ARKIVI:
29 Nëntor 2024

Festa e Pavarësisë së Shqipërisë: Rugova President i Kosovës, uronte gjithë shqiptarët e botës

Shkrime relevante

Faik Konica: Vajtim për robëri të shqiptarëvet (1901)

Faik Konica O të humbur shqipëtarë, Seç qenkeni për të qarë! Për të qar’...

Kush deshti ta përdhosë festën e flamurit në Kumanovë?!

Emin Azemi, Shkup Nuk është as në natyrën, as në traditën e...

29 nëntor, kur Shqipëria u pushtua nga terrori komunist!

Mes "vëllezërish": Dushan Mugosha, Enver Hoxha dhe Miladin Popoviqi Ervina Toptani * Mungon...

Pse u “lejohet” politikanëve shqiptarë me qenë “antitrumpist”, e jo edhe “antiamerikan”?

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina (Ose; tani pas fjalimit të Presidentes...

Festa e Pavarësisë së Shqipërisë: Rugova President i Kosovës, uronte gjithë shqiptarët e botës

Ibrahim Rugova e mban në duarë gazetën Rilindja të 28 Nentorit...

Shpërndaj

Ibrahim Rugova e mban në duarë gazetën Rilindja të 28 Nentorit 2002 , derisa bisedon me kryeredaktorin Behlul Jashari në Rezidencën Presidenciale

-Dr. Ibrahim Rugova në  jubileun e 80 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë e Ditën e Flamurit – 28 Nëntor 1992 uronte gjithë shqiptarët e botës, për herë të parë si President i Kosovës: Një  URIM I MADH në këtë kremtim jubilar për të gjithë shqiptarët edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe në viset e tjera etnike dhe në diasporë, duke filluar nga Zelanda e Re, Australia, Evropa dhe Amerika, të cilët gjithmonë kanë qenë të lidhur me Shqipërinë dhe me trojet etnike shqiptare dhe me çështjen shqiptare/

Nga: Behlul Jashari, Prishtinë

PRISHTINË, 28 Nëntor 2024/ Në 80 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë – Ditën e Flamurit, në 28 Nëntor 1992, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, uronte të gjithë shqiptarët në botë.

“Një  URIM I MADH në këtë kremtim jubilar për të gjithë shqiptarët edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe në viset e tjera etnike dhe në diasporë, duke filluar nga Zelanda e Re, Australia, Evropa dhe Amerika, të cilët gjithmonë kanë qenë të lidhur me Shqipërinë dhe me trojet etnike shqiptare dhe me çështjen shqiptare”.

Ky ishte urimi i parë për 28 Nëntorin i Dr. Ibrahim Rugovës si President i Kosovës i zgjedhjeve të para pluraliste të 24 Majit 1992 – vitit të 80 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, që e festoi në Vlorë.

Dr. Rugova vlerësonte arritjet e shqiptarëve dhe theksonte aspiratat e idealet shqiptare:

“Në këtë moment jubilar dhe të rëndësishëm mund të them se sot shqiptarët, pa marrë parasyshë kufijtë aktualë, janë më të bashkuar se asnjëherë dhe sot, pas 50 vjet ndjekjesh dhe persekutimesh që përjetuan edhe në Shqipëri e edhe në Kosovë dhe represionit që kemi këtu, kremtojmë së bashku këtë festë kombëtare, e mund të themi edhe me rezultate të mëdha, sepse Shqipëria aktuale këtë vit ka hyrë definitivisht në proceset demokratike, gjithnjë e më shumë po bëhet një vend i hapur edhe në pikëpamje politike e edhe në pikëpamje ekonomike dhe po integrohet në proceset evropiane dhe ndërkombëtare, ndërsa Kosova, me shpalljen e pavarësisë së saj shtet i pavarur dhe neutral, po afirmohet gjithnjë e më shumë në planin ndërkombëtar, po ashtu edhe trojet e tjera etnike të shqiptarëve në Maqedoni, si grupacion i dytë nacional, pastaj në Mal të Zi dhe në Serbinë Jugore. Mund të themi se me politikën e rezistencës dhe të qëndresës paqësore, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve tjera janë afirmuar sot në botë. Në kohën kur po shkatërrohet e që u shkatërrua ish-Jugosllavia e po ashtu edhe në kohën e një organizimi të ri në Ballkan, edhe shqiptarët e Kosovës e të viseve tjera etnike kërkojnë vetëvendosje për ardhmërinë e tyre.

Në këto momente të rëndësishme, Shqipëria si shtet ndihmon mjaft çështjen e Kosovës dhe çështjen e shqiptarëve në përgjithësi në planin diplomatik dhe në planin politik dhe mbron interesat e shqiptarëve.”

Presidenti historik Rugova ka folur kështu në një deklaratë ekskluzive për gazetën e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991, pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia të gazetës Rilindja – të vetmes së përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë.

Me titullin “Shqiptarët sot janë më të bashkuar se asnjëherë” deklarata ekskluzive gazetës “Bujku” botohej në numrin e 28 Nëntorit 1992 në ballinë, ku me titullin “Urojmë që përvjetorët e ardhshëm t’i festojmë bashkërisht” botohej edhe përgëzimi i Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova  Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha:

Gazeta Bujku e 28-Nentor 1992-fq-1-foto: Behlul Jashari -768×1161

“I dashuri President,

Sot, në ditën e 80-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë shqiptarët festojnë kudo. Më 28 nëntor mbushen plot 80 vjet kur në Vlorë Ismail Qemali ngriti Flamurin e Kastriotit, Flamurin  shqiptar. Ishte ditë e Pavarësisë së Shqipërisë, ditë e çlirimit dhe ditë për të hyrë në jetën e lirë shqiptare e qytetare. Por, për fat të keq, Shqipëria u nda dhe Kosova e trojet e tjera etnike ranë prapë në robëri. Të gjithë shqiptarët nuk e gëzuan pavarësinë dhe lirinë.

Shqipëria demokratike dhe e lirë sot po bëhet një faktor i integrimeve kombëtare dhe i stabilitetit në Ballkan. Ajo Kosovës po i jep ndihmë të madhe politike dhe diplomatike në rrugën e saj të Pavarësisë, po i mbronë interesat e të gjithë shqiptarëve.

Urojmë që Shqipëria të bëhet një shtet edhe më i fortë edhe më i zhvilluar ekonomikisht, Urojmë që përvjetorët e ardhshëm t’i festojmë bashkërisht.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Kryetari i Republikës së Kosovës,

Dr. Ibrahim Rugova”

Në 28 Nëntor 1992, “Në mbarë Shqipërinë manifestime madhështore” ishte kryetitull balline i raportimit nga Tirana i gazetës “Bujku”, e cila  në numrin vijues raportonte edhe se, Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova ishte në Shqipëri në kremtimin e 80 vjetorit të Pavarësisë.

“Dr. Rugova mori pjesë së bashku me presidentin e Shqipërisë dr. Sali Berisha në solemnitetin qendror të përvjetorit jubilar në Vlorë, ku 80 vjet më parë Ismail Qemali ngriti Flamurin e Pavarësisë…Në kuadër të vizitës në Shqipëri, dr. Rugova zhvilloi bisedime me presidentin Berisha dhe me udhëheqës të tjerë të Shqipërisë”, shkruante gazeta “Bujku” që dilte në Prishtinë.

Ditën e Flamurit e të Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntorin  Dr. Ibrahim Rugova e festoi në Vlorë në 80 vjetor për herë të parë si President i parë Kosovës po në atë vit kur u votua në zgjedhjet e para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992.

Në Kosovë Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe e Flamurit Shqiptar festohej edhe kur ishte e ndaluar, festohej edhe me demonstrata në vitin 1998 në Prishtinë e qytete tjera me kërkesa për Kosovën Republikë, për Kushtetutë, për Universitet e të tjera për të drejtat e shqiptarëve. Atëherë, marshi i  fillimtarëve të demonstrates, ndër të cilët isha edhe unë nxënës i klasës së tretë të Shkollës Normale nisi në orët e pasditës  nga Fakulteti Filozofik (tash Fakulteti Filologjik i Univerisitetit të Prishtinës), dhe më pas deri natën vonë u mbushën përplot demonstrues rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Kosovës. Për ato demonstrata në 24 vjetorin e tyre “Nata që bënte dritë” ishte titulli i shkrimit tim në gazetën “Bujku” të 28 Nëntorit të 80 vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë, ku në legjendën e fotografisë theksoja: “Pas Krujës, Vlorës…edhe në Prishtinë, në demonstratat e vitit 1968, në prag të Ditës së Flamurit, u ngrit flamuri për pavarësinë shqiptare…”

“Valonin shumë flamuj kombëtarë shqiptarë, valonin edhe për Festën e Flamurit që ishte e ndaluar bashkë me flamurin”, përshkruaja pamjet madhështore…Tregoja edhe se si në 28 Nëntorin 1968  për  demonstrat shqiptare në Kosovë dhe për Flamurin Shqiptar në ditën e madhe historike kisha shkruar vargje – vjershën “Himni i Flamurit”, të cilën ma botoi gazeta studentore “Bota e Re”…

Nga të gjithë shqiptarët, edhe në demonstrata, përkujtohej e edhe sot e përgjithmonë historia jonë shkruan e flet edhe se Heroi Kombëtar, Isa Boletini, në Nëntorin e madh 1912 nga fshati Boletin në rajonin e Mitrovicës – nga Kosova me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në Vlorë, Isa Boletini me bashkëluftëtarët nga Kosova përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë Shqiptare të kryesuar nga Kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i Shtetit Shqiptar, firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare.

Edhe nga Vlora, edhe në festimet e urimet nëpër vite të 28 Nëntorit Presidenti Rugova theksonte edhe mesazhin se Pavarësia e Kosovës është plotësim i Pavarësisë Shqiptare.

“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin” dhe “Politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”, janë titujt e tre nga intervistat ekskluzive që kam zhvilluar nëpër vitet e rezistencës, luftës e lirisë me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, derisa isha kryeredaktor i gazetës Rilindja dhe korrespondent në Kosovë i Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë.

Rugova-Berisha – Vlorë me 28ë Nëntor 1992

Këto tre intervista janë ribotuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, e cila për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: Kosova shpalli pavarësinë bota e njeh shtetin më të ri.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 Shkurti 2008 dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: Rilindja ju uron shpalljen dhe njohjen e Kosovës Shtet i Pavarur.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu