ARKIVI:
28 Nëntor 2024

Synimet fashiste të Kremlinit ndaj Ukrainës

Shkrime relevante

Në Kishën “Shën Abrahami” të Llapushnikut, Sot iu rikthyen krishterizmit familjarë, shumë individë dhe familje shqiptare

Në Kishën "Shën Abrahami" të Llapushnikut, Festa e Flamurit Kombëtar Shqiptar,...

Lufta në Ukrainë dhe pasojat për pozitën ndërkombëtare të Kosovës

Nga: Luan Dibrani Lufta në Ukrainë, që ka filluar në shkurt të...

Pyetje për Andrija Mandiqin, Kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi

Gani I. Memeti Pas kërkesës së kryetarit të kuvendit të malit të...

Kryeministri Albin Kurti shtroi drekë për ambasadorin Hovenier dhe stafin e tij në shënim të Ditës së Falënderimeve të SHBA

Prishtinë, 27 nëntor 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti shtroi...

Nëse do ta njohësh karakterin e Shqiptarit, jepi pushtet për ta pa se mund të bashkohet edhe me armikun …!

Afrim Caka, Gjakovë A DËSHIRONI TA NJOHËSH KARAKTERIN E SHQIPTARIT, JEPI PUSHTET Ndonëse...

Shpërndaj

Eshref Ymeri

(Dy kryeshovinistët rusë – Putini dhe Medvedjevi – kërkojnë ta zhdukin fare nga harta Ukrainën, si shtet i pavarur dhe sovran).

Sulmi i Rusisë fashiste kundër Ukrainës nuk ishte absolutisht një tekë e rastit e klikës kriminale ruse, me në krye Putinin. Ai sulm ka parahistorinë e vet, me një shtrirje kohore prej gati 20 vjetësh. Në vitin 2005, Putini i qe drejtuar parlamenti rus me një mesazh të posaçëm, në të cilin shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik e pati karakterizuar si “katastrofën” më të madhe gjeopolitike të shekullit të kaluar. Rolin e “vajtores” për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, Putini, në vitet në vijim, vazhdoi ta luajë jo vetëm para publikut rus, por edhe para opinionit ndërkombëtar. Keqardhjen e tij të thellë për atë “katastrofë”, Putini ia pati shprehur në një intervistë edhe kinoregjisorit, skenaristit dhe producentit të njohur amerikan, Oliver Stoun (Oliver Stone 1946).

       Shtatë muaj para sulmit të 24 shkurtit 2022, Putini pati shkruar një artikull të gjatë, me titull “Për unitetin historik të rusëve dhe të ukrainasve”, në botuar në sajtin e Kremlinit dhe në faqen e internetit “tass” të datës 12 korrik 2021. Artikulli fillon me paragrafin në vijim:

“Para pak kohësh, gjatë emisionit “Linja direkt”, kur po i përgjigjesha pyetjes për marrëdhëniet ruso-ukrainase, theksova se rusët dhe ukrainasit janë një popull, janë një e tërë. Këto fjalë nuk janë detyrim ndaj ndonjë konjukture të caktuar ose ndaj rrethanave të tanishme politike. Këtë e kam thënë jo një herë, kjo është bindja ime”.

Dhe në vazhdim, Putini, duke iu përmbajtur praktikës së vet të njohur të mashtrimeve politike, futet thellë në historinë mesjetare, për të “vërtetuar” se rusët dhe ukrainasit qenkan “një popull”.

Në kundërshtim me mashtrimet e Putinit, ja çfarë ka deklaruar një analist ukrainas:

