Shkruan: Nafi Çegrani
Libri i autorit Bajram Kabashit, alias Gjergj Kabashi, është libër me shumë vlera, libër shumë dimensional. Pasi lexova këtë libër me titull “Rilindja, përkushtim e trishtim” 1982-1999, ku autori përmbledh kujtime nga jeta dhe veprimtaria e tij si gazetar i ndjekur dhe i përndjekur nga rrjetet kriminale të shërbimeve sekrete antishqiptare të kohës, qofshin ata edhe si bashkëpunëtorë dhe informatorë nga rrethi i kolegëve të tij që i shërbenin UDB-së famkeqe, Bajram Kabashi u bëri ballë gjitha furtunave dhe rrëmeteve, u bëri sfidë duke ruajtur me dinjitet UNIN e tij si njeri, intelektual dhe shqiptar i denjë, duke sjellë për lexuesin një libër me vlerë për kulturën tonë letrare në formën e rrëfimeve që janë me plot nuanca jete dhe sakrificash dhe nuk ka dyshim se kushdo që e ka lexuar qoftë edhe një vepër të vetme nga Bajram Kabashi ose nga shkrimet e tij, e kupton se ka të bëjë me një njeri të ditur, me një dhunti të mrekullueshme në shkrimin e fjalës, thellësisht i angazhuar me problemet dhe zhvillimin e ecurisë së individit dhe shoqërisë shqiptare , veçmas në Kosovë, ose pikërisht në redaksinë e të përditshmes RILINDJA ku ai punoi vitet e rinisë së tij si gazetar.
Andaj edhe them se ky libër si edhe të tjerat të cilat i botoi kohët e fundit, janë të thuktë, të shkruara me një stil të mrekullueshëm dhe mbetet si një libër me vlerë shumëdimensionale për kulturën shqiptare.
Librin “Rilindja, përkushtim e trishtim” e kam lexuar me shumë dëshirë dhe kënaqësi. Kam ndjerë sikur Bajram Kabashi ende i ri, i buzëqeshur dhe krenar, si gazetar hulumtues, ishte aty pranë meje. Ai më fliste, unë e dëgjoja me vëmendje dhe herë-herë mbaja shënime për rrëfimet dhe udhëzimet prej një njeriu me vizion injtelektuali dhe patrioti, plot eksperienca jete kur ballin e tij ia kishin rrah stuhitë e kohës gjersa kishte punuar si gazetar në Rilindjen famëmadhe!
Dhe fusha e kërkimit këtu, është vetë shpirti i tij prej njeriu të devotshëm, i cili përmes rrëfimit të tij gëdhend dhe pasqyron sistemin e rrënuar shoqëror e politik të një epoke të Jugosllavisë komuniste, kur ia vepronte si një gazetar i kompletuar…
Por, përse ky libër dhe librat e tjerë si ai “ Me Hasan Mekulin” ose libri “Nacionalizmi” ku ngërthen bashkëbisedimin me ish diplomatin shqiptar në OKB Abdi Baletën, në përgjithësi janë të vlefshëm për lexuesin, e në veçanti për rininë e sotme shqiptare , sidomos në rrugën e zgjimit dhe ripërceptimit të rolit që duhet të ketë secili shqiptar në shoqërinë bashkëkohore me mendim të mirëfilltë për fatumin personal, të kombit dhe Atdheut .
Në tërësinë e librave dhe rrëfimeve të tij, janë mendime të përpjekura edhe në aspektin të edukojë rininë shqiptare dhe brezat që vijnë me një THIRRJE të shëndoshë, nëpërmjet së cilës të jetë i vetëdijshëm për vlerësimin e tij ndaj Kombit dhe Tokës që e lindi. Karakteristikë e shkrimeve të tij është përdorimi i shembujve logjikë dhe atyre personal nga jeta dhe eksperienca, nga përplasjet e ndryshme si gazetar, nga betejat që e përcollën në jetën e tij, nga orvatjet dhe sakrificat që bëri edhe në rrëfimet e tij për të mundësuar mbërritjen e idesë tek lexuesit.
Bajram Kabashi , si gazetar i gazetes “Rilindja” të Prishtinës që nga vitet e bujshme 1982 dhe më gjer në atë të vitit 1999,veproi duke ecur rrugës së drejtë, ashtu siç e kishte edukatën dhe kulturën e kombit që i takon, dhe mëpastaj , duke iu ikur furtunave dhe stuhive që i suleshin rrotull, u vendos dhe jeton në Norvegji.
Libri mjaft voluminoz me rrëfime nga jeta e tij ka disa kapituj dhe ka një strukturë të gërshetuar me stil e prirje, ka një parathënie dhe hyrjen.
Autori pohon se me gjithë qëndresën heroike të tij si gazetar shqiptar në ato vite kur frynin shumë rrëmete, kur ai përjetoi dhunë edhe nga disa kolegë të tij të cilët shërbenin si masha të ndryshkura për interese të SDB-s (UDB-së) në Kosovë, ka arritur ta dokumentojë me të dhëna të qëndrueshme të mbështetura në burime relevante të mendjes dhe memoareve të papublikuara deri më sot, duke sjellë një libër me shumë vlerë letrare , veçmas për kulturën shqiptare, për faktin se trajton një periudhë shumë të rëndësishme, por edhe shumë të rëndë për shqiptarët të atyre viteve të 1982 dhe më pas. Libri në fjalë, i cili për nga faqet është voluminoz, në fakt është tejet me vlerë sepse është real, i bazuar në fakte e argumente që autori i ka hulumtuar duke sjellë një studim serioz të bazuar në argumentin e jetës së përjetuar nga vetë autori i librit.
Bajram Kabashi, përveç si gazetar hulumtues dhe publicist, ka arritur të krijojë profilin e tij të dëshmuar edhe në aspektin letrar . Ai më mirë se kushdo tjetër i ka bërë një rrëfim të veçantë jetës dhe veprimtarisë që ka kaluar në vite, siç kam përmendur më lartë , duke u marrë viteve të fundit kryesisht rreth veprimatrisë së tij në Rilinjdje dhe gjetiu, ku si rezultat i kësaj pune përkushtuese autori ka profilizuar edhe më tej angazhimin e tij në fushën e publicistikës letrare. Të gjitha këto, janë bërë me seriozitetin e të mundshmes, i vetëdijshëm se asnjë vlerësim kritik nuk arrin për t’i shtjelluar të gjitha vlerat që i posedon ky libër kaq voluminoz si dhe veprat tjera të tij, ngërthejnë në esencën e përmbajtjes dhe qëllimit SOCIOLOGJINË AUTENTIKE TË RREFIMIT, prandaj edhe këto përpjekje, sado profesionale, duhet të kuptohen si vrojtime e këndvështrime personale apo rrëfime nga jeta e tij e përditshme gjatë viteve të bujshme në Kosovë, gjë e cila mbetet si një krijimtari jo vetëm në trojet ku flitet gjuha shqipe, por gjithandej në trojet tona dhe më gjërë. Vepra e Bajram Kabashit mbetet, padyshim edhe si një frymëzim që pasuron rrëfimin publicistik në përgjithësi.
Libri ka 519 faqe me mjaftë ilustrime dhe fotografi, dhe është botim i Shtëpisë Botuese “Lena Grafik”, në Prishtinë 2020.