ARKIVI:
23 Nëntor 2024

Portreti i artistit Ibrahim Shyti, vallëtar

Shkrime relevante

Harbutëria e “analistëve” ndaj mërgatës sonë nëpër botë

Afrim Caka, Gjakovë SYTË TANË S'JANË SI MË PARË!!! Eh ç'ju raskapit shpirti...

Presidentja Vjosa Osmani në vizitë pune në Kanada-përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë...

Përkrahësja e madhe e kauzës Shqiptare, Edhit Durhami, përkujtim në 80 vjetorin e vdekjes

Edith Durham 1863-1944 Nail Draga, Ulqin Nga të dhënat e njohura  deri tash...

Prezantohet Fjalori i Madh për Gjuhën Shqipe, Gjinushi: U hartua nga 55 bashkautorë e 25 hartues

Nga Marseda Qefalia 22/11/2024 TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Në ditën e dytë të Kuvendit...

Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Nga edlira.ruzi 22/11/2024 TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë...

Shpërndaj

Portret i punuar nga prof. Gani R. Sadiku

Nga: Shefqet Dibrani, shkrimtar

Si askush tjetër, valltari Ibrahim Shyti, në fundvitet e shtatëdhjeta dhe në dekadën e tetëdhjetë, i ka dhënë emër dhe epitet artistik vallës shqipe, sidomos sa ishte valltarë aktiv në“Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “SHOTA”, i njohur shkurt si Ansambli “SHOTA” ose AKKV “SHOTA”,[1]  me qendër në Prishtinë, dhe është përfaqësuesi i vetëm profesionist i folklorit të Kosovës në arenën e folklorit ndërkombëtar.[2]

Ansambli “Shota” është një nga ansamblet më të njohura dhe më të vjetra folklorike në Kosovë. I themeluar në vitin 1948 në Prishtinë, fillimisht si një shoqëri kulturore-artistike, “SHOTA” mori statusin e ansamblit profesional nga Kuvendi i Kosovës në vitin 1964. Ky ansambël ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e vlerave dhe ruajtjen e kulturës dhe traditave shqiptare përmes muzikës, kërcimeve dhe kostumeve tradicionale.[3]

Ansambli “SHOTA” nuk është vetëm një grup artistik, por një institucion kulturor që ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol kyç në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Po ashtu në këtë ansambël janë rritur dhe afirmuar këngëtar, solist dhe valltarë të shumtë, në mesin e tyre edhe solisti dhe vallëtari shumëvjeçar i këtij ansambli Ibrahim Sadik Shyti. Ansambli “SHOTA”, ka një histori të gjatë dhe të pasur, edhe sot ky ansambël vazhdon të jetë një simbol i identitetit dhe kulturës shqiptare, duke e pasuruar atë me performanca të jashtëzakonshme dhe me një përkushtim të palodhur ndaj traditave.[4]

Ibrahim Shyti, lindi në gjysmën e parë të vitin 1960, në fshatin Oshlan të Vushtrrisë, por si familje reaksionare dhe anikomuniste, Partia Komunist në fuqi, e kishin vënë në shenjestër të përndjekjeve, prandaj ai mbeti si fëmijë i paregjistruar. Më vonë, me ndërmjetësimin e miqëve regjistrimi i tij u bë e mundur vetëm më 20 shkur 1961.

Ibrahim Shyti, qysh në Shkollën Fillore, u shqua për sjellje dhe sukses shembullor, dhe qysh atëherë nisi me u angazhuar në aktivitetet e ndryshme të shkollës, si vallëzim, këndim, recitim dhe grupin letrarë, ku mirrej edhe me shkrim të poezive. Ai ishte jo vetëm pjesë, por u shqua për prije dhe talent të veçantë, i cili dita – ditës mahniste personelin edukativo arsimor të shkollës. Si nxënës i klasës së shtatë, e ka përfaqësuar komunën e Vushtrrisë në garat krahinore të nxënësve në hartime në gjuhën shqipe, me titull të hartimit: “Dimër ishte, binte e binte borë” dhe me një përshkrim të temës, nga këndvështrimi i jetës personale, si fëmijë i një familje të anatemuar patriotike, hartimi i tij e zë vendin e dytë në Kosovë, dhe natyrisht do të bëjë bujë jo vetëm në Vushtrri e rrethinë.

Pas përfundimit të shkollës fillore, me suksese shembullor, në vitin 1975, vazhdon shkollimin e mesëm në Gjimnaz, si gjeneratë e fundit e mësimit klasik në Mitrovicë (dy vitet e para, ndërsa vitin e tretë dhe të katërt në Zveçan), të cilat i kreu po ashtu me sukses të lartë.

Në vitin e tretë të shkollës, gjatë një feste shkollore bie në sy një koreografi të ShKA ”TREPÇA” të minatorëve me seli në Zveçan, dhe ftohet t’i bashkëngjitet anëtarëve të saj, të cilët intenzivisht po përgaditeshin për një Festival me karakter federativ në Sarajevë, Bosnjë e Hercegovinës. Që në provën e parë u shqua për talent të rrallë, andaj i caktohet roli i solistit, dhe pas një kohe të shkurtër i bashkangjitet edhe shoku i klasës, daja dhe miku i pa ndarë për afro një dekadë, Brahim Ferizi.

Babai i tij Sadiku[5], minator në Kombinatin Trepça në Stan Tërg, jo vetëm në Oshlan, por në tërë Vushtrrinë dhe Mitrovicë ka qenë i njohur si patriot, këngëtar, po më shumë si vallëtar, atributët e të cilit tashmë në mënyrë profesionale po trashëgoheshin te i biri i tij, Ibrahimi Sadik Shyti, dhe duke i ditur raportet e familjes me pushtetin komunist në fuqi, babai i tij përveç vallëzimit, dëshironte që i biri Ibrahimi, të bëhej student shembullor në Universitetin e Kosovës në Prishtinë[6]. Sipas maksimës së njohur, ai e porosiste të birin, se “vetëm me dije dhe talent mundemi t’ia zëmë shkamin shkjaut!”[7], dhe siç i thoshte shpesh të birit “t’i dalim zot atdheut!” I ati i tij, ishte i bindur se vetëm një gjeneratë e shkolluar dhe arsimuar si duhej, do ta sfidonte sistemin komunist jugosllav i cili në Kosovë zbatonte ideologjitë ma primitive të mundshme.

Gjyshi, Hajzer (Tafa) Shyti[8], bashkë me të jatin Tafë Oshlanin, (stërgjyshi i Ibrahimit), ishin të njohur si ballist, të cilët kurrë nuk iu nënshtruan sundimit të Krajlit, Nikollë Pashiqi, që njihen si periudhë e sundimit të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene[9]. Andaj vlenë për tu theksuar se Hajzer (Tafë) Shyti, të cilit Drenica i kishte dhënë epitetin “Vojvodë”[10] i Kosovës, ka bashkëvepruar me qetat e Azem Bejtës[11].

Organizata politike e asaj kohe e njohur si Lëvizja Koçake në Kosovë[12], kishte shtrirë veprimtarinë e vet kudo nëpër trojet shqiptare. Në shtëpinë e tij kanë hyrë e kanë dalë edhe trima si Shaban Mangjolli[13], të cilin e kishte mik shtëpie[14], kurse Azem Bejtën e kishin prijës e Kapedan. Së këndejmi Hajzer (Tafë) Shyti – Oshalani, kishte njohje dhe bashkëvepronte me Emin Latin dhe Bajram Zenën, duke krijuar një rreth të gjërë të luftëtarëve anë mban Kosovës dhe Shqipërisë. Po ashtu ai kishte lidhje me Lec dhe Mehmet Gradicën, (ky i fundit bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës)[15], me Lutë Gllanasellën, Xhem Tërrnavcin, Rexhep Xhelin e me Halit Bajramin dhe Mehmet Konjuhin e me Hasan Prishtinën, Mursel Ahmet Delinë dhe familjën e Ramë Islamit nga Prekazi, Hazir Radishevën, Zenel Ujkanin e Bekë Galicën me Fazli Baranin, Imer Devetakun nga Ferizaji, si dhe me shumë luftëtar të Lëvizjes Kaçake të asaj kohe, e cila si lëvizje vepronte kudo në Kosovë dhe Shqipëri. Familja e Hajzerit, kishte lidhje edhe me Shahin e Hysen Gërdoci[16], të njohur në lëvizjen kaçake të kohës, Shahini, dhe atë antikomuniste, Hyseni, i cili ishte bashkëveprimtar i Xhafer Devës[17], të cilët ishin xhaxhallarët e rapsodit Naz Gërdoci (Nazmi Jakupi)[18], me të cilin Ibrahim Shyti kishte lidhje e miqësi. E përmenda këtë rast për të shpjeguar lidhjet zinxhirore dhe afritë e gjeneratave të reja edhe në fushën e kulturës, (ndoshta pa e ditur?!) se paraardhësit e tyre gjyshërit dhe stërgjyshërit kishin bashkëvepruar kundër ideologjisë komuniste që po shtrinte sovranitetin në tokën e Kosovës, e larë me gjakun e shumë burrave dhe të grave, edhe të gjeneratave të tjera të cilat asnjëherë nuk u pajtuan me sundimin Otoman, as me sundimin e MKS, por as me sundimin e ri serbo-komunist.

Vendlindja e Ibrahimit Shytit, Oshlani[19], në disa shënime të vjetra haset “Ashlan”[20] dhe është një vendbanim i hershëm në komunën e Vushtrrisë, Kosovë. Ky vendbanim është mjaft i vjetër. Në disa dokumnte të hershme përmendet qysh në vitin 1455 kur i kishte pasur 42 familje, që do të thotë se ishte po aq i madh sa ishte asokohe Gjilani. Oshlani shtrihet rrëzë malit Çyçavicë dhe është rreth 7 km në perëndim të Vushtrrisë. Në fshatin Oshlan, gjenden disa vendtoponime me rëndësi hidrografike siç janë: “Përroi i Davidit” dhe “Përroi i Milicës”[21], që janë mbledhës kryesor e të pashterrshëm të ujërave të cilat më pas derdhen në Sitnicë dhe Ibër. Gjithashtu, pozita gjeografike e fshatit, dhe vet shtrirja e tij rrëzë Maleve të Çyçavicës, e kanë bërë Oshlanin si vatër të rezistencës dhe të qëndresës edhe antikomuniste ku do të dallohej gjyshi i tij Hajzer Shyti – Oshlani, por pas fitorës së Revolucionit Bolshevik, familja Shyti gjithnjë do të shikohet si familje reaksionare dhe antikomuniste, e papërshtashme ideologjikisht, të cilën sistemi komunist do ta heq nga të gjitha privilegjet sociale e ekzistenciale që jepte aso kohe Partia Komuniste e cila tashmë kishte shtrirë pushtetin e vet në tërë Kosovën.

Edhe në Luftën e UÇK-së, (1998 – 1999)[22], i vëllai i Ibrahimit, Adnan Sadik Shyti (25.05.1978 – 29.05.1999), ishte pjesëtarë i njësisë speciale të Brigadës 142 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ZO të Shalës, dhe do të bie heroikisht më 29 maj 1999, vetëm katër ditë pasi i kishte mbushur plotë Njëzet e Një Pranvera. Akti heroik i Adnanit, është në vazhdën e sakrificave që ka bërë për Kosovën Familja Shyti nga Oshlani i Vushtrrisë, dhe kështu pragu i kullës së Koçakut të Kosvës, Tafë Shyti – Oshlani, do të lartësohet edhe me rënien heroike të stërnipit Adnan Sadik Shyti. Kurse më 30 maj 2019, pas 20 vjetësh, me iniciativë dhe këmbëngulësi të Ibrahimit, bëhet zhvarrosja e mbetjeve mortore të Heroit të Kosovës, Adnan Sadik Shyti[23], dhe bëhet percjellja me nderime ushtarake për në varrezat e dëshmorëve në Shipol, afër Mitrovicës.

1981 – ShKAA Ramiz Sadiku

Në ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 07 mars 2017, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar me medaljen Urdhri “HERO I KOSOVËS”[24], dëshmorin Adnan S. Shyti. Presidenti duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese, dhe duke marrë për bazë kontributin e dëshmorit Adnan S. Shyti, edhe për meritat e veçanta, për trimërinë dhe sakrificën e treguar në luftën e UÇK-së, ai dekoroi ish-ushtarin e UÇK-së me Urdhrin “Hero i Kosovës”. Ky vendim i Presidentit, është marrë duke u mbështetur edhe në propozimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.[25]

Tashmë Ibrahim Shyti, i dal nga një derë me atribute të larta heroike e patriotike që kishte vuajtur edhe dhunën dhe përsekutimin e sistemit komunist jugosllav, në vitin 1979, u ngjit shkallëve të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, i vetëdijshëm për të kaluarën e tij dhe të familjes, por me aspirata të larta për t’i arritur majat e suksesit ai u bë i dalluar edhe në studime dhe madje duke u shpallur edhe student i dalluar dhe me merita të veçanta në gjithë aktivitetet e rinisë studentore të fundviteve ’70-ta dhe fillimit të dekadës së vitetve të ’80-ta!

1982 – ShKAA Ramiz Sadiku

Si pjesëmarrës i demonstratave studentore, në “Pranverën Kosovare 1981”[26] anatemohet dhe i ndalohet për një vit paraqitja e provimeve në fakultet, ndërsa në përvjetorin e parë të demonstratave, më 12 mars 1982, mirret nga dhoma e tij në konviktin Nr.1 në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, nga dy agjentë të Shërbimit Sekret Shtetëror (ShSSh) dhe maltretohet mëse 13 orë në lokalet e ShSSh në Vushtrri, nga dy shqipfolës, të cilët edhe në Demokracinë e Re të shtetit të Kosovës kanë shtrirë “shpurën e tyre” në organet shtetëtore!

Angazhimin e tij si artist, vallëtar por jo vetëm kaq, më së miri e tregoi dhe e paraqiti nëpër skenat e ndryshme anë e kënd Europës, fillimisht me ShKAA ”Ramiz Sadiku“ të Universitetit të Kosovës (si quhej aso kohe Universiteti i Prishtinës!) Por, krahas kësaj, bashk me entuziast të mëdhenjë të kohës dhe miq e kolegë të fakultetit juridik, themeluan ShKA ”DREJTËSIA“, e cila mblodhi në gjirin e saj talent të shumtë në lëminë e këngës, vallës, dramaturgjisë, sportit etj…!

Si absolvent i fakultetit juridik, paraqitet në lokalet e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “SHOTA” (jo me një qëllim të veçant, se edhe më parë kishte oferta për të kaluar në këtë ansambël, pasi primare kishte studimet) dhe pranohet menjëherë dhe për një kohë shumë të shkurtër i caktohen rolet më të rëndësishme solistike brenda këtij Ansambli.

1982 – Ibrahim Shyti

Dashuria për vallën shqipe, lënë në prapaskenë gjithçka tjetër, përveç angazhimit në ngritjen e cilësisë dhe vlerës së artit të vallëzimit! Pasi këthehet nga shërbimi ushtarak, në vitin 1987, bashk me kolegen dhe yllin e vallës shqipe Hylkije Sadiku[27], vënë themelet e Shkollës së parë të Vallëzimit në kuadër të Ansamblit “SHOTA”, duke vu baza të shëndosha për ardhmërinë e këtij Ansambli, pjesë e të cilit janë edhe sot shumë nga ata nxënës.

Përveç kësaj, më 1988 caktohet në detyrën e Sekretarit të Ansamblit, ku krahas punës së lodhëshme në sallë, koncerteve dhe turneve të shumta, i rreket punës për përpilimin e statutit të ri të Ansamblit dhe rregullores për përcaktimin dhe kualifikimin e vendeve të punës sipas arritjeve profesionale dhe shërbimeve të nevojshem të ansamblit! Atëherë vetëm sa kishin filluar turbullirat politike në mbarë Kosovën dhe nga gjithë kjo nuk u kursye as Ansambli, si simbol i kultivimit, ruajtjes dhe shfaqjes së kulturës kombëtare shqiptare në mbarë botën!

Pikërisht këtu dhe në këto rrethana, vihet në pah e gjithë vigjilenca, e diturisë dhe trimëria e Ibrahimit dhe kolegëve shqiptarë të Ansamblit, kur kategorikisht refuzojnë masat e dhunëshme të “sistemit të ri” dhe i refuzojnë direktivat e ardhura nga Beogradi për pjesëmarrje në një koncert të përbashkët me estradën e Beogradit, qo ishte planifikuar të mbahej në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, me transmetim të drejtëpërdrejtë në tërë rrjetin jugosllav.

Në vitin 1982 …

Ibrahimi bashk me kolegun Bislim Isufi si anëtarë të sindikatës së pavarur, bëjnë konsultime paraprake me gjithë strukturat udhëheqëse të kohës, nga Dr. Fehmi Agani, Dr. Hajrullah Gorani, Dr. Muhamet Bicaj, Dr. Agim Krasniqi e shumë të tjerë, dhe pasi marrin të gjitha mendimet, vendosin njëzëri t’i thojnë “JO” kësaj oferte, me çka të nesërmen në mëngjes u gjetën para dyerve të Ansamblit, policia serbe me makineri të blinduar, dhe me atë rast filluan edhe procedurat disiplinore dhe përndjekja ligjore, kuptohet sipas skenarit të Beogradit!

Vetlargimi nga puna nuk ishte edhe aq tragjik, sepse si birë fshatari, mund të “ekzistonte” edhe nga toka bujqësore dhe blegtoria, porse atëherë kur filluan ndjekjet, kërcënimet dhe veçanërisht maltretimi i familjës, pas një vit e gjysmë në ilegalitet Ibrahimi i drejtohet një mikut të vet Austriak, me prejardhjes sllovene të cilin e kishte njohur gjatë një koncerti në slloveni, Profesor në Universitetin “Alpe Adria”[28] në Klagenfurt të Austrisë, me një të vetmen pyetja: ”Si është mundësia të largohem përkohësisht nga Kosova dhe të vijë në Austri?!

Në vitin 1986 …

Pas pak ditësh i erdhi përgjigjja bashk me një ftesë për pjesëmarrje në një Seminar të organizuar nga Instituti Pedagogjik i Universitetit në fjalë, lidhur me ngjarjet në ish Jugosllavi, meq lufta në Kroaci kishte marrë hov të madh. Ky ishte hapi i parë për të arritur në Austri, ku pastaj përmes angazhimit, punës së palodhëshme, sinçeritetit dhe dashamirësisë, krijoi një rreth të gjërë miqësh të nivelit të lartë intelektual, të cilët pas atij Seminari i mundësuan të regjistrohet si studenti i parë shqiptar në këtë universitet, në Degën e Gjuhës Gjermane dhe Komunikimit Intermediar… Vitet kalonin, studimet kërkonin shpenzime dhe leja e qëndrimit duhej vazhduar çdo 6 muaj.

Dhe, një dritë i shkrepi gjatë një mbrëmje studentore, kur Ibrahim Shyti ekzekutoi një valle me motive shqiptare para studentëve dhe trupit mësimor, dhe aty rastisi një regjisor teatri, i cili menjëherë Ibrahimit i ofron një rol në teater, e që bëhet edhe urë tejkalimi i të gjitha brengave, së paku atyre materiale!  Ai pranohet në teatrin e qytetit dhe me vullnet e sakrificë të mëdha arrinë gjerë tek rolet kryesore në shfaqjen: ”Maricka, apo një tregim vuajtje “ dhe “ Fëmijët e llastuar “ në rolin e babait të A. Hitler dhe Jörg Haider!

Shytët e Oshlanit 5 breza

Pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Klagenfurtit, caktohet ligjërues në “Institutin për Shkencat e Edukimit dhe Arsimim të Lartë“ me temën ”Marrëdhëniet psikologjike te popujt e Ballkanit – Kosova, nyje gordike e Ballkanit“, lëndë të cilën e ligjëron me suksese për tre semestra gjerë në shpërthimin e luftës në Kosovë, kur i ndërprenë ligjeratat në universitet për të kaluar në qeverinë e landit Kärnten (Charinthia)[29] dhe për tu marrë me përkujdesjen e refugjatëve nga Kosova! Kohë e zymtë, ndër më të vështirat dhe më trishtueset në jetën e tij, veçanërisht përjetimet në kampet e refugjatëve në Maqedoni, ishin trishtuese thotë Ibrahim Shyti!

Francë – 1995

Po, më e keqja për të, personalisht ishte, se ai kishte lënë në Kosovë gruan e re, me të cilën nuk i kishte as dy vjetë martesë dhe djalin e vogël Florentin dhe vajzën Blertën, e cila kishte lindur më vonë, për të cilët i digjej shpirti!  Me familjen u bashkuan pas shpërthimit të luftës, në muajin Maj 1998, përmes Shkupit, arriti t’i sjell me aeroplanin e parë nga Maqedonia edhe tërë antarët tjerë të familjes së ngushtë në Austri gjerë pas përfundimit të luftës ku së pari Ju siguroi kushte për këthim të gjithëve sikurse edhe 29 familje tjera në mbarë Kosovën!…

Vëllai …

***

Tash Ibrahim Shyti, me familjen e tij, mbesën e dashur Fionën dhe qenin e bardhë jeton në Klagenfurt, duke i kujtuar arritjet e shumta dhe sukseset artistike të cilat i mbeten storia më e mirë në karrierën e tij prej artisti, dhe emri më i dashur që shqipton: Ansamblit Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “SHOTA”[30]!…

St. Gallen, 06 tetor 2024.

Shefqet Dibrani

DISA NGA KONCERTET E IBRAHIM SHYTIT:

1980 – Prishtinë. (Në studion e RTP-së, Koncert ShKAA “RAMIZ SADIKU” ).

1981 – Shkup (25.01.1981), Koncert ShKAA “RAMIZ SADIKU”

1981 – Strugë, (tetor 1981), Koncert ShKAA “RAMIZ SADIKU”.

1981 – Prespë, (04.11.1981), Koncert ShKAA “RAMIZ SADIKU”.

1982 – Gjilan, (tetor 1982), në Pallatin e Sporteve në Gjilan.

1982 – Kroaci, (08.05.1982). ShKAA “RAMIZ SADIKU”, pjesëmarrëse në Festivali Ndërkombëtar të Folklorit në Daruvar, Kroaci.

1982 – Rjekë, (24 korrik 1982). Me ShKAA “RAMIZ SADIKU” në Festivalin Federativ të Shoqërive Kulturore e Artistike të Studentëve.

1984 – Turqi, (06.05.1984). Në festivalin Ballkanik në Efes (Ephesos), Turqi, Ansambli SHOTA fitoi Shtatorën e Artë të Artemisës. Vlenë të theksohet se koncerti u mbajt para 120.000 shikuesve, duke bërë jehonë, jo vetëm në Turqi.

1985 – Kroaci, (16.07.1985). Koncert i Ansamblit SHOTA në Biograd na Moru, Kroaci.

1985 – Prishtinë. Koncert, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “SHOTA”, në sallën e kuqe të Pa-llatit të Rinisë, para se Ansambli të nisej për në Angli.

1985 – Angli, (04-09.08.1985). Ansambli “SHOTA”, pjesëmarrëse në Festivalin Ndërkom-bëtar të Folklorit në Sidmauth, Angli.

1985 – Prishtinë, (10.11.1985), para Ansamblit SHOTA.

1986 – Pejë, (22.03.1986). Koncert i Ansamblit SHOTA, në stadionin e qytetit.

1986 – Prishtinë, Koncert, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “SHOTA”, në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë, para se të nisej Ansambli për në Francë.

1986 – Dijon, Francë, (08 tetor 1986). Me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “SHOTA”, (Nënkampion botëror në vallën popullore burimore dhe fituese e Xherdanit të Argjend.

1986 – Francë, (03.09.1986). Koncert i Ansamblit SHOTA në Beaune, Francë.

1989 – Rijekë, Kroaci. (Koncert, Ansambli i Këngëve dhe Valleve SHOTA).

1989 – Prishtinë, (20.05.1989). Me Ansamblin SHOTA. (Ndarja e Diplomave të gjeneratës së parë të shkollës së vallëzimit në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “SHOTA”! Një mirënjohje edhe për mësuesin e parë të shkollës së vallëzimit Ibrahim Shyti).

Në Francë, në vitin 1995

* Kronologjia e aktiviteteve, është bazuar në shënimet e protagonistit, Ibrahim Shyti, të publikuara në profilin e tij, në Rrjetin Social FACEBOOK; https://www.facebook.com/ibrahim.shyti.3/about?locale=de_DE

Përgatiti: Sh. D.

FUSNOTAT:

[1] “Rregullore (MKRS) Nr. 11/2016 e Punës për Funksionimin e Brendshëm të AKKV “SHOTA”, Prishtinë, 02.08.2022. https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=16269

[2] WIKIPEDIA, Enciklopedia e lirë; “Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “SHOTA”; https://sq.wikipedia.org/wiki/Ansambli_Komb%C3%ABtar_i_K%C3%ABng%C3%ABve_dhe_Valleve_%22Shota%22

[3] Besartë Elshani, “Ansambli “SHOTA” gërmon në traditë, nga Ulqini merr “Vallën e Peshkatarëve”, ULQINI-ONLINE.COM, 31 janar 2024. – https://ulqini-online.com/sajti/?p=36418

[4] Ansambli “SHOTA” nderohet me medaljen “Gjergj Kastrioti”, KultPlus, 11 tetor 2018; https://www.kultplus.com/teatri/ansambli-shota-nderohet-me-medaljen-gjergj-kastrioti/

[5] Sadik Shyti Oshlani – NJË PATRIOT I HARRUAR, 2020. (Sadik Shyti Oshlani, ndërroj jetë me 31. Mars 2003, si 67 vjeçar): https://www.reddit.com/r/kosovo/comments/k9uv4g/nj%C3%AB_patriot_i_harruar/?rdt=52151

[6] “UNIVERSITETIN E KOSOVËS NË PRISHTINË”, tash Univeristei i Prishtinës «Hasan prishtina”; https://www.uni-pr.edu/

[7] Shih fusnotën 6. “Sadik Shyti Oshlani NJË PATRIOT I HARRUAR”…

[8] Fadil Shyti, “HAJZER (TAFA) SHYTI, 1900-1986”; https://www.albaniapress.com/lajme/24639/NJ%C3%8B-TAKIM-I-PAHARRUAR-ME-ATDHETARIN-DUKAGJINAS-AHMET-SALIH-SHATRIN.html

[9] WIKIPEDIA, Enciklopedia e lirë. Mbretëria Jugosllave, (Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, (1918-1914); https://sq. wikipedia.org/wiki/Mbret%C3%ABria_Jugosllave

[10] WIKIPEDIA: Vojvoda kuptimi; https://sh.wikipedia.org/w/Vojvoda#:~:text=Vojvoda%20(%C5%BE.,duks)%20za%20ratnog%20poglavicu

[11] WIKIPEDIA – Enciklopedia e lirë. Azem Bejta Galica; https://sq.wikipedia.org/wiki/Azem_Galica

[12] Dr. Liman Rushiti, “LËVIZJA KAÇAKE NË KOSOVËS“, (1918-1928), botoi Instituti i historisë së Kosovës, Prishtinë 1981.

Lëvizja Kaçake lindi si formë e rezistencës kundër pushtuesit të huaj.Me këtë emër njihet në periudhën turke në shkeullin XV-XVI, e cila kishte më tepër karakter ekonomik sesa politik.Kjo lëvizje vjen duke u shtuar gjithnjë e më tepër dhe merr formën e rezistencës politike në truallin shqiptar,posaçërisht në gjysmën e dytë të shekullit XIX e bëhet më masive pas shuarjes së  Lidhjes së Prizrenit.

– WIKIPEDIA, Lëvizja e kaçakëve; https://sq.wikipedia.org/wiki/L%C3%ABvizja_e_ka%C3%A7ak%C3%ABve

[13] WIKIPEDIA – Enciklopedia e lirë; „Shaban Mangjolli – Një jetë të tërë për atdheun“; https://sq.wikipedia.org/wiki/Shaban_Mangjolli

[14] WIKIPEDIA, po aty,

[15] Sh. Dibrani: PINJOLLËT E RRUSTEM LLUKËS, 2015. „Rezistenca e Demë Ali Pozharit në vitet 1941-1944“, f.145.

– Po aty, „Beteja e Pazarit të Ri“, faqe 148-151.

[16] Sh. Dibrani: PINJOLLËT E RRUSTEM LLUKËS – Kapitulli Demë Ali Pozhari, Prishtinë 2015, faqe 166.

– Po aty, faqe 167.

– Po aty 189.

[17] Sh. Dibrani; po aty, „Mbi 60 Gruppe të rezistencës antikomuniste“, faqe 167.

[18] WORLD&KOSOVA.INFO; Sh. Dibrani: RAPSODI QË REALIZOI PAVDEKSINË!… (Ese për rapsodin Nazmi Jakupi – Gërdovci, 26.09.1953 – 05.07.2016); https://worldks.info/keshtu-e-perkujton-shkrimtari-shefqet-dibrani-rapsodin-dhe-vendasin-e-ti-nazmi-jakupin-naz-gerdovcin/

[19] WIKIPEDIA – Enciklopedia e lirë; „Artakolli i Çyçavicës: https://sq.wikipedia.org/wiki/Artakolli_i_%C3%87y%C3%A7avic%C3%ABs

[20] WIKIPEDIA – Enciklopedia e lirë; „Ashlani“: https://sq.wikipedia.org/wiki/Ashlani

[21] Po aty, Wikipedia – Ashlani.

[22] YouTube, “Dëshmor i Kombit – ADNAN SADIK SHYTI – Film Dokumentar, Realizoi: Florent Shyti, Klagenfurt/ Austri, më 29.05.2012. Emituar në YouTube, 30.05.2024. https://www.youtube.com/watch?v=fnXU4iJVNX4

[23] YouTube, “UÇK – Dëshmori Adnan Sadik Shyti”; “Vëllau ynë s’të zuri gjumi”, kënndon Ilir Shaqiri. https://www.youtube.com/watch?v=pK7YbI8-yDo

– Fadil Shyti; KUR VJEN MAJI, poezi kushtuar kushëririt tim dëshmor, Adnan Shyti me rastin e 9 vjetorit të rënies heroike. Portali “Diplomacia.dk”, Suedi, 26 prill 2008; https://diplomacia.dk/shpirt-i-trazuar-2/

[24] WIKIPEDIA – Enciklopedia e lirë; „URDHRI HERO I KOSOVËS; https://sq.wikipedia.org/wiki/Urdhri_Hero_i_ Kosov%C3%ABs

– Personalitete të cilave u është akorduar urdhri “Hero i Kosovës” nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

[25] Zyra e Presidentit/ës të Kosovës. “PRESIDENTI THAÇI DEKOROI MBI 100 PERSONALITETE ME URDHRIN “HERO I KOSOVËS”, Prishtinë, 07 mars 2017. https://president-ksgov.net/presidenti-thaci-dekoroi-mbi-100-personalitete-me-urdhrin-hero-i-kosoves/

[26] Ismail Gashi Sllovia, “43-vjetori i Pranverës së madhe të Kosovës 1981”, gazeta “Bota sot”, 01 prill 2024; https://www.botasot.info/opinione/2149721/43-vjetori-i-pranveres-se-madhe-te-kosoves-1981/

– Sh. Dibrani, “Vit i mendësisë së re shoqëroro-politike të Kosovës, (Shënim në pesëmbëdhjetë vjetorin e demonstratave të vitit 1981)”, faqe 243-250. (Shih librin e autorit: “VIRTYTE DHE VISARE“, Prishtinë 2010.

[27] Facebook, Hylkije Sadiku; https://www.facebook.com/hylkije.sadiku.5/

[28] “Alpen-Adria-Universität”, Klagenfurt; https://www.klagenfurt.at/stadtservice/bildung-schulen/universitaet-und-fachhochschulen

[29] Fachhochschule Technikum Kärnten Standort Klagenfurt; https://www.klagenfurt.at/stadtservice/bildung-schulen/universitaet-und-fachhochschulen

[30] WIKIPEDIA, Enciklopedia e lirë: Ansamblit Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “SHOTA”; https://sq.wikipedia.org/wiki/Ansambli_Komb%C3%ABtar_i_K%C3%ABng%C3%ABve_dhe_Valleve_%22Shota%22

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu