Reagim i Insajderit kundër incizimit të manipuluar, të publikuar nga një faqe interneti në pronësi të të akuzuarit për sulme kibernetike kundër dy medieve në Kosovë, Florim Alajt. Manipulimi i incizimeve nga Alaj është tendencë e tij për ta njollosur Duriqin e Insajderin, pas dështimit të tij që përfitojë mbi 300 mijë euro nëpërmjet shantazhit duke marrë nën kontroll faqen në internet të Insajderit, insajderi.com. Florim Alaj ende gjendet në arrati dhe në forma të ndryshme tenton sërish ta shantazhojë kompaninë mediale Insajderi, në kërkim të parave. Se si Halit Sahitaj, i lidhur me Florim Alajn ka tentuar ta paguaj gazetarin Duriqi për të mos raportuar për lidhjet e tij me Rusinë dëshmohet në incizimin që po e sjellim sot dhe të cilin e posedojnë edhe organet e sigurisë dhe inteligjencës.
Kredibiliteti i gazetarëve më së shumti u dhemb pushteteve autoritare dhe kriminelëve. Ata, nuk e durojnë kritikën, shkrimet profesionale, e as qasjen e paanshme. Kësisoj, fillojnë luftë me të pavërteta dhe gjysmë të vërteta për të “rrënuar” kredibilitetin e atyre që i konsiderojnë armiq.
E tillë është bërë fushata kundër Insajderit dhe gazetarëve të saj nga persona të akuzuar e në arrati, të cilët vitin e kaluar provuan ta asgjesojnë teknikisht këtë medium i sulmuar nga shumë anë.
Derisa në të kaluarën, gazetarët e Insajderit janë kërcënuar e rrahur fizikisht, ndaj tyre tashmë ka nisur një luftë speciale me incizime të montuara sipas hesapeve e interesave të porositësve dhe realizuesve.
Gjatë hulumtimit, ishin kuptuar lidhjet e “Currit” me të dyshuarin për agjent rus në Kosovë, kosovarin nga Istogu, Halit Sahitaj, i cili shfaqej kudo, madje edhe në krah politikanësh e ndeja private.
Sahitajt, i ishin dërguar pyetje për pjesën ku ai do të përmendej. Ai në fillim pranoi që të kishte një takim me gazetarin Visar Duriqi, për të folur për mundësinë e intervistimit.
Takimi për këtë qëllim ishte zhvilluar në një hotel në Prishtinë, dhe kishte zgjatur 1 orë e 6 minuta. I tëri është incizuar.
Duke e ditur veprimtarinë e Sahitajt dhe lidhjet e tij me shërbime armiqësore kundër Kosovës, takimi ishte vëzhguar nga njerëz të inteligjencës të cilët ka kohë që përcjellin veprimet dhe veprimtarinë e tij.
Gjatë takimit me gazetarin Duriqi, Sahitaj konfirmon të gjitha pohimet që janë transmetuar për të në emisionin “Mafiozi Shqiptar”, ku figurë qendrore është Ismet Osmani-Curri.
Në fund të takimit, me qëllim që të ndryshohej diçka në favor të tij në këtë emision, Halit Sahitaj tenton që t’i jep para gazetarit Visar Duriqi.
Paratë ishin paketuar në një zarf të trash. Siç edhe mund të dëgjohet në audio-incizim, ai u referohet parave si “kafe” dhe “dhuratë”.
Për këtë tentim korruptimi është i njoftuar shteti.
Në audio-incizim, dëgjohet Duriqi duke i refuzuar. Dokumentari është transmetuar me përmbajtjen që e kanë parë shikuesit e shumtë.
V: Halit a po me fal mu se kom tash me shku me u taku.
H: Ani vëlla falemineres që ke.
V:E ani këqyre nesër qat farë kontakti!
H: Publik bëmë çka dush jo që ta kom jep unë.
V: Nëse kanë politikanët e Kosovës?
H: Ata e ki të sigurt!
H: A e don një kafe kështu?
V: A?
H: Një dhuratë me ta bo a don?
V: Kështu është kafe a po?
H: Jo bre jo.
V: Qysh po menon?
H: Ah…
V: Ja ja kafe ashtu jo, unë menova mos është kështu kafe që e ke pru prej Rusie, se jo, jo faleminderit! Ja, Jo!
Një portal i quajtur Shqip.com i krijuar nga Florim Alaj në arrati, dhe Ardian Alaj me aktakuzë për tri vepra penale të kryera kundër Insajderit vitin e kaluar, të shtunën ka publikuar një audio-incizim në të cilin janë montuar pjesë nga biseda kinse Halitaj ofron para për raste të shkrimeve të tjera.
Në këtë audio-incizim që është montuar, dhe janë shtuar pjesë bisedash më pastaj, ai thotë se ka disa shkrime të gatshme për disa personalitete në Kosovë.
Ky audio-incizim është i montuar e skandaloz.
Ato shkrime gjoja të porositura kundër kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli dhe kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, kurrë nuk janë botuar në Insajder.
Por, kundër Lumezit këto ditë janë botuar në portalin shqip.com, pronë e të akuzuarve, Florim e Ardian Alaj, me protagonist Halit Sahitajn, me gjasë të paguara nga ai.
Në këtë bisedë të incizuar, Duriqi i kërkon Halitajt t’ia dërgojë materialet, të shqyrtohen fillimisht, të bëhet një verifikim, dhe nëse do të kishte material dhe interes publik edhe mund të publikoheshin. Kjo pjesë është hequr nga audio-incizimi i publikuar Shqip.com, portali i të akuzuarit për krime kibernetike kundër Insajderit dhe gazetës Infokusi, Florim Alaj.
Asnjë shkrim nuk është dërguar nga Sahitaj tek Duriqi. Asnjë pagesë nuk është shkëmbyer. Asnjë publikim nuk është bërë.
E vërteta e këtyre incizimeve do të dalë. Atë duhet dhe do ta bëjë një ekspertizë profesionale forenzike pasi që hetimet për to tashmë kanë nisur. Kjo e vërtetë do të nxjerr në shesh një grup të strukturuar kriminal, të cilët kanë krijuar një portal për të publikuar incizime të montuara.
Insajderi, është mediumi që para shikuesve dhe lexuesve ka sjellë profilin e dyshimtë të Halit Sahitajt. Insajderi është po ashtu mediumi që zbuloi emrin dhe figurën që fshihej prapa zërit të incizuar të portalit shqip.com. E vërteta është kjo. E tillë do të konfirmohet kur hetimi i Prokurorisë Speciale do të dalë me rezultat profesional rreth incizimeve të publikuara.
Audio-incizimi i montuar i grupit kriminal dhe i portalit të personit në arrati, Florim Alaj, madje është lëshuar edhe në ofendim, pos shpifjeve. Tutje, ai është shpërndarë nga portali pro-qeveritar, “Kallxo” i BIRN të Jeta Xharrës.