Paralajmërimi për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim automjetesh, është mirëpritur nga qytetarët e Mitrovicës. Ura ishte e bllokuar nga strukturat paralele që kishin vendosur barrikada. Hapja për qarkullim është paraparë edhe me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në kuadër të të ashtuquajturit rivitalizim i urës, kryer me fonde të BE-së, por kjo deri më tash nuk ka ndodhur.

Mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë, përveç lëvizjes së qytetarëve, shumë shpejt pritet të kalojnë edhe automjetet.

Kështu të paktën është paralajmëruar së fundmi nga zyrtarë të policisë së Kosovës. Paraprakisht, një vendim i tillë është marrë edhe nga Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut, rreth një muaj më parë.

“Në prill e kemi marrë vendimin, kjo ka të bëjë edhe me sigurinë dhe ndërkomëtarët ” , tha Nexhat Uglani, kryetar i Komunës së Veriut.

Në lidhje me zbatimin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës në rajonin e veriut të vendit.

Nga Policia e Kosovës të kontaktuar nga RTK, kanë thënë së çdo vendim nga Institucionet e Kosovës për hapjen e Urës mbi lumin Ibër, do ta zbatojnë

Lista Serbe kundërshtoi hapjen e urës duke pretenduar se qëllimi është destablizimi i situatës.

E qytetarët që jetojnë në pjesën veriore të qytetit,  mirëpresin hapjen e urës edhe për lëvizje të automjeteve.  Por qytetarët serbë në këtë qytet, nuk pranojnë  të flasin për këtë çështje.

Ndryshe hapjen e Urës e kishin kërkuar muaj më parë edhe ambasadori i Gjermanisë dhe Francës në Kosovë në një intervistë për RTK-në.

Hapja e urës kryesore për trafik është paraparë edhe me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në kuadër të të ashtuquajturit “rivitalizim i urës”, kryer me fonde të BE-së.

Kjo marrëveshje është arritur nga Kosova dhe Serbia në vitin 2014, me qëllim heqjen e barrikadave dhe funksionalizimin e urës.