Sadri Ramabaja, Prishtinë
Bota ndodhet mes dy të këqijave të mëdha: të djathtës së re fundamentaliste me elemente të fashizmit modern dhe të majtës liberale të somnabulosur. Në gjeopolitikën postmoderne ky polarizim i skajshëm i hap rrugën rikthim tek vetvetja. Prandaj zgjedhjet dhe rezultati i tyre në SHBA duhet ta forcojnë bllokun indipendist të nacionalizmit progresiv shqiptar që aktualisht përfaqësohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Tema e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara dhe ndikimi i tyre në politikën ndërkombëtare kanë një rëndësi të veçantë, veçanërisht për vende të vogla si Kosova dhe përgjithësisht Ballkani. Duke qenë një fuqi globale, Shtetet e Bashkuara shpesh ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi zhvillimet në Ballkan, përfshirë proceset integruese të rajonit dhe qëndrimet ndaj çështjeve etnike dhe kombëtare, si ajo e shqiptarëve.
Një koncept interesant që po diskutohet gjithnjë e më shumë është krijimi i një Federate Shqiptare, që do të përfshinte dy republikat shqiptare egzistuese: Shqipërinë politike dhe Republikën e Kosoëvs, por që do të kishte efekt edhe në fakorizimin e shqiptarëve në Maqedonin e Veriut dhe në Malin e Zi. Ky vizion po zë vend gjithnjë e më meritor në diskursin politik e akademik në Prishtinë e Tiranë. Në rast të një mbështetjeje më të madhe nga SHBA, kjo ide mund të marrë një vrull të ri në arenën politike ndërkombëtare.
Një strukturë federale e shqiptarëve, megjithatë, do të përballej me sfida të shumta, që nga integrimi i brendshëm ekonomik dhe politik e deri tek përballja me qëndrimet e vendeve fqinje dhe të aleatëve në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, qëndrimet dhe mbështetja e SHBA-së pas zgjedhjeve mund të kenë një rol vendimtar nëse ky projekt do të gjejë një përkrahje ndërkombëtare të qëndrueshme. Prandaj, administratat e reja të SHBA-së janë thelbësore për të përcaktuar mbështetjen ndaj lëvizjeve që forcojnë lidhjet shqiptare dhe përparimin e tyre në Ballkan.
Rikthimi i mundshëm i Donald Trump-it
Për Trump-in, politika është si gjithë luftrat brutale, por nëse luftrat ktyesisht bëhen për territore, kjo që bën Trump-i është për pushtet. Kjo do të thotë se ai përshtatet luftës për rendin e ri botëror.
Trump-i është simptomë e ndryshimeve në rrafshin global dhe me karakter epokal: epoka e lirisë pasohet nga epoka e xhunglës, ku sundimi do të kalojë në duart e më të fuqishmëve. Prandaj një mandat i dytë për Trumpin do të thotë shumë botën.
Çfarëdo që Donald Trump-i thotë dhe bën është pjesë e një shfaqjeje të çmendur dhe për rrjedhojë ajo magjepsë personalitetin e Trump: pranë tij, të gjithë të tjerët duken si milingona. Ky është pikërisht rreziku më i madh ku po rrëshqet shoqëria amerikane. Amerikanët, një shtresë e madhe sosh, kanë shpërfaqur një lloj prirje që të mbivlerësojnë vetë-promovuesin që po thyen çdo konventë.
Sa do ta ndryshonte botën një presidencë e dytë e Donald Trumpit? Kjo është pyetja e gabuar. Është më e rëndësishme të merret në konsideratë se sa mund të përshpejtojë ndryshimin. Dhe situata gjeopolitike aktualisht është e rrëshqitshme, prandaj ne e perceptojmë si një zingjirë krizash.
Kritikët e akuzojnë Trumpin si izolacionist. Në vend që të promovojë tregtinë e lirë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, ai propagandon nacionalizmin dhe proteksionizmin. Kjo është e saktë.
Por nuk është Trump ai që po shkatërron rendin botëror liberal, situatën historike të veçantë në të cilën Uashingtoni siguroi një kornizë unipolare dhe mjaft të qëndrueshme. Ajo që filloi me rënien e Murit të Berlinit dhe mori një fund të pakthyeshëm me tërheqjen nga Afganistani ishte një rastësi fatlume për Perëndimin, shton më tej Gujer në komentin e tij që zumë në gojë më lart.
Megjithatë, fakti që një fuqi e vetme e madhe mund të lërë gjurmë në një epokë në mënyrën që bëri Amerika nga viti 1989 deri në 2021 është një anomali. Trumpi e njohu këtë momentum politik dhe pasojat e tij më herët, dhe ai veproi në mënyrë më të qëndrueshme se presidentët e tjerë. Edhe paraardhësi i tij, Barack Obama, nuk ishte më i gatshëm të luante rolin e policit botëror. Ai mori pjesë vetëm pa dëshirë në përmbysjen e diktatorit libian Gadafi dhe braktisi opozitën siriane ndaj Asadit, kasapit të Damaskut.
Por Trump-i, si përfaqësues tipik i darvinizmit politik, si i tillë, ai pohon imperativin e së tashmes në politikë. Për të është një ide qesharake të garantosh sigurinë e Evropës falas. Po aq qesharake sa ideja se Uashingtoni do ta ndihmonte Ukrainën të fitonte ndërkohë që BE-ja do të vazhdojë të hezitojë për veprime konkrete që do ta ndalnin përparimin e Putinit drejt pushtimit të plotë të saj dhe pozicionimit për luftën e re…
Trumpi e ka të qartë se Rusia e ka kapërcyer tashmë epokën e nanuritjes që pësoi me rënien e Bashkimit Sovjetik dhe po pretendon sërish pozitën e një fuqie të madhe ushtarake. Në anën tjetër me shpejtësi pothuajse marramendëse, Kina është ngritur nga një vend në zhvillim në një konkurrent serioz të SHBA-së. Kjo është e qartë në monedhën më të vështirë të pushtetit: ushtrinë. Që nga viti 2005, marina e Kinës është rritur nga 216 në 370 anije dhe nuk ka asnjë shenjë për një fund të riarmatimit. Marina e SHBA-së, nga ana tjetër, u tkurr nga 1000 anije në vitin 1960 në pak më pak se 300 tani.
Por Trumpi tashmë, shih për këtë, e ka të qartë se edhe sikur Uashingtoni të donte, ai nuk mund t’ia imponojë fuqive në ngjitje vullnetin e tij, ashtu siç bën në rendin botëror liberal. Tërheqja relative e Amerikës nuk është një trill, por më tepër një pranim i fuqisë së faktit. Ashtu siç nuk është një trill as rigrupimi i fuqive në ngjitje dhe rikrijimi i aleancave të reja.
Shqipëria politike dhe Kosova, prandaj bëjnë mirë të rishikojnë strategjinë e mbrojtjes dhe atë të politikave të jashtme të përbashkët për vitet pasuese konform këtij procesi, duke u rirreshtuar qartë në grupimin anglosakson të partnerëve amerikan që tashmë po ripozicionohen qartë.
Kujdesi I dëshmuar kësaj radhe në këtë fushatë, nga që të dy kryeministrat tanë, ishte shenjë e maturimit politik. “Unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës dhe bashkëpunoj me udhëheqës të shteteve që janë nga të gjitha anët e spektrit politik – kjo si kryeministër. Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, natyrisht që jam social-demokrat, jam demokrat dhe nuk kam asgjë të re të shtoj”,[1] tha Kurti në një konferencë për gazetarët në Prishtinë.
Pavarësisht rrjedhave në sferën e gjeopolitikës moderne dhe betejën që po bën Federata Ruse tok me Kinën për një rend të ri botëror, Shtetet e Bashkuara nuk mund të përqendrohen në kontinentin e tyre siç bënë në shekullin e 19-të. Aleanca e bllokut anglosakson, ku do të përfshihen përveç Britanisë s Madhe edhe vendet e Baltikut, Polonia dhe pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit, është aleanca e qëndrueshme të cilës i përkasin edhe dy republikat tona.
Me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, tranzicioni në rendin e ri botëror, gjykojnë me të drejtë studjuesit e fushës, do të ishte edhe më i vështirë. Ballkani, për shembull, mund të presë edhe më pak prej tij sesa nga Biden-i e edhe më pak se sa nga pasuesja e mundshme e tij, Kamala Harris. Për të, partneriteti nuk ndërtohet mbi vlera, por bazuar në logjikën e biznesit!
Prandaj me Donald Trumpin në shtëpinë e Bardhë fillon periudha e luftës për mbijetesë së Republikës së Kosovës në përballje me ekspansionin serb për realizimin e projektit ambicioz Botës Serbe.
Ndërkaq nëse Kamala Harris zgjidhet presidente, Kosova mund të logarisë në mbështetjaen potenciale të SHBA-ve, madje ajo është e logjikshme të forcohet. Meqë kjo administratë e sheh Kosovën si një aleat strategjik në rajon.
“Kamala Harris përfaqëson vlera të përbashkëta me ato të Joe Biden, i cili ka pasur një rol të veçantë dhe të pandërprerë në mbrojtjen e interesave të Kosovës në Washington që nga ditët e tij si senator. Harris do të përpiqet të forcojë procesin e integrimit të Kosovës në strukturat ndërkombëtare, duke siguruar që Kosova të mbetet një partner i besueshëm dhe i mbrojtur nga rreziku i destabilizimit rajonal”.[2]
Fundi i demokracive liberale?
Në debatin rreth demokracisë liberale në Shtetet e Bashkuara, zgjedhjet presidenciale kanë një rëndësi të veçantë pasi shpesh konsiderohen tregues për gjendjen dhe të ardhmen e saj. Ka mendime që sugjerojnë se polarizimi i thellë politik, përkeqësimi i besimit në institucione, dhe tendenca drejt nacionalizmit e populizmit po e rrezikojnë strukturën liberale të demokracisë amerikane.
Në disa qarqe, thuhet se përçarja politike po përkeqësohet nga ndikimi i mediave sociale dhe nga retorika ekstremiste e kandidatëve, të cilët nganjëherë synojnë të fitojnë përkrahjen e votuesve përmes premtimeve dhe veprimeve që sfidojnë rregullat dhe normat tradicionale. Shkurtimi i disa të drejtave të votuesve, si dhe përpjekjet për të dobësuar transparencën në procesin zgjedhor, janë parë si shembuj që dëshmojnë një largim nga parimet liberale.
Një tjetër çështje me ndikim të madh është ekonomia dhe barazia sociale. Me rritjen e pabarazive dhe ndjenjën e të qenurit i braktisur nga politika tradicionale, shumë votues të pakënaqur e kanë drejtuar besimin tek kandidatët që ofrojnë një qasje më radikale, duke ndryshuar kështu lëvizjet e votuesve dhe balancën politike në të gjithë vendin.
Zgjedhjet amerikane në vigjilje të të cilave jemi, duket se do të jenë një provë e rëndësishme për të kuptuar nëse SHBA do të arrijë të ruajë parimet e tyre liberale apo do të përjetojnë një kthesë drejt një sistemi më të ngurtë dhe të kontrolluar.
Këto zgjedhje njëkohësisht po hedhin dritë në fund të tunelit: Bota ndodhet mes dy të këqijave të mëdha: të djathtës së re fundamentaliste me elemente të fashizmit modern dhe të majtës liberale të somnabulosur. Prandaj demokracia liberale e tillë siç e njohim ne në këto vite të dominimit të saj në Europë, po ecë drejt shpërfytyrimit të pashmangshëm të vetvetes. Ndërkaq në këtë linjë të zhvillimeve në rrafshin gjeopolitik, pozicioni i Evropës në një botë multipolare, natyrisht si një Union Federal ose konfederal, fuqia kryesore e së cilës janë tutje Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në proces të pashmangshëm të dobësimit, mund të ketë sukses vetëm nëse ajo, pra Evropa, i rikthehet forcës së saj dhe realizon sovranitetin strategjik të kontinentit pa apo edhe kundër SHBA-së. E konkluzioni real se “një Evropë e fortë mund të arrihet vetëm përmes udhëheqjes së fortë evropiane,[3] duket larg realitetit. Aktualisht Bashkimi Evropian duket se ka mungesë të theksuar të lidershipit, por edhe të ideve.
Për aq kohë sa Europ do të vazhdojë të ketë mungesë lidershipi dhe idesh, nuk mund ët flitet për autonomi strategjike në një të ardhme të afërt. “Autonomia strategjike e Kontinentit të Vjetër mund të realizohet nëpërmjet lidhjes dhe nëpërmjet një politike të jashtme të bazuar në respektin reciprok, të drejtuar nga interesat, në të cilën evropianët njohin qartë, formulojnë dhe veprojnë ndërkombëtarisht në përputhje me kornizën e tyre strategjike për veprim. Kjo është mënyra e vetme për ta bërë Evropën përsëri të madhe dhe të fortë”.[4]
Zgjedhjet e 5 nëntorit i japin prandaj orientim zhvillimeve në rrafshin gjeopolitik. Ato janë të një rëndësie të veçantë, jo vetëm për SHBA-në, por edhe për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe BE-së. Bëhet fjalë për të ardhmen e NATO-s dhe politikës perëndimore të sigurisë, rolin e SHBA-së në botë dhe rolin e Evropës.
Pavaërsisht rezultatit të 5 nëntorit në SHBA, Evropa duhet të përgatitet për faktin se SHBA-të do të largohen nga multilateralizmi në të ardhmen jo të largët. Kjo nëdrlidhet me gjakimin për ta ruajtur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla nga i cili, evropianët kanë përfituar jashtëzakonisht gjatë. Le të kujtojmë faktin se tërheqja e SHBA nga institucionet shumëpalëshe është një veçanti e epokës së Trumpit. Atëbotë, administrata Trump i dha fund mbështetjes nga ana e SHBA-së ose anëtarësimit në organizata dhe marrëveshje të shumta ndërkombëtare. Shembujt janë gjithëpërfshirës: Dalja nga Marrëveshjen e Parisit për ndryshimin e klimës, mosrespektimi i “Marrëveshjes me Iranin”, largimi nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, mospërfillja e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), ndalja e mbështetjes financiare për Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) madje gjatë pandemisë së Covid-19.
Shih për këtë “Evropa duhet të vërë në dyshim supozimin se politikat e Trump ishin një anomali. Forcat centrifugale që prekin Shtetet e Bashkuara janë të ndryshme dhe do të vazhdojnë në të ardhmen. Pavarësisht nëse administrata amerikane drejtohet nga Trump apo Harris, evropianët do të duhet të presin raste të mëtejshme të tërheqjes së SHBA nga institucionet shumëpalëshe”.[5]
Në këtë rast, nëse qeveritë evropiane duan të ruajnë rendin e bazuar në rregulla, ato duhet të jenë të përgatitura për të marrë një rol udhëheqës pas tërheqjes së pritshme të SHBA-ve.
“Waiting for Godot” [Duke pritur Godon], titullohet shfaqja tragjikomike e Samuel Beckett-it, e cila tashmë mund të luaj në teatrin politik të Evropës e që ndërlidhet me çështjen e zgjedhjeve presidenciale amerikane të 5 nëntorit, më saktë – do të rikthehet sërish frika që kishin nga ish-presidenti Donald Trump në raport me paralajmrimet e tij për braktisjen e mundshme të aleatëve.
Prandaj në gjeopolitikën postmoderne bëhet fjalë për rikthim tek vetvetja edhe në rrafshin e organizimit politik e nacional, e që për shqiptarët d.t.th se, duhet të bëhemi gadi për kapërcyellin e shtegut historik që na shpie drejt krjimit të Federatës Shqiptare, si e vetmja rrugë për mbijetesë.
Zgjedhjet e fundit në SHBA dhe dinamikat e brendshme të politikës amerikane kanë rëndësi të madhe për Kosovën dhe shqiptarët në rajon, sidomos për shkak të ndikimit që ka politika amerikane në çështjet e Ballkanit. Politika e SHBA-së ndaj Ballkanit ishte tradicionalisht e qëndrueshme, pavarësisht ndryshimeve në administratë. Megjithatë, ndërkohë duket se mund të ketë nuanca të reja në qasjen e ardhshme, sidomos në varësi të presidencës dhe balancës së forcave në Kongres. Një president i ri mund të theksojë nevojën për stabilitet dhe integrim në rajon, por mund të mbshtesë edhe ide tjera, siç ishte rasti me idenë për ndarjen e Kosovës në emrë të gjoja ripërkufizimit të kufijvve, respektivisht shkëmbimit të territroreve [2018].
SHBA-të mbesin tutje aktori qenësornë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke mbështetur arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, sidomos në rast se do të zgjidhej Kamala Harisit presidente. Një administratë e re ose vazhdimi i së njëjtës administratë do të ndikojë në nivelin e përfshirjes dhe presionit ndaj Serbisë dhe Kosovës për tejkalimin e gjendjes aktuale.
Stabiliteti i Ballkanit megjithatë mbetet prioritet për SHBA-në. Çdo qeveri amerikane është e vetëdijshme për rreziqet e paqëndrueshmërisë në Ballkan, ku ndikimi rus dhe kinez është në rritje.
Ky konkluzion nënkupton faktin që zgjedhjet dhe rezultati i tyre në SHBA, pavarësisht se kush vie në Shtëpinë e Bardhë, duhet ta forcojnë bllokun indipendist të nacionalizmit progresiv shqiptar që aktualisht përfaqësohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
______
1. https://www.koha.net/arberi/me-harrisin-pak-pritje-per-kosoven-me-trumpin-turbullira
- Dr. Faton BISLIMI: https://ishgj.net/analize/zgjedhjet-2024-ne-shba-dhe-kosova-cfare-duhet-te-dijme/
- Dr. Bence Bauer: https://www.berliner-zeitung.de/politik-gesellschaft/stimme-aus-ungarn-europa-muss-seine-eigenen-interessen-vertreten-li.2268470
- Po aty
5. https://www.ipg-journal.de/regionen/global/artikel/auch-ohne-trump-7881/