Kosova ia përsëriti leksionin Serbisë. I dha të kundërtën e asaj që e synoi, me sulmin ndaj infrastrukturës kritike mbrëmjen e 29 nëntorit. Autoritetet shtetërore demonstruan fuqinë për ta përballuar çfarëdo që vjen nga shteti armiqësor, i cili qëllimet synon t’i realizojë nëpërmjet grupeve terroriste, si “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.
Demolimi me eksplozivë i një pjese kyçe të shtratit të Ibër-Lepencit, pati për qëllim ta paralizonte Kosovën, meqë nga liqeni i Ujmanit, nëpërmjet këtij kanali pjesë e madhe e komunave furnizohen me ujë për pije, ndërsa furrat e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe ato të Ferronikelit, sigurojnë ftohjen dhe nga po ky ujë varet edhe puna e “Termokosit”.
Dëmi më eksploziv ishte i madh. Por, pasojat janë shumë më të vogla prej atyre që u synuan, përfshirë krizën humanitare e atë ekonomike.
Po. Pjesë e madhe e qytetarëve mbetën përkohshëm pa ujë për pijë. U demonstrua solidaritet mes ndërmarrjeve rajonale përgjegjëse për sigurimin e ujit, e po kështu institucionet ofruan autobote, në secilën lagje të prekur. E, në mbrëmje, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” kumtoi se ka filluar trajtimi dhe shpërndarja e ujit, ani se me kapacitet të reduktuar.
Dëmet tjera u evituan.
Brenda tre orëve, mobilizimi i institucioneve bëri që rrjedha emergjente në kanalin e goditur nga eksplozivi, të rikthehet dhe të mbërrijë te termocentralet. Kosova nuk përjetoi kolaps energjetik, e madje asnjë sekondë reduktim të energjisë.
Feronikeli e vazhdoi rutinën.
Prishtina u ngroh nga “Termokosi”, si çdo ditë tjetër.
Kjo është rezultat i mobilizimit të menjëhershëm të institucioneve. Rezultat edhe i aftësisë për t’u përballur me të papritura, përfshirë sulme terroriste si ky.
Pra, rezultati i testit që bëri Serbia, tregoi funksionalitetin e plotë të secilit institucion të shtetit të Kosovës.
Goditjen kryesore Serbia e mori nga institucionet e sigurisë. Vetëm pak orë pas sulmit, kryeministri Albin Kurti kumtoi për bastisje, të arrestuar dhe për dëshmi e prova materiale të kapura. Më vonë, policia konfirmoi se ka arrestuar 8 të dyshuar për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit dhe për dy sulmet me bomba që këtë javë u kryen ndaj një stacioni të policisë dhe një objekti komunal në veri.
Provat ekspozuan Serbinë si autor të sulmeve: Mbi 200 uniforma ushtarake, 6 zolla, 3 granata dore, 4 armë AK47, 4 revole, 1 armë gjuetie, 6 karikatorë të AK47, municion të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika e pajisje të tjera. Shumica nga to, besohet se i përkasin arsenalit të deponuar të ushtrisë serbe.
Dridhjen më të madhe nga detonimi me rreth 20 kilogramë eksplozivë, e ndjeu Serbia edhe në aspektin diplomatik. Me Kosovën u solidarizuan të gjithë aleatët, dhe shprehën gatishmërinë për të ofruar çfarëdo ndihme. Krahas apelit për hetim të thellë dhe për t’i vënë përgjegjësit para drejtësisë, iu përmend edhe emri Serbisë. Ky përbën mesazhin më të madh se, jo veç në Prishtinë, Beogradi zyrtar shihet si ideator dhe ekzekutues i sulmit më të madh që i ka ndodhur infrastrukturës kritike të Kosovës që nga paslufta.
Është e kuptueshme se konteksti politik i këtyre sulmeve nuk është i rastësishëm. Ka vite që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, hapur ka treguar se nuk do të kursejë mjete për t’ia aneksuar veriun Kosovës. Këtë e pati shpjeguar nëpërmjet termeve të shahut: “Ka ende figura në tabelë. Është e mundur për të luftuar me to, për të nxjerrë një lloj remi”.
Pra, ai do një fund “pa fitues”.
Më pas saktësoi se çfarë nënkuptonte me situatën “remi”.
“E di se në Kaçanik nuk ka serbë dhe kjo është një e vërtetë e hidhur”, pati thënë Vuçiqi në verën e 2018-s. “Mua më shumë më brengos fakti se Hashim Thaçi beson se Mitrovica Veriore ose Leposaviqi nuk i përkasin Serbisë”.
Hapur, ai e di që Kosova është e humbur, por nuk heq dorë nga veriu.
Prandaj, Serbia i është kthyer akteve terroriste, pasi “figurat” e deritashme nuk kanë dhënë rezultate: Dështoi në “lojën me demokracinë” nëpërmjet dorëheqjes së serbëve nga institucionet lokale e publike, e bashkë me to humbi edhe tabelat ilegale, edhe dinarin, edhe shumë institucione që i mbante ilegalisht; dështoi edhe në “lojën me zjarr”, kur nëpërmjet grupit paraushtarak përgjegjës për sulmin në Banjskë, nuk mund ta realizonte planin për aneksim, por humbi tre jetë njerëzish, tre të tjerë iu kapën dhe iu demaskua i gjithë grupi i prirë nga Milan Radoiçiq, për të cilin prokuroria dha prova se u ndihmua nga shteti serb me më shumë se 100 milionë euro.
Pra, goditja me eksplozivë e damarit kryesor që furnizon me ujë Kosovën, është bumerang për Serbinë. Sulmi shpërfaqi shtetin me institucione të forta që di t’i bëjë ballë edhe situatave emergjente të prodhuara nga akte terrorizmi.