Marrëdhëniet e tendosura mes ukrainasve dhe rusëve kanë qenë të përhershme. Ato nuk janë krijuar sot, ato shkojnë larg, e kanë zanafillën që nga kohët e Rusës Kieviane (me toponimin Rusa nënkuptohet emërtimi historik i tokave të sllavëve lindorë dhe të shtetit që qe krijuar atje në shekujt e mesjetës E.Y.), kur princët rusë që gjoja i përkisnin së njëjtës etni, thereshin me njëri-tjetrin që si e si të hidhnin në dorë fronin e Kievit. Megjithatë, nuk kemi ndër mend të futemi thellë në histori. Do ta fillojmë nga viti 1618, kur hetmani  (komandant i trupave kozake, – E.Y.) ynë lavdimadh Sahajdaçni (1582-1622), së bashku me zaporozhasit e vet të lavdishëm, i kalli datën Rusisë dhe për pak sa nuk pushtoi Moskën. Unë mendoj se pikërisht që asokohe rusët i kanë marr zët ukrainasit. Dhe kjo është e kuptueshme: moskovitët asokohe i mbushën pantallonat. Mandej pasoi beteja në afërsi të Konotopit (qytet i krahinës Sumskaja në verilindje të Ukrainës – E.Y.), kur një tjetër hetman i shquar, Vigovski (1608-1659) u dha dërrmën trupave cariste. Kanë pas qarkulluar llafe asokohe se cari rus kaq keq i paskej mbushur pantallonat, saqë ia kishte mbathur nga Moska, nga frika se mos kozakët do të shkonin për të hedhur në dorë shpirtin e tij mëkatar. Paskëtaj kanë qenë jo të pakta betejat e ukrainasve në aleancë herë me polakët, herë me turqit, herë me suedezët, herë me gjermanët kundër rusëve. Prandaj nuk pinë ujë hipokrizitë dhe rrëfenjat me përralla për “miqësinë shekullore mes popujve vëllezër”, sepse, në të vërtetë, nuk ka pas ekzistuar kurrfarë miqësie. Sepse ata, me të cilët ju gjoja keni pasur miqësi, nuk kanë qenë ukrainas dhe djalli e merr vesh se kush kanë qenë ata, sepse ukrainasit e vërtetë asnjëherë nuk hynin në marrëdhënie miqësore me ata që iu kanë bërë të liga. Po, po! Dhe nuk është nevoja të shtrembëroni turinjtë dhe t’i hapni sytë kokërdhok nga qielli. Ju menduakeni se treqind vjet bashkëjetesë në një shtet të vetëm kanë qenë periudhë idilike fund e krye, se, demek, ukrainasit dhe rusët kanë jetuar në paqe dhe në lumturi? Por ne, ukrainasit, nuk jemi të këtij mendimi. Ne e mbajmë mend shumë mirë sesi carët tuaj, bashkë me careshat tuaja, ndalonin përdorimin e gjuhës sonë, se si ata po e shfarosnin vetvetësinë (identitetin) tonë, duke mos lejuar përdorimin e emërtimit “Ukraina” (që do të thotë krahinë kufitare dhe që në fundin e shek XVIII rusët filluan ta quanin “Rusia e Vogël” – E.Y.) dhe “ukrainas”, duke i zëvendësuar ato me emërtimet idiote “Rusia e Vogël” dhe “rus i vogël”; se si sundimtarët tuaj i torturonin me armën e urisë stërgjyshërit tanë dhe i vrisnin për të vetmen arsye se ata donin të jetonin të lirë në shtetin e tyre të pavarur… Prandaj, në qoftë se dëshironi që ukrainasit të mos ju urrejnë më, në qoftë se keni qejf ta ktheni atë që nuk ka pas ekzistuar kurrë, ja se çfarë duhet të bëni: cari juaj i gjithë Rusisë, Vovoçka Putin, le të vijë në Kiev, të kalojë në Sheshin Meidan (ukrainasit e quajnë Maidan, fjalë kjo me prejardhje nga persishtja që emërton çdolloj mjedisi të hapur, parku apo sheshi në tërësi – E.Y.), të bjerë në gjunjë dhe, në emër të të gjithë popullit rus, t’i kërkojë ndjesë popullit ukrainas… Pastaj le të shporret nga toka jonë e shenjtë. Dhe, në ikje e sipër, le të ndalet në çdo qytet, në çdo fshat dhe të kërkojë ndjesë për të gjitha ato të liga që carët, perandorët dhe sekretarët e përgjithshëm kanë bërë në tokën e Ukrainës!” (Citohet sipas: Vadim Gontarenko. “Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët”. Faqja e internetit “UAINFO”. 22 shkurt 2014).

Kur mbarova së lexuari këtë analizë interesante, menjëherë më erdhi ndër mend një strofë mjaft kuptimplote nga një poezi e poetit të shquar kombëtar ukrainas, Taras Shevçenko (1814-1861), të cilin perandori Nikollai I (1796-1855), për përmbajtjen e poemës “Ëndrra”, e pati ndëshkuar rëndë, duke e degdisur në stepat e humbura të Kazakistanit dhe të Kirkizisë për kryerjen e shërbimit ushtarak:

Brune, bëni qejfin tuaj,

Por jo me moskalë*,

Se moskalët janë të huaj,

Kanë për t’ju tallë.

