-Para 23 viteve – 11 Shtator 2001: Populli i Kosovës manifestime solidariteti me popullin amerikan dhe duke dënuar sulmet terroriste kundër SHBA-ve: Amerikë, ne jemi me ty…/
-Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i dërgonte telegram: Me rastin e sulmit mbi Qendrën Tregtare në Nju Jork dhe mbi Pentagonin, drejtuar kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj, pranoni simpatinë time dhe të popullit të Kosovës, i cili këtë tragjedi po e jeton me dhembje dhe në zi/
– Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Zëvendës-shefen e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Anu Pratipati, bënë sot homazhe dhe vendosën lule të freskëta pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton”/
Behlul Jashari, Prishtinë
PRISHTINË, 11 Shtator 2024/ Kosova solidarizohej fuqishëm me Amerikën e goditur nga sulmet terroriste të para 23 viteve – 11 Shtatorit 2001.
Atëherë media raportonte se, e gjithë Prishtina ishte në Sheshin Nëna Terezë në shenjë solidariteti me Popullin Amerikan dhe duke dënuar sulmet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Amerikë, ne jemi me ty – ishte motoja kryesore e pankartave.
Shumë nga qytetarët, që kishin dalë në sheshe e rrugë për të përkrahur Popullin Amerikan dhe për të protestuar kundër terrorizmit që i goditi SHBA-të, ishin mbështjellë me Flamurin Amerikan.
Manifestime solidariteti dhe protesta kundër terrorizmit u mbajtën edhe në qytetet tjera të Kosovës si në Ferizaj, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan etj. Pjesëmarrja e popullatës edhe në këto qytete ishte e madhe.
Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ndodhej për një vizitë në Kanada, me rastin e sulmeve kundër SHBA-ve, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i dërgonte këtë telegram:
I nderuari President,
Me rastin e sulmit mbi Qendrën Tregtare në Nju Jork dhe mbi Pentagonin, drejtuar kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj, pranoni simpatinë time dhe të Popullit të Kosovës, i cili këtë tragjedi po e jeton me dhembje dhe në zi.
E dënojmë këtë sulm dhe jemi të bindur se të gjithë ata që bëjnë akte terrori dhe horrori kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj dhe kundër njerëzimit, duhet të ndalen.
Në këto momente të rënda, jemi së bashku me Ju dhe me Popullin Amerikan, që së bashku me aleatët Tuaj ia sollët lirinë Kosovës.
Jemi të bindur se Ju do të mendoni një strategji të re të mbrojtjes për SHBA-të dhe për miqtë Tuaj e për botën e lirë demokratike.
Juaji sinqerisht,
Dr.Ibrahim Rugova
GAZETA RILINDJA ME KRYETITULLIN NË BALLINË “SULM TERRORIST NË SHBA” NË TË GJITHA FAQET E SAJ – E TËRA I KUSHTOHEJ NGJARJES TRONDITËSE DHE ZHVILLIMEVE E REAGIMEVE PAS SAJ
Në 11 Shtator 2002 Televizioni i Kosovës dhe televizionet e tjera nacionale e lokale janë kyçur drejtpërdrejt në rrjetin amerikan CNN me përkthim simultan për të përcjellë raportimet për sulmet terroriste në Amerikë.
Poashtu gazetat e përditshme të Kosovës shkruanin gjerësisht.
Gazeta tradicionale e Kosovës “Rilindja” me kryetitullin në ballinë “Sulm terrorist në SHBA” dhe me dënim të fuqishëm të sulmit e me shumë mesazhe solidarizimi me Shtetin e Popullin Amerikan botonte shkrime e fotografi në të gjitha faqet e saj – e tëra i kushtohej ngjarjes tronditëse dhe zhvillimeve e reagimeve pas saj.
Gazeta “Bota Sot” në gjerësinë e tërë faqes së parë kishte titullin “Seri aktesh terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, supozohet për mijëra të vrarë”.
Gazeta “Koha Ditore” në faqen e parë shkruante në kryetitull “Në Nju Jork sulmohet civilizimi botëror”.
Gazeta “Zëri” në ballinë kishte titullin kryesor “Sulm terrorist kundër Amerikës”.
Gazeta “Kosova Sot” kryetitull kishte “Terrroristët sulmojnë Amerikën”.
Të gjitha gazetatat e Kosovës botonin shumë shkrime e fotografi në ballina e faqe të brendshme.
Kryeministri Kurti bën homazhe në përkujtim e nderim të viktimave të 11 Shtatorit 2001
Prishtinë, 11 shtator 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Zëvendës-shefen e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Anu Pratipati, bënë sot homazhe dhe vendosën lule të freskëta pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton”, në oborrin e ndërtesës së Qeverisë, për të përkujtuar dhe nderuar viktimat e sulmit terrorist të 11 Shtatorit, që ndodhën në vitin 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në përkujtim të viktimave të atij sulmi mizor e terrorist kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri Kurti u shpreh se sot kujtimi ynë shkon për viktimat, si dhe solidariteti ynë me familjet që i kanë humbur më të dashurit e tyre.
Kryeministri më tej kujtoi se në mesin e atyre që u vranë para 23 vjetësh ishin edhe tre bashkatdhetarë shqiptarë të familjeve Camaj, Dedvukaj dhe Gjonbalaj.
Ai shtoi se terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë dhe duhet bashkëpunimi i secilit shtet, secilës qeveri, secilit aktor e faktor, secilit politikan, secilit qytetar liridashës, i cili dëshiron paqe, demokraci, të drejtat e njeriut, pluralizëm politik dhe mirëqenie, që nuk diskriminon asnjeri.
“Republika e Kosovës qëndron pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë ditë përkujtimi dhe theksojmë partneritetin, aleancën dhe miqësinë tonë të fuqishme në çdo aspekt e në veçanti, në luftë kundër terrorizmit,” përfundoi kryeministri.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Jemi këtu bashkë me zëvendëskryeministren, me ministra e zëvendësministra, dhe me zëvendës ambasadoren amerikane për të nderuar viktimat e 11 Shtatorit 2001, viktimat e atij sulmi mizor e terrorist kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kujtimi ynë shkon për viktimat, solidariteti ynë me familjet që i kanë humbur më të dashurit e tyre, dhe gjithashtu bashkëpunimi ynë me qeveritë demokratike anembanë botës të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftë kundër terrorizmit.
Para 23 viteve, 2977-të qytetarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Kullat Binjake, në Pentagon, në katër avionët dhe 403 zjarrfikës e policë, duke provuar t’i shpëtojnë ata, humbën jetën, ranë heroikisht dhe shënuan një datë e cila sot paraqet edhe një epokë të re, që prej atëherë, sepse terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë, dhe duhet bashkëpunimi i secilit shtet, secilës qeveri, secilit aktor e faktor, secilit politikan e do të thosha secilit qytetar liridashës i cili dëshiron paqe, demokraci, të drejtat e njeriut, pluralizëm politik dhe mirëqenie që nuk diskriminon asnjeri.
Në mesin e atyre që u vranë para 23 vjetësh ishin edhe tre bashkatdhetarë shqiptarë që gjithashtu i kujtojmë, të familjeve Camaj, Dedvukaj dhe Gjonbalaj.
Republika e Kosovës qëndron pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë ditë përkujtimi dhe theksojmë partneritetin, aleancën, dhe miqësinë tonë të fuqishme në çdo aspekt e në veçanti, në luftë kundër terrorizmit.
Nderime dhe lavdi të gjitha viktimave dhe qëndresës e sakrificës së zjarrfikësve dhe policëve amerikanë!
Pamje për media nga homazhet për 23-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit: