Prishtinë, 6 shtator 2024
Në shënimin të 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Emilja Rexhepi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, mori pjesë në një demonstrim të përgatitjeve dhe aftësive të njësive elite të policisë.
Ai aty pa nga afër pajisjet taktike, mjetet e punës dhe përgatitjet profesionale të njësive elite të Policisë në përballje me çdo rrezik.
Kryeministri Kurti i falënderoi pjesëtarët e policisë për demonstrimin e përgatitjeve profesionale dhe të aftësive të jashtëzakonshme në mbrojtjen e personaliteteve shtetërore dhe në përmballje me turma që mund të synojnë destabilzimin e vendit tonë e të rendit kushtetues e juridik.
“Sot me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës ne jemi krenarë që ju kemi juve për punën e shërbimin që keni bërë, për kontributin që keni dhënë deri në sakrificë, e ku para së gjithash e mbi të gjitha kujtojmë e përkujtojmë 23 heronjtë e Kosovës nga radhët e policisë tonë”, tha kryeministri, duke shtuar se ky demonstrim i të gjitha njësive të specializuara të policisë sonë që nga mbrojtja e afërt e deri te Njësiti K9, padyshim që e ngjallë besueshmërinë tek të gjithë njerëzit dhe e rritë atë për të gjithë ata të cilët tashmë e kanë pasur.
Kryeministri Kurti tha se Policia e Kosovës është më e afta, më e disiplinuara dhe më profesionalija jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
Duke shprehur mirënjohjen e përzemërt dhe falënderimin e thellë, kryeministri Kurti u uroi edhe një një herë të gjithë pjesëtarëve të policisë 25-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës.
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, nënkryetarja e Kuvendit të Republikës, Saranda Bogujevci, dhe drejtues dhe përfaqësues tjerë institucionalë.
Adresimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Ju faleminderit shumë për këtë demonstrim të jashtëzakonshëm të përgatitjes profesionale dhe të aftësive tuaja që edhe të shpëtoni nga rreziqet e mëdha personalitetet shtetërore, por gjithashtu edhe të përballeni me turma të cilët synojnë destabilizimin e vendit tonë e të rendit kushtetues e juridik.
Sot me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës ne jemi krenarë që ju kemi juve për punën e shërbimin që keni bërë, për kontributin që keni dhënë deri në sakrificë, e ku para së gjithash dhe mbi të gjitha kujtojmë e përkujtojmë 23 heronjtë e Kosovës nga radhët e policisë tonë.
Ky demonstrim i të gjitha njësive të specializuara të policisë sonë që nga mbrojtja e afërt e deri te Njësiti K9, padyshim që e ngjallë besueshmërinë tek të gjithë njerëzit dhe e rritë atë për të gjithë ata të cilët tashmë e kanë pasur. Edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, edhe ndonjë skeptikë që mund të ketë ngelur ndokund, me këtë demonstrim e ka parë që Policia e Kosovës është jo vetëm më e afta, më e disiplinuara, më profesionalja në rajon, por edhe më gjerë.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë përherë pranë jush, sepse ju jeni pranë qytetarëve për hir të sundimit të ligjit, ruajtjes së sovranitetit shtetëror e të integritetit territorial, mbrojtjes së paqes e të sigurisë.
Urime të gjithëve 25-vjetori i Policisë së Kosovës, e unë shpreh mirënjohjen time të përzemërt dhe falënderimin e thellë e ju dëshiroj sa më shumë suksese e sa më pak punë.