Nga: Frank Shkreli
– “Për më të dijturin dhe më të urtin e të gjithëve” (At Zef Pllumi për Ibrahim Rugovën)
Në përvjetorin e 34-të të Kushtetutës së Republikës së Parë të Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, fund javën që kaloi, me 7 shtator, në Podujevë u përurua shtatorja e Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit të parë historik të Kosovës (24 maj 1992) dhe njëkohësisht Presidentit të parë të Kosovës së çliruar (4 shkurt 2002). Kjo shtatore në Podujevë, u bashkohet disa shtatoreve si motra të Presidentit historik në Prishtinë, Rugovë, Istog dhe Pejë, mos qofsha gabim. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë zyrtarët më të lartë të shtetit dhe dhe qeverisë qendrore dhe përfaqsues të administratës lokale të Podujevës, bashkëpunëtorë të ish-Presidentit Rugova, familjarë të tij, si dhe qytetarë nga treva e Llapit por edhe nga gjithë trevat shqiptare. Fjalën kryesore me këtë rast e mbajti Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmani. Në emër të familjes Rugova përshëndeti djali i Presidentit Rugova, Ukë Rugova.
“Shtatorja e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, e zbuluar sot në Podujevë, nuk është vetëm një monument prej bronzi, por një testament i idealeve për të cilat punoi deri në vdekje ati themeltar i Republikës sonë: për Kosovën e lirë, të pavarur e demokratike”, është shprehur fillimisht, Presidentja Vjosa Osmani, duke përshëndetur të pranishmit. “Prandaj, sot po nderojmë kujtimin për udhëheqsin e madh, vizionarin e pashoq, për njeriun i cili me guxim e mençuri e orientoi Kosovën drejt vizionit euroatlantik dhe solli vëmendjen e gjithë botës demokratike, pikërisht, në Kosovë. Përball shtypjes dhe dhunës së Millosheviqit, ai zgjodhi rezistencën paqësore. Kur rruga përpara, ishte e pasigurt, vemdosmëria dhe qëndrueshmëria e tij ishte e palëkundur. Ai ishte njeri i dijeve. Siç thoshte At Zef Pllumi, ‘Ai ishte më i dijturi dhe më i urti i të gjithëve’. Presidenti Rugova ishte një njeri i shpresës, një njeri që besonte në fuqinë e fjalës.”
“Në vitet më të errëta të historisë tonë ai qëndroi i palëkundur me vizionin e tij: pavarësi dhe asgjë më pak. Në ditë më të errëta, ai dëshmoi se forca e Kombit tonë është përbashkimi dhe vullneti i pathyeshëm, për liri, paqe, demokraci dhe pavarësi. Kjo shtatore është një nderim për burrshetasin, për kryearkitektin e shtetit tonë, i cili na priu në kohët më të rënda për ne. Ishte mjeshtria diplomatike e Presidentit Rugova, ajo që forcoi lidhjet tona me miqtë dhe aleatët tanë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai e kuptoi se rrugëtimi drejt shtetësisë, nuk mund të bëhej i vetëm. Ndaj besoi fort se shtëpia mbahet me miq. Ai ndërtoi ura besimi me liderët anë e kënd globit, të bazuar në respektin reciprok dhe në vlerat e përbashkëta. E këto miqësi janë bërë shtyllat mbi të cilat qëndron edhe shteti ynë i ri. Ajo që bëri Presidenti Rugova nuk ishte vetëm vizioni i tij politik por edhe integriteti i tij. Ai kurr, askujt nuk i punoi pas shpine. Presidenti Rugova ishte transparent, i ndershëm dhe thellëssisht i përkushtuar ndaj punës së bazuar në vlera”, ka thenë ndër të tjera Dr. Vjosa Osmani. “Ai besonte në unitet, nepërmjet vlerave të përbashkëta, ndaj udhëhoqi me çiltërsi dhe pastërti morale. Presidenti Rugova nuk ishte i vetmi në këtë mision. Ai ju kishte të gjithë juve prapa tij…”.
Presidentja Osmani e përfundoi fjalën e saj me këtë rast, duke thënë se vizioni i Presidentit Rugova për Kosovën “është më aktual së kurrë “. Me këtë rast, Presidnrtja e Republikës së Kosovës, bëri thirrje për bashkim të klasës politike për realizimin e plotë të ëndrresë së Ibrahim Rugovës: “Si udhëheqës dhe përfaqësues të popullit tonë, ne duhet të mbetemi të bashkuar dhe të fokusuar në realizimin e ëndrrës së plotë të Presidentit Rugova. Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara nuk është vetëm një aleancë strategjike, por është, poashtu edhe themeli i sigurisë, prosperitetit dhe të ardhmes sonë…Le të qëndrojë kjo shtatore si simbol i përkushtimit tonë të përbashkët ndaj vlerave që na përcaktojnë, si shtet, si popull dhe si Komb”, përfundoi Presidentja e Republikës së Kosovës, fjalimin e saj me rastin e përurimit, fund javën që kaloi, të shtatores së Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës në Podujevë.
Në ceremoninë e përurimit të shtatores së Presidenti historik të Kosovës, Dr. Ibrahim mori pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, cili nuk foli në ceremoninë e zhvilluar në Podujevë, por ka shënuar në portalin zyrtar të tij fjalët dedikuar Presidentit Ibrahim Rugova me këtë rast:“Me fjalën e qetë dhe të urtë, me punën e vazhdueshme dhe të durueshme, Presidenti Rugova përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, për demokraci dhe për pavarësi. Kjo shtatore e Presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë, e realizuar si vepër arti nga skulptori Gëzim Muriqi, e pasuron ikonografinë e shesheve tona publike në nderim dhe kujtim për të”.
Por në emër të qeverisë Kurti foli me këtë rast Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, duke e cilësuar Presidentin Ibrahim Rugova, “Si intelektual e idealist, kur po rrënohej liria dhe po rrezikohej ekzistenca e popullit të tij, Ibrahim Rugova doli në ballë të lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës”, tha ajo ndër të tjera. “Shqiptarët dhe bota po shihnin se brenda natyrës së qetë e të butë, shprehjes së hollë e të kulturuar, brishtësisë dhe elegancës së intelektualit Rugova, ekzistonte një vullkan i rrallë energjie dhe vendosmërie për Kosovën. Dhe, së bashku me të, edhe ne të gjithë, një popull i tërë, po e formësonim e po e forconim Kosovën me një imazh të ri.” Ministrja e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla shtoi se Presidenti Rugova, “Me vizionin largpamës dhe udhëheqjen e tij të matur e të mençur, zgjoi mobilizimin më të madh në historinë e shqiptarëve për një rezistencë pa dhunë, por shumë aktive dhe konsekuente. Kosova jo vetëm që shpalli pavarësinë e filloi jetësimin e saj, por edhe i shpëtoi goditjes së planifikuar me dekada të nacionalizmit serb, goditje që do të ishte e përmasave ndoshta apokaliptike.”
Vizionit dhe parimeve, Ibrahim Rugova u qëndroi edhe në vitet nëntëdhjetë, edhe gjatë luftës 98/99, nënvijoi Zonja Gërvalla: “Edhe një herë, vizioni i tij i qartë, mençuria, thellësia e mendimit, këmbëngulja në parime, dhe sidomos besimi e dashuria që populli i Kosovës nuk ia kursyen as pas luftës, e shpëtoi vendin tonë nga një vorbull e rrezikshme e nga një rivalitet i egër politik, i cili rrezikonte të zhbënte Kosovën prapë, edhe pasi ishte fituar liria.” Ajo paralajmëroi se, “furtunat në Ballkan ende nuk kanë pushuar. Kosova e lirë dhe e pavarur, të cilën po mundohemi ta zhvillojmë e përparojmë, është trashëgimia më e madhe e vizionarit Ibrahim Rugova. Prandaj, sot kur po e kujtojmë dhe nderojmë veprën e tij, duhet të reflektojmë për rrugën e vizionin e tij, rrugën e vështirë të Kosovës deri këtu”, përfundoi ajo fjalën e saj.
Ndërkaq, Kryetari Komunës së Podujevës, që miratoi dhe financoi shtatoren e Presidentit Rugova, Z. Shpëtim Mulliqi tha se, “Në këtë ditë, në 34-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, një prej ngjarjeve më të ndritura të Kosovës, po nderojmë njërin nga figurat më të shquara të historisë sonë, Presidentit Ibrahim Rugova, duke e zbuluar shtatoren e tij në qendër të qytetit tonë. Ky monument, që tashmë do të qëndrojë në Parkun e Qytetit të Podujevës, është një përkujtim i përjetshëm për njeriun që me urtësi, qëndresë dhe vizion e udhëhoqi Kosovën drejt lirisë dhe pavarësisë”, ka thënë Kryekomunari i Podujevës, Z. Shpejtim Bulliqi. Ai, ndër të tjra, se Ibrahim Rugova ishte udhëheqësi që simbolizoi lëvizjen për liri të Kosovës. “Shtatorja që po e zbulojmë sot është më shumë se një vepër arti; ajo është një simbol i përkushtimit të Rugovës për paqe, dialog dhe unitet. Ky monument na kujton për çdo ditë se liria dhe pavarësia jonë janë arritur falë përkushtimit dhe sakrificës së njerëzve të mëdhenj si Rugova, që vunë interesat kombëtare mbi gjithçka tjetër”.
Duke marrë parasysh zhvillimet politike të fundit të botës shqiptare, sidomos absurditetin aktual të zhvillimeve politike në Shqipëri, figura e Dr. Ibrahim Rugovës sa vjen e rritet dhe shkëlqen, si një udhëheqës ndryshe. Ndërsa është kujtuar dhe kujtohet si udhërrëfyesi i Kombit. At Zef Pllumi e ka cilësuar Presidentin historik të Kosovës, “Një ndër burrat e rrallë të kombit”, ndërsa Ismail Kadare, është cituar të ketë thënë se, “Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, i botës shqiptare. Kjo botë ka nevojë sot të mbrohet.” Fatkeqësisht, Presidenti Rugova ka ikur nga kjo botë tepër herët, atëherë kur Kosova dhe Kombi shqiptar, ndoshta, kishin më së shumti nevojë për një njeri si ai dhe për një zgjim dhe hov të pashterrshëm të ndjenjave për atdhedashuri të sinqert, për një zëdhënës dhe për një përfaqësues autentik të vlerave stërgjyshore kombëtare, pro-perëndimore të shqiptarëve — pas një periudhe errësire shekullore 500-vjeçare dhe më pas të përvojës së shekullit të kaluar, të një periudhe të zezë sllavo-komuniste prej gjysëm shekulli. Të bazuar në një ideologji sllavo-aziatike, e cila zbatonte brutalisht, si parim kryesor, shlyerjen – pikërisht – të kundërshtarëve që përfaqësonin këto vlera kombëtare dhe zhdukjen e identitetit autentik kombëtar të shqiptarëve. Një ideologji enveriste, trashëgimia tragjike e të cilës shihet qartë edhe sot në zhvillimet politike shqiptare 34 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit — sidomos, në Shqipëri, por, fatkeqsisht, edhe në Kosovë. Megjithse përurimi i një shtatorje tjetër në Kosovë — në nder të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, në Podujevë – është një simbol shprese në mbrojtje të vlerave të këtij Kombi shqiptar – një pasqyrim i aspiratave dhe i një qytetërimi i botës shqiptare që përfaqësonte Dr Ibrahim Rugova, i një bote –e cila siç është shprehur edhe i ndjeri Ismail Kadare – ka nevojë sot të mbrohet.
*Për më shumë foto nga ceremonia: Komuna e Podujevës | Podujevë | Facebook