RajoniPress, 29 maj 2024
Gjilan – Arif Ejupi, një emër i njohur në fushën e publicistikës, një krijues brilant dhe njohës i mirë i shumë zhvillimeve, një gazetar pedant dhe i kujdesshëm në shkrime e trajtime, një ish mësues shembullor në diasporë, një kujdestar dhe arkiv e madhe dhe e rëndësishme e organizimit në Zvicër nga diaspora, një humanist i madh që punoi e veproi tërë jetën, për ta parë Kosovën e lirë dhe diasporën e integruar në të gjitha fushat. Ndoshta është hera e parë që ai shpalos detaje të panjohura që nga aktiviteti i tij si gazetar në Radio Prishtina, aktivist në KMDLNJ, pastaj rrahja dhe arrestimi i tij nga policia serbe dhe keqtrajtimi deri në invaliditet të përjetshëm. Arif Ejupi edhe sot mbetet një krijues e publicist aktiv, që asnjëherë nuk e shikoi interesin personal. Ka shkruar dhe shkruan për shumë mediume dhe në pjesën dërmuese të tyre pasqyroi sukseset e të rinjve tanë në Zvicër. Punimet e tij i gjejmë në gazeta e televizione të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, të Kosovës Lindore, Ulqinit, si dhe në revista e portale të mërgatës sonë në Zvicër, Angli, Gjermani, Kanada dhe SHBA. Ejupi, në cilësinë e gazetarit intervistoi figura të shquara nga fusha e shkencës, kulturës dhe sportit. I takon brezit që vuajti për ta bërë Kosovën shtet edhe sot e asaj dite Arif Ejupi kujdeset që Kosovën ta përfaqësoj me dinjitet dhe kredibilitet politik e profesional.
Të shkruash për Arif Ejupin nga Gllamniku i Podujevës të duhet një arkiv e tërë ta hulumtosh dhe ta studiosh, për të dhënë një vlerësim sa profesional aq edhe të qëndrueshëm.
Është i heshtur dhe nuk flet asnjëherë në vetën e parë, përkundrazi sukseset e të tjerëve e bëjnë më krenar, aq më parë që tani jeton dhe vepron në Gjenevë të Zvicrës.
Arif Ejupi ka përjetuar tri periudha të rënda në jetën e tij. Koha e para luftës, që njihet si koha nën sundimin dhe okupimin serb, ku ishte rrahur e përndjekur deri në vdekje nga policia serbe, koha e luftës ku Arif Ejupi me tërë qenien e tij jep kontribut të madh në organizimin e luftës çlirimtare, duke e demaskuar në shumë forume e organizata të huaja, dhunën e pushtuesit serb dhe koha e pas luftës, ku ai sërish nuk heshtet dhe nuk dorëzohet, përkundrazi jep kontribut të madh për ta integruar e shkolluar diasporën në të gjitha nivelet.
Ajo që e bënë të veçantë Arif Ejupin dhe e dallon nga kolegët tij të tjerë në diasporë është fakti se shkruan rrjedhshëm dhe shkruan për figura, personalitete e ekspertë që japin kontribut në avancimin e Kosovës dhe të çështjes shqiptare kudo në botë e në veçanti në Zvicër.
“I gëzohem suksesit të secilit shqiptar, i gëzohem vullnetit të atyre shqiptarëve që angazhohen maksimalisht, të kenë familje të shëndoshë dhe të emancipuar këtu në perëndim. Jetoj dhe veproj që shqiptarët këtu në Zvicër të ndihen të barabartë, të punojnë që një ditë vërtet ta kemi vendin e merituar sikurse kombet tjera” shprehet Ejupi për rajonipress.
Pavarësisht sfidave nëpër të cilat ka kaluar Arif Ejupi, dëshira e tij që të merret me gazetari dhe publicistikë asnjëherë se ka ndarë nga përkushtimi, për të prezantuar suksese e rezultate të kuadrove shqiptare kudo në botë.
Është ndër gazetarët e paktë që kujdeset për të gjitha gjeneratat, e në veçanti për pjesën e cila ka vuajtur dhe hjekur të zitë e ullirit nëpër burgjet serbe.
