Nga: Sheradin Berisha
Gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës 1989 edhe pse veprimtaria e organizuar e Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut dhe shokëve, kishte rënë në sy të UDB’së përmes spiunëve shqipfolës, ata nuk do ta ndalin aktivitetin e tyre për asnjë moment, madje me krenari e guxim të pashembullt do të deklarojnë, se: “të gjallë nuk do të biem në dorë të armikut”. Dhe këtë shembull e heroizëm biblik e dëshmuan më 2 nëntor 1989. Në orët e paradites së 2 Nëntorit 1989, pasi UDB’a kishte marrë informacionin e nevojshëm, për vendndodhjen e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, nis aksionin. Forcat speciale të policisë, rrethojnë lagjen “Bregu i Diellit” duke synuar Bllokun nr.7 dhe atë nr.6 hyrja A/7, të kësaj lagjeje. Pas një beteje të përgjakshme që zgjati nga ora 12:30 gjerë në orën 18:00, ranë heroikisht Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.
Pasqyra e lëndës:
1. Shembëlltyra e Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut dhe Fadil Vatës
2. Afrim Zhitia: “Babë, na kanë burgosur profesorin”
3. Gjykatësi Ahmet Ahmeti më tha “A po shkon me pa kasapin”!
4. Afrim Zhitia i thotë gjykatësit: “Jo, nuk pendohem…”
5. Gjykatësi Ahmet Ahmeti: “Afrim Zhitia – në “emër të popullit” denohesh me 8 vjet burg”!
6. U mërzita shumë për shpifjet kundër Afrimit!
7. Shkuam të ankohemi, por, Vesel Latifi dhe Kolë Shiroka nuk na pranuan në bisedë-na përzunë!
8. Afrim Zhitia: “…unë nuk nderoj gjakpirësin e popullit tim!”
9. Afrim Zhitia dhe Fadil Vata – shtyllat kryesore të veprimtarisë së organizuar në LPRK
10. Afrim Zhitia: “Babush, unë ju dua të dyve,…”
11. Fahri Fazliu: “Mos u mërzit, Afrimi është mirë!”
12. “Të gjallë nuk do të biem në dorë të armikut”
13. Si u zhvilluan demonstratat e tetorit – nëntorit 1989
14. Aktiviteti i shtuar gjatë muajve shtator – tetor 1989 dhe arrestimi i disa shokëve të Lëvizjes
15. Cilat ishin shkaqet që çuan deri te rënia e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut?
16. Si e kujton këtë ngjarje Fahrija-motra e Fahri Fazliut?!Ishim të rrethuar me Spiuj, policë, njerëz civilë.
17. Si e kujton këtë ngjarje Baca Osman? „Dy të rinj u vranë! Fahri Fazliun e tregonin me emër. Për Afrim Zhitinë jo”.
18. Më pyeti: “A e njeh”? I thash po, është djali im… “Afrim, hallall me babën, nuk e ke koritur veten e as babën…”
19. Nëna Qamile: “Hallall të qoftë gjiri që ta kam dhënë o bir! Unë nuk do ta derdh asnjë pikë loti”
20. Babushi ynë i Madh: “Ja kështu rrodhi gjithçka”
21. Si përfundim.
* * *
1. Shembëlltyra e Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut dhe Fadil Vatës
Afrim Zhitia, u lind më 14 shkurt 1965 në fshatin Llugë të Besianës (ish’Podujevës) dhe shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa të mesmen në Prishtinë. Fahri Fazliu, u lind në vitin 1963 në fshatin Llaushë të Besianës, i cili poashtu shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesmen në Prishtinë. Fahriu ishte pjesëmarrës aktiv i demonstratave të pranverës 1981, u shqua për vendosmëri e guxim dhe për më tepër si patriot i devotshëm, dhe këto cilësi e kalitën për situata edhe më të rënda që do të vinin më vonë. Pas kryerjes së shkollës së mesme shkon në shërbim ushtarak dhe gjatë kësaj periudhe ai iu nënshtrua presioneve e provokimeve të ndryshme, për të vetmen arsye pse reagonte ndaj padrejtësive që i bëheshin atij dhe shqiptarëve të tjerë. Pas kthimit nga shërbimi ushtarak, Fahriu u mishërua me hallet dhe vuajtjet e përditshme të popullit, duke u bërë kështu shembull i një veprimtari të denjë për kauzën tone Kombëtare. Krahas punës ilegale, pasi u punësua si dispeçer i trenave në Organizatën Hekurudhore “Prishtina”, ai do të jetë i pari që urdhëresat dhe shkresat tjera do t’i shkruaj në gjuhën amtare, me çka i jepte porosi të qartë regjimit komunist se gjuha shqipe është gjuhë e vetme zyrtare në Kosovë. Për këtë qëndrim dinjitoz e të palëkundur ai u suspendua disa herë nga puna, por, falë disa shokëve, me të cilët kishte punuar shumë në ngritjen e vetëdijes kombëtare, do të punoj edhe për një kohë. Fahriu atëkohë gjersa punonte edhe studionte në Fakultetin e Ndërtimtarisë, ndërsa kishte edhe tre provime për të diplomuar në Shkollën e Lartë të Komuni – kacionit në Zagreb. Krahas gjithë këtij angazhimi të përditshëm, për asnjë moment nuk iu nda veprimtarisë patriotike dhe kontributin maksimal do të jap në dy vitet e fundit të jetës së tij (1988 – 1989). Në valën e protestave, grevave dhe demonstratave të vitit ’88 – ’89, Fahriu me Afrim Zhitinë, Fadil Vatën e shumë drejtues të LPRK’së, u bën pjesëmarrës aktiv dhe bartës të të gjitha këtyre zhvillimeve. Në këtë kohë kur minatorët gjendeshin në zgafellë (08 – 22 shkurt 1989) Fahriu ishte në mesin e studentëve (në sallë) të cilëve u jepte zemër për qëndresë,… Në ngjarjet e marsit dhe të majit të vitit 1989 atë bashkë më shokët e gjeje kudo: në Prishtinë, në Ferizaj, në Podujevë e gjetiu. Gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës 1989 edhe pse veprimtaria e organizuar e Fahriut, Afrimit,.. kishte rënë në sy të UDB’së përmes informatorëve shqipfolës, ata nuk do ta ndalin aktivitetin për asnjë çast dhe madje me krenari e guxim të pashembullt do të deklarojnë, se: “të gjallë nuk do të biem në dorë të armikut”. Dhe, këtë shembull e heroizëm biblik e dëshmuan më 2 nëntor 1989.
