ARKIVI:
23 Nëntor 2024

Kryeministri Kurti në 25-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës: Integriteti institucional e zyrtar e personal, ruan e mirëmban integritetin territorial

Shkrime relevante

Harbutëria e “analistëve” ndaj mërgatës sonë nëpër botë

Afrim Caka, Gjakovë SYTË TANË S'JANË SI MË PARË!!! Eh ç'ju raskapit shpirti...

Presidentja Vjosa Osmani në vizitë pune në Kanada-përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë...

Përkrahësja e madhe e kauzës Shqiptare, Edhit Durhami, përkujtim në 80 vjetorin e vdekjes

Edith Durham 1863-1944 Nail Draga, Ulqin Nga të dhënat e njohura  deri tash...

Prezantohet Fjalori i Madh për Gjuhën Shqipe, Gjinushi: U hartua nga 55 bashkautorë e 25 hartues

Nga Marseda Qefalia 22/11/2024 TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Në ditën e dytë të Kuvendit...

Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Nga edlira.ruzi 22/11/2024 TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë...

Shpërndaj

Prishtinë, 6 shtator 2024

Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në ceremoninë festive të organizuar nga Policia e Kosovës. 

Në këtë përvjetor jubilar të themelimit të Policisë, për herë të parë u interpretua himni i Policisë së Kosovës. Ceremonia më pas vijoi me një minutë heshtje në nderim dhe përkujtim të të gjithë policëve të rënë në detyrë përgjatë këtyre 25 vjet shërbim të Policisë së Kosovës. 

Policia e Kosovës nisi me funksionalizimin e shkollës policore në qytetin e Vushtrrisë dhe me trajnimin e menjëhershëm të gjeneratës së parë të  pjesëtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës. Në gjeneratën e parë të Policisë së Kosovës, diplomuan gjithsej 176 kadetë, 20% prej të cilëve vajza e gra dhe 17% nga radhët e komuniteteve. 

“Jam i nderuar që ndodhem sot këtu, për të shënuar dhe festuar bashkë me të gjithë ju një çerek shekulli të ekzistencës dhe zhvillimit të policisë sonë, Policisë së Kosovës dhe jam i lumtur që mes nesh kemi zyrtarë të gjeneratës së parë të Policisë së Kosovës, të cilët ende i ruajnë të freskëta kujtimet dhe përvojën e asaj kohe. E admirojmë përkushtimin e tyre, që përkundër të gjitha sfidave të asaj kohe, vendosën të veshin uniformën e të shërbejnë për të gjithë e pa dallim”, deklaroi kryeministri Kurti në adresimin e tij. 

Ai vijoi fjalën e tij duke thënë se veprimet e Policisë sonë në sulmet e njëpasnjëshme në tri vitet e fundit nga grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia e veçanërisht në sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kanë dëshmuar se me profesionalizëm dhe guxim arrihen rezultate në misionin e sundimit të ligjit, mbrojtjes së jetës së qytetarëve tanë e të sovranitetit shtetëror e të integritetit territorial. 

“Banjska po ashtu ka risjellë në mendjet e secilit prej nesh, që pavarësisht çfarëdo aspirate të shfrenuar të kujtdo qoftë mbi Republikën tonë të dashur, territori ynë do të mbrohet edhe me jetë. Integriteti institucional e zyrtar e personal, ruan e mirëmban integritetin territorial”, shtoi më tej ai. 

Kryeministri shprehu mirënjohjen për të gjithë pjesëtarët që edhe sot, si çdo ditë, janë në detyrë anembanë vendit tonë, të cilët duke reflektuar mbi betimin e dhënë, na kanë dëshmuar që nuk kursejnë as jetën e tyre për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së Republikës sonë.

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës jam krenar e mirënjohës për arritjet e policisë sonë. Shërbimi me integritet dhe reagimi me profesionalizëm, i bazuar në ligjet tona, janë drejtimet, mbi të cilat duhet të fuqizohet edhe më tej Policia e Kosovës”, tha ai. 

Në përmbyllje të fjalës, kryeministri ua uroi të gjithëve 25-vjetorin e themelimit të Policisë sonë të dashur të Republikës së Kosovës, atyre që ishin të pranishëm e veçanërisht pjesëtarëve të Policisë që në këto momente janë në shërbim në gjithë territorin e Republikës tonë.

 

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke e quajtur këtë si ditë të veçantë për Policinë e Kosovës dhe për mbarë Republikën tonë, tha se sot Policia e Kosovës është institucioni më i besueshëm për qytetarët tanë, e ngritur profesionalisht, e trajnuar mirë dhe e gatshme për t’iu përgjigjur çdo rreziku që cenon sigurinë e vendit tonë. 

Ministri Sveçla ka kujtuar rënien në krye të detyrës të 23 pjesëtarëve të policisë së Kosovës, duke thënë se ata janë pjesa me e lavdishme e policisë dhe e Republikës së Kosovës. “Nga heroi Lazim Rexhepi deri tek heroi Afrim Bunjaku, dëshmuan se mbrojnë betimin e dhënë, mbrojnë jetën e pronën e qytetarëve tanë, integritetin e sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës me sakrifica të përditshme, me vullnet e përkushtim, qoftë edhe me jetën e tyre”, tha ministri Sveçla.

Në këtë 25-vjetor të themelimit të Policisë, ministri përmendi rezultatet e shënuara të policisë së Kosovës, gjatë këtyre katër vjetëve, si në goditjen e grupeve kriminale, rrjeteve e laborantëve të drogës, terrorizimit, kontrabandës e korrupsionit, e mbi të gjitha dhe më e rëndësishmja mbrojtja me çdo çmim e integritetit territorial dhe shtirjen e sovranitetit, veçanërisht në veriun e vendit tonë.

 

Në përmbyllje të kësaj ceremonie, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Kurti, ministri Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, iu ndanë medalje, mirënjohje, e lëvdata institucioneve të ndryshme. 

Nga viti 2021 në vitin 2024, buxheti i Policisë së Kosovës është rritur për mbi 50 milionë euro të dedikuara për pajisje të modernizuara për pjesëtarët e saj, infrastrukturë në objekte e stacione policore, si dhe automjete e autoblinda speciale sipas nevojave të sigurisë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti: 

Festa e këtij përvjetori jubilar nisi me muzikë të re, që na mbushi me gëzim. Andaj, ju faleminderit për këtë fillim të veçantë të kësaj ceremonie tejet të rëndësishme e urime të gjithëve, secilës e secilit 25-vjetorin e Policisë së Kosovës. 

E nderuar Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës,

I nderuari ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,

I nderuari Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës,

I nderuari zëvendëskomandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Enver Cikaqi,

I nderuari drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti,

I nderuari drejtor i Doganave të Kosovës, Agron Llugaliu,

I nderuari baca Rifat, Rifat Jashari, emblemë e luftës çlirimtare të UÇK-së dhe të qëndresës së kombit tonë,

E nderuara nënkryetare e Kuvendit të Republikës, Saranda Bogujevci,

Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike, ambasadorë dhe diplomatë të tjerë të akredituar në Republikën tonë,

Të nderuar familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës,

Të nderuar familje të dëshmorëve, invalidë, veteranë të UÇK-së,

Të nderuar udhëheqës të institucioneve të vendit tonë,

Të nderuar eprorë e zyrtarë të Policisë së Kosovës,

Zonja dhe zotërinj, 

Jam i nderuar që ndodhem sot këtu, për të shënuar dhe festuar bashkë me të gjithë ju një çerek shekulli të ekzistencës dhe zhvillimit të policisë sonë, Policisë së Kosovës. 

25 vjet më parë, më 6 shtator të vitit 1999, me funksionalizimin e shkollës policore në Vushtrri, filloi trajnimin gjenerata e parë e pjesëtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës. Pas përpjekjeve të pareshtura të popullit tonë për liri e çlirim në qershor të vitit 1999, Shërbimi Policor i Kosovës u bë prej institucioneve të para, që me fisnikëri e besueshmëri i shërbeu qytetarëve të vendit, e që mes dhimbjeve të forta e humbjeve të mëdha nga lufta, sytë i kishte kah rimëkëmbja.

Jam i lumtur që mes nesh kemi zyrtarë të gjeneratës së parë të Policisë së Kosovës, të cilët ende i ruajnë të freskëta kujtimet dhe përvojën e asaj kohe. E admirojmë përkushtimin e tyre, që përkundër të gjitha sfidave të asaj kohe, vendosën të veshin uniformën e të shërbejnë për të gjithë e pa dallim. 

176 kadetët e parë të asaj gjenerate, 20% prej të cilëve vajza e gra dhe 17% nga radhët e komuniteteve, që diplomuan me 16 tetor 1999, u sistemuan në stacionet policore e shërbyen kudo me vendosmëri.

Që nga themelimi, Policia ka pasur mbështetje nga OSBE-ja dhe Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnime në Hetime Penale, i njohur si ICITAP, nga partnerët e aleatët tanë. Kjo përkrahje, bashkë me angazhimin e vazhdueshëm të gjeneratave me të rinj e të reja, e bëjnë Policinë tonë më të fortë, më të përgatitur dhe gjithnjë profesionale për të vendosur rend e për të siguruar sundim të ligjit.

Të nderuar të pranishëm,

Në këtë 25-vjetor të themelimit të Policisë së Kosovës, shprehim mirënjohjen për të gjithë pjesëtarët që edhe sot, si çdo ditë, janë në detyrë anembanë vendit tonë. Duke reflektuar mbi betimin e dhënë, policët tanë kanë dëshmuar që nuk kursejnë as jetën e tyre për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së Republikës sonë.

Historiku çerek shekulli i Policisë së Kosovës, mbanë në anën e tij të ndritur 23 heronjtë, që dhanë jetën në uniformën policore. Nga Lazim Rexhepi, deri tek më i riu e më i freskëti Afrim Bunjaku, janë dëshmia më e qartë e shërbimit me nder e vetëmohim për qytetarët e për Republikën, edhe kur ajo kërkon sakrificë me jetë. Policët tanë ruajnë kujtimet më të mira për ta, ndërkaq institucionet tona, përveç mbështetjes së pa rezervë për ju të dashur familjarë, shprehin mirënjohjen e përjetshme, sepse rënia e tyre mban fort shtyllat e shtetësisë tonë.

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës jam krenar e mirënjohës për arritjet e policisë sonë. Shërbimi me integritet dhe reagimi me profesionalizëm, i bazuar në ligjet tona, janë drejtimet, mbi të cilat duhet të fuqizohet edhe më tej Policia e Kosovës.

Veprimet e Policisë sonë në sulmet e njëpasnjëshme në tri vitet e fundit nga grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia e veçanërisht në sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kanë dëshmuar se me profesionalizëm dhe guxim arrihen rezultate në misionin e sundimit të ligjit, mbrojtjes së jetës së qytetarëve tanë e të sovranitetit shtetëror e të integritetit territorial. Banjska po ashtu ka risjellë në mendjet e secilit prej nesh, që pavarësisht çfarëdo aspirate të shfrenuar të kujtdo qoftë mbi Republikën tonë të dashur, territori ynë do të mbrohet edhe me jetë. Integriteti institucional e zyrtar e personal, ruan e mirëmban integritetin territorial.

Të nderuar pjesëmarrës, 

Për vlera që promovojnë vendet demokratike, shteti ynë mbetet shembull i suksesit dhe kjo natyrisht falë punës së palodhshme të institucioneve tona e veçanërisht të Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës, me plot 60 gjeneratat, vazhdon të vlerësohet si institucioni me besueshmërinë më të lartë nga qytetarët tanë. Është tejet e rëndësishme, që ky besim e bashkëpunim të thellohet edhe më shumë, si garanci e krijimit dhe ruajtjes së një mjedisi të qetë e të sigurt e të drejtë e të barabartë për të gjithë pa dallim.

Si Qeveri e Republikës së Kosovës kemi ofruar mbështetjen tonë të pa rezervë për Policinë tonë dhe jam i lumtur që sipas prioriteteve të përbashkëta deri më tani ja kemi dalë me sukses të plotë.

Ne nuk mund të presim rezultate e as t’i kërkojmë ato nëse nuk ndërveprojmë për të adresuar drejt nevojat e policëve tanë, të policisë sonë. Nga viti 2021 në vitin 2024, e kemi ngritur buxhetin e Policisë së Kosovës për mbi 50 milionë euro të dedikuara për pajisje të modernizuara për pjesëtarët e saj, infrastrukturë në objekte e stacione policore, si dhe automjete e autoblinda speciale sipas nevojave të sigurisë.

Investimi ynë në mbrojtje dhe siguri, është investim për paqe dhe rend. Mbështetja jonë nuk do të mungojë as në të ardhmen, sepse policia duhet të jetë gjithmonë në nivel të lartë të detyrës.

 Ju uroj të gjithëve 25-vjetorin e themelimit të Policisë sonë të dashur të Republikës së Kosovës, juve këtu e veçanërisht djemve e vajzave tona që në këto momente janë në shërbim në gjithë territorin e Republikës tonë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu