Ali Sh. Mehmeti
Albin Kurti qëndroi dje në Sarajevë me ftesën e Shoqatës së intelektualëve të pavarur Rrethi 99, ku do merrte pjesë në konferencën me temë mbi “raportet rajonale”. Me këtë rast ai pati takime edhe me të gjithë funksionarët më të lartë të Republikës Bosnje dhe Hercegovinës dhe me partitë politike, përveç me ata nga Republika serbe që protestuan fuqishëm, në kor edhe me ata nga Serbia.
A ju kujtohet kur para disa viteve Albin Kurti kërkonte nga ish qeveritë në Kosovë dhe ajo në Shqipëri, që të angazhohen më shumë në bashkëpunime rajonale të orientuara në vijën Zagreb, Sarajevë, Podgoricë, Prishtinë, Shkup deri në Sofje?! Kjo ide si duket ka mbërri s’paku deri në Sarajevë.
Këtë ide në mënyrë eksplicite sot e shpalosi në Sarajevë profesori i filozofisë dhe sociologjisë Adel Kullenoviq, kryetar i shoqatës Rrethi 99. Takimi u mbajt në një godinë historike të quajtur “Vjeqnica” (kuvendore), mbi 140 vjeçare, e cila deri në vitin 1992 shërbeu sikur bibliotekë me 2 milion tituj, kur u dogj nga forcat barbare serbe, për tu rihapur prapë në vitin 2014 pas renovimit, kurse sot shërben për mbajtjen e manifestimeve të ndryshme.
Nga fjala e Adell Kullenoviq:
“Fati historik domosdoshmërish na lidh, njësoj sikurse edhe vendosmëria për zhvillim të lirë të boshnjakëve dhe kosovarëve dhe shteteve të tyre sovrane. Hegjemonizmi serbomadh dhe ekspoziturat e tij, janë burim i jostabilitetit të përhershëm.
Shumë gjatë qëndron presioni hegjemonist, irredentist dhe etnonacionalist dhe tendenca për përvetësimin territorial ndaj Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi dhe ndaj Bosnje Hercegovinës
Nuk është e mjaftueshme vetëm rezistenca jonë e brendshme politike veç e veç, dhe vendosmëria për liri dhe prosperitet të shteteve tona dhe të gjithë qytetarëve të tyre. Nevoja historike na detyron për një lidhje më të fortë dhe formimin e BOSHTIT JUGOR TË PAQES NË BALLKAN që përbëhet nga shtetet jo-ekspanzioniste në këtë pjesë të Europës”
Nga fjala e Albin Kurtit, e ndërprerë shumë herë nga duartrokitjet e të pranishmëve :
“Ndërtimi demokratik i shtetësisë së Kosovës zhvillohet në bazë të librave dhe mësimeve të perëndimit demokratik, më parë, sesa në bazë të sjelljeve të tyre.
Deri sa Millosheviqi, para 4 dekadave u rrit mbi mitin e Kosovës, sot Vuçiqi do bie mbi realitetin e Kosovës.
Nesër bëhen 23 vjet që kam dal nga burgu i Serbisë, por qeveria atje ende nuk ka dal nga koha kur unë isha në burg.
Serbia po thotë se BH, ndoshta është shtet i përkohshëm, ndoshta edhe do shpërbehet, por më besoni mua, që i njoh shumë mirë, ata këtë e thonë nga frika, se ata vet do shpërbëhen.
Nga fjala e gazetares në TV Hayat:
“Një fjalim inspirues i mbështetur me shumë fakte historike por edhe me ato të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës dhe BH. Më duhet ta them se sonte në “Vjeqnica” është kërkuar një vend më shumë. Salla ka qenë përplot ku mbretëronte një energji e fuqishme pozitive, kurse kryeministri Albin Kurti është pritur me duartrokitje të forta. Siç thash, një fjalim ku kemi pasur çka të dëgjomë dhe të mësojmë, ndoshta edhe ta aplikojmë në ndonjë veprim në të ardhmen”
Nga fjala e prof dr.Vahid Preleviq
Do mundohem të përgjigjem në një pyetje, në shikim të parë të thjesht, pse kryeministri Kurti është kaq i popullarizuar tek ne?
S’pari sepse bëhet fjalë për shtetar, jo për politikan! Por, çka do të thotë kjo?
Në parim, ekzistojnë dy lloj politikash, njëra është ajo që orientohet në idealizëm respektivisht në liri, barazi ligjore, sundimin e ligjit e tjera dhe në anën tjetër politika e quajtur “real politika” e bazuar në fakte dhe në realitetin në teren. Problemi në politikën tonë në BH, por edhe më gjerë, është se këto dy lloj politikash shumë rrallë puqen! Ta parafrazoj filozofin e madh gjerman Emanuel Kant: Idealizmi pa realitet është i zbrazët, kurse realiteti pa idealizëm është i verbër. Tek ne në BH, shumë shpesh politika e orientuar nga idealizmi quhet e pabazuar, as në realitet as në fuqinë reale politike dhe shndërrohet në retorikë të zbrazët dhe në fund shndërrohet në cinizëm, që shpesh herë e kemi provuar mbi lëkurën tonë. Ajo, çka shumica e bashkë kohanikëve tanë e sheh, e që shihet edhe nga pritja e sotshme, në politikën e mysafirit tonë të dashur, është se ai padyshim arrin që në fund, megjithatë, të ndërlidh idealet, pas të cilëve fuqishëm qëndron, me realitetin dhe faktet. Dhe ky model mund të konsiderohet sikur politikë e suksesshme ndaj të cilit do duhej të synojmë edhe ne në BH”.