Arif Ejupi gjithmonë kujdeset që nga diaspora të prezantojë njerëz të devotshëm, që kanë arritur suksese dhe që kanë lënë gjurmë në të mirë të çështjes kombëtare.
Është i pa kompromis dhe nuk lejon për asnjë moment, t’i ikë ndonjë detaj për njerëzit që i njeh mirë.
Përkushtimi i tij maksimal për të pasur një diasporë të emancipuar dhe një gazetari profesionale është preokupim i tij i vazhdueshëm.
“Në gazetari dhe krijimtari mundohem ta bëj punën profesionalisht dhe me shumë kujdes edhe në shkrime dhe në saktësi. Jetoj për një të vërtetë reale dhe shkruaj ashtu siç unë i shoh gjërat dhe i përjetoj. Tek e fundit gazetaria e mirë dhe e ndershme këtë synim duhet ta ketë, të vërtetën dhe gjërat objektive. Gjithashtu kam dëshirë të ofroj për publikun raste interesante, që nuk i dijnë të tjerët dhe që kanë efekt në publikun kosovar. Kam botuar qindra artikuj, kronika, raporte e lajme të ndryshme dhe të gjitha gratis. Bashkëpunoj me të gjithë ata që e kuptojnë rëndësinë e gazetarisë hulumtuese dhe nuk lejoj që kjo fushë të nëpërkëmbet. E mbroj me fanatizëm çdo shkrim përmbajtësor dhe me dedikim të veçantë e të dobishëm për publikun” shprehet Ejupi.
Arif Ejupi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe si mësues në Gjenevë, një rol të madh e ka luajtur në kohën e paraluftës derisa ishte angazhuar nën ombrellën e lëvizjes gjithë popullore në LDK.
I kujtohet mirë data 5 korrik 1990 kur dhunshëm e largojnë nga puna e gazetarit në Radio Prishtina, policia serbe. “Ishte e rëndë për mua dhe për Kosovën kur dhunshëm na larguan, isha në kohën më të mirë të zotërimit të profesionit të gazetarit, po kështu ndodhi dhe mbetëm pa dritaret tona informative dhe në terr” shton Ejupi.
Ishte organizator e pjesëmarrës i shumë zhvillimeve në vitet e okupimit. Pushtuesve serbë dhe disa veglave të tyre, aktiviteti i Arifit u bije në sy. Ata më 14 mars 1994 në orët e hershme të mëngjesit e arrestojnë atë në shtëpinë e tij.
Arrestimi bëhet nën akuzën se kinse ai dhe disa shokë të tij kanë organizuar rezistencë të armatosur në komunën e Podujevës, në kuadër të ashtuquajturës Mbrojtje Territoriale.
Pastaj e dërgojnë në stacionin e policisë në Podujevë, ku me urdhrin e njëfarë Tomisllav Petroviq, tre kriminelë serbë të njohur me nofkat si Cipiripi, Bosanaci i madh dhe Cvejiq, që kishin ardhur nga stallat e Serbisë, por që mbanin uniformë policësh e rrahin Arifin, në mënyrë çnjerëzore, duke i shkaktuar invaliditet të përjetshëm.
Policia serbe edhe pas kësaj ngjarje të tmerrshme çdo ditë shkonte në shtëpinë e tij, dhe ia traumatizonte anëtarët e tjerë të familjes, si nënën, gruan, motrën, vëllain dhe vajzën 2 vjeçe e gjysmë.
“Ehh… ofshan Arifi, s’e kam të lehtë ta tregoj dhe përkujtoj këtë kohë e periudhë të vështirë të jetës sime dhe të familjes sime e shokëve të idealit. Isha i rrahur për vdekje, e pash si mund të vdiset dhe si mund të mbijetohet nga ajo torturë e egër prej bishave serbe. Njeriu është më i fort se guri, sepse e kisha vullnetin dhe motivin e madh për të çuar deri në fund synimin e shumë gjeneratave tona, që kanë vdekur nga torturat serbe. Ky amanet tani është plotësuar, kuptohet ende kemi punë për ta bërë funksional dhe të pranuar, edhe nga shumë shtete tjera Kosovën tonë të dashur. Këto rrëfime ndoshta mbesin vetëm si rrëfime tonat, por janë të vlefshme dhe kanë peshë, sepse në emër të saj dhe të shumë shqiptarëve, që u dergjën burgjeve dhe u vranë në luftën e fundit erdhi Liria e shumëpritur” shprehet Arif Ejupi.
