditës së sotme Ministrja e Punëve të Jashtme znj.Donika Gërvalla, ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e saj kroat Gordan Grlić Radman. Ky i fundit ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe ka siguruar Gërvallën se do të angazhohen të gjitha instancat relevante për t’iu dalë në ndihmë të lënduarve.
Presidentja Osmani: Lajm tragjik e i rëndë sot për vendin tonë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani shkruan:
Lajm tragjik e i rëndë sot për vendin tonë.
Nga kontakti me Ambasadën e Kosovës në Zagreb dhe me autoritetet kroate, jam njoftuar se nga një aksident komunikacioni që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën tragjikisht dhjetë udhëtarë e shumë të tjerë janë lënduar.
Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë!
Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë.
Veprimet tona shtetërore do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, ndaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t`u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik.
Kyeministri Kurti: Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci
Kyeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti shkruan:
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës.
Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit.
Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb.
Me ankth e shpresë jemi pranë qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre në këto çaste të rënda.
Kryeministri Kurti udhëton drejt Kroacisë për të vizituar të lënduarit në aksidentin tragjik
Prishtinë, 25 korrik 2021
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit.
Së bashku me kryeministrin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.
Institucionet e Republikës së Kosovës që nga mëngjesi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kroate, të cilat kanë konfirmuar se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Shtabin Emergjent për koordinim të komunikimit të institucioneve të Kosovës dhe të Kroacisë me familjarët e bashkatdhetarëve të cilët udhëtonin me autobusin e linjës Frankfurt- Prishtinë.
Qeveria e Republikës së Kosovës bashkëndjenë me dhimbjen e familjeve të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik. Të lënduarit i sigurojmë se do t’u qëndrojmë afër deri në shërimin e plotë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës: Jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet Kroate
Prishtinë, 25 korrik 2021
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për aksidentin tragjik të bashkatdhetarëve tanë në Kroaci. Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjarët e të vdekurve në këtë aksident, njëkohësisht iu urojmë shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve. Jemi pranë tyre për të kaluar këto momente të vështira.
Me këtë rast, ju njoftojmë që Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe me gjithë aktorët tjerë janë të angazhuar në menaxhimin sa më të efektiv të situatës dhe koordinimin e gjithë veprimeve për të lehtësuar gjithë të prekurit në këto momente të vështira.
Si Ministri, jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet Kroate të cilët shfrytëzojmë rastin ti falënderojmë për ndihmën e dhënë në menaxhimin e situatës së krijuar.
Presidentja Osmani e shpallë të hënën ditë zie shtetërore për viktimat e aksidentit tragjik në Kroaci
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Republikën e Kroacisë.
Shkaku i kësaj ngjarje tragjike, Presidentja Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë.
foto nga