ARKIVI:
23 Nëntor 2024

Lamtumirë koleg i dashur, ndërroj jetë Astrit Lulushi, shkrimtari dhe gazetari i Zërit të Amerikës

Shkrime relevante

Zgjedhje për vazhdimësi politike, jo për ndryshim!

Florim Zeqa  Në kohën kur është intensifikuar (para) fushata elektorale e partive...

Historia e ortodoksizmit shqiptar, e shpjeguar me urti e fakte historike

https://www.youtube.com/watch?v=w60i7AO1Tfk&fbclid=IwY2xjawGuhGNleHRuA2FlbQIxMQABHXRlD0TIhxlydf7v48mN8HSJIi7BbPDau5JBPjMJ1nP4EoSdRc3EvbXR7A_aem_Orfl15eTgvC5InDLU_u30Q Fan Stilian Noli

Putini është i varur nga lufta

Vladimir Putin në një takim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe industrinë...

Harbutëria e “analistëve” ndaj mërgatës sonë nëpër botë

Afrim Caka, Gjakovë SYTË TANË S'JANË SI MË PARË!!! Eh ç'ju raskapit shpirti...

Shpërndaj

Në foto: Astrit Lulushi

Nga: Frank Shkreli

4 Shtatori më solli një lajm të rëndë për mua dhe për të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë pasur privilegjin të punonin me Astrit

Lulushin. Lajmin e zi ma përcolli i vëllai i Astritit, Albert Lulushi, gjithashtu një koleg imi i familjes së nderuar Lulushi: “Wanted to send a brief message about Astrit. He passed away this morning. Thank you for being an important part of his life.”  Astrit Lulushi e humbi betejën e fundit nga një sëmundje e rëndë në veshke që e kishte ndjekur me kohë.

Është një fjalë e vjetër ndër ne shqiptarët kudo që jemi, me shprehjen se “Të gjithë jemi bijat dhe të bijt e vdekjes.”  E verteta e idhtë është se kjo thënje është tepër e ftohtë në çdo rast vdekjeje, por në këtë rast, të kësaj humbjeje të rëndë — siç është kalimi në amshim, mengjesin e 4 Shtatorit, 2024, të kolegut tonë Astrit Lulushi. Kjo shprehje nuk i teri as lotët e derdhura nga familjarët dhe të dashurit e tij, miq e kolegë. As nuk zvogëlojnë aspak dhimbjet për humbjen e një kolegu të dashur për të gjithë ata që e kanë njohur si tepër të dobishëm për familjen e tij, për Zërin e Amerikës në gjuhën shqip, ku ka punuar për 30-vite dhe për të gjithë ata me të cilët ishte në kontakt sa ishte gjallë.  Astrit Lulushi ka lindur në vitin 1953 në Tiranë. Ai u arratis nga regjimi komunist Bolshevik sllavo-komunist në vitin 1985 dhe një vit më vonë filloi punë tek “Zëri i Amerikës”, ku e ndjente veten shumë të privilegjuar, ndërsa familja e tij iu bashkua disa vite më vonë, pas shembjes së Murit të Berlinit.

Vdekja është gjithmonë një ngjarje e kobshme dhe në rastin e Astritit, disi e parakohëshme, pasi e mori në moshën 71-vjeçare. Por, pasi ky, përfundimisht, është fati i të gjithë ne – s’i ikim dot, por me lutje e pranojmë si diçka që i dorëzohemi, duam, s’duam.  Ndërkaq, në raste të tilla, ato që na mbeten, janë kujtimet dhe trashëgimia lenë pas — janë ato kujtime nga e kaluara që e bëjnë shkuarjen në amshim, ndoshta pak më të lehtë.

Prandaj, sot e kujtoj Astrit Lulushin si koleg të nderuar dhe të respektuar nga të gjithë bashkpuntorët e tij, gjatë periudhës që kemi punuar bashk në Zërin e Amerikës – megjithse nuk ishim në marrëdhënie të përditshme pune.   Astriti ka filluar punën në shërbimin shqip të Zërit të Amerikës, në vitin 1985, pothuaj menjiherë pasi ishte arratisur nga Shqipëria komuniste. E kujtoj si një gazetar me përvojë, si producent i përpikët i Shërbimit shqip për programet e radios dhe më vonë të televizionit. Por edhe si folës, përkthyes, gazetar e shkrimtar.  Ishte shumë i dashur për të gjithë.

