ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Shpërnguljet për në Turqi dhe historitë e trishta të vrasjeve të organizuara të shqiptarëve të rinj

Shkrime relevante

Intervistë e Lis Bukurocës dhënë gazetares Rudina Xhunga (Video)

Erdha në Shqipëri të bëj dhëmbët dhe zbulova sekretin e madh!...

Me rastin e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Primus Prenkë Ndrevashaj

Kisha “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në Southfield të shtetit Michigan, themeluar...

Shpërnguljet për në Turqi dhe historitë e trishta të vrasjeve të organizuara të shqiptarëve të rinj

Nga: Sami Islami, Londër ___ (Sipas një ngjarjeje të vërtetë) ___ Edhe pse Kosova kishte...

Prindër të dashur, tregoni se si është e mundur që fëmiu juaj të përfundoj në pranga…?!

Monika Braja, Selanik ____ Prindër të dashur , Nena dhe Baballarë , që...

Në 15 vjetorin e shkuarjes në amshim të Babait, Halil Zeqës…!

17.04.1933-19.11.2009 Mga: Florim Zeqa Halil Zeqa largëpamës dhe vizionar Halil Zeqa lindi më 17.04.1933...

Shpërndaj

Nga: Sami Islami, Londër
___
(Sipas një ngjarjeje të vërtetë)
___
Edhe pse Kosova kishte luftuar, me të gjitha forcat e saja për çlirim, ajo prapë mbeti nën sundimin serb. Pra çështja shqiptare mbeti e pazgjidhur. Pasuan masakrat, dëbimet ndjekjet ndaj shqiptarëve. Serbia do të përdorte çdo gjë për t’i shpërngulur apo edhe eliminuar shqiptarët. Fill pas përfundimit të LDB, në emër të, gjoja, ndjekjes së gjermanëve , të mbetur akoma në ish Jugosllavi, Serbia mobilizoi me mijëra shqiptarë të rinj. Të mobilizuarit i dërgoi në dy drejtime: njërin në drejtim të Sremit, kurse tjetrin në drejtim të Tivarit. Këta shqiptarë nuk u kthyen kurrë më në vatrat e veta. U masakruan! Me këtë akt Serbia tani merrte frymë shumë më lehtë se s’kishte kush të luftonte më për Kosovën. E kishte eliminuar forcën mbrojtëse. Edhe ajo rezistencë e Drenicës me në krye me patriotin Shaban Polluzha, u shua.
Por kjo nuk mjaftoi për Serbinë. Ajo po planifikonte t’i shpërngulte krejt shqiptarët. Por deri sa të realizonte këtë program, famëkeqi e çetniku Aleksandër Rankoviçi, organizoi mbledhjen e armëve nga shqiptarët. Maltretimet e serbëve ndaj shqiptarëve u bënë të pa durueshme. Secila shtëpi shqiptare ishte e detyruar ta dorëzonte së paku një armë! Nëse nuk do ta dorëzonte, pasonte ndëshkimi deri në vdekje, ose deri në invaliditet të përjetshëm. Në këtë kohë ka plot raste, kur shqiptari, për t’i shpëtuar maltretimit, ka qenë i detyruar që ta blinte një armë dhe ta dorëzonte! Thonë se një pushkë është shitur edhe disa herë. Për t’i shpëtuar kësaj dhune shtetërore, shqiptarët e shkretë detyroheshin të shpërnguleshin jashtë Kosovës. Pjesa më e madhe e të shpërngulurve ishin ata që u dërguan në Turqi.
Shpërnguljen për Turqi e përjetoi edhe xhaxhi i Mirit. Kjo ka ndodhur më vitin 1958, kur ai ishte 8 vjeçar. Ishte shpërngulja e fundit masive e popullatës së Kosovës. Xhaxhai H, pasi që u maltretua për ta dorëzuar një armë, të cilën nuk e kishte, vendosi të ikte! Për këtë vendim nuk u konsultua me askënd. As me kushërinjtë, as me familjarët! Fëmijët i kishte të vegjël. Vendimin e mori në pranverë, pas një dimri të ashpër…
Atë ditë pranvere, xhaxhai ishte zgjuar herët në mëngjes, e kishte ndezur një cigare dhe po shëtiste nëpër oborr. Po e shikonte për të fundit herë shtëpinë ku kishte lindur dhe ishte rritur, hajatin, bunarin, ahurin, qerren, plugun, kotecin e pulave, deri edhe qenin në koliben e tij. U kthye brenda në shtëpi dhe po i vështronte fëmijët, të cilët ende ishin në gjumë. I shikonte ata se si qetë-qetë po flinin dhe po mendonte: “Unë po shkoj në fund të botës e bashkë me mua duhet t’i marr edhe këta engjëj! Nuk e di nëse Zoti, ndoshta, do të ma fal këtë mëkat që po e bëj!”. Nga emocionet që e kapluan zemra filloi t’i rrihte më shumë! Gryka iu tha, sa nuk mund të përbihej. I shpëtuan dy pika loti. Lotët e fshiu shpejt të mos ia shihte e shoqja, por pikëllimin nuk mundi ta fshehte. Dëshmi e kësaj gjendje ishin sytë e përlotur, skuqja në fytyrë e vetullat e ngrysura. Kur e pa ashtu të pikëlluar e shoqja e pyeti:
-Ç’ke more njeri që ke ra mazunë këtë mëngjes?
-Nuk durohet më jeta këtu, – oj grua- do të nisemi edhe në për Turqi!
Kjo fjalë gruas i ra si të kishte shkrepur rrufeja mbi të! Iu duk sikur tavani i dhomës e zuri përfundi. Rrinte si e nemitur! Për pak çaste nuk foli asgjë, por pasi u këndell pakëz i tha:
– A je në vete, çfarë po flet, pashë zotin!
-Po, po në vete jam- i tha preras.
Ajo nuk i foli më, por u largua me një anë dhe po qante. Kur e morën vesh edhe fëmijët, filluan të qanin edhe ata. Po xhaxhi H nuk fliste dy herë! Ai e kishte ndarë mendjen…
Në shtëpinë e xhaxhit ishin mbledhur krejt farefisi për t’u përshëndetur për herë të fundit. Po shkonin për të mos u kthyer më kurrë! Në qerre kishin ngarkuar pak plaçka, se shumicën e tyre po ua falnin kushërinjve të tjerë, që po mbeteshin në Kosovë! E, çka kishin t’u falnin bre? Dikujt një djep, dikujt një plug, dikujt një jorgan, ndonjë qilim, dikujt një magje. Në anën tjetër, Miri s’e dinte nëse xhaxhai ia shiti, apo ia fali dikujt edhe arat, livadhet, shtëpinë, qilarin, ahurin, bagëtinë?
Fëmijët e lanë shkollën në gjysmë, i lanë shokët dhe shoqet e tyre të shkollës, i lanë librat ku mësonin historinë dhe gjuhën shqipe, i lanë fletoret, hartimet. Me një fjalë i lanë gëzimet, hidhërimet, lojërat, vizitat, argëtimet, këngët shqipe e çdo gjë tjetër. Me vete morën vetëm ëndrrat dhe kujtimet.
Erdhi momenti i nisjes, moment ky që përshkohej me një atmosferë vaji dy palësh. I njërës anë, vaji i familjes së xhaxhait, i cili me gruan dhe 4 fëmijë që po ikte dhe, në anën tjetër, i të tjerëve që po ndaheshim për herë të fundit me ta. Po ndaheshin për së gjalli! Qanin të rriturit, po qanim edhe fëmijët.
Në momentin kur ishin gati të dilnin nga dera kryesore, xhaxhi H e pa vëllain e vogël, Lulin , të cilin nëna e mbante ngryk. Ai i thotë: “ Mbylli sytë dhe nxirre gjuhën jashtë!”, Si fëmije 4- vjeçar, Luli bëri siç i tha xhaxhai. Dhe ai, siç e pat cigaren e ndezur, e fiku atë në gjuhën e tij, sikur të kishte qenë taketuke! Merre me mend e fiku cigaren në gjuhën e një fëmije! Skandaloze! Vëllai ia plasi vajit edhe më shumë, tash nga djegia e cigares. Për çudi, nëna nuk i tha asgjë xhaxhit, po mundohej ta qetësonte vëllain. Edhe qante, sa për djalin, po aq edhe për ndarjen nga familja e xhaxhait. Dikush (nuk i kujtohej se kush qe) i tha: “Pse bre ia sose gjuhen fëmijës”? A nuk po të vjen gjynah, prej tij a? E ai nuk iu përgjigj në pyetjen që iu bë, por tha: “Unë po shkoj në fund të dynjasë, e ndoshta nuk do të kthehem më kurrë, po ky fëmijë, nuk do të më harrojë asnjëherë”!
Tani më qerrja, me kushërinjtë në të, doli në rrugë. Nga dhembja e ndarjes lotët po u shkonin të dy palëve rrëke, vetëm luhatja e duarve dukej në horizont… Ata shkuan. Xhaxhai H jetoi edhe një kohë në Stamboll. Thonë se ka vdekur më 1979. Vdiq në mërgim me mallin për ta parë edhe një herë Kosovën dhe shtëpinë e tij në Lugajë. Kurse, vëllai edhe pse tashti është në moshën e tretë, vërtetë, s’e ka harruar kurrë xhaxhin H!
Për një kohë, nuk dihet saktësisht sa, familja e xhaxhait dhe familja e jonë, po mbanin një lloj kontakti në mes vete. Në mungesë të telefonit, i vetmi kontakt me ta ishte kontakti me letra! Dhe letrën për të çuar në Turqi merrte shumë kohë. Vonohej me muaj. Po aq edhe për t’u kthyer. Më kujtohet si sot -tregon Miri- se si nëna jonë kishte dëshirë të flaktë t’ia shkruante ndonjë letër, kushërirës së saj Xhevës, (që ishte gruaja e xhaxhit H). Me që nëna nuk dinte shkrim lexim i thoshte Mirit ta shkruante. Nëna fliste, ai shkruante. Ajo fliste dhe qante edhe ai shkruante dhe qante. Në mungesë të fotografisë, shpesh, në letër i vizatoninin duart e fëmijëve , për t’u treguar atyre se sa ishin rritur…Eh, sa lot malli derdhej deri sa shkruhej një letër. Kjo gjë përsëritej brenda një apo dy muajsh. Edhe kur vinte letra nga Turqia përsëritej i njëjti skenar.
Askush më nuk u kthye në Kosovë, sepse sipas një marrëveshje që ishte arritur në mes Mbretërisë së Serbisë dhe Turqisë, si thonë, këto shpërngulje ishin dizajnuar, që shqiptarët të mos kishin te drejtë të ktheheshin. Ishte ende në fuqi edhe pas rrëzimit të Rankoviqit nga pushteti. Të gjithë mbetën atje! Kjo pengesë vazhdoi deri kah fundi i viteve të 80-ta…
Një ditë vere e vitit 1987, pas plot 30 vjet mërgimi, kishte ardhur djali i madh i xhaxhit H, në Lugajë. Kishte ikur si djalë i ri e kishte ardhur si 55 vjeçar. Sa qe në Kosovë kishte kryer shkollën e mesme, bile kishte punuar për një kohë, si mësues në një fshat të Kosovës. Po edhe ky e kishte lënë ditarin e mësuesisë dhe iu kishte bashkuar familjes.
Tani, pas rreth tri dekadash, kishte ardhur në vendlindje! Dukej se e kishte djegur malli edhe për gurët e sokakut, si thonë! Së pari kishte ardhur tek shtëpia e tij. U mërzit kur pa se shtëpia nuk ekzistonte, oborri, kishte mbetur djerrë. Dyert e oborrit ishin shkatërruar, po ashtu. Në vend të dyerve kishte një grumbull të madh ferrash. Vetëm bunari kishte mbetur, edhe pse edhe ai pa parmakë. Ishte rrafsh me tokë, i mbuluar me një trinë. Nuk ndejti shumë. Doli të çmallej me kushërinjtë. Nuk u çmall vetëm me ta! Doli edhe nëpër katund. Nga malli nuk la derë të katundit që nuk e hapi! Të rinjtë dhe fëmijët po habiteshin me sjelljen e një” të huaji” “A mos është ky ndonjë i çmendur që shkon shtëpi me shtëpi” thoshin.
Jo, nuk ishte i çmendur. Ishte normal! Këtë po e bënte sepse diçka po ia gërryente zemrën nga brenda. Ishte diçka që as nuk blihet, as nuk shitet! Ishte malli që vinte nga ajo copë jete që dikur e kishte kaluar nëpër rrugët e këtij fshati.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu