Nga: Ervina Toptani, shkrimtare, Vjenë
___
Besoj shumë prej nesh e kanë lexuar novelën e mrekullueshme të Jack London “Dashuria për jetën”, se cilës i jam kthyer më shumë se njëherë qysh prej fëmijërisë sepse gjej në të një filozofi shumë të hollë e cila nuk na është ndarë ne shqiptarëve e aq më tepër ndodh të jetë reale në ditët që jetojmë sot.
Njeriu përballë ujkut, në mes akujve, të dy të uritur aq sa e ndjenin se vdekja ishte shumë pranë por vetëm njëri prej tyre mund të mbijetonte, ai që do të ishte më i fortë. Përleshen të dy dhe njeriu i kulturuar, i edukuar, lindur mes qytetërimit mondan kuptoi se vetëm rikthimi tek rrënjët barbare do ta bënte të mundur të fitonte këtë betejë dhe në sytë e tij ndizet drita për jetën. I ngul dhëmbët në fyt ujkut dhe pi gjakun e tij për të mbijetuar nga uria e të ftohtët.
Sigurisht, kjo ishte mundësia e vetme që njeriu mes akullit kishte, njëri prej të dyve duhet të vdiste dhe kjo ishte e pashmangshme.
E kam gjetur vetëm në dhjetra raste në pozitën e personazhit të Jack Londonit në novelë, por unë në jetën e përditshme si shumë të tjerë, jam munduar fort të ruaj formatin njerëzor e të mos ndeshem me hienat që rëndom i gjen kudo në vendin tonë. Dhe në fakt, nuk kam qenë asnjëherë njësoj me personazhin e Jack Londonit në novelë sepse nëse ai kishte përballë një armik të denjë që e bëri atë të luftojë fort e të japë nga vetja më të mirën për ta mundur, unë nuk kam pasur ndonjëherë armiq të denjë si ujkun, përkundrazi, armiqtë kanë qenë gjithnjë hienat kërrmangrënësë.
Në çdo moment të lind nevoja në Shqipëri që të bëhesh “barbar”, që të sfidosh ligjet dhe edukatën, mënyrat e bukura njerëzore e delikatesën. Sepse nëse je i butë, i sjellshëm, reflekton kulturën me të cilën je rritur e ke investuar shumë që atë ta kesh pjesë të pandarë tëndën në punë e në jetë, në Shqipëri je i marrë fund. Si në rastin e një mikut tim, profesor Petrikës, një muzikant i shkëlqyer, me një kulturë të jashtëzakonshme i cili po të jetonte në Francë a Austri do të ishte ndër artistët më me shumë peshë e drejtues filarmonie besoj, por pati fatin e keq të jetojë në Shqipëri ku shumica e të njohurve përdorin për të shprehjen: “sa gjynah është i shkreti, sa i mirë e i urtë është, s`ka për të gjetur kurrë të drejtën që i takon me këtë natyrë që ka”.
Ky është një fenomen që ne e ndeshim shpesh në jetën e përditshme, kur duhet patjetër të bësh aleanca të çfarëdolloji me ujqërit për t`ia dalë në njëfarë mënyrë mbanë problemeve të shumta, për shkak të mungesës së institucioneve e funksionimit të tyre në zbatim të ligjit. Nuk mjafton kurrsesi të kesh të drejtë, as të zbatosh ligjin me përpikmëri si qytetar, as t`i drejtohesh gjykatës, as të përmbushësh të gjithë detyrimet siç t`i kërkojnë. Por nëse shkon i veshur me petkun e barbarit, i armatosur me armët e barbarit e me shpirtin e ujkut të egër atëherë ka shumë mundësi që të zgjidhësh çdo problem. Funksionon shpesh më tepër frika sesa korrupsioni sepse frika nuk mbaron kurrë ndërsa paratë dhe mbarojnë një ditë.
Çfarë reflektimi sjell nevoja e të qenit “barbar” në shoqërinë tonë të sotme? I vetmi i mundshëm është të shtojmë rradhët e tyre meqë janë të suksesshëm, të shndërrohemi në barbarë për të përfituar të drejtën që na takon, t`i tregojmë gjyqtarëve, eprorëve në zyrat e shtetit se nuk është e lehtë të shkelësh të drejtën e tjetrit e të të mos hyj gjemb në këmbë, t`i tregosh fëmijëve se na edukuan gabim duke qenë të sjellshëm e të ndershëm, e se njeriu duhet të kthehet tek rrënjët e barbarit për t`ia dalë, pas 2500 vjetësh qytetërim, pas shembujsh të jashtëzakonshëm njërëzish të mëdhenj të filozofisë, politikës, artit, kulturës, ushtrisë, mjeksisë e gjithçkaje tjetër që vetë njeriu ka mundur të ndërtojë përgjatë rrugëtimit të tij në planetin ku Zoti e solli të jetojë.
Eshtë një lloj filozofie që nëse do të donim ta shpjegonim do të merrte formën e një libri por në fakt është njëkohësisht kaq e thjeshtë sa mund ta përmbledhësh me dy fjalë. Përballë Njeriut qëndrojnë hienat kërrmangrënëse të cilave edhe në rastin që mund t`i mundësh e të mbijetosh, njeriu nuk ua pi dot gjakun si në rastin e ujkut të Jack Londonit që të mund të hapë sytë e të kapet fort pas fijes së jetës, përkundrazi. Gjaku i prishur i hienës të vret në moment edhe nëse ti je fitues, ndaj në këtë rast shoqëria del e humbur gjithsesi sepse kemi vënë shenjën e barazimit ndërmjet barbarëve që jemi munduar të shndërrohemi e hienave kërrmangrënëse që kërkojnë të na shqyejnë.
Ne sot nuk kemi kohë të ndalemi e të shohim se në çfarë përbindëshi e kemi kthyer shoqërinë tonë e se ne vetë jemi: o delet që janë vakte për hienat o përbindësha më të egër se vetë ato. Ne nuk kemi kohë të ndalemi e të shihemi në pasqyrë për të kuptuar se ku e kemi degraduar shoqërinë tonë me veprimet a mosveprimet tona, ne jemi shumë të zënë duke luftuar me hienat e duke veshur cdo ditë nga pak petkun e “barbarit” që mund të na bëjë fitues! Në fakt kemi humbur të gjithë!