Nga: Arlinda Gjonaj
Shkolla Normale e Elbasanit është e para shkollë kombëtare pedagogjike në Shqipëri e themeluar më 1 dhjetor të vitit 1909, në bazë të vendimeve të Kongresit Kombëtar i mbajtur më 2-8 shtator 1909, në Elbasan.
Shkolla Normale e Elbasanit, gjatë vitit akademik 1909-1910 numëronte 160 nxënës të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë.
Drejtori i parë i saj u caktua Luigj Gurakuqi. Si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar si Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Simon Shuteriqi, Kristo Dako, Hafiz Ibrahim Dalliu, Ahmet Gashi, Mahir Domi, Salih Çeka, Eqrem Çabej, Thanas Floqi etj.
Historia e Normales së Elbasanit është e lidhur ngushtë me zhvillimet politike në Shqipëri. Ajo u mbyll gjatë vitit 1912 dhe u çel pas luftrave Ballkanike, më 1913-1914, në kohën e Qeverisë së Vlorës dhe të Princ Vidit.
Ajo u mbyll përsëri gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u hap në vitin 1921. Nga viti 1921 ajo funksionoi rregullisht deri në vitin 1943, kur një numër i madh nxënësish i braktisën bankat e shkollës për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Nga rradhët e normalistëve të Elbasanit ranë 63 dëshmorë.
/a.f/