ARKIVI:
23 Nëntor 2024

At Gjergj Fishta: Shqiptar jetoi gjithë jetën

Shkrime relevante

Harbutëria e “analistëve” ndaj mërgatës sonë nëpër botë

Afrim Caka, Gjakovë SYTË TANË S'JANË SI MË PARË!!! Eh ç'ju raskapit shpirti...

Presidentja Vjosa Osmani në vizitë pune në Kanada-përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë...

Përkrahësja e madhe e kauzës Shqiptare, Edhit Durhami, përkujtim në 80 vjetorin e vdekjes

Edith Durham 1863-1944 Nail Draga, Ulqin Nga të dhënat e njohura  deri tash...

Prezantohet Fjalori i Madh për Gjuhën Shqipe, Gjinushi: U hartua nga 55 bashkautorë e 25 hartues

Nga Marseda Qefalia 22/11/2024 TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ Në ditën e dytë të Kuvendit...

Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Nga edlira.ruzi 22/11/2024 TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë...

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli

23 Tetor, 1871 – 30 Dhjetor, 1940

  • Në ditëlindjen e tij

Ja, erdhi edhe një përvjetor ditëlindjeje i At Gjergj Fishtës! Edhe kjo si të gjitha më parë – përvjetorët e lindjes dhe kalimit të tij në amshim — vjen e shkon, pa u kujtuar, pa u përmendur, zyrtarisht — dhe i harruar nga shumica, pothuaj ashtu si dikur nën regjimin komunist të Enver Hoxhës kur ishte shpallur, armik, fashist, i shitur e tradhëtar. Si rrjedhim dhe me qëllim që të mos i përmendej emri as vepra e tij. Të konsiderohej i paqenë, sikur të mos ketë ekzistuar fare!

Këto rreshta modest sot, le të shërbejnë vetëm si një kujtim kalimtar për lexuesin e rendomtë se me 23 Tetor, 1871 ka lindur At Gjergj Fishta, një burrë i madh i Kombit –- por i harruar dhe i abuzuar nga një diktaturë fatzezë për veten dhe për Kombin. Që për pothuaj 50-vjetë komunizëm dhe për rreth 35-vjet regjimesh në “demokraci”, të përbëra nga post-shërbetorë dhe nostalgjikë të atij regjimi, deri në ditët e sotëme.

Kjo, megjithse sot, emri i Gjergj Fishtës mund të përmendet, aty këtu, ndërsa veprat e tija botohen nga individë dhe ente private, por për autoritarët politikë të “post-komunizmit” aktual dhe për akademikët e varur prej tyre, ideologjikisht dhe financiarisht– përfshir Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, po edhe atë të Kosovës — zyrtarisht, At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi e shumë të tjerë si këta, të njohur dhe më pak të njohur — vazhdojnë të konsiderohen ashtu si në diktaturën komuniste – tradhëtar, të shitur e armiq të Shqipërisë — të harruar dhe të abuzuar për pothuaj një shekull tanai! Apologjetët e sotëm të diktaturës komuniste në Shqipëri nuk kanë turp në fytyrë. Jo vetëm që kujtohen rregullisht në raste të nevojshme, por me fonde të shtetit shqiptar, shkrimtarëve të realizmit socialist-komunist po u rinovohen shtëpitë e tyre dhe po u dedikohen muze me vendime zyrtare dhe me pëlqimin dhe miratimin  nga shërbëtorët dhe nostalgjikët e ish-regjimit enverist – gjithnjë në pushtet dhe poste për të marrë  vendime të tilla.

Fatkeqësia e përjashtimit dhe e harresës — që ka pësuar gjatë shekullit të kaluar dhe vazhdon të pësojë At Gjergj Fishta në Atdheun e vet — për të cilin luftoi aq shumë për të ndërtuar një Shqipëri të vërtetë dhe për bashkimin kombëtar në periudhat më të mjerueshme për të— është se ai po vazhdon të injorohet madje edhe sot në Shqipërinë post-komuniste, ashtu siç qe përjashtuar ai dhe vepra e tij nga regjimi komunist për një gjysëm shekulli. I hedhur në harresë nga vet kombi i vet, të cilit gjithë jetën u përpoq t’ia mbronte të drejtat, vlerat dhe interesat e tij në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare. Por, ndoshta edhe për faktin se – ndryshe nga ish-regjimi komunist dhe nostalgjikët e tij,  Fishta me veprat e tija të pavdekshme, ka përjetësuar vlerat dhe traditat kombëtare të fisit të shqiptarit, për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve.

Për fat të keq të Kombit, mashtrimet dhe tradhëtia, për pothuaj një shekull komunizëm e post-komunizëm ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, vazhdojnë. Nuk ka ndryshuar asgjë as nga “përdhunimi historik”, ndaj tij, kujtesës dhe veprës së tij: harresa e qëllimtë zyrtare dhe denigrimi historik kundër At Gjergj Fishtës, vazhdojnë. E nga kush?!