Pra, zanafilla e tërmeteve politike mes këtyre dy shteteve është shumë e hershme. Heroi kombëtar i popullit ukrainas, Bogdan Hmelnjicki (1595-1657), në Kuvendin e Perejasllavit, të mbledhur më 18 janar 1654, shpalli bashkimin me Rusinë, mbi bazën e të drejtave të barabarta në kuadrin e dy shteteve të përbashkëta. Por pas vdekjes së Hmelnjickit, shovinizmi rusomadh e zhduku dokumentin e firmosur prej tij që vërtetonte barazinë e plotë mes të dy shteteve, me qëllim që ta shndërronte Ukrainën në koloni të vetën. Ishte pikërisht pabesia e shovinizmit rusomadh ajo që e detyroi të birin e Bogdan Hmelnjickit, Juri Hmelnjickin (1641-1685), t’i shkëpuste lidhjet me Rusinë. Më vonë Ukraina përsëri ra nën zgjedhën e carizmit rus, zgjedhë kjo që vazhdoi deri në Revolucionin e Tetorit, por që u bë edhe më e egër nën sundimin e komunistëve sovjetikë.

Gati një vit pas sulmit të 24 shkurtit, Putini i dha në Moskë një intervistë gazetarit të njohur amerikan Taker Karlson (Tucker Carlson – 1969), themelues i videoplatformës “Tucker Carlson Network”. Nuk dihet me saktësi nëse Karlsoni kishte qenë vetë i interesuar për t’ia marrë atë intervistë Putinit, apo Putini e pati ftuar paraprakisht për t’i dhënë një intervistë të tillë. Sidoqoftë, një gjë është e qartë: Karlsoni njihet si simpatizant i thekur i Donald Trampit dhe ky njihet mirë si simpatizant i Putinit.

Një gazetar dhe shkrimtar anglez shkruan:

“Në dhjetor (2015 – E.Y.), disa muaj para se Trampi të propozohej nga partia republikane si kandidat për president, Putini e pati quajtur “njeri të ndritur, të talentuar, pa as dyshimin më të vogël…”. Trampi, nga ana e vet, u shpreh për Putinin me simpati, duke e quajtur “udhëheqës të fortë”, me të cilin do të dëshironte të kishte marrëdhënie shumë të mira… Mjetet ruse të informimit masiv janë kryesisht në mbështetje të Trampit, i cili, në financimin e bizneseve të veta me pasuri të paluajtshme, tradicionalisht, vazhdon t’i var shpresat te paratë ruse” (Citohet sipas: Julian Borger. “Nuk ka dyshim që Putini përkrah Trampin”. Faqja e internetit e gazetës “The Guardian”. 26 korrik 2016).

Në intervistën që i dha gazetarit Karlson, të botuar në gazetën “Komsomolskaja pravda” më 08 shkurt 2023, Putini, për të justifikuar edhe para opinionit publik amerikan sulmin fashist kundë Ukrainës të një viti më parë, i parashtroi atij të njëjtat mashtrime, si edhe në artikullin e lartpërmendur të 12 korrikut 2021.

Mashtrimet e Putinit ishim me të vërtetë skanaloze. Mosreagimi i gazetarit ndaj atyre mashtrimeve, e nxori edhe shumë më tepër në pah mjerimin e tij, si një përfaqësues i një mjeti amerikan të informimit masiv pa formim intelektual. Në vend që të reagonte, duke i hedhur poshtë ato mashtrime, gazetari jo vetëm që pohonte me kokë për çdo gjë, por madje arriti deri aty, saqë i krehu bishtin Putinit me shprehjen “dijet tuaja janë enciklopedike”!!!

Kur Putini deklaroi se “rusët dhe ukrainasit janë një popull”, Karlsoni heshti si mumje, në vend që të reagonte me pyetjen:

“Nëse qenkan një popull, atëherë ata qenkan një etni dhe paskan një gjuhë të përbashkët, apo jo?”.

Një pyetje të tillë mund t’ia bënte Putinit për ta zënë “mat” vetëm një gazetar me përgatitje enciklopedike, por jo Karlsoni gjysmak nga formimi intelektual dhe profesional në raport me historinë e marrëdhënieve të Rusisë me Ukrainën. Sepse gjuha është treguesi dhe themeli i identitetit kombëtar. Si tepër e ndjeshme ndaj dukurive të sociumit (kolektiv, mori njerëzisht që karakterizohen nga përbashkësia e jetës shoqërore, ekonomike dhe kulturore), gjuha pasqyron veçoritë karakteristike për çdo nivel shoqëror dhe shërben si tregues i statusit social të individit. Si fenomen sociokulturor, gjuha paraqitet si faktor i identitetit kombëtar. Pozicioni gjeografik, nuncat politike dhe zhvillimi historik kanë bërë që, në kohën e tanishme, gjuha ruse të dallohet dukshëm nga gjuha ukrainase. Fjala vjen, shkronja “e” ndryshe shqiptohet në rusisht, ndryshe në ukrainisht. Tregues thelbësor i ndryshimeve gjuhësore është leksiku. Leksiku i ukrainishtes ka më shumë ngjashmëri me disa gjuhë europianolindore, sesa me rusishten. Kështu, vihen re 23 tipare të përbashkëta të ukrainishtes, të polonishtes dhe të sllovakishtes, kurse me rusishten vetëm 11 tipare. Dhe një gjë të tillë e vërteton leksiku më së miri. Rusishtja dallon thelbësisht nga ukrainishtja edhe për arsye se në këtë të fundit përdoret rasa thirrore. Për arsye të rregullit të kombinimit, sipas të cilit tinguj zanorë ose bashkëtingëllorë në ukrainisht nuk përdoren njëri pas tjetrit, kjo gjuhë konsiderohet më melodike se rusishtja. Sigurisht që dallimet mes rusishtes dhe ukrainishtes janë shumë më të mëdhaja. Kryesorja është që këto janë dy gjuhë të ndryshme, në të cilat janë ndjekur rrugë të ndryshme zhvillimi, çka do të thotë se janë gjuhë më vete, secila me veçoritë e saj. Prandaj deklarata e Putinit, sipas të cilit “rusët dhe ukrainasit janë një popull”, është një gënjeshtër me bisht, një mashtrin i kulluar, me të cilin ai ka për qëllim të justifikojë sulmin fashist të 24 shkurtit 2022, sulm ky që e kanë përkrahur dhe vazhdojnë ta përkrahin shumica dërrmuese e popullit rus dhe  kisha shoviniste ruse. Në mjetet e informimit masiv është dhënë informacioni në vijim:

“Sot, më 20 gusht 2024, në Ukrainë qe marrë një vendim historik. Parlamenti ndaloi me ligj veprimtarinë e kishës ruse në Ukrainë. Parlamenti aprovoi ligjin”. (Citohet sipas: “Kishën ruse e ndaluan në Ukrainë. Parlamenti aprovoi ligjin”. Faqja e internetit “my.novini”. 20 gusht 2024).

Ndërkohë, duhet theksuar se qëndrimi shovinist i Rusisë fashiste ndaj Ukrainës, nuk përmblidhet vetëm në pikëpamjet e kryekriminelit Putin. Ai qëndrim, dy vjet pas sulmit të 24 shkurtit 2022, zbulohet fare lakuriq në figurën e një tjetër kryekrimineli rus, siç është Dhimitër Medvedjevi. Putini dhe Medvedjevi kanë vite që njihen si “Loli dhe Coli” i Kremlinit, duke ndërruar disa herë me njëri-tjetrin postin e presidentit dhe të kryeministrit. Në këndvështrimin e Medvedjevit, Ukraina duhet të zhduket fare nga harta si shtet i pavarur dhe sovran.

Instituti i studimit të luftës (Institute for the Study of War – ISW) është një qendër analitike amerikane, të cilën, në vitin 2007, e ka themeluar Zonja Kimberli Kagan (Kimberly Kagan 1972), historiane ushtarake amerikane, presidente e institutit në fjalë. Ky institut kryen studime në fushën e mbrojtjes dhe të çëshjeve ndërkombëtare. Informacioni i këtij instituti hedh dritë mbi synimet e vërteta fashiste të Kremlinit ndaj Ukrainës:

“Paqja për Rusinë do të thotë fundi i Ukrainës, si shtet i pavarur dhe sovran në çfarëdolloj kufijsh: më 14 mars këtë e pohoi haptazi ish-presidenti i Federatës Ruse Dhimitër Medvedjevi, pasi parashtroi të ashtuqujturën “formulë ruse të paqes”, një formujlë kjo e egër dhe e paapelueshme. Për këtë bëhet fjalë në një parashikim të ri të Institutit të studimit të luftës.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dhimitër Medvedjevi, ka botuar një thirrje të hollësishme për shfarosjen e plotë të shtetit ukrainas dhe gëlltitjen e tij nga Federata Ruse, duke e quajtur këtë plan “formula e paqes ruse”. Analistet e ISW theksojnë se kërkesat e Medvedjevit nuk janë të reja, ato përfaqësojnë më shumë synimet e vërteta të Kremlinit ndaj Ukrainës, synime këto, të cilat nuk hapin shteg për bisedime me tjetër qëllim, përveç parashtrimit të kushteve konkrete për kapitullimin e plotë të Ukrainës. Që në fillim të “planit paqësor”, të shtruar prej tij, Medvedjevi e hedh poshtë sovranitetin e Ukrainës, duke e qujajtur atë “ish” vend dhe duke e vendosur në thonjëza toponimin “Ukrainë”. Më poshtë, Medvedjevi ka parashtruar shtatë pika të “formulës së paqes”, sipas tij, të cilën ai, në një mënyrë tallëse plot mllef, e ka quajtur “të qetë”, “realiste”, “humane” dhe “të butë”. Ja çfarë parashikohet konkretisht në ato shtatë pika:

  1. Pranimi nga ana e Ukrainës i disfatës ushtarake, kapitullimi i plotë dhe pa kushte i Ukrainës dhe “demilitarizimi” i plotë.
  2. Pranimi nga ana e krejt bashkësisë ndërkombëtare i “karakterit nazist” të Ukrainës, shoqëruar me “denazifikimin” e autoritetit ukrainas.
  3. Deklaratë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për zhveshjen e Ukrainës nga statusi i shtetit të saj sovran, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si edhe deklarata se çdo shteti-trashëgimtar të Ukrainës do t’i ndalohet të rreshtohet në çfarëdo aleancash ushtarake, pa pëlqimin e Rusisë.
  4. Dorëheqja e të gjitha organeve kushtetuese të pushtetit të Ukrainës dhe zhvillimi i menjëhershëm i zgjedhjeve parlamentare për një “parlament të përkohshëm”.
  5. Pagesa e reparacioneve Rusisë nga pala ukrainase.
  6. Pranimi zyrtarisht nga ana e “parlamenti të përkohshm” (që gjoja do të zgjidhet pas dorëheqjes së pushtetit të tanishëm të Ukrainës) i faktit që krejt territori i Ukrainës është pjesë e Rusisë dhe aprovimi i aktit të “ribashkimit të Ukrainës me Federatën Ruse” dhe përfshirjes së saj në të.
  7. Shpërndarja e këtij “parlamenti të përkohshëm” dhe njohja nga ana e Organizatësë së Kombeve të Bashkuara e “ribashkimit” të Ukrainës me Rusinë…” (Citohet sipas: “Kapitullimi i Ukrainës në shtatë pika. Që nga fillimi i sulmit, Medvedjevi i ka sqaruar shumë më qartë synimet e vërteta të Federatës Ruse në luftë: ç’do të thotë kjo?” Faqja e internetit “New Voice”. 15 mars 2024).

Ky qëndrim prej sllavi i popullit rus, të cilit s’i bëjnë kurrfarë përshtypjesh krimet barbare të ushtarëve të tij kundër popullsisë civile në Ukrainë, shkatërrimet me raketa të pallateve të banimit, të objekteve të artit dhe të kulturës dhe përgjithësisht të infrastrukturës në atë vend, më solli ndër mend një shprehje mjaft kuptimplote të arkitektit amerikan Frank Lloid Rait (Frank Lloyd Wright1867-1959), të vlerësuar si krijues të “arkitekturës organike”. Ajo shprehje i shkon mjaft për shtat natyrës së marrëdhënieve të kryekriminelit Putin me popullin e vet. Ai ka thënë:

“Madhështia e një despoti e ka burimin jo në vlerat e tij personale, por në poshtërimin e turmës që e rrethon”.