2. Afrim Zhitia: “Babë, na kanë burgosur profesorin”
Osman Zhitia, babai i Heroit të Kombit Afrim Zhitia, në një bisedë për gazetën “Epokën e re” më 28 Korrik 2009, e botuar edhe në pashtriku.org (31.07.2009, si dhe në një rrëfim për gazetën studentore “Bota e Re” më 20 shkurt 1991, duke shpalosur historikun e familjes Zhitia ndër vite, ka rrëfyer edhe për aktivitetin patriotik të Afrimit. “Afrimi ka qenë në Shkollë të Mesme në Prishtinë” dhe “Profesor e ka pasur Nezir Myrtën.” Ai “ka qenë edhe profesor i Esat Brajshorit”. – kështu e ka nisur bisedën Baca Osman. „Kur u bënë demonstratat e ’81’shit dhe filluan burgosjet, e burgosën edhe Nezir Myrtën, profesorin e Afrimit. Afrimi erdhi në shtëpi dhe më tha: “Babë, na kanë burgosur profesorin”. Unë u mërzita. Neziri në burg e shkruan një letër për familjen e tij dhe pyet: “Ju lutem shikoni dy nxënës mos i kanë arrestue”. E ka pasur fjalën për Afrimin dhe Esatin (Brajshorin). Në vijim Babushi (siç e thërrasin fëmijët e tij Bacin Osman) thotë: „Pas ’81-shit, Afrimi punonte punë të rënda, fitonte pak para dhe ato ua dërgonte të burgosurve politikë. Vazhdimisht ky ka qenë aktiviteti i Afrimit deri në kohën kur e thirrën për ushtri në vitin 1983″.
3. Gjykatësi Ahmet Ahmeti më tha “A po shkon me pa kasapin”!
„Më 8 tetor 1983, Afrimin e përcjellin ushtar për në Banjallukë. Pushteti na pati në sy neve si kundërshtarë të rrezikshëm të tij. Afrimi sikur e trashëgoi rrugën e gjyshit – Sylë Durmishit. Edhe babën tim e vranë çetnikët serbë…“ – kujton Baci Osman. Ai e kujton me dhimbje vrasjen e Rexhep Malës dhe Nuhi Berisha më 11 janar 1984. “Kur u vranë këta të dy, pas një kohe u zbulua edhe grupi i Afrimit”, thotë ai.
Në krye të këtij grupi ka qenë Sejdi Veseli, pastaj Shemsi Veseli, Esat Brajshori, Ilaz Zhitia dhe disa të tjerë. “Atij i kujtohet mirë se, pas vrasjes së Rexhep Malës e Nuhi Berishës, Afrimi e lajmëron në telefon se e kanë marrë në pyetje hetuesit e gjyqit ushtarak, dhe se më 14 shkurt 1984 e burgosin dhe e sjellin në burgun e Prishtinës”. Ne tek mbas 6 – 8 ditësh informohemi se Afrimin e kishin sjellë në Burgun e Prishtinës…Edhe Esat Brajshorin e kanë marrë në Zagreb“ – thotë Babushi ynë i nderuar. Kur e sjellin Afrimin në Prishtinë shkova pyeta në Gjyq të Qarkut, tek Isak Nishevci, i cili ka qenë gjykatës hetues i Afrimit. E pyeta Isak Nishevcin: “A mundesh mem tregue ku e kam djalin?” Më tha është në burg, në Prishtinë. I kërkova një leje që të shkoj t’i dërgoj diçka. Lejen ma dha. Pastaj shkova te burgu, ia dërgova pak duhan edhe disa gjëra të tjera. Shpresova që po më lejojnë ta shoh. Kam pritur katër orë me atë shpresë derisa erdhën dy policë dhe më pyetën: “Bacë çfarë po pret këtu? Shko se nuk ka mundësi me pa djalin”. Afrim Zhitia gjashtë muaj ka qëndruar nën hetime, dhe baca Osman me gruan e kanë vizituar shpesh Afrimin. “Vizitat kanë qenë vetëm tre minuta” – thotë ai. “Më kujtohet kur gjykatësi, Ahmet Ahmeti më thoshte për Afrimin: “A po shkon me pa kasapin”. Unë i thashë, “Djali im nuk është kasap”. Aty jam tmerruar. Në atë kohë Afrimi ka qenë i mitur, dhe kur u arrestua ka qenë dilema nëse është i mitur apo jo. Për ta dënuar, për ta kapur ligji, gjykatësi Ahmet Ahmeti ia ka rritur vitet!”.
4. Afrim Zhitia i thotë gjykatësit: “Jo, nuk pendohem”
Bacit Osman i kujtohet mirë edhe dita kur Afrim Zhitia doli para gjyqit në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, bashkë me shokët e veprimtarisë Kombëtare. “Me datën 19 qershor 1984, Afrimi del në gjykim me grupin e Sejdi Veselit. Afrimi ishte shumë i ri. Ende nuk i kishte mbushur 19 vite. Prej njëzet vetëve që ishin dënuar ka qenë më i riu. Dhe si i ri që ishte në moshë, gjykatësi Ahmet Ahmeti e pyeti: “Afrim ti je shumë i ri, a pendohesh për veprën që e ke bërë? Jo, nuk pendohem dhe kurrë s’do të pendohem. Edhe gjatë vuajtjes së dënimit do të punoj për Kosovën e lirë, do të punoj deri në vdekje, jehoi përgjegja e Afrimit. Gjykatësi iu kërcënua me këto fjalë: A e din që je para gjyqit? Por, Afrimi shumë i vendosur i thotë gjykatësit: “Unë i përkas popullit dhe vetëm populli mund t’i dënojë bijt e tij, e jo ky gjyq!” Pas pyetjes së gjykatësit, se, a e ka dhënë betimin, Afrimi përgjigjet: Kurrë më i lumtur s’kam qenë, se atë ditë kur u betova para flamurit kombëtar me yll në Bregun e Diellit.”
5. Gjykatësi Ahmet Ahmeti: “Afrim Zhitia – në “emër të popullit” denohesh me 8 vjet burg”!
Më 19 qershor 1984 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë para trupit gjykues të të pestëve, të kryesuar nga kryetari i trupit: AHMET AHMETI, ka filluar gjykimi i 20 anëtarëve të organizatës ilegale “Fronti Nacional Çlirimitar i Kosovës”. Bazuar në aktakuzën PP. nr. 60/84, të ngritur nga Prokurori publik HAMIT GASHI, më 25 qershor 1984 Trupi gjykues në “emër të popullit” i dënoi këta intelektualë:
1. Sejdi VESELI (1949), Orllan (Podujevë) Tek. Shëndetësor – 14 vjet burg
2. Rrahman BAHTIRI (1954), Brainë (Podujevë) punëtor – 13 vjet burg
3. Shemsi VESELI (1961), Orllan (Podujevë) student – 11 vjet burg
4. Esat BRAJSHORI (1963), Sharban (Podujevë), student – 11 vjet
5. Musli PREBREZA (1962), Vranidoll (Podujevë), Tek. – 10 vjet burg
6. Hamdi RAFUNA (1958), Gjyrishevc (Kamenicë), tek. – 9 vjet burg
7. Sabri SOPI (1963), Mramor (Prishtinë), Sh.m – 10 vjet burg
8. Fatmir SOPI (1961), Mramor (Prishtinë), student – 7 vjet burg
9. Agim SAHITI (1956), Kishnapole (Gjilan), tek.makin. – 8 vjet burg
10. Islam KRASNIQI (1956), Majanc (Podujevë), sh.m.t – 6 vjet burg
11. Tefik RAMADANI (1954), Qarr (Bujanoc), Defektolog – 6 vjet burg
12. Muhamet KRYEZIU (1956), Dushanovë (Prizren), farm. – 3 vjet burg
13. Skënder BOSHNJAKU (1948), Vushtrri, epidemiolog i dip. – 4 vjet burg
14. Ilaz ZHITIA (1962), Llugë (Podujevë), sh.m.elektro. – 10 vje burg
15. Afrim ZHITIA (1965), Llugë (Podujevë), student – 8 vjet burg
16. Ramadan AVDIU (1964), Prishtinë, student – 8 vjet burg
17. Salih SEFA (1958), Prapashticë, teknik medic. – 8 vjet burg
18. Xhemajl REXHEPI (1958), Prishtinë, teknik i elektr. – 7 vjet burg
19. Kadri HAZIRI (1954), Bellopojë (Podujevë), makinist – 3 vjet burg
20. Rexhep MAKOLLI (1955), Prishtinë, metalgdhendës – 3 vjet burg.
6. U mërzita shumë për shpifjet kundër Afrimit!
Baca Osman nuk ishte mërzitur aspak që e kishte denuar gjykata Afrimin me tetë vjet burg, por ishte mërzitur shumë për shpifjen, gjoja se Afrimi është penduar për veprën që e ka bërë. “Që e dënuan Afrimin me tetë vjet burgim nuk më bëhej vonë, por që kanë thënë është penduar Afrim Zhitia, kurrë hallall mos u qoftë! Këtë shpifje në gazetë e ka lajmëruar gazetari Agim Muhaxheri. Por Afrimi të nesërmen e ka demantuar.” Dhe me indinjatë të thellë thotë, “më shumë jam mërzitur atë ditë që gënjyen sesa atë ditë që e mora të vrarë.., dhe konsideron se “këta punëtorë shqiptarë të armikut e kanë bërë edhe një krim tjetër,…” ndaj Afrimit. Atmosferën zyrtare të këtij procesi gjyqësor (për rreth një javë rresht sa zgjati gjykimi) e ka përquar në opinion “Rilindja” përmes gazetarëve të njohur të kohës: Agim Muhaxheri dhe Hysni Syla. Me këtë rast po sjellë telegrafisht datat dhe titujt e gazettes rreth këtij procesi gjyqësor:
1. “Rilindja”, datë 2o qershor 1984 – shkruan artikullin “Paramendimet fund e krye armiqësore”
2. “Rilindja”, datë 21 qershor 1984 – shkruan artikullin:”U morën në pyetje të akuzuarit e tjerë”
3. “Rilindja”, datë 22 qershor 1984 – shkruan artikullin: “Motivet në dëm të kombësisë shqiptare”
4. “Rilindja”, datë 23 qershor 1984 – shkruan artikullin: “ Manipulimi dhe “ushqimi” me material propagandues”
5. “Rilindja”, datë 24 qershor 1984 – shkruan artikullin: “Aktgjykimi shpallet nesër”
6. “Rilindja”, datë 25 qershor 1984 – shkruan artikullin: “Gjykimi i së keqes së popullit”.
7. Shkuam të ankohemi, por, Vesel Latifi dhe Kolë Shiroka nuk na pranuan në bisedë-na përzunë!
Afrim Zhitia një pjesë të burgut e kaloi në burgun e Mitrovicës, por “mbas një kohe ende pa i bërë shtatë muaj,” – thotë Baci Osman, “atë e transferojnë në kampin “Zabella” në Pozharevc të Serbisë. Gjatë qëndrimit në këtë burg të Serbisë Baci Osman me Nënën Qamile e kanë vizituar disa herë Afrimin, dhe nga kjo kohë përkujton këtë odiseadë të përjetuar: “Vizitën e kishim çdo muaj në ora shtatë të mëngjesit, mirëpo ne familjarët prisnim deri në ora tre pasdite. Ky ishte maltretim për ne. Në muajin maj shkova prapë. Afrimin e kishin dënuar me qëndrim një muaj në qeli. Kishin caktuar ndalesë tre muajshe për pakot nga shtëpia! Tre muaj pa asnjë letër! Vizitat gjysmëorëshe i kishin shkurtuar në 15 minuta! Në këtë vizitë djalin e pashë vetëm pesëmbëdhjetë minuta! Ishte dobësuar mjaft shumë dhe vetëm në bazë të dhëmbëve e njoha se është Afrimi! Mbas një muaji në qeli, Afrimi u bashkohet shokëve në grevë të urisë në shenjë proteste për shokët e tyre, Fadil Vatën nga Suhareka dhe Sami Kurteshin nga Gjilani, të cilët i kishin futur në dhomë me narkomanë dhe homoseksualë. Në grevë merrnin pjesë edhe Beqir Beqa, Nezir Myrtaj, Bardhyl Berisha etj. Ne u informuam për grevën e bijve tanë dhe shtatë prindër shkuam te Vesel Latifi për t’u ankuar. Mirëpo, Vesel Latifi nuk na pranoi në bisedë dhe shkuam tek Kolë Shiroka, atëherë kryetar i Komitetit Krahinor, por edhe ai na përzuri.”
8. Afrim Zhitia: “…unë nuk nderoj gjakpirësin e popullit tim!”
Mehmet Bislimi një shok i Afrim Zhitisë me të cilin kishte qëndruar në burg të Pozharevcit, në një shkrim kushtuar “Pishtarëve të lirisë” Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut (nëntor 2007), shkruan: Afrimi “Ishte i ri, kur e sollën në burgun famëkeq “Zabela” të Pozharevcit. E kishin arrestuar së bashku me disa shokë të tij, duke qenë në shërbim ushtarak të asaj kohe. Pas shumë hetimesh e torturash i kishin dënuar me burg. Ai ishte i ri për një dënim aq të lartë e drakonik, 8 vite burg! Për një kohë, relativisht të gjatë, ishim në një dhomë burgu me Afrimin, me Fadil Vatën, Halil Selimin, pastaj me Sabit Veselin etj. Të habiste zgjuarsia e Afrimit. Ai lexonte shumë, i komentonte materialet e lexuara me shokë ku shpaloseshin mendimet tona për çështjen e pazgjidhur të atdheut, komentonim të kaluarën dhe bartësit e saj në kuadër të historisë shqiptare e shumë gjëra tjera. Afrimi ishte solidar me shokë, ishte sy pa trembur dhe përfundimisht i vendosur për t’i bartur mbi supet e tija të njoma të gjitha përgjegjësitë. Ai dhe shumë shokë të tjerë, që në burg kishin krijuar celulat e veprimit, të cilat ishin të gatshme për veprim, ende pa dalë nga burgu, Afrimi kishte respekt për të gjithë shokët e burgut, por në veçanti respektonte Ismail Haradinajn dhe profesorin e tij, Nezir Myrtajn. Në një rast (jo pa qëllim), Afrimin e kishin nxjerrë në vizitë mu në kohën kur pritej alarmi për të shënuar përvjetorin e vdekjes së diktatorit Tito. Gardiani kishte kërkuar nga Afrimi që të ndërpriste vizitën me prindër dhe të ngrihej në këmbë, për të nderuar me tre minuta heshtje përvjetorin e Titos, për të cilin, disa shqipfolës kishin nxjerrë madje edhe lotë. Por, Afrimi ishte përgjigjur çartë dhe prerë: ”Jo, unë kam vizitë, gardian, dhe nuk mbaj kurrfarë zie për vdekjen e Titos, unë nuk nderoj gjakpirësin e popullit tim!”…, ishin këto fjalët kumbuese të Afrim djalit, të thëna hapur në burgun serb të Pozharevcit rrethuar me hekura e mure të trasha…”. Ky ishte Lapidari – Afrim Zhitia i pavdekshëm!
9. Afrim Zhitia dhe Fadil Vata – shtyllat kryesore të veprimtarisë së organizuar në LPRK
Më 14 shkurt 1988 Afrimi lëshohet nga burgu, pasi Gjykata Supreme ia kishte ulur dënimin. Me daljen e Afrim Zhitisë nga burgu, lëvizjes sonë kombëtare po i shtohej një shtyllë e fortë. Dhe kështu ndodhi. Ai, bashkë me Fadil Vatën, i cili doli nga burgu disa muaj para tij, u bënë bartësit dhe shtyllat kryesore të veprimtarisë së organizuar në LPRK. Baca Osman, i cili qëndron shumë i forte, gjatë rrefimit të tij për djalin, sikur i mbushen sytë me lot dhe sikur në një anë i qeshin sytë, sepse duket krenar derisa i rrëfen të gjitha këto peripeti që kishte përjetuar bashkë me Afrimin. „Kur doli prej burgut Afrimi filloi menjëherë punën aty ku e kishte lënë.” – kujton Baci Osman. “Më kujtohet kur u vra Ali Ajeti. U ula para shtëpisë dhe fillova të qaj. Afrimi erdhi e më pa me lot në sy: “Ah, babë, me lot s’ka asgjë. Lirinë s’ta falë askush… Liria pa gjak s’vjen…”. Ali Ajeti u vra më 31 Maj 1989 – në një demonstratë të organizuar në Besianë (ish’Podujevë). Gjatë tërheqjes së organizuar demonstrata mori përmasa të armatosur, dhe në këtë situatë gjatë tërheqjes në fshatin Shtedim bie heroikisht ky hero i pavdekshëm. Afrim Zhitia e kishte zgjedhur rrugën e tij – për çlirimin e Kosovës. Dhe, këtë fakt një ditë ia thotë edhe prindërve të tij. “Nënë dhe babë, mua mos më pengoni kurrë. Unë e kam zgjedhur rrugën time. Aktivitetin e vazhdoi me Fadil Vatën, me Ramadan Avdiun dhe me Fahri Fazliun. Ka bërë vaki që në shtëpi nuk ka qëndruar me muaj të tërë. Ne e dinim dhe s`kishim ç`të bënim.” – thotë Baci Osman.
10. Afrim Zhitia: “Babush, unë ju dua të dyve,…”
Pas daljes nga burgu, Afrimi, qëndron një vit e tetë muaj në Kosovë. Më 18 qershor 1989 për herë të dytë Afrimin e marrin ushtar në Shibenik për t’i kryer muajt e mbetur. “Kishte biseduar me shokët, me Fadil Vatën e të tjerët, a të shkonte apo jo.” Dhe “Marrin vendim që të shkonte.”- thotë baca Osman. “E ka pasur shok edhe Durmish Gashin prej Rahovecit, Binak Berishën etj. Atje në Shibenik e kishte pasur komandant një kroat… Kur vinte koha e provimeve këtu në fakultet në Prishtinë, duhej t’i dërgonim vërtetimin e fakultetit për provime. Sadetja, vajza ime, e cila po ashtu ishte në fakultet, shkon edhe ia kërkon referentit një vërtetim. Referenti ia gris kërkesën vajzës dhe i thotë që Afrimi nuk e meriton të jetë në fakultet për veprën që e ka bërë.“ Por komandanti me përkatësi kroate e kishte lëshuar Afrimin, që të vinte në Kosovë për t’i dhënë provimet. Dhe, Babushit i kujtohet se Afrimi më 13 shtator 1989 vjen në pushim për dy ditë. “Ai erdhi bashkë me shokun e tij më të ngushtë, Fadil Vatën dhe biseduan tërë natën. Ndërkohë edhe djali i vogël, Naimi pas dy ditësh shkonte ushtar në Maribor. Afrimi e përcolli Naimin dhe atë natë nuk u kthye. Erdhi të nesërmen në ora dhjetë pasdite.” Ditën e fundit, kur Afrimi duhej të kthehej prapë në Shibenik, vjen në shtëpi i veshur me uniformën e ushtrisë… Babushi i dashur e pyet: “Kur do të nisesh Afrim i thashë: Në ora 17:30 minuta…” më tha. Pse e do më shumë nënën se babën, i thashë duke e përqafuar: “Babush, unë ju dua të dyve, por femrat tona kanë qenë gjithmonë të shtypura”. Na përqafoi të gjithëve me mall dhe iu drejtua nënës së tij që e donte shumë: “Oj nënë, kur të bëhen shtatë javë unë do të vij në shtëpi, në këtë dhomë”. Ma shkruaj një letër, i thashë: “Do të shkruaj… mos u bëj merak… Babush…” – ishte fjala e fundit e Afrimit.
11. Fahri Fazliu: “Mos u mërzit, Afrimi është mirë!”
“Mendja jonë e dinte që Afrimi po shkon në Shibenik. Ai ka shkuar në Prishtinë, ka biseduar me shokët dhe qysh janë marrë vesh me Fadil Vatën, me Fahri Fazliun, dhe me të tjerët… e ka marrë uniformën ushtarake, e ka futur në një paketë dhe ua ka dërguar në Shibenik.” Për këtë vendim të Afrimit, Babushin e kishte informuar Sadetja. “Sadetja, vajza ime, që ishte në fakultet bashkë me Afrimin, kur u kthye në shtëpi më tregoi. Më tha, Babë, Afrimi nuk ka shkuar. Naimi, djali tjetër, kishte shkuar ushtar në Maribor. Dhe, më datën 27 qershor 1989, policia erdhi ta kërkojë Afrimin në shtëpi, sepse Afrimi nuk ishte kthyer në garnizon! Komandanti i tij, ai kroati, ia kishte dhënë edhe dhjetë ditë pushim, për të mos i shkaktuar probleme menjëherë. Policëve unë u thashë se Afrimi ishte në Shibenik.” Tre javë pa u vra Afrimi, në Gjermani vranë djalin e axhës së Fahri Fazliut. Shkova për të parë në Podujevë, aty ishte edhe Fahriu. Unë as që e kam ditur që njihen me djalin tim. Kur kam dalur më ka përcjellur dhe më rroku për krahu duke më thënë: “A e ke parë Afrimin? A po vinë të kontrollojnë policia? Mos u mërzit, Afrimi është mirë! ”Unë u preka shumë. Pse s’ka dalur Afrimi në Zvicër, “jo, Afrimi ka punë këtu në Kosovë”, më tha. Fahriu ishte i maskuar me një shallë dhe bile unë mendova se mos i dhemb dhëmbi…”
12. “Të gjallë nuk do të biem në dorë të armikut”
Gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës 1989 edhe pse veprimtaria e organizuar e Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut dhe shokëve, kishte rënë në sy të UDB’së përmes spiunëve shqipfolës, ata nuk do ta ndalin aktivitetin e tyre për asnjë moment, madje me krenari e guxim të pashembullt do të deklarojnë, se: “të gjallë nuk do të biem në dorë të armikut”.
13. Si u zhvilluan demonstratat e tetorit – nëntorit 1989
Afrim Zhitia në fillim të tetorit 1989 me të drejt kishte deklaruar se: “Situata politike në Kosovë është shumë eksplozive. Mendoj se në asnjë orë, në tre katër muajt e fundit situata nuk ka qenë më eksplozive dhe më e volitshme se sa tash, për të organizuar protesta masive të popullit tonë”. (ZiK, Viti VIII i botimit – botimi i posaçëm, nëntor 1989, f.1)
Më 27 tetor, minatorët e Trepçës në Stari Tërg u hodhën në grevë urie duke u barrikaduar në galeritë e minierës. Greva vazhdoi deri më 30 tetor ku minatorët u nxorën me dhunë. (Po aty, f.1) Më 27 tetor LPRK (në krye me Afrim Zhitinë), ka lëshuar një Trakt në 11 mijë kopje ku i bëhet thirrje popullit për demonstratë.
Nga 30 tetori deri më 6 nëntor 1989, pothuajse në të gjitha qytetet e fshatrat e Kosovës u zhvilluan demonstrata gjithëpopullore. Më 1 nëntor 1989 në disa lagje të Prishtinës populli u hodh në demonstratë. Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu ishin në mesin e demonstruesve. Në orën 22 të mbrëmjes së 1 nëntorit “gjatë përleshjes me njësitë speciale të policisë vritet i riu Bedri Sokoli”. (po aty , f.11) Ndërkaq në qendër të Prishtinës, Afrim Zhitia mbajti një fjalim të zjarrtë para masës së madhe të demonstruesve, e cila e dëgjoi me vëmendje dhe në fund e brohoriti fuqishëm”. (Po aty, f.8)
Afrim Zhitia, Fahri Fazliu dhe bashkveprimtarët tjerë tashmë ishin hetuar nga UDB’a dhe ndiqeshin këmba – këmbës.
14. Aktiviteti i shtuar gjatë muajve shtator – tetor 1989 dhe arrestimi i disa shokëve të Lëvizjes
Ramadan Avdiu, njëri nga bashkëveprimtarët e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LPK’së, Dega J.V., mbajtur më 10 maj 1998, lidhur me shpërndarjen e trakteve në shtator – tetor 1989, arrestimet e disa shokëve dhe shoqeve të organizatës, si dhe për rrethanat e vrasjes së Afrimit dhe Fahriut, më 2 nëntor 1989, deklaron:
“Në shtator të vitit 1989, në aksionin gjatë shpërndarjes së trakteve në Gllogoc, u kapën dy shokë Bekim Krasniqi dhe Agron Shala, kurse në Prishtinë u arrestuan Afërdita Veliu dhe Fexhrije Bilalli. Si pasojë erdhi arrestimi i Shaban Mujës. Si rrjedhojë e gjendjes së krijuar u desh të kalojë në ilegalitet Afrimi (Zhitia) dhe Fadil Vata. Fillimisht ata erdhën tek unë, se kam qenë në një celulë me Afrimin dhe Fadilin dhe më shpjeguan gjendjen e krijuar. Ata më sugjeruan se duhet të kooptohesha patjetër në komitetin drejtues të OMLK’së, për shkak se edhe Bardhyli (Mahmuti) ishte i rrezikuar dhe ishte e domosdoshme të tërhiqeshim duke kaluar në ilegalitet, përndryshe do të mbetet një strukturë e paqëndrueshme dhe që rrezikonte edhe ekzistencën e organizatës. Për një javë rresht ata qëndruan në shtëpinë time dhe hartuam planin e veprimit të mëtejshëm. U morën masa parandaluese për të gjithë organizatën për ndërprerjen e arrestimeve, u siguruan bazat për qëndrim të mëtejshëm të Afrimit, u morën masat që Fadili të nxirrej jashtë vendit për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore dhe u thirrë mbledhja e komitetit drejtues. Kjo mbledhje u mbajt më 22 tetor (1989) në Prishtinë, në banesën e Binak Berishës. Në këtë mbledhje u bë kooptimi im në komitetin drejtues dhe planifikuam që më 30 tetor të organizonim demonstrata. Më 27 tetor shpërndamë traktet. Demonstratat që organizuam në shumë qytete të Kosovës ishin të fuqishme. Më 2 nëntor u vranë Afrimi dhe Fahriu”.
15. . Cilat ishin shkaqet që çuan deri te rënia e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut?
Ramadan Avdiu kujton: “Në mbrëmjen e 1 nëntorit 1989, pasi janë ndarë prej demonstratës, Fahriu (Fazliu) dhe një shok tjetër, Behlul Labënishti, kur kanë shkuar të vizitojnë dikë në spitalin që është afër hekurudhës, janë sulmuar prej policisë. Fahriu bëri rezistencë. Behluli u kap dhe u arrestua. Fahriu, meqë iu shmang arrestimit, atë natë shkoi në bazën ku ka ndenjur Afrimi. Ai e ka ditur atë bazë. Afrimi kishte shkuar aty tri ditë më herët. Tha se do të shkonte të rrinte me dy shokë ilegalë: Hasan Ramadanin dhe Bedri Blakqorin.
Të nesërmen, në orën gjashtë pasdite, unë kisha caktuar një takim me Afrimin për t’i dërguar disa materiale për nxjerrjen e buletineve “Zëri i Kosovës” dhe “Rruga e lirisë”. Diku nga ora dy e pasdites ka ardhur tek unë, Ilazi (Zhitija – vëllau i Arimit) dhe më tha se e kishte parë Afrimin me një djalë tjetër, që shkonte rrugës kah Velania. Afrimi nuk duhej të dilte prej bazës ku ka qenë, mendova. Më vonë, pasi përcolla Ilazin, erdhi tek unë një shokë tjetër, i cili më tregoj se janë rrethuar në Kodër të Diellit, në banesën e “Shpëtimit” (Fahri Fazlisë). Fillimisht kam dalë dhe kam shkuar në bazën ku kanë qenë. Atje kam takuar Hasan Ramadanin dhe Bedri Blakqorin që ishin të strehuar në atë bazë dhe i pyeta përse kishte dalë Ismaili (emri konspirativ i Afrimit). “Mbrëmë, – më thanë ata, – pasi ka ardhur ai djali (Fahriu – sepse nuk e njihnin për shkak të konspiracionit), ata kanë biseduar bukur gjatë. Në mesditë ai ka dashur të dalë, por Afrimi i tha se do ta shoqëronte dhe shkuan bashkë. Vetëm një gjysëm ore pasi janë vendosur në banesën e Fahriut në Kodër të Diellit, ata u ndodhën të rrethuar.
Asnjëherë nuk e kam pasur të qartë arsyen përse ata kanë dalë dhe kanë shkuar në shtëpinë e Fahriut.” (Nga arkivi i LPK’së, 10.05.1998. Deshifruar nga kaseta 6/a. B.Islami – “Lëvizja…” faqe 182 – 184, dhe Enigma e një vrasje të trefishtë, f.69 – 71)
Në orët e paradites së 2 Nëntorit 1989, pasi UDB’a kishte marrë informacionin e nevojshëm, për vendndodhjen e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, nis aksionin. Forcat speciale të policisë, rrethojnë lagjen “Bregu i Diellit” duke synuar Bllokun nr.7 dhe atë nr.6 hyrja A/7, të kësaj lagjeje.
116. . Si e kujton këtë ngjarje Fahrija – motra e Fahri Fazliut?!
“Ishim të rrethuar me Spiuj, policë, njerëz civilë…”
(E enjte, 2 nëntor 1989, në banesën e Fahri Fazliut, Prishtinë.)
„Erdhën në banesë. Të dy (Afrimi dhe Fahriu – Sh.B) dukeshin të lodhur.“ Gjersa Fahrija, motra e Fahri Fazliut, e përgatiste drekën, nga jashtë vëren lëvizje policësh dhe menjëherë u tregon Afrimit dhe Fahriut. Në moment numri i policëve dhe i tankeve shtohej gjithnjë e më shumë. Afrimi dhe Fahriu nga dhoma e pritjes shohin se janë të rrethuar. Provojnë nga dhoma tjetër (nga ana e Matiqanit) të kërcejnë, mirëpo prapë s’kanë mundësi. Spiuj, policë, njerëz civilë kishte shumë edhe andej. Banesa ishte rrethuar në të gjitha anët. Nga dhoma e pritjes Fahriu dhe Afrimi kërcejnë nga dritarja në tokë. Derisa ata përgatiteshin të dilnin, dëgjohen të rënat në derë. Policët thyen derën dhe iu drejtuan me automat Bahrijes, kunatës së Fahri Fazliut, dhe Fahrijes duke ju thënë: „Ku janë të tjerët kah kërcyen? Ishin më se 26 policë. Jashtë dëgjohej krisma e dy personave civilë pas automobilave. Rreth e rrotull banesës ishin policë të armatosur deri në dhëmbë dhe përballë banesës qëndronin dy tanke. Prej orës 12:30 deri në ora 18:00 në mbrëmje, krismat nuk pushuan… Afrimi plagoset i pari në këmbë ende pa hyrë në Bllokun numër 6. Fahriu e merr në krah dhe hyjnë në hyrje të këtij blloku. Të dytë qëndruan aq sa mundën… Thjeshtë, një luftë e dy të rinjve me një numër prej 500 policësh të armatosur! Afrimi vdes më herët. Fahriu vazhdon luftën vetëm. Në ora 18:00’të krismat pushojnë tërësisht. Një qetësi e rëndë! Bregu i Diellit vazhdon të shkruaj një baladë për dy lule gjaku… Afrimi gjashtë plumba në trup e një në ballë… Fahriu dy plumba në këmbë e një në ballë…”
Si e kujton këtë ngjarje Baca Osman?
17. „Dy të rinj u vranë! Fahri Fazliun e tregonin me emër.
Për Afrim Zhitinë jo. “Bacës Osman i kujtohet se Lajmet e orës 20:00 të mbrëmjes së 2 nëntorit informojnë për krismat që bëhen në Bregun e Diellit. Dy të rinj u vranë! Fahri Fazliun e tregonin me emër. Për Afrim Zhitinë jo. U mërzitëm shumë për Fahri Fazliun. Për tjetrin dyshonim se është Afrimi.” Ka qenë njësia speciale e shqiptarëve në atë kohë që i ka rrethuar. Nuk mundën t’i mbrojnë dy djem të rinj. I rrethuan dhe i gjuan sa mundën!”.
18. Më pyeti: “A e njeh”? I thash po, është djali im…
“Afrim, hallall me babën, nuk e ke koritur veten e as babën…”
Më 4 nëntor 1989
Unë u zgjova në mëngjes për të shkuar në varrim të Fahri Fazliut në Llaushë. Ende pa dalë një automjet “Nivë” i policisë hyri në oborr. Të gjithë prisnim lajm! Erdhi lajmi! E kishin dërguar të më marrin. Ai më thotë. “O Osman, a je aty bre”. I thashë po. Më tha duhet të vish në sekretariat. Menjëherë i thashë, “a e paskan vra a? Më tha, “nuk e di valla”. Tërë rrugën ata kontaktonin mes vete. Kur hymë tek sekretariati kishin qenë dy civilë. Edhe ata hynë të dy në “Nivë”, bashkë me ne. I thanë shoferit, që të voziste drejt spitalit. Kur shkuam tek spitali, kishin qenë dy policë te dera. Kur u hap dera, kishte qenë Afrimi aty i shtrirë. Disa policë më rrethuan. Ai civili më pyeti: “A e njeh”? I thashë po, është djali im. Në atë moment më ra ndërmend ajo që më kishte thënë Afrimi. Që përshëndetja me grusht nuk është as e Enverit, e as e Stalinit, por është grusht armikut, bashkim i popullit. Nuk kam pritur, kam qëndruar gatitu para trupit të tij dhe e kam përshëndetur me grusht. Ai civili u tha policëve: “Lidheni këtë qen”. Atëherë unë ua ktheva. “Largohuni qena se ky është i imi”. Më e rënda ka qenë në ato momente që ata flisnin në gjuhën shqipe. Kur flet në gjuhë të huaj, nuk është asgjë se okupatori na ka bërë shumë të zeza. Një polic që duket se ishte kryesori, u tha atyre që të largohen. Unë iu drejtova Afrimit. “Afrim, hallall me babën, nuk e ke koritur veten e as babën. Besën ta ka dhënë baba që pikë loti nuk do të derdhë”.
19. Nëna Qamile: “Hallall të qoftë gjiri që ta kam dhënë o bir!”
Unë nuk do ta derdh asnjë pikë loti”
Dola prej aty, duke mos ia kthyer shpinën Afrimit. Më dërguan në sekretariat. Beso që askush nuk më ka folur serbisht, të gjithë shqip. Njëherë ia rriti vjetët për ta dënuar Ahmet Ahmeti, Isak Nishevci, kurse të tjerët ma vranë krejt. Kur arrita në sekretariat, i thashë atij komandantit që ishte shqiptar. O burr bre, këta që ma vranë mua djalin sot, nesër do të ta vrasin edhe ty. Ma dha një cigare. Na thirrën ata të “SUP’it”. Atij që më dha cigare ia tërhoqën vërejtjen. Më kanë mbajtur dy orë aty. Dikur më thanë, shko merre kufomën. I thashë, ma jep lejen me shkrim. Nuk ma dhanë, më thanë që të shkoj ashtu. Kur dola prej aty nuk dija nga t`ia mbaja. E prita autobusin për në spital. Në atë moment ka ardhur një taksi. Ishte njëfarë Hilmi Rama prej Koliqit, i cili më pyeti se ku isha duke shkuar. I tregova që po shkoja te motra ime në Ulpianë, e cila është e martuar për Ali Aliun. E takova motrën, e cila edhe ajo vinte nga spitali. Më tha: “O vëlla a po mund bën gajret?”. Unë iu përgjigja: “Po po, gajret po, por s`po kam me çka ta çoj djalin në shtëpi”. Ajo më tha që të mos mërzitesha për atë, sepse shumë vetura të spitali prisnin për atë punë. Në atë moment m’u duk se m’u ngjall djali. Edhe ata njerëz që ishin duke më pritur, policia i merrte në pyetje. E mora kufomën e Afrimit. Në atë moment m’u afrua të më ndihmonte një burrë nga Presheva, i cili quhej Maliq Kamberi. Më tha: “Bacë ky djalë është edhe i yni”. Pastaj vazhduam rrugën për në Llap. Kur arritëm në shtëpi, trupin e Afrimit e vendosëm në dhomën e vet, aty ku e kalonte shumicën e kohës, duke mësuar. Kur e pa nëna e tij, iu drejtua me fjalët. “Hallall të qoftë gjiri që ta kam dhënë o bir! Unë nuk do ta derdh asnjë pikë loti”.
20. Babushi ynë i Madh: “Ja kështu rrodhi gjithçka”
Më 5 nëntor 1989 u bë varrimi.
“Varrimi zgjatë prej orës 12:00 deri ora 16:00 pasdite. Prisnim djalin e madh, Sylën nga Zvicra. Naimin nuk e lejuan të vijë të përshëndetej me vëllain nga ushtria. Varrimin e caktuam prej orës 12 deri në orën 13. Duhej ta prisnim edhe djalin e madh, Sylën, që ishte nisur të vinte nga Zvicra. Varrimi u bë tek në orën 16:00. Kur arriti Syla, i përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit në varrim dhe m’u drejtua mua: “O babë, ban gajret se nuk ta ka marrë ftyrën”. Në atë moment jehoi zëri i të gjithëve: “LAVDI DËSHMORËVE!” Kur përfundoi ceremonia e varrimit, m’u afrua një burrë me emrin Sherif Avdullahu i Dafinetit (Vranidollit), dhe më pyeti nëse mund të më thoshte diçka. I thashë, vetëm urdhëro. Ai pastaj më tha: “Djalin që të erdhi nga Zvicra, strehoje diku se ka me ta marrë policia”. Unë e mora Sylën dhe menjëherë e dërgova në Aeroportin e Shkupit, nga u nis menjëherë për në Zvicër. Të nesërmen më rrethoi policia dhe e kërkoi Sylën. Tani edhe pas kësaj kohe, dua t’i falënderohem Sherifit, për së vdekuri, për atë këshillë të madhe që ma dha. Ja kështu rrodhi gjithçka.“ – thotë në fund të rrëfimit Baca Osman – Babushi ynë i Madh.
21. Si përfundim
Vrasja e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut ishte një humbje e madhe për Lëvizjen tonë Kombëtare, por, megjithatë qëndresa dhe rënia tyre në mënyrë heroike u bë shembull frymëzimi për gjeneratat e reja, të cilat u sublimuan fuqishëm me luftën çlirimtare të UÇK’së.
QOFTË I PËRJETSHËM KUJTIMI PËR HERONJTË E KOMBIT AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU!
______________
Literatura:
1. Dr.Sabile Keçmezi-Basha, Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989, Prishtinë 2003.
2. Zëri i Kosovës (organ I LPK-së), Viti VIII i botimit – botimi i posaçëm, nëntor 1989
3. Nga arkivi i LPK’së, 10.05.1998. Deshifruar nga kaseta 6/a
4. Bedri Islami – “Lëvizja…” dhe Enigma e një vrasje të trefishtë,
5. Flet Osman Zhitia: “Gjykatësit Ahmet Ahmeti dhe Isak Nishevci tentuan ta koritnin Afrimin” (Epoka e Re – 28 korrik 2009 dhe pashtriku.org 31 korrik 2009)
6. Teuta Zymberi: Gazeta “Bota e re”, Prishtinë, 20 shkurt 1991.
7. Mehmet Bislimi, “Pishtarëve të Lirisë-Afrim Zhitia dh Fahri Fazliu” – pashtriku.org, 02. XI. 2007.