ARKIVI:
20 Shtator 2024

Kosovës para 34 viteve, me 5 korrik 1990, iu suprimuan institucionet në okupim nga Serbia

Shkrime relevante

Aroma e fjalëve, Aromë lirie & poezi nga Lulzim Osmanaj

Lulzim Osmanaj AROMA E FJALËVE ___ AROMË LIRIE ___ Asnjëherë s'u përkule edhe kur të fyen, asnjëherë...

Shkencëtari thotë se vetëdija njerëzore vjen nga një dimension tjetër

Perktheu: Prof. Dr. Pirro Prifti, Tiranë (Scientist says human consciousness comes from...

Për me e kuptu më mirë se përse është formuar Lëvizja e Deçanit, duhet parë problematikën e islamit politik si tërësi

Afrim Musliu, Suedi ___ Në çdo krijim të një organizate të re, lëvizjeje...

Engjëll Gjugja, katoliku që i drejton “kritikë Levizjes Anti-Islame dhe krejt atyne që qëndrojnë pas!”

Engjell Gjugja Më 16 shtator 2024  Letër kritikë nga nji katolik drejtue Levizjes Anti-Islame...

Shpërndaj

Viti 1990-Forcat serbe rreth Pallatit Rilindja në Prishtinë – Foto Ilaz Bylykbashi

Nnga Behlul Jashari, Prishtinë

  • -Kosova kundërshtoi fuqishëm suprimimin e institucioneve të saj nga Serbia okupatore në ditën e 5 Korrikut 1990 dhe nuk u ndal kurrë në rrugën drejt lirisë e pavarësisë. Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja fuqishëm kundër Serbisë dhe okupimit klasik, nuk u ndal edhe kur u ndalua…/

PRISHTINË, 5 Korrik 2024/  Para 34 viteve, në ditën e 5 Korrikut 1990, Serbia okupatore suprimoi institucionet e Kosovës. Serbia bëri okupim klasik,  ishte reagimi dhe kundërshtimi i fuqishëm i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut 1990. Atëherë, masat e dhunëshme të Serbisë e goditën edhe gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë Rilindja dhe Radio Televizionin e Prishtinës.

Masat e dhunëshme të Serbisë pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Kosova kundërshtoi fuqishëm suprimimin e institucioneve të saj dhe nuk u ndal kurrë në rrugën drejt lirisë e pavarësisë.

Forhåndsvisning av bilde

Viti 1990 – Rrethimi i Pallatit Rilindja Foto Ilaz Bylykbashi

Delegatët e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të 2 Korrikut u mblodhën përsëri në 7 Shtator  1990 për të miratuar Kushtetutën e Republikës së shpallur të Kosovës, këtë herë në qytetin e Kaçanikut, e pastaj për t’iu shmangur ndërprerjes së punës me arrestimin e tyre dolën në ekzil, prej nga shpallën  Referendumin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur që u mbajt nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

Vendimin për mbajtjen e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur e mori Kuvendi Kosovar në ekzil, në marrëveshje me subjektet politike në Kosovë, në mbledhjen e 22 Shtatorit 1991, mbajtur në Slloveni.

Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e  2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i fundshtatorit 1991 u pasuan edhe me zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, në të cilat President i parë dhe historik i Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

Në Kosovë u bë edhe luftë. Dhe, për paqen e lirinë e Kosovës ndërhyri edhe foroca ushtarake më e madhe  planetare – NATO prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në pranverën e vitit 1999.

DRITARE NE HISTORI-foto- Behlul Jashari-Faqe arkivi te gazetes tradicionale te Kosoves Rilindja-30 tetor 2017-pamje 1

Kosovës para 25 viteve nisi t’i ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 Qershorin historik 1999, kur tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët Apaçë nisën të hynin në Kosovë, kalonin kufirin nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit. Forcat e NATO-s në Kosovë hynë edhe nga Shqipëria…

Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, mbi 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër një milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Në Kosovën e lirë ndodhi kthimi i madh i shqiptarëve të dëbuar dhe rindërtimi i shtëpive të tyre të shembura e të djegura…

Behlul-Jashari-telexi i raportimeve nga 24 maji 1992 – Grevë e Urisë 1993

E më pak se nëntë vjet pas përfundimit të luftës ndodhi edhe 17 Shkurti historik 2008 i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme, në 5 Korrik 1990,  kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë gazetar a punëtor tjetër i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i Rilindjes në atë kohë ishte Nazmi Misini.

Pas pak më shumë se një muaji, në 7 Gusht 1990 gazeta Rilindja u ndalua natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që e kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura e edhe me helikopterë i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën. E edhe pas ndalimit të Rilindjes gazetërët e punëtorët tjerë të saj  nuk u ndalën, vijuan shkrimet të organizuar nëpër revista, e nga 18 Janari 1991 nxorën gazetën e përditshme të rezistencës e të lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.

Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të vitit 1999 – derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të  gazetës Rilindja nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre,  dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli nga  22 Shkurti derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova. Kryeredaktor i gazetës Rilindja që dilte në Prishtinë në kohë lufte në Kosovë ishte Binak Kelmendi, e para tij kryeredaktorë të gazetës “Bujku”, pas të parit – meje, ishin edhe Xhemajl Rexhepi, Ruzhdi Demiri, Hydajet Hyseni e Avni Spahiu.

Ekipi Rilindjes, ku ishim bashkë me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup, të cilën e solli prej atje korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani.

Në Kosovën e lirë, gazeta Rilindja u rikthye në Prishtinë dhe vazhdoi të dalë përditë, kryeredaktor fillimisht ishte Berat Luzha, pastaj Ramush Tahiri dhe i fundit isha unë nga fillimi i vitit 2002 kur në 21 Shkurt UNMIK e mbylli me dëbim nga Pallati i Rilindjes dhe në vijim i afër 40 botimeve të jashtëzakonshme-protestuese të kohapaskohëshme deri në numrin e fundit të shtypur – 30 Dhjetor 2008 dhe ridaljes simbolike pas 10 vjetësh botim digjital në 31 Dhjetor 2018.

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para më shumë se 78 viteve, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

Rilindja – pllakati- 60 vjetori – foto-Behlul Jashari

Edhe pse pati dëbime e mbyllje të dhunëshme, gazeta tradicionale e historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu