Krojkova është një ndër fshatrat e komunës së Drenasit që ka dhënë një kontribut të madh për lirinë e Kosovës. Shtrihet pranë bjeshkës së Kosmaçit dhe e njohur për burimet e fuqishme të ujit, ky fshat mbetet i paharruar në historinë tonë kombëtare, jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për njerëzit e tij të përkushtuar.
Fshati ka nxjerrë intelektualë, të rinj e luftëtarë që kurrë nuk iu nënshtruan pushtimeve. Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe ripushtimit nga forcat serbe, Krojkova u dallua si një qendër e rëndësishme për pajtimin kombëtar dhe mobilizimin për rezistencë. Në një tubim të madh në këtë fshat u organizua takimi i parë i pajtimit të gjaqeve nga heronjtë Prof. Gani Elshani, Dr. Hafir Shala, dhe dëshmori Sokol Elshani, një ngjarje që shënoi një moment të rëndësishëm historik.
Me fillimin e luftës, shumë nga banorët e Krojkovës u bashkuan me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Luftëtarët e këtij fshati dhanë kontribut të madh në betejat për liri, duke lënë pas edhe dëshmorë, si:Gani Elshani,Sokol Elshani,Mehdi Hoxha,Vehbi Hoxha,Sahit Shala,Meriton Elshani.
Dr. Hafir Shala, një figurë e spikatur e këtij fshati, u kidnapua nga forcat serbe dhe figuron ende i zhdukur. Sahit Shala, një tjetër hero i fshatit, u vra nga policia serbe gjatë një proteste në Drenas, ndërsa Sokol Elshani u plagos rëndë në të njëjtin vend, kurse në luftën e fundit ra dëshmor.
Gjatë luftës, Krojkova përjetoi humbje të mëdha në njerëz, ku u vranë edhe civilë si:Hyra Elshani,Ramadan Brahaj,Faik Brahaj,Afrim Brahaj,Fejzë Brahaj,Fahredin Brahaj,Shemsi Elshani,Sabit Buzaku,Rashit Elshani.
Në këtë fshat funksionoi edhe ambulanca e organizatës “Nëna Terezë”, e cila u shërbeu banorëve të Drenicës në kushte të vështira, kur institucionet shëndetësore ishin të pushtuara nga regjimi serb.
Me këtë trashëgimi humanitare dhe kombëtare, Krojkova mbetet një shembull frymëzues për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.