Gani I. Mehmeti
- Vuçiq: “Sikur të mos përziheshin të huajt, ne do t’i zgjidhnim problemet në Ballkan”.
E, ore Vuçiq, kryekrimineli serb pas Millosheviqit. E dimë, se sikur të mos përziheshin të huajt ti do e “zgjidhje” problemin e Ballkanit. Ti do veproje sikur “Sulltani” i Çajupit: Nuk do doje të shihje në Ballkan njeri, përveç vetes. Edhe ata që do të mbeteshin, do të rronin me frikë!
Por, si vonë po kërkon të mos përzihen të huajt. A e di ti, se këta të huaj ju kanë bërë shtet? A e di se këta të huaj, ju kanë dhënë territoret shqiptare nëpër kohë e faza të ndryshme, nisur nga viti 1806 e këtej. Këta të huaj ju kanë mbështetur vazhdimisht deri para 25 vitesh, kur, përveç që treguat dhëmbët me gjithë armatimin e Jugosllavisë, iu kthyet popujve tjerë joserbë dhe deshët t’i ndiqni nga vendi i tyre, nisur nga Sllovenia e deri në Kosovë.
Po ata të huaj ishin që ju përkrahln edhe pas gjenocidit që bëtë mbi popullin shqiptar në vitet 1877/1878 dhe ua njohi si territore tuajat territoret shqiptare nga përtej Nishit e deri në kufirin me Kosovën. Dhe, po ata të huaj, pra Europa, ishin që copëtuan trojet shqiptare pas pushtimeve të tyre prej jush, dhe ua dhanë Kosovën e vende tjera më 1913 në Kongresin e Londrës, ku deshët të gllabëroni gjithë tokat shqiptare, kur u vendos për Shqipërinë londineze, siç e qujamë, nga e cila lanë jashtë saj mbi dy të tretat e tokave shqiptare, nën Greqi, Serbi, Mal të Zi dhe formimin artificial të Maqedonisë, por në dëm të shqiptarëve.
Vuçiq, këta të huaj e lanë Kosovën e trojet tjera shqiptare nën Jugosllavinë e Titos.
Dhe, deri atëherë, nuk kërkuat të largohen të huajt nga bisedimet, sepse ishin në favorin tuaj, prandaj iu duheshin dhe ishin të mirë.
Ndërkaq, sot që të huajt përpiqen të vendosin si është më drejtë, ti kërkon të largohen, të mos ndërhyjnë në bisedime dhe të bësh ashtu siç dëshiron, jo ashtu si është e drejta, të pushtosh e ripushtosh ende toka shqiptare e boshnjake dhe gjithsesi, të dalësh në Detin Adriatik përmes ndohmës së Rusisë.
Ne dimë, se nuk ka armik të drejtë, sepse, në momentin që të bëhet një armik i drejtë, ai nuk është më armik, nëse do të bëhej i drejtë.
Tani kanë kuptuar ata “të huajt” se kush jeni, kanë kuptuar qëllimet e juaja gjenocidale, siç u shpallët me rastin e Srebrenicës, dhe mendoni të vazhdoni tutje me gjenocid ndaj dy popujve në Ballkan – ndaj Shqiptarëve dhe ndaj Boshjnalëve.
E, ore Vuçiq. Vëja gishtin kokës dhe mendo: Kush është duke shkaktuar të gjitha luftërat në Ballkan? Këtë jeni duke e shkaktuar ju serbët, pse keni qëllime pushtuese të vendeve të tjera. Ju keni shkaktuar Luftën e Parë Botërore, ju jeni duke e shkaktuar tani edhe Luftën e Tretë Botërore. Dhe, nëse ndodh kjo, ju do jeni fajtorë. E, nëse do të jeni fajtorë, nuk do të mbeteni pa u ndëshkuar nga Europa dhe nga të tjerët më larg. Kur do të detyroheni të paguani dëmet e luftës, shkatërrimet e vendeve si agresor, tek atëherë do të mblidhni mend.
Prandaj: Kujdes, mos luani me zjarrin, se ata “të huaj” tani nuk janë si më parë, uroj se do të mendojnë e veprojnë drejtë!