Gjatë punësimit, tek VOA-shqip, Astrit Lulushi trajtonte lloj-lloj temash e subjektesh për transmetim, përfshir shkencë dhe mjekësi. Ishte i njohur dhe shumë i respektuar edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, pasi ka shërbyer shpesh si korrespondent i Zërit të Amerikës, duke mbuluar zhvillimet e komunitetit dhe duke intervistuar personalitetet e dalluara shqiptaro-amerikane.

Pas 30-viteve punë, Astriti kishte vendosur të dilte në pension nga Zëri i Amerikës 5-vjet më parë, në korrik të vitit 2019. Me atë rast, Drejtoresha e atëhershme e Zërit të Amerikës, Amanda Bennet i dorëzoi Astrit Lulushit dekoratën, “Çmimi i Karrierës”, për arritjet e tija profesionale.  Me atë rast Astriti u drejtoi, nga një studio e Zërit të Amerikës,  fjalët e fundit si gazetar i këtij enti të madh amerikan lajmesh,  dëgjuesve dhe shikuesve të VOA-s shqip:

“Sot është dita ime e fundit si punonjës i Zërit të Amerikës. Pas 30-vjet punë tani erdhi koha për të dalë në pension. Njeriu ikë nga vendlindja dhe vjen në Amerikë për të kërkuar liri dhe mirëqenje. Këtu, unë i gjeta të dyja. Gjithashtu ndjehem i privilegjuar që m’u dha mundësia për të shërbyer në një agjenci si Zëri i Amerikës, që zë vendin e nderit mes vendeve të lira. Largohem i përmbushur dhe i nderuar që kam qenë në shërbimin tuaj – ju dëgjues dhe shikues të mrekullueshëm të programeve të Zërit të Amerikës. Ju falemnderit!”

Ishin këto fjalët e Astritit në ditën e pensionimit drejtuar dëgjuesve dhe shikuesve të Zërit të Amerikës. Por duken mjaft të përshtatshme këto fjalë edhe sot që kolegu ynë i dashur, është ndarë përgjithmonë prej kësaj bote: “Në Amerikë gjeta lirinë dhe mirëqenjen” — “Largohem i përmbushur dhe i nderuar”, është shprehur ai, si një falënderim ndaj Amerikës që e ka strehuar, ashtu si edhe shumë prej nesh që kemi gjetur strehim dhe liri në këtë vend të bekuar –të arratisur nga anë e mbanë trojet shqiptare.

Edhe ne që e kemi njohur e punuar me Astritin gjatë dekadave – ndonëse të pikëlluar për humbjen e tij — ndihemi të pëmbushur dhe të nderuar që e kemi njohur.  Ai do vazhdojë të jetë me ne – nepërmjet trashëgimisë kulturore dhe një publicistike me gjallëri mahnitëse që ka lenë pas: të pakën mbi një dyzinë librash të botuar dhe qindra e qindra artikuj.  Por, shkuarja në amshim e Astritit gjithsesi do të varfërojë gazetarinë dhe letërsinë shqipe jo vetëm në diasporë por edhe anë e mban trojeve shqiptare ku ai ishte pothuaj i pranishëm, vazhdimisht.

Por megjithkëtë, zbrastia e tij do të ndjehet shumë, sidomos në rrethin e tij familjar, në radhët e kolegëve të tij gazetarë dhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, pjesë e të cilit ishte për pothuaj 50-vjet, si gazetar i Zërit të Amerikës dhe si publicist pas daljes në pension.  Familjes së ngusht, pikëspari bashkshortes Lilianës, familjarëve të tij në Amerikë dhe në Atdhe – u shprehi ngushëllimet më të sinqerta dhe përdhimtimet e mia më të thella – me nderim e respekt – duke u përkulur para kujtimit të paharrueshëm të Astritit.

Me rastin e daljes në pension, Drejtoresha e atëhershme e Zërit të Amerikës, Amanda Bennet i dorëzoi Astrit Lulushit dekoratën, “Çmimi i Karrierës”.

Astrit Lulushi në sallën e konferencave të entit Euro-Aziatik të Zërit të Amerikës

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu