Gani I. Mehmeti
BAJRAM MEHMET PAKASHTICA, AKTOR E FRIZER[1]
Si bir i një njeriu të shkolluar, largpamës e kombëtar, Bajrami nuk kishte pasur pengesa në realizimin e synimeve të tija. Kështu, ai arriti të jetë edhe aktor e edhe njëri ndër frizerët e parë në Prishtinë.
Si frizer ai po punonte për te fituar kafshatën e bukës, po për hobi ai kishte aktrimin dhe luajti një mori rolesh bashkë me aktoret dhe aktorët e njohur të kohës në Teatrin Popullor të Kosovës, që pas Luftës së Dytë Botërore, me Muharrem, Xhevat e Leze Qenën, me Melihate Ajetin e të tjerë aktorë të viteve të 50-ta të shekullit XX.
Bajram Pakashtica kishte lindur në vitin 1927 në Prishtinë dhe vdiq i ri, në moshën 48 vjeçare në Stamboll të Turqisë më 5.V.1975, ku kishte shkuar bashkë me të motrën, Behixhen në vitin 1961.
I shpërngulur në Turqi në vitin 1961 pa dëshirën e tijatë e hëngër malli dhe dashuria ndaj vendit të tij dhe vdiq në vitin 1975 në Stamboll me sy hapur për ta parë edhe një herë Kosovën dhe ata me të cilët kishte aktruar në Prishtinë.
Ne shfrytëzuam rastin dhe falënderojmë shumë bashkaktoren e kohës, kur ai kishte luajtur në Teatrin Popullor të Kosovës, aktoren e madhe, zonjën Leze Qena, e cila na priti aq mirë, me të dëgjuar edhe vetëm emrin e aktorit e shokut të saj shumë të afërt, Bajram Pakashtica, që me të dëgjuar emrin e tij, dukej sikur e shihte, sikur po rrinte me të në teatër e ndeja tjera shoqërore dhe ishte tejet e emocionuar.
Bajram Pakashtica në të tri fotografitë
- Kam pasur fatin që e kam njohur dhe që kam luajtur në TPK (Teatrin Popullor të Kosovës) me aktorin e talentuar, ndoshta më të talentuarin, Bajram Pakashticën. Më kujtohet fare mirë Bajrami. Më kujtohet roli i tij i shegërt Shabanit te « Kryet e Hudrës » të Kristë Berishës, ndërsa rolin e shegërt Lecit në të njëjtën dramë e luante Xhevat Qena, që të dy aktorë të mëdhenj. Në dramën « Halit Gazshi » pati luajtur rolin e një pijaneci (të dehuri) aq bukur sa nuk kishte si të interpretohej Rolet e të tillëve (pijanecëve) i luante aq mirë, sa s’bëhej ndryshe. Është ky viti 1954. Bajrami luajti edhe role të tjera dhe të gjitha i luante mirë, sa s’bëhej ndryshe. Bajramit i imponohet shkuarja e tij në Turqi. Shkaku kryesor është martesa e motrë së tij, këngëtares e mësueses Behixhe Pakashtica dhe përndjekja e shqiptarëve në kohën e Rankoviqit, i cili nuk ndjehej i sigurt. Me shkuarjen e tij në Turqi, mua më mbeti të luajë rolin e Shaban shegertit edhe pse isha femër. Bajrami ka qenë aktor i talentuar dhe shok shumë i mirë. Ka qenë i kajshëm në shoqëri. Ai shpejt e lehtë shoqërohej me të gjithë, ishte i çiltër dhe i padjallëzuar. Më ka ndihmuar me udhëzime përmes Xhevatit për provime pranuese pëer t’u pranuar në teatër. Mbasi dhashë provimin dhe u pranova në teatër, shkova në Prizren për të rregulluar disa dokumente, kur jam kthyer, më ka pritur bashkë me Xhevatin dhe që atëherë kemi qenë të pandarë, deri sa ka shkuar në Turqi.
Bajram Pakashtica me aktorin e njohur Xhevat Qena
Kam pasur rastin të takohem me të në Turqi. Ai vuante shumë për Prishtinën. Në pyetjen tonë, pse ai nuk vjen ndonjëherë në vizitë në Prishtinë, ai përgjigjet: Nuk muj me ardhë në Prishtinë e me ju pa juve në teatër tue luejt e unë të jem në sallë, sepse ashtu mund të vdes menjëherë ! Kemi qenë miq të shtëpisë. – shprehet Lezja me admirimin më të madh për Bajramin. Pa përtuazr fare, po për Bajramin, me gjithë dëshirë do të flasë sa më shumë e sa më gjatë, që na e dikton edhe këngën e shkruar, të kompozuar dhe të kënduar nga Muharrem Qena, kushtuar Bajramit dhe shumë Bajramave të tjerë që e kishin lënë vendin dhe ishin shpërngulur në Turqi atë kohë dhe vende të tjera:[2]
SHUMË KANGË NË BOTË JANË THANË
Shumë kangë në botë janë thanë
Shumë kangë për dashni janë
Po unë këtë e këndoj për një shok
Qi kam pasë, i cili tash asht larg
Shumë larg, në Anadolli !
Me prind në vend të huej ka shkue
Dhe unë sa herë lagjen kaloj
Nuk mundem pa u pikllue.
Për shokët me letra ai gjithmonë
Pyetje mbas pyetje rreshton :
Oh, shokët si janë, oh çka ban filani ?
Oh, lagjen, si e akm !
Përveç aktor i talentuar, Bajram Pakashtica ka qenë edhe ndër frizerët e parë në Prishtinë, i cili e kishte bërë profesion.
Aktori, Bajram Pakashtica, i mesmi në këmbë, në rreshtin e parë.
Foto e dhuruar nga aktorja Leze Qena. Bajram Pakashtica, në të majtë, në rol me Xhevat Qenën tek «Shërbëtorët e dy zotnive», në vitet e 1950-ta. Foto e dhuruar nga aktorja Leze Qena.
[1] Marrë te Gani I. Mehmeti : Monografia »Pakashtica », Podujevë, 2005, faqe 254 e 255.
[2] Biseduar bashkë me aktoren Leze Qena më 8. 4. 2005, në Prishtinë.