(E plotësuar, ora 16:18) Takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me shefin e CIA-s William Burns ka përfunduar. Në takim ka qenë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Shefi i CIA-s në Presidencën e Kosovës:

Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, është parë duke hyrë sot në ndërtesën e Presidencës së Kosovës.

Vizita e tij në Kosovë erdhi pas shefi i inteligjencës amerikane vizitoi edhe shtetet e tjera të rajonit.

___

Bejtush Gashi: Vizita e Burnsit dëshmi për rëndësinë strategjike që kanë për SHBA-në Kosova dhe rajoni

Vizita e shefit të CIA-s, William Burns, tregon për rëndësinë strategjike që kanë Kosova dhe rajoni për SHBA-në, veçanërisht në kontekstin e sigurisë, kanë vlerësuar njohës të sigurisë. E, në funksion të stabilitetit rajonal, KFOR-i ka shtruar patrullimet në kufi me Serbinë.

Njohës të sigurisë kanë listuar çështjet, për të cilat besohet se drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), William Burns, e ka realizuar vizitën e paparalajmëruar në Prishtinë, një ditë pasi ai qëndroi në Sarajevë dhe Beograd.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, thotë se vizita tregon edhe për rëndësinë strategjike që ka rajoni për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në kontekstin e sigurisë.

“Kosova si një shtet i ri me një pozitë gjeopolitike të ndjeshme është një partner kyç i SHBA-së. Së dyti, kjo vizitë mund të interpretohet si mesazh i qartë për të gjitha palët e përfshira në dialog duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës”, ka thënë ai.

Një ditë para se Burns ta vizitojë Prishtinën, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se shteti që përfaqëson është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Ai dhe diplomatë të tjerë kanë kërkuar nga Qeveria t’i shmangë veprimet e njëanshme sa i përket hapjes së Urës në Mitrovicë.

Ish-ministri Gashi beson se çështja e Urës është diskutuar në takimin që shefi i CIA-s pati me presidenten Vjosa Osmani.

“Në këtë drejtim kjo ka qenë një ndër temat që mund të jetë trajtuar për faktin se qeveria e Kosovës ka marrë një vendim i cili domosdoshmërisht kërkon koordinim me misionin e NATO-së në Kosovë. Kjo për faktin se vendosja e misionit të NATO-së në pikat ku ata vlerësojnë, nuk është varur nga Kosova. Ata kanë vlerësuar për vendosjen e tyre në funksion të kryerjes së misionit dhe përgjegjësisë mbi mandatin që u jep rezoluta 1244”, ka shtuar ai.

Paralajmërimet e Qeverisë për hapjen e Urës mbi lumin Ibër, këtë javë sollën në Kosovë edhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge. Në takimet e zhvilluara me presidenten Osmani dhe më pas me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, zyrtari i lartë i NATO-s foli për domosdoshmërinë e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon. Për Urën tha se duhet të diskutohet në kuadër të dialogut në Bruksel.

E KFOR-i, veç prezencës së shtuar në veriun e populluar kryesisht me serbë, në ditët e fundit ka ndërmarrë aktivitete edhe në pjesë të tjera.

Pjesëtarë të KFOR-it kanë kryer patrullime përgjatë vijës kufitare në Prishtinë dhe Istog, në funksion të konsolidimit të stabilitetit rajonal.

Lidhur me zhvillimet rreth Urës, në KFOR kanë thënë më herët se nuk do të hezitojnë të veprojnë në përgjigje të çfarëdo zhvillimi të sigurisë në veri.