Arif Ejupi edhe pse në pension të moshës ka në dorëshkrim shumë tema mbi të kaluarën e lavdishme të figurave të shquara dhe thotë se do i botojë në momentin e parë që do ta finalizojë këtë angazhim të tij.
“Kam shumë dokumente, arkiva, vendime e foto të ndryshme që kanë peshë historike e ndriçuese për historinë më të re të Kosovës. Dikush mund të preket e lëndohet, por jam i sigurt se vetëm kështu mund ta njohim njëri tjetrin më mirë dhe mund ta pastrojmë historiografinë shkencore të shqiptarëve. Unë nuk heshti sepse jam dëshmitar dhe përjetues i këtyre rrethanave politike” tha Arifi.
Kush është Arif Ejupi dhe cila është veprimtaria e tij profesionale e politike?
Arif Ejupi, lindi më 15 janar të vitit 1959 në Gllamnik të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij të lindjes, ndërsa atë të mesme (gjimnazin) në qytezën e Podujevës. Që të dyja nivelet e shkollimit i përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm.
Në vitet 1978 – 1979, i filloi studimet e shkallës së dytë, në Fakultetin Juridik, dhe në atë Filozofik, të Universitetit të Kosovës, seksioni – Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Ai edhe studimet i përfundoi me sukses shumë të mirë. Ndërkaq, punën si gazetar në Radio Televizionin e Prishtinës, e nisi gjatë viteve të ’80-ta. Ejupi, në cilësinë e gazetarit intervistoi figura të shquara nga fusha e shkencës, kulturës dhe sportit.
Mirëpo, të një rëndësie të veçantë i konsideron kronikat e shumta të realizuara me rininë studentore të Universitetit të Kosovës. Krahas punës në këtë medium, ai shkroi në bashkautorësi me kolegun e tij Fadil Halimi edhe reportazhin “Rrëfime nga kohëra të liga” kushtuar Ismail Ajetit Bushit, i dënuar dy herë me vdekje nga regjimi i Jugosllavisë komuniste.
Ky reportazh apo dokumentar, u botua më 16 Nëntor të vitit 1991, në prestigjiozen “Zëri Javor” të Prishtinës, që udhëhiqej nga gazetari dhe publicisti i njohur kosovar Blerim Ali Shala.
Ismailit edhe pse ishte në moshë pushtuesit serbo -sllavë ia kishin friken,ngase policia fashiste e asaj Jugosllavie në shembje të gjithë numrat e “ Zëri javor” të Prishtinës i konfiskoi.
Kur tamam Ejupi e kishte përsosur profesionin, atë dhe kolegët e tij më 5 korrik të vitit 1990, regjimi i egër dhe diktatorial i Serbisë, i largon me dhunë nga puna.
Arif Ejupi, me miqtë e tij të hershëm Behxhet Shala – Bajgora, Nexhmi Balaj, Sylejman Blaku, Dr. Selman Hoxha, Fehmi Blakçori, inxh. Ramadan Dibrani, Hilmi Ajeti, Naser Behrami, duke parë dhunën e vazhdueshme të Serbisë, mbi shqiptarët duarthatë të Llapit, më 1990 themelojnë KMDLNJ-dega në Podujevë.
Me gjithë rrezikun për jetën ata kompletojnë dosjet e secilit të vrarë, të burgosur e të keqtrajtuar nga pushtuesit serbo-sllavë.
Pastaj ato i dërgojnë në selinë e KMDLNJ-së, në Prishtinë, e prej këtu i gjithë materiali i faktografuar përcillet në Nju-Jork, Londër, Gjenevë, Bruksel, Bon e Paris.
Edhe pse në kushte të vështira ai për asnjë çast nuk i ndërpret shkrimet. Nëpërmjet tyre denoncon dhunën e përditshme serbe, mbi banorët e pafajshëm të Llapit, në gazetat “Bujku” e “Forumi” si dhe në Qendrën për Informim të Kosovës.
Ejupi, që nga themelimi i LDK-së, është anëtar aktiv i saj. Ai nga të gjithë njihet për punën e tij të mirë, ngase në atë periudhë LDK, më tepër ishte Lëvizje mbarë popullore, se sa subjekt politik.
Arifi në zgjedhjet e rregullta lokale të mbajtura më 27 shtator të vitit 1993, me votën e 44 delegatëve të Kuvendit të LDK-së, nëndega në Gllamnik, emërohet kryetar i kësaj njësie, që ishte pjesë e Degës së Podujevës.
Këtë detyrë e kryen me përgjegjësi dhe përkushtim të pashoq, gjë të cilën e vërtetojnë edhe rezultatet e arritura. Duke parë shkollën në gjuhën shqipe si shtyllën kryesore të shtetësisë së Kosovës, ai gjithë aktivitetin e tij e përqendron në mbrojtjen e saj.
Brenda gjashtë muajve nëndega e Gllamnikut, të cilën e udhëheq ai realizon mbi 11 mijë DM. (valutë gjermane)
Këto mjete të tubuara enkas për mësimdhënësit shqiptarë derdhën në Këshillin Qendror për Financim të Republikës së Kosovës, dega në Podujevë.
Veç kësaj me kohë sigurohet lënda e mjaftueshme drusore, për ngrohje në shkollën fillore të Gllamniut, dhe paralelet e saj të ndara në Sibovc dhe Buricë.
Edhe pse nënokupim fshatarët e lagjes Sekiraçë me vetëfinancim më 1993, nisin ndërtimin e shkollës katër klasëshe si aneks të asaj “Kongresi i Manastirit “ në Gllamnik. E, gjithë kjo arrihet falë unitetit dhe sakrificës së fshatarëve trima e bujarë të këtij lokaliteti.
Pushtuesve serbë dhe disa veglave të tyre, aktiviteti i Arifit u bije në sy. Ata më 14 mars 1994, në orët e hershme të mëngjesit e arrestojnë atë në shtëpinë e tij.
Arrestimi bëhet nën akuzën se kinse ai dhe disa shokë të tij kanë organizuar rezistencë të armatosur në komunën e Podujevës, në kuadër të ashtuquajturës Mbrojtje Territoriale.
Pastaj e dërgojnë në stacionin e policisë në Podujevë, ku me urdhrin e njëfarë Tomisllav Petroviq-Toma, tre kriminelë serbë të njohur me nofkat si Cipiripi, Bosanaci i madh dhe Cvejiq, që kishin ardhur nga stallat e Serbisë, por që mbanin uniformë policësh e rrahin Arifin, në mënyrë çnjerëzore, duke i shkaktuar invaliditet të përjetshëm.
Policia serbe edhe pas kësaj ngjarje të tmerrshme çdo ditë shkonte në shtëpinë e tij, dhe ia traumatizonte anëtarët e tjerë të familjes, si nënën, gruan, motrën, vëllain dhe vajzën 2 vjeçe e gjysmë.
Si pasojë e kësaj përndjekje të vazhdueshme z. Ejupi, me ndihmën e Mr. Sc. Hamdi Jahir Jaha, më 27 korrik të vitit 1995 kalon ilegalisht në Zvicër. Organet Federale të këtij shteti duke pasur parasysh gjendjen e tij të rëndë shëndetësore menjëherë ia njohin të drejtën e strehimit.
Ai në pamundësi për t’u mjekuar në vendlindje bën qëndrime të përsëritura në Spitalin Universitar të Gjenevës. Falë angazhimit maksimal të mjekëve të këtij spitali edhe pse me aftësi të kufizuara z. Arif Ejupi, i rikthehet aktivitetit bamirës.
Ai vullnetarisht ndihmon të gjitha veprimtaritë e Komunitetit Shqiptar të Gjenevës. Duke e ditur që Kosova ishte nën okupim të egër maksimalisht angazhohet së bashku me 11 kolegë të tij në Fondin e Republikës së Kosovës – Këshilli në Gjenevë të Zvicrës.
Ky Këshill tregohet mjaft i suksesshëm. Në dy Aksione të jashtëzakonshme “Ta ndihmojmë Drenicën” dhe “Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës” tubon mbi 2 milion franga të Zvicrës.
Një sukses si ky ishte i paparashikueshëm, por kjo u arrit falë zemërgjerësisë dhe solidaritetit të paparë të mërgimtarëve tanë, që pjesa dërrmuese e tyre ishin nga Anamorava.
Ejupi, me insistimin e z. Xhafer Shatri, Ministër për Informim i Republikës së Kosovës, në Gjenevë, ka ndihmuar vullnetarisht në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional në këtë institucion deri më 27 nëntor të vitit 1998.
Po ashtu tri mandate ka qenë anëtar i Kryesisë së shoqatës humanitare “Ali Ajeti”, me seli në Olten të Zvicrës. Nëpërmjet kësaj shoqate ai dhe disa shokë të tij llapjanë me qëndrim në Gjenevë kanë ndihmuar me të holla UÇK-në, Zona Operative e Llapit.
Arif Ejupi jep kontribut të jashtëzakonshëm edhe në shoqatat jofitimprurëse “Ikballe Prishtina” dhe “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”
Më 25 gushtit të vitit 1995, me një Aktvendim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Republikës së Kosovë, emërohet mësues në Shkollën Shqipe të Mësimit Plotësues, në Kantonin e Gjenevës.
Ejupi, punën e mësuesit e bën me dashuri e ndershmëri deri në fund të qershorit të vitit 2000. Ai, me fëmijët e mërgimtarëve tanë punoi në pikat; “Ecole du Mail,” “Ecole de Onex,” Ecole Cayla” dhe “Ecole des Libellulles”.
Respektin për ish-nxënësit e tij të mrekullueshëm do ta ruajë përherë. Atij i bëhet zemra mal dhe ndihet tepër i kënaqur kur sheh që shumica prej tyre sot janë: mjekë, inxhinierë, ekonomistë, juristë, teknologë, profesorë, psikologë, sipërmarrës dhe sportistë shembullorë.
Ejupi, duke e pasur pasion gazetarinë, paralelisht me punën e mësuesit shkroi edhe qindra artikuj. Në pjesën dërmuese të tyre pasqyroi sukseset e të rinjve tanë në Zvicër.
Punimet e tij i gjejmë në gazeta e televizione të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, të Kosovës Lindore, Ulqinit, si dhe në revista e portale të mërgatës sonë në Zvicër, Angli, Gjermani, Kanada dhe SHBA.
Platforma “Albinfo.ch”, që është në lidhje të drejtpërdrejtë me mërgatën tonë, sidomos me atë në Zvicër e Gjermani, disa shkrime të z. Ejupi, i ka përkthyer edhe në frëngjisht e gjermanisht.
Duke qenë anëtar i rregullt i KMDLNJ-së, Ejupi, më 1997-1998, së bashku me prof. dr. Zejnullah Grudën dhe prof. dr. Ymer Jakën, merr pjesë në punimet e Sesionit për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.
Me këtë rast ata gjenocidin serb mbi shqiptarët nëpërmjet pamjeve të tmerrshme e prezantojë edhe në qytete të tjera të Zvicrës dhe Francës. Arif Ejupi, për punën e tij të palodhshme si aktivist, mësues, gazetar dhe humanist, është shpërblyer me mirënjohje të shumta.
Por, në mesin e këtyre mirënjohjeve dhe shpërblimeve ai veçon atë të KMDLNJ-së, të ndarë më 7 tetor 1997, nga kryetari i kësaj organizate jo qeveritare akademik. Pajazit Nushi.
Puna profesionale e z. Ejupi, është vlerësuar edhe nga Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës.
Kjo Ministri, më 3 gusht të vitit 2017, e drejtuar nga z. Valon Murati, me rastin e ndarjes së çmimit “Mërgimtari i Vitit” punimin e z. Ejupi, të titulluar: “FC. Kosova e Gjenevës, 20 vjet futboll dhe integrim” e ka shpallur si shkrimin më të mirë të vitit.
Arif Ejupi edhe pse në pension të moshës ka në dorëshkrim shumë tema mbi të kaluarën e lavdishme të figurave të shquara në Llap e më gjerë. /rajonipress/
Me te vertete ka harruar vetveten e familjen per ta shpernda te verteten mbi Kosovën ne Kombet e Bashkura ne Gjeneve ,ku edhe jeton.
Ne qershor te vitit 1998 ne nje demonstrate te madhe te organizuar ne Gjeneve edhe pse ishte kohe me shi qindra fotografi me pamje nga Masakra e Drenices ka shpernda me shokun e tij te ndjere Ejup Mehmeti.
Nuk ka shoqate e as aktivitet qofte ne Gjeneve apo Zvicer qe nuk ka ndihmuar me te gjitha energjite. Kurre nuk do te harrohet kontributi i tij si mesues i mesimit plotsues ne kantonin e Gjenevës. Meriton respekt e nderim miku im i ditëve te para ne mergim Arif Ejupi.
Respekt për veprimtarinë krijuese të z. Arif Ejupi!
Më vjen shumë mirë që lexova një biografi (ku përfshihet një pjesë e vogël e punës së madhe të tij…) edhe për mikun dhe kolegun e vjetër z. Arif Ejupi, i cili është një lloj enciklopedie në vete. Ne njihemi që nga jeta studentore, kur në vitet ‘87/88/89 po shpërthenin demonstratat e studentëve në Prishtinë, Arif Ejupi ishte aktiv, dhe bënte një punë të vështirë në zanatin e gazetarisë… Rrethanat politike nuk ishin të lehta…
Ne u rigjetëm përsëri në Përendim dhe kuptuam (përmes shkrimeve që publikonim në të përditshmet
që botoheshin edhe në mërgatë në vitet ’90-ta), se ndodhemi në të njëjtin vend, në Zvicër dhe filluam kontaktet, por edhe ndonjë bashkëpunim të rastit.
…Duke rikujtuar aktivitetet e paraluftës, gjatë luftës, por edhe të pasluftës nuk ka si të mos dominon pakënaqësia e punës e disa institucioneve shtetërore, pasi një pjesë e madhe e punës së disa intelektualëve, siç është rasti i Arif Ejupit mbetën totalisht nën hije.
Arif Ejupi ndonëse me vështirësi shëndetësore asnjëherë nuk është ndalur në artikulimin e prezantimit të vlerave tona edhe kombëtare edhe shtetërore kudo ku e ka kërkuar nevoja.
… Në kohën e luftës së Kosovës, më kujtohet, që në tryezën që organizuam në Kanton Uri, në funksion të senzibilizimit, (me ftesën edhe të Kryqit të Kuq të Zvicër-Altforf) i solli fotografitë e masakrave të Drenicës), e cila tryezë pati një jehonë të veçantë edhe në media vendëse. Kosova kishte nevojë për përkrahje, dhe Arif Ejupi ishte shumë aktiv sidomos në detyrën e tij që po bënte në kudër të KDLNJ, me seli në Gjenevë, të cilin e përfaqësonte Arifi.
Sa herë që takohemi edhe sot, ose edhe kur bisedojmë biseda të gjata, temat nuk na mbarojnë asnjëherë, pasi z. Arif Ejupi ka një dell të veçantë edhe krijues, por edhe të memorizimit të të dhënave, të letrave e dorshkrimeve, të rikujtimit të momenteve. Njëra nga shprehjet e shpeshta të tij është: «nëse nuk shkruajmë gjërat harrohen dhe nëse nuk kemi fakte shtetin nuk mund ta përfaqësojmë në mënyrë të denjë». Z. Arif të uroj fat dhe shumë suksese edhe në të ardhmen. Uroj që veprimtarët që kanë shumë dëshmi dhe publikime siç është rasti i Arif Ejupit që një jetë ja kushtuan shtetësisë, lirisë, dhe pavarësisë së atdheut nga okupatori, të gjenden mundësi të pranueshme për t’u grumbulluar në botime, si pjesë e kontributit në senzibilizimin e punës humanitare të aktiviteteve të shumta të mërgimtarëve tanë, të cilët edhe sot janë pjesë e zhvillimit ekonomik në atdhe.