Nga: Dr. Sadri Ramabaja, Prishtinë
Përshkallëzimi i luftës hibride nga ana e Serbiasë, duke atakuar sistemin Iber-Lepenc dhe atë elektroenergjetik të Kosovës, ka pretendim të hapur që të shkaktojë sa më shumë panik e pasiguri.
Këtë marsh të Serbisë, qeveria jonë mund ta shfrytëzojë e ta shndërrojë në një mundësi për rimëkëmbjen e Kombit – me kusht që Shqipëria politike dhe Republika e Kosovës të përballen me dobësitë tona më të mëdha. Ky kusht ka të bëjë me teologjinë dhe ideologjinë e armiqëve tanë, të cilën duhet ta bëjmë të qasshme për qytetarin e rëndomtë, duke e shpërfaqur të tillë si është – në trajtën e luftës hibride.
Për Kosoëvn tashmë nocionet luftë hibride e terror psiqik nuk mund të shihen e trajtohen si nocione abstrakte. Lufta që i bëhet vazhdimisht Qeverisë Kurti përmes akteve të terrorit nga pala serbe dhe propaganda e një lagje mediash me seli në Prishtinë e Tiranë [sic!] dhe kjo valë terrori e përqëndruar në tri ditët e fundit në veri, kanë një qendër komanduese.
Unë besoj se antifragjiliteti është i ngulitur në ADN-në tonë kolektive. Vuajtjet tona si shqiptar na kanë forcuar. Përballja me luftën hibride, që mund të jetë si uverturë e luftës reale, na bën më të fortë.
Historia e këtij krahu të Atdheut tonë është e gjatë dhe e mundimshme. Kemi pasur kohë të arta në luftën e gjatë për mbijetesë dhe ruajtje të kulturës e gjuhës sonë, identitetit e truallit tonë.
Cili luftëtar lirie qëe kishte bartur uniformën e UÇK-së së vegjëlisë në vitet e lavdishme të historisë sonë moderne 1998/99, do ët mund të kishte parashikuar se çfarë do t’i priste ata, një pjesë, në uniformën e Policisë së Kosovës, tani dy dekada më vonë? Ne shqiptarët e këtij brezi, parajsën e fituar nën siglën e UÇK-së nuk lejojmë asesi t’na shndërrojnë në një parajsë të humbur.
Në qershor 1999, falë UÇK-së së vegjëlisë dhe miqëve tanë, ndodhi mrekullia: Ky krah i Atdheut tonë u çlirua. Tani kemi Republikën e Kosovës, shtetin e dytë shqiptar në truallin e të parëve tanë. Fatmirësisht, kundër të gjitha gjasave, kjo pjesë e kombit, e pambrojtur, që bënte jetën e kolonisë së fundit në Europë, më në fund jeton e lirë. Dhe tani që jemi këtu, shtëpitë dhe familjet tona kanë nevojë për mbrojtje; fëmijët tanë kanë nevojë për perspektivë të qartë.
Ne shqiptarët, pak a shumë si edhe sivllezërit tanë hebrenj, ashtu si shkruan Michael Tobin, një psikolog i njohur, jetojmë midis paradokseve të pafundme – frikës dhe vetëbesimit, dëshpërimit dhe optimizmit, pikëllimit dhe shërimit, humbjes dhe fitores – dhe fatkeqësive dhe konfuzioneve të tjera të panumërta që janë të gdhendura në historinë tonë kolektive e aktuale.
Serbia duke mos qenë në gjendje të pajtohet të jetojë në gjeografinë e saj, nuk po arrinë dot të pajtohet me realitetin e krijuar në qershor 1999. Me këtë sjellje, duke pretenduar hapur veriun e Kosovës, ajo sikur harron se ka brenda kufijve të saj politik një krahinë të tërë shqiptare – nga Nishi deri tek Vraja e Kurshumlija, ku shtriheshin 8 qytete dhe 998 katunde shqiptare, ku jetonte një pjesë e madhe e kosovarëve që sot mbajnë si kujtim emrat e vendbanimeve të të parëve të ytre si mbiemra.
Si njohës i kësaj historie politike, do të shtroja pyetjen e rëndomtë, si mund të jetojmë ne tutje nën breshërinë e terrorit shtetëror serb, e të pajtohemi me humbjen e asaj krahine shqiptare?!
Si mund të pretendojnë ideologët dhe gjeneralët serb se, gjithë kjo çmenduri e tyre për rikthim në vendin e krimit, është normale kur presin që luftën hibride ta përkthejnë në luftë reale, ndërkaq të gjykojnë kaq naivisht se djalëria shqiptare nuk di gjë nga historia.
Përgjigja vjen në kontekstin e historisë dhe mbijetesës shqiptare.
Rreziku ka një emër: Serbi.
Në të kundërtën, liria dhe shpresa ka një kohë të vështirë kur përballet me luftën hibride, siç është kjo valë e terrorit serb në këtë fundnëntori që po lëmë pas.
Nuk ka dyshim se ku ndodhet koka e gjarprit. Beogradi mund të dhe duhet të mposhtet.