Dhe me të vërtetë, turmat e popullit rus janë aq të poshtëruara nga kryedespoti i Kremlinit, saqë të kujtojnë bujkrobërit e çifligarëve që përshkruan shkrimtari Nikollaj Gogoli (1809-1852) në romanin e famshëm “Frymë të vdekura”. Por, në të njëjtën kohë, ato turma janë kaq të indoktrinuara me frymën e shovinizmit rusomadh, saqë janë bërë mbështetje e fuqishme e klikës fashiste të Kremlinit për pushtime territoresh të huaja. Ky indoktrinim ka traditë të kahershme në Rusinë cariste dhe ka ardhur e është bërë shumë më tepër agresiv, sidomos gjatë sundimit të Pjetrit I (1672-1725), Ekaterinës II (1929-1796), Leninit (1870-1924), Stalinit (1878-1953) dhe Putinit (1952). Pikërisht pesha e rëndë e këtij indoktrinimi të fuqishëm shovinist, ka bërë që turmat ruse të ditëve tona të mos ndiejnë kurrfarë shqetësimi nga vrasja e më shumë se 600 mijë ushtarëve dhe oficerëve rusë në Ukrainë që prej sulmit fashist të 24 shkurtit të vitit 2022. Domosdo, ato turma të verbra ruse, mbartëse të psikologjisë prej sklavi brez pas brezi, e kanë më të shtrenjtë pushtimin e territoreve të huaja, sesa jetën e bijve të tyre. Ato turma prisnin me ngazëllim se ushtria fashiste ruse do të pritej me lule në rrugët e Kievit, ashtu si turmat pararendëse ishin të bindura se ushtria sovjetike, pas sulmit fashist kundër Finlandës më 30 nëntor 1939, do ta festonte fitoren nëpër rrugët e Helsinkit me rastin e ditëlindjes së Stalinit më 21 dhjetor. Po ashtu, turmat e verbëra të popullit rus prisnin se pas sulmit fashist që ushtria sovjetike ndërmori kundër Afganistanit më 24 dhjetor 1979, ajo do të pritej me lule nëpër rrugët e Kabulit. Por, për arsye të forcës mitike të atij popullit të vogël finlandez, ushtria fashiste sovjetike e pagoi atë sulm me 127 mijë ushtarë dhe oficerë të vrarë, të ngrirë në dëborë dhe të zhdukur pa lënë gjurmë, kurse sulmin  kundër Afganistanit e shleu me 30 mijë të vrarë dhe 60 mijë të sakatuar. Pra, luftërat agresive, Rusia fashiste i ka përfunduar me turp. Me siguri që edhe lufta agresive kundër Ukrainës ka për të përfunduar me turp për Rusinë. Më këtë luftë, klika fashiste e Kremlinit dhe shumica dërrmuese e populit shovinist rus, shpresonin se, duke pushtuar Ukrainën, të cilën ëndërrojnë ta zhdukin nga harta si shtet të pavarur dhe sovran, dhe duke e ribashkuar përfundimisht me Federatën Ruse, do të çliroheshin  një herë e mirë nga smira dhe xhelozia që i ka brejtur pa pushim ndaj Ukrainës pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Ajo smirë dhe xhelozi i ka bërë krerët e Kremlinit dhe pjesën më të madhe të popullit rus, të mos e pranojnë të vërtetën historike që Ukraina është djepi i kulturës sllavianolindore dhe Kievi kryeqendra e saj. Sepse Kievi është themeluar në vitin 482, kurse Moska – 665 vjet më vonë, në vitin 1147. Edhe Moskën e pati themeluar princi ukrainas Juri Dollgoruki (1090-1157).

Lexuesve të nderuar iu rekomandoj të ndjekin në youtub materialin me titull “Video allegedly shows captured Russian soldiers in Kursk”, në mënyrë që të shikojnë se në ç’derexhe janë katandisur  ushtarët e ushtrisë “së dytë në botë”!

Kaliforni, 22 gusht 2024

___

*moskal nofkë përbuzëse që u qe ngjitur rusëve shekuj më parë në Ukrainë dhe në Bjellorusi.

K O M E N T E

2 KOMENTE

  1. Zotni Eshref Ymeri, ky shkrim shume aktual kalon caqet e njohunive te shumices se lexuesve shqiptar te sotem.
    Un sugjeroj qe kete shkrim ta perketheni ne disa gjuhe europiane dhe te ia dergoni disa gazetave europiane.
    Pergezime dhe te fala.

  2. I nderuar Zoti Paul,
    Ju falënderoj nga zemra për fjalët tuaja aq dashamirëse dhe aq frymëzuese. Rekomandimi juaj ëshjtë fantastik, por përkthimi në disa gjuhë evropiane i shkrimit tim është i pamundur, se s’ka kush ta realizojë.
    Ju uroj shëndet dhe çdo të mirë pë familjn tuaj.
    Eshref Ymeri
    Kaliforni, 24 gusht 2024

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu