Nga Jusuf Buxhovi
___
Një përqasje historike sado kalimthi e periudhës së fundit të Perandorisë Osmane (nga Kriza Lindore deri te luftërat ballkanike si dhe rrënimi i saj përfundimtar në vitin 1923 kur do të shpallet Republika e Turqisë) jep për me kuptue se tendencat e sotme neootomane dhe kalifatiste në drejtim të vendeve europiane që dikur ishin të pushtuara nga Perandoria Osmane dhe poashtu kundër kemalizmit në Turqi, përkundër farsës demokratike me të cilat po përcillen, janë antihistorike, antiturke dhe antishqiptare njëherësh, meqë historia kategorisht përjashton reinkarnimet e tilla.
I.
Aspekti antihistorik
Ndonëse sulltan Hamidi shfaqet si “kalifi” i fundit osman, me reformat e Tanzimatit (shpallja e Hatisherfit të Xhylhanës dhe të Hamajanit), u pranua parlamentarizmi ndërsa sistemi juridik pjesërisht u largua nga diktati i sheriatit, Perandoria Osmane detyrimisht hoqi dorë nga obskurantizmi fetar dhe logjika e kalifatit. Edhe pse në vitin 1877 sulltan Hamidi, me shpërndarjen e parlamentit osman ktheu despotizmin, megjithatë, në raport me fuqitë e mëdha të kohës, Perandoria Osmane, ruajti kursin europian, duke i mbështetur reformat juridike, ekonomike dhe politike në vend, pale se shumë prej tyre mbetën vetëm në letër nga shkaku se vetëdija e kalifatit ishte pjesë e mentalitetit të shtresës dominuese shoqërore që nuk i pranonte ndryshimet që e shpronsonin nga fuqia e pushtetit despotik dhe ushtrimit të tij në të gjitha poret shoqërore. Pas Konferencës së Parisit 1865, kur do të pranohet në sofrën e Fuqive të Mëdha europiane, ndonëse në një situatë të pavolitshme gjeopolitike dhe gjeostrategjike kur duhej të lëshonte vazhdimisht pe karshi hegjemonizmit rus dhe aleatëve të saj në Ballkan (serbëve, malaziasve, bullgarëve dhe grekëve duke ua pranuar autonomitë por edhe shtetet me të cilat ajo po përjashtohej nga pjesa europiane e perandorisë), Perandoria Osmane ishte e vetëdijshme se aleanca me vendet europiane si dhe fryma perëndimore mund ta shpëtonte sado pak nga gllabërimi pansllavist me të cilin përballej nga lufta e parë e Krimesë e deri te ajo e fundit. Nga kjo kohë e deri te Luftërat Ballkanike (1912), duke u munduar që t’i bënte ballë disi invazionit rus në pellgun e Detit të Zi, që gjithnjë e më shumë po e rrezikonte Bosforin si dhe lëvizjeve nacionaliste sllavo-ortodokse në pjesën europiane, Perandoria Osmane ishte kthyer në një shtet vasal të fuqive europiane, të cilat mbikëqyrnin jetën ekonomike dhe politike të vendit, ndonëse kjo nuk e shpëtoi nga rrënimi i plotë që do t’i vijë pas Luftës së Parë Botërore, kur me kalimin në anën e Fuqive të Boshtit, u përfshi në sferat e interesit në anën e humbësve. Megjithatë, Republika e Turqisë, e shpallur nga Mustafa Kemali (Ataturku) në vitin 1923, lidhjen e deriatëhershme vasale me vendet europiane, e ktheu në një partneritet të vazhdueshëm me interes të dyanshëm. Kjo ndodhi edhe në saje të asaj se shteti i ri turk, me fitoren ushtarake në Traki ndaj pushtuesve grekë (në Edrene), ruajti praninë e tij edhe në hapësirën europiane. Si i tillë shteti i ri laik turk, i shtrirë edhe në gjeografinë shtetërore europiane, nga “ një vend me sëmundje kronike të pashërueshme” , siç ishte gjatë kalifatit, u kthye në një faktor tepër të rëndësishëm gjeostrategjik që mbikëqyrte hapësirën e Bosforit, por edhe ruante baraspeshën strategjike në rajon.
II
Aspekti antiturk
Shpallja e Republikë së Turqisë në vitin 1923 i jep fund një procesi të gjatë historik prej pesë shekujsh nëpër të cilin kaloi Perandoria Osmane nga forcimi dhe invazioni i saj kur ajo u shfaq në kontinentin europian e deri te rrënimi i plotë. Ky proces i pandalshëm historik, kur ajo mori epitetin “e sëmura e Bosforit”, nisi me shtatë luftërat e Krimesë me Rusinë nga vitet 1723-1865 dhe përfundoi me ato ballkanike (1912), mori rrugën e pakthyeshme nga lëvizja nacionaliste turke, e cila kishte për qëllim rrëzimin e kalifatit dhe zëvendësimin e tij me një shtet nacionalist turk, që do të lirohej nga koncepti islamist “fe-vatan”. Kjo lëvizje, politikisht u manifestua dhe doli në skenë në kohën kur sulltan Hamidi rrëzoi parlamentarizmin dhe riktheu despotizmin politik (1877). Në këtë lëvizje të madhe politike, të njohur si lëvizja xhonturke (turqit e rinj), e cila filloi nga studentë, intelektualë dhe ushtarakë me orientim europian dhe perëndimor, morën pjesë edhe shqiptarë, madje edhe si themelues të saj (Ibrahim Temo), të vetëdijshëm se rrëzimi i kalifatit dhe kthimi i parlamentarizmit ishte një parakusht që të faktorizoheshin në përputhje me interesat e tyre jetike, siç ishte krijimi i një Shqipërie autonome që do t’i mbronte nga ivazionet pansllaviste. Këto impulse ishin vendimtare nga faza e parë e luftimit të obskurantizmit fetar dhe despotizmit hamidian e deri te fitorja e revolucionit xhonturk më 1908 në Ferizaj, kur nga ultimatumi i kryengritësve shqiptarë sulltan Hamidi riktheu parlamentarizmin.
Kur flitet për këto impulse që iu dhanë nacionalizmit turk nga shqiptarët, kihet parasysh roli i madh që pati Sami Frashëri për themelimin e gjuhës turke së cilës ia dha bazën shkencore karshi persishtes zyrtare, me çka nacionalizmit turk iu krijua platforma shpirtërore, siç kihet parasysh edhe roli i themeluesve të lëvizjes xhonturke, intelektualit shqiptar Ibrahim Temo nga Manastiri. Pastaj, roli i Ismail Qemalit për reformimin e lëvizjes në Kongresin e Parisit 1907 dhe shumë e shumë intelektualëve shqiptarë (Hasan Prishtinës, Bedri Pejanit, Dervish Himës, Mehdi Frashërit, Nexhip Dragës dhe të tjerëve), që ishin militantë të kësaj lëvizje nga fillimet e deri te fitorja në Ferizaj. Me këtë rast nuk duhet harruar edhe roli i madh i ushtarakëve shqiptarë (Kolonelit Njazi nga Resnja) dhe oficerëve nga garnizoni i Manastirit, të cilët u rebeluan dhe iu bashkuan revolucionit, duke u kthyer kështu në krah ushtarak të tij.
Edhe pse xhonturqit nuk i përmbushën detyrimet ndaj shqiptarëve dhe madje, nga vitet 1909-1912, me pranimin e osmanizmit si ideologji nacionaliste shtetërore u kthyen në kundërshtarë të rreptë të tyre. Megjithatë, nacionalizmi turk pasi që hoqi dogmën e “milletit osman” dhe kurthin islamist, që i kishte anatemuar më së shumti shqiptarët që kishin tri besime, duke u mbështetur në faktorin gjuhë shqipe, vuri në veprim të pandalshëm nacionalizmin shqiptar, i dha dëshmitë më të fuqishme të shqiptarizmit në planin shoqëror, intelektual dhe politik (pranimi i alfabetit me shkronja latine në Kongresin e Manastirit 1908, hapja e klubeve shqiptare në shumë pjesë të vendit, hapja e shkollave shqipe si dhe botimi i librave shqipe bashkë me gazetat shqiptare). Kështu, mbështetja mbi gjuhën dhe etninë, ia krijuan platformën lëvizjes për çlirim dhe pavarësi kombëtare, e cila pikën kulmore e arriti me kryengritjen e Kosovës të verës së vitit 1912, kur me katërmbëdhjetë pikëshin e Hasan Prishtinës në Shkup, Perandoria Osmane pranoi realitetin etnik dhe atë gjuhësor shqiptar, një Shqipërie Osmane prej katër vilajeteve, që duhej t’ia hapte rrugën Shqipërisë Europiane.
III.
Aspekti antishqiptar
Humbja e Luftës Ballkanike në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1912 ishte tragjike edhe për shqiptarët, të cilët ndonëse shpallën pavarësinë kombëtare në përputhje me shtrirjen e njohur etnike, me vendimet e Konferencës së Londrës, mbetën të ndarë.
Por, kjo humbje tragjike, së cilës shqiptarët i paguan një çmim shumë të madh, ishte tragjike edhe për vetë popullin turk, i cili në ato rrethana vendimtare që i paraprinë Luftërave Ballkanike dhe asaj Botërore, serish u ra në duar kalifatistëve, me çka bëri një veprim të pafalshëm antihistorik. Në këto rrethana, pasi që ishte humbur lufta me grekët, të cilët me pushtimet e tyre kishin depërtuar në hapësirën e Azisë, rikthimi i sulltan Hamidit V në pushtet, perandorinë e dikurshme e ktheu në një kalifat të vogël obskurantist në Anadoll. Do të jetë një ushtarak me origjinë shqiptare, (Mustafa Qemali), i cili me shumë oficerë nga viset europiane (shumë prej tyre shqiptarë, që kishin humbur atdheun e copëtuar nga pushtuesit serbë dhe grekë), jo vetëm që nuk e pranoi këtë realitet poshtërues për popullin turk, por krijoi lëvizjen e re turke, e cila riktheu forcën e vet me rrënimin e kalifatit të Andollit dhe shpalljen e Republikës së Turqisë. Ndodhi kjo në vitin 1923 kur kemalistët ia dolën që nën flamurin e Republikës së Turqisë, e cila kishte ndërprerë të gjitha lidhjet me kalifatin dhe Perandorinë Osmane, fituan luftën me grekët dhe serish ia kthyen dinjitetin popullit turk. Me paqen e Lozanës, Republika e Turqisë, e cila kishte rikthyer një pjesë të hapësirës europiane, duke u shpallur shtet laik, vuri lidhje të natyrshme edhe me botën perëndimore.
Ishte kjo një fitore e madhe historike e popullit turk, që u arrit vetëm pasi që u shkëputen të gjitha lidhjet me një të kaluar historike osmane së cilës moti i kishte ikur koha dhe shfaqej e dëmshme edhe për fatet e saj. Pra, për këtë kthesë të madhe historike, meritat i ka kemalizmi, si koncept politik dhe shtetëror laik, që me forcimin dhe stabilizimin e shtetit turk deri te përmasat e një fuqie rajonale, Europës Juglindore, por edhe botës perëndimore ia hoq mundësinë e luftës së qytetërimeve, si dhe rrezikun nga hegjemonizmi permanent rus në të cilën ajo u përpëlit gjatë kohës së kalifatit osman në shekullin XIX dhe fillimet e shekullit XX.
Ndaj, në rrethanat e tanishme, të pretendosh në trashëgiminë e një kalifati obskurantist me të cilin i kanë qëruar hesapet vetë turqit dhe madje me te të identifikosh edhe popuj që nga pikëpamja shoqërore, kulturore dhe politike që moti i takojnë një qytetërimi të lirë dhe demokratik dhe të ëndërrosh se atë mund ta rikthesh “me ndihmën e Allahut” dhe demonstrimit të xhamijëzimit jashtë kritereve fetare, nuk është vetëm anakronizëm historik, por edhe miopi politike dhe aventurizëm i rrezikshëm, që kështu, mund t’i kthehet në bumerang vetë Turqisë, e cila jashtë konceptit kemalist, rikthen anatemën e “të sëmurës së Bosforit”, që dihet se ku e çon.
(2017)
Mjerisht të gjitha dukuritë negative i kemi në qejf . Ato më me shumë përpjekje kemi mundur me i zhduk kaherë . Kemi bërë dhe bëjmë jetë në klane dhe grupe interesi . Të pakrahëve nëse kanë qenë unikat në fushën e tyre nuk u kemi hapur udhë, e as dhënë mundësi me shpreh talentin e tyre .
Babai apo nëna përkundër dëshirës fëmijët e tyre i kanë bërë mjekë dhe juristë, punë të cilën e kanë bërë edhe vetë.
Kjo më së miri hetohet në Fakultetin e Mjekësisë,që një numër bukur i madh i ish- mjekëve fëmijët e tyre i kanë mjekë e profesorë.
Shtrohet pyetja a e kanë merituar të gjithë këtë titull ?
Përgjigjja jo. Në vendet me sisteme të avancuara demokratike si Zvicra,vëlla e motër nuk i lejojnë as në një klasë të përbashkët.
Në institucionet tona një mëhallë ka punuar në Spitalin e Prishtinës .
Atyre të klasifikuar si të ” dështuar ” nuk u ka ngelë asgjë tjetër vetëm që t’i marrin rrugët e botës në sy . Nga mllefi se u janë mbyllur dyert në vendin e tyre, në vendet ku kanë shkuar shumica prej tyre kanë shkëlqyer, qoftë si mjekë,qoftë si inxhinierë, qoftë edhe si sportistë.
Sot, jemi në rrethana krejt të tjera Turqia në distancë gjeografike me Kosovën i ka ndërmjet edhe disa shtete , andaj vetëm nëse na pushton nga ajri se ndryshe duhet të pushtoj të gjitha shtetet e Ballkanit për t’u rikthyer pas 5 shekujve në Kosovë e Shqipëri .
Rreziku dyfish më i madh na vije nga Kisha Ortodokse serbe dhe greke që natë e ditë projekton plane ogurzeza ndaj shqiptarëve. Kisha shqiptare para 100 viteve me Kryepeshkop shqiptar,sot me zhullanë grekë. Veriu i Kosovës tokë jona prej mileniumesh mbahet në flakë në dekada nga serbët .
Greqia me disponim dhe urrejtje të përhershme ndaj shqiptarëve, me një grusht minoritarësh në Himarë,mundohet me ia shkëput edhe një kofshë Shqipërisë, ashtu siç ia shkëputi Krahinën e Çamërisë. Mali i Zi ,shtiret si ” paqësor ” se e di fare mirë që 200 e më tepër kilometra i ka tokë të grabitur të shqiptarëve.
Maqedonia e krijuar më 1945 e lindur me pllenim artificial i mban nën dhundërën e saj ende shqiptarët . Ajo edhe pse atje jetojnë mbi 40% e popullatës shqiptare ende në institucionet e saj nuk e ka zyrtarizuar gjuhën e tyre shqipe .
Gjendjen në të cilën jemi e kemi krijuar edhe vet . Kur është dashur të ngremë zërin jemi përgjumur përpara dukurive negative . Askush përveç nesh nuk ka promovuar antivlera si në Arsim e segmente të tjera vitale të shtetit tonë të rinj. Lufta ndaj njëri- tjetrit është aq e paskrupullt dhe e neveritshme se sa ajo ndaj armikut tonë shekullor Serbisë . Atyre që dhanë jetë e bënë burgje të gjata në burgjet skëterrë të Jugosllavisë, duke i lënë pa bukë e kulm mbi kokë familjet e tyre u fabrikojmë etiketime ,nga më të ndyrat. Detyrë jona është të jemi mirë me vetveten. Ta pastrojmë oborrin tonë e pastaj të merremi me të tjerët…..
Ke dale krejtesiht nga tema e shkrimit.
Plotësisht pajtohem me Ju. Komenti i paraparë në temë tjetër më ka rrëshqitur tek Artikulli i Zotit Buxhovi.