Shkruan Flori Bruqi ,PHD
Jo e lehtë kishte qenë ndërhyrja e USA-së në krah të shqiptarëve të Kosovës.
Në Këshillin Kombëtar të Sigurisë – që është forumi kryesor i presidentit amerikan për t’i shoshitur çështjet e natyrës së sigurisë dhe të politikës së jashtme – ishin zhvilluar dhjetëra mbledhje e diskutime që, në fund, i dhanë dritën jeshile ndërhyrjes ushtarake në Kosovë -Prishtinë, më 29 dhjetor 1998.
Në një tapisteri të ndërlikuar të vendimmarrjes në kupolat e shtetit më të fortë në botë, gjeneralë, analistë e ekspertë të sigurisë po konsideronin ndërhyrjen për të parandaluar gjenocidin në Kosovë.
E filluar qysh në kohë të Woodrow Wilsonit, presidentit të 28-të, me përkrahjen e integritetit territorial të Shqipërisë në vitet pas Luftës së Parë Botërore, U.S.A, në mandatin e presidentit të 42-të, Bill Clinton, do të vijonin vendimtarisht këtë përkrahje.
Biseda, shqyrtime të kujdesshme e takime të njëpasnjëshme në organin më të lartë të politikës së jashtme dhe sigurisë së U.S.A, Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NSC), për muaj me radhë, do të kishin si kryetemë çështjen shqiptare në Kosovë.
I ndërtuar mbi dokumente të deklasifikuara tash së voni, libri i historianit Arbër Hadri, “Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së dhe lufta në Kosovë: Dokumente Shtetërore-Publike Amerikane – Vëllimi I: 19 qershor 1998 – 31 tetor 1998”, ka ndriçuar dritëhijet e ndërmarrjes së jashtëzakonshme amerikane, që kulmoi me bombardimin e caqeve të ushtrisë jugosllave.
Përveç autorit, të pranishëm në këtë promovim ishin edhe dy recensentët e librit, historianët Fehmi Rexhepi dhe Ibrahim Gashi, të cilët kanë shkoqitur disa nga momentet kryesore që përbënë kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Historiani Fehmi Rexhepi e ka quajtur librin e botuar si një vepër monumentale për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në dekadën e fundit të shekullit të kaluar.
Sipas tij, autori Hadri ka gjurmuar të gjitha dokumentet e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, nga dita në ditë e nga ora në orë, për mbledhjet ku Kosova ishte çështja kryesore në rendin e ditës.
“Ky libër i historianit Arbër(Ali) Hadrit është një kontribut shkencor i pakontestueshëm për gjeneratat e reja, për studiuesit, por edhe për të gjithë ata që interesohen për problemin e çështjes së Kosovës”, ka thënë Rexhepi.
I ndërtuar mbi dokumente të deklasifikuara tash së voni, libri i historianit Arbër Hadri, “Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së dhe lufta në Kosovë: Dokumente Shtetërore-Publike Amerikane – Vëllimi I: 19 qershor 1998 – 31 tetor 1998”, ka ndriçuar dritëhijet e ndërmarrjes së jashtëzakonshme amerikane që kulmoi me bombardimin e caqeve të ushtrisë jugosllave
Libri i Hadrit, ka vijuar ai, ofron edhe një studim mbi mënyrën e funksionimit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, institucioni që pati ndikimin më të rëndësishëm në çështjen e Kosovës.
“Qëllimi kryesor ishte shpëtimi i shqiptarëve të Kosovës nga gjenocidi serb që po zbatohej në praktikë”, ka thënë tutje Rexhepi teksa ka përsëritur se libri, i mbështetur në dokumente relevante, do të mbetet një ndihmesë e madhe për të gjithë studiuesit.
Profesori në Departamentin e Historisë në Universitetin e Prishtinës, Prof.Dr.sci.Ibrahim Gashi, e ka quajtur studimin “Këshilli Kombëtar i Sigurisë….” si një nga studimet më kompetente dhe shkencërisht më të argumentuara që ka për temë luftën çlirimtare, si dhe rolin vendimtar të politikës dhe diplomacisë amerikane.
Ai ka thënë se ky studim – i mbështetur në dokumente të pabotuara ose që janë dekonfidencializuar tash së voni – hedh dritë mbi debatin e brendshëm ndërinstitucional që u parapriu vendimeve historike për ndërhyrje në Kosovë.
“Dokumentet që përmban ky vëllim kapin periudhën kohore 19 qershor – 31 tetor 1998, gjatë së cilës pati një debat të dendur ndërinstitucional në lidhje me qëndrimet, hapat dhe veprimet që do të ndërmerreshin për të ngritur çështjen e Kosovës”, ka thënë Gashi.
“Nga aty u zgjua edhe kërshëria për rolin amerikan në çështjen e Kosovës gjatë periudhës më vendimtare në historinë tonë”, ka thënë Hadri.