ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nderon gazetarë, kameramanë e fotoreporterë që raportuan në rrethana okupimi, ndër të cilët veteranin e gazetarisë Behlul Jasharin

Shkrime relevante

Shpërndaj

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nderon gazetarë, kameramanë e fotoreporterë që raportuan në rrethana okupimi
-Mirënjohje gazetarit Behlul Jashari, tash nëntë vjet korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI/
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në faqen zyrtare ka shkruar: Në nder të shënimit të 25 vjetorit të çlirmit të Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, nderoi gazetarë, kameramanë e fotoreporterë vendorë e ndërkombëtarë, për kontributin e jashtëzakonshëm në gazetari, në rrethana okupimi, para dhe gjatë luftës në Kosovë 1998-99.
Fjalën hyrëse të ceremonisë e mbajti Kryetari i Bordit, Xhemajl Rexha, i cili u shpreh falënderues e mirënjohës për punën shembull që gazetarët, kameramanët e fotoreporterët e kanë dhënë në atë kohë.
“Ajo çfarë AGK-ja, dëshiron të tregojë me këtë event, është qe e cmojmë, e njohim punën e kontributin e secilit në periudhën më të vështirë të Kosovës. Të secilit, që ndoshta ka bërë punë nga më të voglat në redaksi e deri tek ato në terren, dhe me ballafaqimin me rrezikun e përhershëm. Ju jeni inspirim për gjenerata të tëra gazetarësh”, ka thënë Rexha.
Të pranishmëve iu drejtuan edhe gazetarja Afërdita Saraçini Kelemendi, moderatorja Besa Çeku Buçinca, Nuhi Bytyçi – gazetar i luftës , Sylejman Kllokoqi – kameraman i AP , Visar Kryeziu – fotoreporter i AP, Hazir Reka –fotograf i Reuters, si dhe Ron Haviv – fotografi i mirënjohur botëror i cili ka qenë dëshmitar i ngjarjeve historike që kanë definuar kohën në të cilën jetojmë, nga Kosova, Bosnja, Ukraina, etj.
Saraçini Kelmendi, tha se gazetarët në atë kohë kanë bartë me vete frikën për jetë e familje.
“Gazetaria më e bukur për mua është gazetaria e terrenit për shkak se aty takon njerëz, fate të cilat të japin përvoja jetësore, në këtë rrugëtim 45-vjeçar i kam hypur 44 shkallë të gazetarisë, gazetaria për mua nuk është vetëm profesion është edhe mënyrë e jetesës. Të gjithë gazetarët që kanë punuar para dhe gjatë luftës kemi bartur edhe frikën për jetën, familjen”, tha ajo.
Kameramani, Sylejman Kllokoqi, falënderoi kolegen Elida Ramadanin, me të cilën kanë ndarë shumë terrene, si dhe gazetarët botërorë që kanë raportuar nga Kosova.
“Iu dëshiroj gjeneratave sukses, por të iu them se ne e kemi pasur detyrë por një falënderim shkon për gazetarët qe kanë ardhur nga gjithë bota”, tha Kllokoqi.
Zëri ikonë i lajmeve, Besa Çeku Buçinca, tha se çmon lartë kontributin e kolegëve gjatë kohës së luftës.
“Të dashur kolegë, shumë pak janë të informuar për punën tonë dhe aq më pak e vlerësojnë atë ne kohët e vështira, detyra jonë ishte që të informonin, informimi që barte shumë rrezik, gazetarët kanë kaluar në rreziqe të shumta, megjithatë e vlerësoj shumë punën e gazetarëve në terren.”
Fotoreporteri amerikan, Haviv falënderoi AGK-në për ftesën e bërë për të folur në emër të gazetarëve, kameramanëve e fotoreporterëve ndërkombëtarë që kanë raportuar nga Kosova në atë kohë. Teksa, ndau me të pranishmit një takim menjëherë pas luftës me zv.presidentin Al Gore, kur kishin diskutuar për impaktin e punës së gazetarëve në Kosovë.
“Derisa i tregova për punën time që kisha bërë në Kosovë, ai më pyeti se përse ShBA-të, intervenuan më shpejtë në Kosovë, sesa në Bosnjë e Hercegovinë. Është për shkak të gazetarisë që prodhohej nga Kosova, sepse ata, ai(Al Gore), Tony Blair, Bill Clinton, ishin të turpëruar të shihin të njëjtat fotografi si në Bosnjë, duke lexuar të njëjtat histori…, dhe intervenimi në Kosovë, është një nga të paktat storie, të paktën në mendjen time, që gazetaria luan një rol të rëndësishëm, e direkt në atë se se çka ka ndodhur këtu.”, tha ai.
Në këtë ceremoni, me mirënjohje u nderuan mbi 400 gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, si dhe ata ndërkombëtarë që kanë raportuar në atë kohë nga Kosova.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e vlerëson pjesëmarrjen e gjithsecilit në ceremoninë e sotme, dhe do ta plotësojë listën e atyre që do t’i ndajë mirënjohje në ditët në vijim.
*****
Gazetarit Behlul Jashari, tash nëntë vjet, nga12 Qershori 2015, korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI të Federatës Pan-Shqiptare të Ameikës VATRA i është dhënë Mirënjohja e Asociacioniit të Gazetarëve të Kosovës.
Gazeta DIELLI, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, në 13 Nëntor 2015 shkruante:
Gazetarit Behlul Jashari Çmimi Karriera
NOVEMBER 13, 2015 BY DGRECA
-Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i ndan Çmimet në një veprimtari në Prizren/
PRIZREN, 13 Nëntor 2015/-Korrespondenti në Kosovë aktualisht i Gazetës Dielli – korrespondenti i ATSH nga Kosova e themelues i bashkëpunimeve të para të medias Kosovë-Shqipëri prej gati çerek shekulli, Behlul Jashari, gazetar shumëvjeçar, redaktor e kryeredaktor i gazetës tradicionale kosovare Rilindja, është fitues i Çmimit Karriera të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Kryetari i Unionit, Aleksandër Çipa, duke prezantuar motivacionin për çmimin tha se, “Behlul Jashari është dëshmia e gjallë e qëndresës së gazetarit përballë shtypjes dhe terrorit okupues. Jo vetëm shembull i gazetarit korrekt në një kohë kur sundonte censura e shumëfishtë dhe sidomos ajo shtetërore.
Behlul Jashari është emri i gazetarit jetëgjatë në profesion që përjetoi e përballoi sakrifica të mëdha. Ai si rrallë kush mori në dorë gazetën ‘Bujku” kur pushteti serb mbylli të vetmin titull të përditshëm “Rilindjen”.
Behlul Jashari ishte kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditshme të rezistencës e pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi “Bujku” që nisi të dalë nga 18 janari 1991 dhe si korrespondent i parë nga Kosova i një mediumi të Shqipërisë nga 24 maji 1992.
Raportimet e tij janë pjesë e rëndësishme e historisë së raportimit gazetaresk për krejt hapësirën shqiptare”.
Gazetari Behlul Jashari, duke pranuar çmimin u shpreh se ndihet shumë i nderuar që merr çmimin më të lartë të gazetarisë shqiptare, duke theksuar se para një çerek shekulli nisi raportimet për median në Shqipëri nga Kosova në rrethana të jashtëzakonshme dhe pjesë e atyre raportimeve ishte edhe reportazhi për “kufirin ndërshqiptar si mur, si fundi i botës”.
“‘Udhëtimi për në Prizren’, ishte reportazhi që kam shkruar në fundvitin 1996, në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave. Personazhi, e nisura nga Arta, jugu i trojeve ku flitet shqip, në kërkimet e saj drejt ‘Mollës së Kuqe’, ku tregohet se dikur ishte kufiri verior, erdhi edhe në Prizren, qytetin e Lidhjes Shqiptare, ku ndodhte diç e ngjashme si sot”, vijoi ai në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të gazetarëve nga të gjitha trojet shqiptare.
Ai reportazh është botuar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, në 31 dhjetor 1996, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip.
“‘Udhëtimi për në Prizren…’ ishte përsëri titulli i shkrimit që bëra për ATSH para takimit të parë historik të qeverive të Shqipërisë e Kosovës mbajtur në 11 janar 2014 pikërisht këtu në Prizren”, vijoi Jashari.
“Edhe sot të gjithë së bashku jemi në udhëtim për në Prizren, dhe do jemi”, theksoi Behlul Jashi dhe duke e përmbyllur fjalën u shpreh: “Ishte një rrugë shumë e gjatë. Edhe shumë e vështirë, sa njëra këpucë më ra sot në Prizren”.
Fitues të Çmimit Karriera janë edhe gazetarët e njohur prej dekadash Zenun Çelaj nga Kosova dhe Besnik Dizdari nga Shqipëria.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë organizoi sot në Prizren veprimtari në kuadër të 10 vjetorit të tij, ku në një ceremoni ku ishin ish presidentët Alfred Moisiu e Fatmir Sejdiu, si dhe ministri i Financavi i Kosovës, Avdullah Hoti, u ndanë çmimet vjetore
Karriera, Gazetari i Vitit, Çmimi Special. U bë edhe ndarja e çmimeve vjetore ”Vangjush Gambeta” për gazetarinë ekonomike. Në kuadër të veprimtarisë, u bë edhe nenshkrim i memorandumit të bashkepunimit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë me Unionin e Gazetarëve të Preshevës.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu