Nga: Gani Qarri
___
Pas përfundimit të luftës në qershor të vitit 1999,siç dihet në Kosovë u instalua misioni i OKB-së, atëbotë i njohur me emrin UNMIK, i cili në vend se të mbronte lirinë e fituar me aq shumë gjak e mundi, të banorëve të shumëvuajtur shqiptar, pas çlirimit të Kosovë nga Serbia, UNMIK-u jetësoi krijimin e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, duke ngulfatur edhe atë pak ekonomi të ngelur nga gjenocidi e vrasjet masive dhe shkatërrimet që i shkaktoi Serbia okupatore, edhe ekonomisë private dhe shtetërore të shqiptarëve në Kosovë.
Nga UNMIK-u, ishte ngulfatur jo vetëm ekonomia, por edhe jeta e njerëzve dhe statusi i Kosovës, ndaj njëzet vite më parë, më 17 mars të vitit 2004, mjaftoi një shkëndijë e vetme, që të shpërthente revolta mbarëpopullore kundër UNMIK-ut, e cila u përhapë me shpejtësi marramendëse në mbarë vendin dhe eskaloi në dhunë të hapur dhe protestat të përgjakshme, me shumë të vrarë e të plagosur në gjithë Kosovën, të cilat në analet e historisë më të re, u shënuan dhe kujtohen si “Trazirat e marsit”!
Trazira që nuk ishin më vetëm revoltë dhe protestë e thjeshtë, por gjendje e cila në kuptimin e plotë të fjalës, u shndërrua në luftë “Për të qenë, apo mos qenë”, ku u vranë mese 20 civil, 12 prej tyre shqiptar dhe u plagosën rëndë e lehtë edhe 900 të tjerë, po ashtu shumica dërmuese shqiptarë, ndërsa mbi 14 mijë shqiptarë, të pambrojtur, nën përndjekjen mizore të kriminelët serb, para syve të UNMIK-ut, u dëbuan me dhunë nga veriu i Kosovës dhe sot e atëherë, nuk kanë guxuar më kurrë të kthehen, në shtëpitë dhe trojet e tyre, në veri të Kosovës, për çka megjithëse kanë kaluar mbi dy dekada, ambasadorët e QUINT-it dhe Bashkësia ndërkombëtare, nuk kanë ndërmarrë asgjë dhe tash e mbi 20 vite, vetëm heshtin!
Por aj që sot shqetson shqiptarët, është fakti se politika famëkeqe e UNMIK-ut, e atyre viteve, fatkeqësisht është rikthyer e tëra, përsëri në Kosovë, të cilën tani po e zbatojnë me besnikëri ambasadorët e QUINT-it, ata që jo vetëm duan ti ruajnë me çdo çmim strukturat e kundërligjshme paralele të Serbisë, por edhe mbi 25 vite pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, po pengojnë me forcë, çdo hap ligjor e kushtetues, të institucioneve shtetërore për rivendosjen e rendit e të ligjit dhe shtrirjen e sovranitetit të plotë të Republikës së Kosovës, në çdo cep të territorit të saj, veçmas në veri.
Politik vërtet e frikshme e cila doli edhe kundër vendosjes së kryetarëve legjitim të komunave veriore, të zgjedhur në mënyrë demokratike, në zyrat e objekteve komunale në veri të Kosovës, kundërshtoi pa asnjë argument, reciprocitetin për targa me Serbinë, kundërshtoi ndalimin e mallrave serbe, ku kamuflohej edhe armatimi që futej ilegalisht nga Serbia, për grupet terroriste serbe në Kosovë, por nuk dënoj kidnapimin e policëve tanë nga Serbia, brenda territorit të vendit tonë, siç nuk ka dënuar akoma Serbinë, as pas agresionit terrorist në Banjë të Zveçanit!
Gardë retrograde që kundërshtoi edhe zëvendësimin e tabelave ilegale serbe, me ato legjitime të Republikës së Kosovës,përkundër marrëveshjes së arritur para shumë vitesh, kundërshtoi ndalimin e referendumeve dhe zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, kundërshton mbylljen e zyrave ilegale të strukturave paralele serbe, kundërshtoi vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, për ndalimin e futjes me thasë të dinarëve serb në Kosovë, përmes të cilëve financoheshin edhe grupet kriminale dhe organizatat terroriste serbe si të ashtuquajturat “mbrojtja civile” dhe “brigada e veriut” të cilat dirigjoheshin nga kryeterrosisti Millan Radojçiq, kundër të cilit as pas agresionin terrorist në Banjë të Zveçanit, edhe gati pas një viti të kaluar, nuk ka asnjë aktakuzë!
Politikë që pa fije turpi, mashtroi botërisht Kosovën, se kinse-kishte vetëm një kusht, si ai i jetësimit të vendimit politik të Millosheviqit, për kalimin e 40 hektarëve tokë të Kosovës, Manastirit të Deçanit, për të mos lejuar pastaj vendosjen në asamble të kërkesës së Kosovës, për anëtarësim në KiE, me kushtin e ri shtesë, tani duke nxjerr nga marrëveshja bazë, e vitit 2023 në Bruksel, formimin e “zajednicës” kundërkushtetuese një etnike serbe, në kohën kur muaj më parë Serbia kishte deklaruar publikisht me letër të hapur zyrtare të ish kryeministres Bërnabiq, drejtuar BE-së, se Serbia nuk e pranon, po atë marrëveshje, nuk do ta njoh Kosovën de-fakto as de-jure dhe do ta kundërshtoj anëtarësimin e Kosovës, në organizatat ndërkombëtare.
Politikë e cila, në vend se ta sanksionoi Serbinë, për trazirat në veri, ku huliganët dhe kriminelët serb, lënduan mese 93 ushtar të KFOR-it, disa prej tyre deri në ato përmasa tragjike, sa ti amputonin edhe gjymtyrët e trupit, sanksioni Kosovën, masa absurde që edhe pse të vendosura njëanshëm dhe krejt padrejtësisht, ende mbeten në fuqi, përderisa Serbisë edhe pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit ku nga terroristët serb, u vra polici, tani hero i Kosovës Afrim Bunjaku, ende nuk i është shqiptuar asnjë vërejtje, se lëre më të sanksionohet apo ti vendosen masa sado minore dhe të lehta qofshin ato, ani pse Vuçiqi dhe ministrat e tij, vazhdojnë ta kërcënojnë Kosovën, në mënyrë të përditshme edhe me ndërhyrje ushtarake.
Ploitikë surrealiste, e cila e trimëruar edhe nga mbështetja herë e fshehtë e herë e hapur e partive të inkriminuara kolaboracioniste, përveçse kundërshton edhe mbylljen e postave të Serbisë në Kosovë, tanimë ka tejkaluar çdo normë dhe ka arritur kulmin e hipokrizisë, duke dalë publikisht edhe kundër lëvizjes së lirë të qytetarëve brenda territorit të Kosovës dhe kundërshtuar deri në instancat më të larta ndërkombëtare, edhe në shekullin XXI, hapjen e një ure, siç është Ura e Ibrit në Mitrovicë, 25 vite pas çlirimit të Kosovës nga Serbia okupatore, përderisa në Evropë, nuk ekzistojnë më as ndalesat kufitare ndërmjet shteteve dhe kufijtë shtetëror kanë status vetëm formal gjeografik!
Akt ky, me të cilin, vërtetë, e ka ngulfatur të drejtën e Kosovës, për rend e ligj dhe kushtetutshmëri deri në ato përmasa, sa që, nuk duhet të habitemi, nëse një ditë ky popull i shumëvuajtur, njëjtë si më 2004,kur u ngrit kundër UNMIK-ut, të shpërthejë me një revoltë mbarë popullore dhe në mënyrë edhe më të fuqishme e tërësisht eksplozive edhe kundër partive kolaboracioniste opozitare dhe sundimit arbitrar të Kosovës, nga ambasadorët e QUINT-it!
Ambasador diktator, të cilët edhe më keq se sa UNMIK-u atëherë, kur Kosova ende nuk kishte status të përcaktuar politik, tani kur kanë kaluar mbi 14 vite nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila si instanca më e lartë juridike e OKB-së, përjetësisht dhe në mënyrë të pakthyeshme, ka vulosur pavarësinë e shtetit të Kosovës, këta vazhdojnë ta trajtojnë Kosovën si koloni, hipokrizi që shqiptarët nuk do të mund ta durojnë më dhe duhet të ngritën të gjithë kundër këtij trajtimi kaq të ulët dhe fund e krye të padrejtë e nënçmues të atdheut të tyre nga ambasadorët qofshin ata edhe të QUINT-it, të cilëve shihet se duhet bërë të qartë, se ata gëzojnë statusin e përfaqësuesit të shteteve mike në vendin tonë dhe jo atë të guvernatorëve të Kosovës!
Zot të këtij vendi dhe kësaj toke, jemi ne, banorët autokton dhe kundër vullnetit tonë, nuk mund të vendosë askush tjetër!