Nga një klasë politike post-diktatoriale por me influencë në vendimarrje të tilla — nga një grup i brezit të historianëve politikë të idoktrinuar, që edhe sot kryesojnë dhe drejtojnë, ndër të tjera, Akademinë e Shkencave dhe entet e tjera kryesore akademike e kulturore, në vend.  Është e pafalshme heshtja arrogante e autoriteteve politike dhe akademike shqiptare në lidhje me këtë çështje. Kjo heshtje nuk është e denjë për një shtet si Shqipëria, vend kandidat për antarësim në Bashkimin Europian –ndërsa nuk çon aspak ujë në mullirin e dobisë së interesave afatgjata kombëtare – të kësaj familje të madhe trako-ilire, një familje kjo sipas At Gjergj Fishtës, historikisht, “në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve”.

Nuk mund të durohem, por më duhet të shtroj pyetjen për ata që kanë pushtetin në dorë e që mund të marrin kollaj vendime në favor të figurës së Gjergj Fishtës dhe rolit të tij në historinë kombëtare. Se si mund të gënjeni duke u deklaruar si pro-perendimorë, se po, deshironi t’i bashkoheni Evropës dhe aleancave perëndimore, por njëkohësisht, vazhdoni të përjashtoni dhe të mos kujtoni At Gjergj Fishtën, shqiptarin, ndoshta më pro-perëndimor të fisit shqiptar ndër shekuj – që nga koha e Gjergj Kastriotit-Skenderbe. Na është thenë se Shqipëria ka “shënuar një moment historik në procesin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke hapur grup-kapitullin e të negociatave në kuadër të Konferencës Ndër-qeveritare të mbajtur në Luksemburg, një javë më parë. Megjithse shpresat janë të paka dhe procesi shumë i gjatë, por nuk besoj se Shqipëria hynë në Bashkimin Evropian pa vlerat pro-perëndimore të At Gjergj Fishtës.

Për mua është e vështirë të marr me mend se pse gjithë ky inat e mllef ndaj At Gjergj Fishtës, madje edhe sot kur Shqipëria aktuale politike pretendon se jeton në një “demokraci”, ndonëse e brishtë! Përveç faktit se komunistët shqiptarë të periudhës së Enver Hoxhës dhe nostalgjikët e sotëm të komunizmit, nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat kombëtare dhe dashurinë At Gjergj Fishtës për Atdheun, për Shqipërinë. Sepse, siç ka shkruar me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Fishtës Karl Gurakuqi Frank Shkreli: Karl Gurakuqi, mjeshtër i shqipes, mik dhe bashkpuntor i Avni Rustemit | Gazeta Telegraf – “…Gjëndemi përpara dy mendësive, (sa i përket trajtimit ose keq-trajtimit të Fishtës nga autoritetet shqiptare në të kaluarën dhe tani, shënimi im) e që janë shumë larg njëra nga tjetra, sa nata me ditë: simbas edukatës së Poetit (Fishtës), të marrur në rini e simbas ambientit në të cilin është rritur: Shqipëria duhej të dilte në dritë me bashkim zemrash, me vëllazëri, me arsim e kulturë, me nderim të cilësive karakteristike shqiptare: besë, burrni, nder e fe. Kurse, Shqipëria e anës kundërshtare (e komunizmit dhe shërbëtorëve të diktaturës sot, shënim i imi), është mbështetur në mëni, në ndasi, në errësirë, në vrasje e në përçmim të gjërave më të shënjta, si histori, letërsi, gjuhë e flamur. Me fjalë tjera, kanë qitë cekën me e shburrëruar Shqipërinë, me e shfisnuar e me e bastardhuar. Është program i atyre që nuk e kanë dashur kurrë Shqipërinë, janë ata të shkollës së Tartufit…”, ka shkruar i ndjeri Karl Gurakuqi.

Këta, vërtetë janë të shkollës së tartufit — hipokritë! Mirë e ka thënë Karl Gurakuqi. Kemi të bëjmë me dy pikpamje të ndryshme – si nata me ditë — sa i përket vlerave kombëtare dhe dashurisë për Atdheun. Kemi të bëjmë me doktrinën internacionaliste të komunistëve shqiptarë të cilët ishin gati të ndryshonin dhe e ndryshuan flamurin e Gjergj Kastriotit Skenderbe për qëllime ideologjike duke e hedhur në baltë, e duke i shtuar drapër e çekiq, simbolet e komunizmit ndërkombëtar. E nga ana tjetër kemi Gjergj Fishtën — siç na kujton edhe Karl Gurakuqi në shkrimin e tij me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Poetit — i cili sipas tij, me guxim të pashoq, kur Shkodra ishte e pushtuar nga fuqitë ndërkombëtare të kohës që nuk lejonin valvitjen e flamurit shqiptar, vetëm nji vit pas pavarësisë,  në kundërshtim me ta, Gjergj Fishta ka ngritur flamurin e Kombit mbi kambanën e Kishës së Franeskanëve, ndërsa nepër rrugët e Shkodrës nxorri fëmijtë e shkollës për të kënduar himnin e flamurit të përpiluar nga vet Fishta: Gjergj Fishta – Hymni I Flamurit Kombetar –  Gurakuqi kujton fjalët e Fishtës kur u predikonte fëmijve duke u thëne se, “Nuk preket toka shqiptare, se trolli ynë është i shejtë, i huaji nuk ka çka bën ndër ne kur vjen me qëllime të këqia…”, duke shprehur të drejtën e shqiptarëve për të jetuar në tokën e të parëve të vet dhe për ta mbrojtur nga të gjithë të huajt me të gjitha fuqitë dhe me ndihmën e Zotit, sipas Fishtës:

Jo, po na sot këtu sundojmë;

Këtu s’ecë fjala e tjetërkuj;

Gjallë lirinë na nuk e lshojmë

S’njohim mbret e as krajl të huej!

Zoti në qiell e na mbi tokë;

Me gjithkend vëllazen e shokë,

Por secili n’cak të vet!

Dhe më në fund në këtë përvjetor të lindjes së Gjergj Fishtës u kujtojmë të gjithë atyre që ende mund ta konsiderojnë atë “tradhëtar”, “i shitur”,  dhe epitete të tjera fyese, sidomos atyre që, “nuk po u kuqet fytyra t’a bajnë Atdheun plaçkë shkëmbimi”, sipas fjalëve të Karl Gurakuqit.  U kujtojmë atyre dhe gjithë të tjerëve se Gjergj Fishta – në këtë përvjetor të lindjes dhe gjithmonë — jetoi dhe mbeti shqiptar. Ndryshe nga ata që e kanë përjashtuar dhe këta që vazhdojnë ta përjashtojnë, ta harrojnë dhe të mos e kutojnë as në ditëlindjen e tij, për vlerat, kontributet dhe dashurinë e tij për Atdheun – Fishta, “Shqiptar jetoi gjithë jetën. I varfër leu dhe më i varfër vdiq. Nuk grumbulloi pasuri, por i la kombit pasurinë më të madhe: veprat që nuk dijnë kurrë mort!” (Karl Gurakuqi)

Gëzuar ditëlindjen, At Gjergj Fishta, Apostull i Madh i bashkimit dhe vëllazërimit shqiptar!

Frank Shkreli & Gjergj Fisha

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Tungjatjeta z. Frank Shkreli!

    E lexova shkrimin e juaj me titull: AT Gjergj Fishta Shqiptar jetoi gjithë jetën” të publikuar po këtu në Drini.us, të cilën e moderon i respektuari Gjergj Kabashi. Shkrimi më bëri përshtypje, ndaj vendosa te jap koment.
    Ju shkruani (përveç tjerash): “Për mua është e vështirë të marr me mend se pse gjithë ky inat e mllef ndaj At Gjergj Fishtës, madje edhe sot kur Shqipëria aktuale politike pretendon se jeton në një “demokraci”, ndonëse e brishtë! Përveç faktit se komunistët shqiptarë të periudhës së Enver Hoxhës dhe nostalgjikët e sotëm të komunizmit, nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat kombëtare dhe dashurinë At Gjergj Fishtës për Atdheun, për Shqipërinë.”
    Dhe, shkrimin e përmbyllni me fjalët: Fishta, “Shqiptar jetoi gjithë jetën. I varfër leu dhe më i varfër vdiq. Nuk grumbulloi pasuri, por i la kombit pasurinë më të madhe: veprat që nuk dijnë kurrë mort!” (Karl Gurakuqi)
    Gëzuar ditëlindjen, At Gjergj Fishta, Apostull i Madh i bashkimit dhe vëllazërimit shqiptar”
    Ju lumt për shkrimin..
    *
    1. Po i citoj këto thënie të mençura:

    Deri sa t’mundem me ligjërue,
    E sa gjallë me frymë unë jam,
    Kurrë Shqypni, s’kam me t’harrue,
    Edhe n’varr me t’përmend kam.
    (At Gjergj Fishta)
    Ata kurrë mos u harrofshin,
    N’zemra tona gjithmonë rrnofshin!
    (At Gjergj Fishta)
    2. Fritz Radovani në shkrimin e tij të publikuem në web.Albemigrant” të cilën e moderon i gëzueshmi Paul Tedeschini, me titull:”Eshtnat e At Gjergj Fishtes gjinden në varrezat në Rrëmaj” (Shkodër), ka demantue shkrimet e deritashme ,së gjëja eshtnat e Fishtës janë hedhur në lum’!
    3. Unë kam botue libër për At Gjergj Fishtën me titull: RAPSODI QË E KËNDOI “LAHUTËN E MALËSISË” – kushtuar At Gjergj Fishtës në 79 vjetorin e kalimit në amshim dhe babës tim (Mustafë Hasani) në 36 vjetorin e ndarjës nga jeta. Baba im e ka ditur përmendësh “Lahutën,,,” por theks të veçantë i ka kushtue Kangës se Oso Kukës”, të cilën Fishta e ka përmbyll me vargjet:

    “S’ka me ra fisi i Shqyptarit
    N’thojn t’pangishem të “Gaspodarir*”
    “TROBOJNICA*” KJOFT MALLKUE!

    ME RESPEKT.
    ismeti
    P.S. Gjergj Fishta ka lind më 23 tetor 1871 , në Fishtë e ka vdek’ në Shkodër më 30 djetor 1940.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu