ARKIVI:
4 Dhjetor 2024

Tmerret që mbetën brenda meje & Rrëfime nga lufta (1)

Shkrime relevante

Blerim Metaj: Rrëfime nga lufta (2)

Blerim Metaj ___ Pranverë 1999: Për herë të parë pashë ushtarë të UÇK-së...

Gjenocidi i grekëve kundër shqiptarëve në Shqipërinë Juglindore

Dr. Nail Draga, Ulqin Me rastin e 110-vjetorit Kosta Papa Tomori, Barbaritë greke...

John Muzaki: Kronikë e shkurtër mbi pasardhësit e dinastisë sonë Muzaki

Kronika ose kujtimet e Gjon Musaçit (Ital. Giovanni Musachi) përbën tekstin...

Më në fund doli në shesh: Grupi Politik i kryesisë së Degës së LPK-së ka lëshuar komunikatat në emër të UÇK-së

Gjatë tërë periudhës kur kam qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm,...

Serbia, më e fortë se BE…!

Vuçiq: Nuk jam i interesuar ta njoh Kosovën e as t’i...

Shpërndaj

___
Rrëfime nga lufta – pjesa e parë:
Tmerret që mbetën brenda meje
___
Lufta ka përfunduar që prej shumë vitesh, gati dy dekada, por jehona e saj nuk shteron. Tmerret e asaj kohe vazhdojnë të më ndjekin, si hijet që nuk shqiten kurrë. Fëmijë atëherë, i pafuqishëm të kuptoja çfarë ndodhte përreth meje, i pafuqishëm të deshifroja arsyet e asaj dhune që as në filma horror nuk mund të shfaqej. Pse duhej t’i vrisnin njerëzit në prag të shtëpive të tyre, në rrugë, duke mos i bërë askujt asnjë të keqe? Pse familjet tona ishin të detyruara të linin gjithçka pas dhe të niseshin drejt një të panjohure që përfundonte në Shqipëri? Pse shtëpitë tona digjeshin nga ata që së pari i plaçkitnin?
Në atë amulli të dhimbshme, një fëmijë prej 8 vitesh mbante një fletore. Ishte shoqëruesja ime e fshehtë, ku në mënyrën më të thjeshtë mundohesha të shkruaja atë që sytë e mi të vegjël shihnin dhe që zemra ime nuk e përballonte dot. Sikur diçka më shtynte t’i hidhja ato kujtime në letër, që të mos zhdukeshin. Vite më vonë, në një kërkim të rastësishëm në tavan, gjeta fletore të vjetra të shkollës. Mes tyre, disa fletë të shkruara më kthyen në ato ditë të mbrapshta. Kujtimet shpërthyen si dallgë që nuk mund të ndaleshin, duke më përpirë plotësisht. Sot, ato kujtime janë bërë aq të rënda, sa nuk mund t’i mbaj më brenda. Vendosa t’i hedh në letër, jo vetëm për të lehtësuar veten, por edhe për të mos i lënë të harrohen.
Vjeshta e vitit 1998
Ishte një ditë e rëndë me shi, një shi që dukej sikur nuk do ndalej kurrë. Ne ishim në klasën e tretë të shkollës “Zymer Zeka” në Kaliçan, duke mbajtur orën e gjuhës shqipe. Po shkruanim një hartim kur papritur xhamat e klasës filluan të dridheshin. Tronditja mbuloi gjithçka, si një dallgë që përfshiu çdo kënd të klasës sonë. Çfarë po ndodhte? Përballë shkollës po kalonin tanke të zinj, të mbuluar nga ushtarë me helmeta dhe armë. Disa nga ne filluan të qajnë, të tjerët u fshehën nën banka, por unë, në një moment kurioziteti dhe guximi të çuditshëm, e drejtova çadrën time nga xhami i dritares. Mësuesi Emin më tërhoqi me forcë dhe na nxori të gjithëve jashtë, duke na fshehur pas shupës ku shkolla mbante drutë e dimrit. Aty, mes drithërimave dhe shiut të pamëshirshëm, na tha të fshihnim çantat, që librat të mos bëheshin shkas për më shumë vuajtje nëse serbët kontrollonin. Mësuesi na përcolli me dorën e tij deri në shtëpi, duke na këshilluar të ishim të gatshëm të fshiheshim në livadhe në rast rreziku. Kur më në fund arrita në shtëpi, gjyshi po më priste. Baba dhe nëna nuk ishin, kishin shkuar për të marrë nusen e axhës që po nisej për Gjermani. Frika ime për ta ishte e madhe, por kur më në fund u kthyen, gëzimi nuk mund të përshkruhej.
Ajo ditë, si shumë të tjera të ngjashme, la gjurmë të pashlyeshme brenda meje. Nuk mund të harrohet, as të mbetet pa u treguar. Prandaj, këtë histori e shkruaj për t’i dhënë zë të kaluarës dhe për të kujtuar se çfarë kemi kaluar. Kjo është vetëm një copëz nga një jetë që lindi mes errësirës, por vazhdon të jetojë në dritë.
(Vazhdon…)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu