Vudi Xhymshiti
Lidhjet e Berat Buzhalës me figura të sanksionuara nga SHBA, si Grubi dhe Veselinoviq, zbulojnë një rrjet të rrezikshëm manipulimi mediatik dhe kërcënimesh për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Në peizazhin e trazuar të Ballkanit Perëndimor, një rajon që shpesh qëndron në prag të paqëndrueshmërisë gjeopolitike dhe asaj të brendshme, vijat e dallimit midis medias, politikës dhe krimit të organizuar shpesh bëhen të paqarta. Emri Berat Buzhala, një ish-politikan që është kthyer në një figurë mediatike, shfaqet vazhdimisht në këtë korridor të errët. Buzhala ka përdorur perandorinë e tij mediatike jo si një mjet për transparencë dhe përgjegjshmëri, por si një mekanizëm për t’i dhënë zë dhe shpërndarje të padenjë narrativave që kërcënojnë sigurinë kombëtare. Lidhjet e tij me individë të sanksionuar nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve, përputhja e politikave të tij editoriale me interesa që kërcënojnë sigurinë kombëtare të Kosovës dhe përpjekja e tij e vazhdueshme për t’i minuar vlerat demokratike, për t’i përparuar rrjetet e krimit të organizuar në pozita pushteti, për të delegjitimuar masat mbrojtëse të shtetit të Republikës së Kosovës zbulojnë një prirje dhe veprimtari editoriale thellësisht shqetësuese të tij.
Kush është Berat Buzhala?
Berat Buzhala është një ish-politikan kosovar me lidhje me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) e cila ishte pjesë e një rrjeti të krimit të organizuar partishë të cilat e plaçkitën Kosovën për dy dekada. Gjatë dekadës së fundit, ai kaloi në industrinë e medias¹, duke themeluar platforma si Gazeta Express dhe Nacionale. Express ishte cilësuar në raportin e Parlamentit Evropian të vitit 2021² si një nga mediat udhëheqëse në fushën e keqinformimit duke u përpjekur ta paraqesin Kosovën si të pa aftë për t’i mirëmbajtur marëdhëniet me jashtë, një strategji kjo e politikës së jashtme të Beogradit zyrtar të bashkërenduar me Moskën zyrtare³. Ndërsa e paraqet veten si gazetar i përkushtuar ndaj lirisë së shprehjes, historiku⁴ i tij zbulon një model shqetësues të prirjeve propagandistike dhe lidhjeve financiare me figura të dyshimta. Sipërmarrjet mediatike⁵ të Buzhalës shpesh kanë shërbyer si platforma për të minimizuar kërcënimet ndaj Kosovës⁶, duke përfshirë politikat agresive të Serbisë, ndërsa ai u jep zë narrativa që përputhen dyshueshëm me interesat serbe të mbështetura nga Kremlini. Pajtimi i tij me figura të implikuara në korrupsion dhe krim të organizuar shton një shtresë të re shqetësimi.
Figurave të Sanksionuara: Artan Grubi dhe Zvonko Veselinoviq
Për të kuptuar seriozitetin e veprimeve të Buzhalës, duhet të hulumtojmë lidhjet e tij me dy individë të sanksionuar nga SHBA-të për rolet e tyre në korrupsion dhe krim të organizuar:
Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut, dhe Zvonko Veselinoviq, një udhëheqës famëkeq kriminal serb në Ballkan i afërt me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuqiç dhe me ish-kreun e Partisë minoritare serbe në Kosovë Lista Serbe e Milan Radoiqiç.
Ky artikull hedh dritë në lidhjet e Buzhalës, i vëzhgon veprimet e tij dhe vlerëson implikimet më të gjera për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe marrëdhëniet e saj me aleatin më të qëndrueshëm, Shtetet e Bashkuara.Më 8 mars 2023, Berat Buzhala ndau një postim që theksonte praninë e tij në Shkup, ku intervistoi Ali Ahmetin dhe takoi Artan Grubin. Ky takim tërheq vëmendje duke pasur parasysh sanksionet e Grubit nga SHBA-të për korrupsion dhe krim të organizuar, duke nënvizuar rrjetin e ndërlikuar të lidhjeve politike dhe kontroverse në rajon.
Artan Grubi: Departamenti i Shtetit të SHBA-së së fundmi sanksionoi⁷ Grubin për përfshirjen e tij në korrupsion, veçanërisht pranimin e ryshfeteve për të minuar proceset gjyqësore lidhur me dënimin e Sasho Mijalkovit, ish-shefit të policisë sekrete të Maqedonisë së Veriut. Aktivitetet e Grubit epitomizojnë erozionin e institucioneve demokratike në rajon. Në mënyrë të dukshme, postimet e Buzhalës në mediat sociale, përfshirë një që e lavdëron Grubin për ndërveprimet e tij me diplomatët amerikanë, paraqesin një tablo të miratimit dhe mbështetjes së Buzhalës ndaj Grubit. Narrativa të tilla, të privuara nga vëzhgimi gazetaresk, shërbejnë për të pastruar figura si Grubi, korrupsioni i të cilëve minon reformat demokratike të mbështetura nga Perëndimi.
Kush është Sasho Mijalkov, për të cilin Artan Grubi u përpoq të minonte drejtësinë për ta shpëtuar nga shpata e drejtësisë?
Sasho Mijalkov ka shërbyer si Drejtor i Administratës për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2015. Gjatë mandatit të tij, ai u akuzua për përfshirje në aktivitete të paligjshme, përfshirë përgjime të paligjshme të mbi 20,000 qytetarëve, përfshirë politikanë të opozitës, gazetarë dhe aktivistë. Hetimet nga Prokuroria Speciale zbuluan gjithashtu se Mijalkov kishte investuar miliona euro në pasuri të paluajtshme në Pragë, të cilat nuk i kishte deklaruar siç kërkohet me ligj. Në prill të vitit 2022, Departamenti i Thesarit i SHBA-së e përfshiu atë në Listën e Sanksioneve të Posaçme për Ballkanin⁸, duke e akuzuar për përfshirje në korrupsion dhe aktivitete të tjera të paligjshme që minojnë proceset demokratike në rajon.
Mijalkov është gjithashtu xhaxhai i ish-kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski (gjithashtu në listën e Zezë të SHBA-ve)⁹, ish udhëheqës i VMRO-DPMNE-së. Sipas raporteve të ndryshme, përfshirë ato nga OCCRP¹⁰, Mijalkov dhe Gruevski krijuan një rrjet të fuqishëm pushteti të bazuar në korrupsion, abuzim me institucionet shtetërore dhe promovimin e një politike diskriminuese ndaj shqiptarëve etnikë në Maqedoni¹¹. Gjatë qeverisjes së tyre, shqiptarët u përballën me pengesa të shumta në arsim, punësim dhe përfaqësim politik, ndërsa projektet shtetërore, si “Shkupi 2014,” thelluan ndarjet etnike duke glorifikuar identitetin maqedonas në kurriz të diversitetit etnik. Ky qëndrim polarizues ka kontribuar në tensione të vazhdueshme ndëretnike dhe në dobësimin e procesit të ndërtimit të një shoqërie të barabartë dhe demokratike në Maqedoninë e Veriut.
Lidhjet e Berat Buzhalës me figura të larta politike të Maqedonisë së Veriut, disa prej të cilave së fundmi janë futur në listën e zezë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, përfshirë Artan Grubin dhe rrjetin kriminal të lidhur me Zvonko Veselinoviqin, hedhin dritë mbi dyshimet dhe hamendësitë e origjinës së burimeve të financimit të aleancave të tij politike. Duke qenë i afërt me individë të përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë dhe krim të organizuar, me agjenda politike anti-shqiptare, Buzhala përforcon një narrativë editoriale që vazhdueshëm përpiqet t’i përmbys masat mbrojtëse të Kosovës ndaj agresionit të Serbisë, një shtet që vepron si aleat kyç i Federatës Ruse në Ballkan. Kjo qasje nuk është thjesht rastësi; përkundrazi, ajo reflekton një model të ndërthurjes midis interesave kriminale dhe përpjekjeve për të destabilizuar Kosovën, duke ngritur dyshime serioze mbi integritetin e tij dhe qëllimet e tij politike. Në këtë kontekst, lidhjet e Buzhalës me figura të njohura të krimit organizuar zbulojnë një plan më të gjerë për të minuar sigurinë kombëtare të Kosovës dhe për të mbështetur interesa që kërcënojnë stabilitetin rajonal.
Gjatë një programi televiziv, Berat Buzhala shpreh mbështetje të zjarrtë për Artan Grubin. Shikoni fragmentin më poshtë dhe gjeni segmentin e plotë në lidhëz.
Zvonko Veselinoviq: Veselinoviqi, i sanksionuar nga SHBA në 2021¹², udhëheq një grup krimi të organizuar të përfshirë në trafik të paligjshëm, ryshfet dhe frikësim të dhunshëm në Kosovë dhe Serbi. Ndikimi i tij shtrihet në kontratat infrastrukturore dhe pazarllëqet politike. Bashkëpunimi i Buzhalës me Veselinoviqin, i pranuar publikisht, thekson një rrjet shqetësues midis medias, krimit të organizuar dhe lidhjeve të agjendave politike të Buzhalës me ato të Serbisë, duke qenë se dihet botërisht por edhe është dokumentuar nga OCCRP që Veselinoviq është i afërt me familjen e Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuqiç¹³.
Në këtë fragment televiziv më poshtë, Buzhala pranon hapur se është në marrëdhënie biznesi me Veselinoviqin, megjithatë modeli i tij afatgjatë i minimizimit të përgjegjësisë, qoftë për veten apo kur kompensohet për të mbrojtur të tjerët, mbetet i dukshëm për ata që janë të familjarizuar me taktikat e tij komentuese.
Në shtator të vitit 2022, pasi Serbia nënshkroi një marrëveshje për të bashkërenduar politikën e saj të jashtme me Moskën¹⁴, fillova të monitoroja nga afër peizazhin mediatik në Kosovë. Ndër figurat që spikatën ishte Berat Buzhala, strategjitë mediatike të të cilit tërhoqën vëmendjen time ndërsa përpiqesha të kuptoja se si mediat në Kosovë po trajtonin kërcënimet e mundshme ndaj sigurisë kombëtare. Duke raportuar gjerësisht nga Ukraina dhe duke studiuar operacionet e luftës së dezinformimit të Rusisë, vura re se retorika e Buzhalës përputhej me narrativën politike të Serbisë, duke minimizuar agresionin serb, duke e tallur Kosovën dhe duke tentuar të delegjitimonte përpjekjet e Kosovës për siguri dhe vetëmbrojtje. Kureshtja ime u thellua këtë javë me lajmin se ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ishte sanksionuar nga SHBA për përfshirjen e tij në korrupsion dhe krim të organizuar, përfshirë lidhjet e tij me Sasho Mijalkov, ish-shefin famëkeq të policisë sekrete të Maqedonisë së Veriut. Ky zbulim ishte veçanërisht alarmues pasi emri i Buzhalës ishte shfaqur edhe më parë gjatë hulumtimeve të mia lidhur me rrjetin kriminal të Nikola Gruevskit, që përfshinte edhe Mijalkovin, në vitin 2014. Kur publikisht bëra thirrje për informacione mbi lidhjet e mundshme të Buzhalës me Grubin, ai u përgjigj duke ndarë një imazh të manipuluar me qëllim për të tallur përpjekjet e mia. Ky akt i llogaritur shmangieje është shembull i taktikave të mirënjohura të Buzhalës për të shmangur përgjegjësinë dhe për të penguar gazetarinë serioze hulumtuese. Ndërsa synonte të tallej, reagimi i tij vetëm sa thekson nevojën për një vëzhgim dhe hulumtim edhe më të thelluar të lidhjeve dhe aktiviteteve të tij.
Një Kërcënim për Sigurinë Kombëtare të Kosovës
Veprimet e Berat Buzhalës nuk ekzistojnë në një vakum. Ato në mënyrë aktive minojnë sigurinë kombëtare të Kosovës në disa mënyra kryesore:
Minimizimi i Agresionit Serb: Qëndrimi editorial i Buzhalës vazhdimisht e trivializon agresionin e Serbisë ndaj Kosovës¹⁵, duke i portretizuar masat mbrojtëse të qeverisë së Kosovës si reagime të tepruara ose provokime. Kjo narrativë përputhet me fushatat më të gjera të dezinformimit të Serbisë, të cilat synojnë të delegjitimojnë sovranitetin e Kosovës dhe ta paraqesin atë si të paaftë për vetëqeverisje. Duke iu dhënë zë narrativave të Beogradit, Buzhala, qëllimisht ose jo, mbështet agjendën e Serbisë në përputhje strategjike me interesat e Kremlinit zyrtar për të destabilizuar rajonin.
Minimi i të Drejtës së Kosovës për Vetëmbrojtje: Në një mjedis gjeopolitik ku pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës janë nën kërcënim të vazhdueshëm, e drejta për vetëmbrojtje është thelbësore. Kritikat e vazhdueshme të Buzhalës ndaj politikave mbrojtëse të Kosovës dobësojnë besimin e publikut te institucionet shtetërore dhe i japin zemër aktorëve të jashtëm si Serbia dhe Rusia¹⁶. Platformat e tij mediatike janë kthyer në mjete për të delegjitimuar masat e nevojshme të sigurisë, duke rrezikuar më tej stabilitetin e Kosovës.
Shkelja e Memorandumit të Mirëkuptimit SHBA-Kosovë: Në maj të vitit 2024, Shtetet e Bashkuara dhe Kosova nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi (MM)¹⁷ për të luftuar manipulimin e informacionit nga shtetet e huaja. Ky marrëveshje nënvizon rëndësinë strategjike të luftimit të dezinformimit dhe të krijimit të një mjedisi mediatik të bazuar në fakte. Aktivitetet e Buzhalës bien drejtpërdrejt në kundërshtim me frymën e kësaj marrëveshje SHBA-Kosovë¹⁸. Duke shpërndarë narrativa që përputhen me operacionet e ndikimit të huaj, ai minon përpjekjet e përbashkëta SHBA-Kosovë për të ndërtuar një ekosistem informacioni të qëndrueshëm.
Në fragmentin televiziv më poshtë, vetë Buzhala ka pranuar se është vëzhguar nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës për shkak të akuzave për lidhje me qeverinë ruse dhe (“marrjen e pagesave nga Rusia”).
Ky pohim e ndërlikon më tej narrativën e tij dhe hedh një hije të gjatë mbi pretendimet e tij për viktimizim¹⁹. Duke pasur parasysh natyrën e paqëndrueshme të politikës në Ballkan dhe përfshirjen historike të fuqive të jashtme si Rusia, akuza të tilla nuk mund të merren lehtë. Ndërlidhja e këtyre figurave sugjeron një përpjekje të qëllimshme për të mbajtur paqëndrueshmërinë dhe për të ushtruar ndikim mbi rajonin, duke minuar përpjekjet për paqe të vërtetë dhe progres demokratik.
Hija e Kremlinit në Ballkan
Ballkani ka qenë gjithmonë një skenë e ambicieve gjeopolitike të Rusisë, ku Serbia ka shërbyer si aleati kryesor i Moskës në rajon. Përmes figurave si Zvonko Veselinoviq (i lidhur me Aleksandar Vuçiqin sipas hetimeve të OCCRP-së) dhe kanaleve mediatike që mbështesin interesat serbe, Kremlini përpiqet të destabilizojë Kosovën dhe të pengojë integrimin e saj në Evropë dhe në NATO. Përzgjedhjet editoriale të Berat Buzhalës dhe marrëdhëniet e tij financiare përputhen, qoftë edhe padashur, me këto qëllime, duke e bërë atë një ndihmës të ndikimit rus.
Sanksionet e Thesarit Amerikan kundër Veselinoviqit theksojnë përfshirjen e tij të thellë në krimin e organizuar dhe rolin e tij për të avancuar agjendën e Serbisë. Lidhja e Buzhalës me Veselinoviqin, qoftë përmes marrëveshjeve financiare apo narrativave të përbashkëta, e pozicionon atë si një kanal të mundshëm për ndikime të dëmshme ndaj interesave të Kosovës përball Serbisë. Kjo është veçanërisht shqetësuese duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të Kosovës si një demokraci pro-perëndimore në një rajon të paqëndrueshëm.
Roli i Medias së Pavarur
Në një demokraci, mediat e pavarura duhet të jenë mbrojtëse kundër korrupsionit dhe autoritarizmit. Por platformat mediatike të Buzhalës nuk e luajnë këtë rol. Në vend që të ekspozojnë abuzimet, ato mbrojnë figura të korruptuara dhe përforcojnë narrativa që shkatërrojnë besimin e publikut te institucionet demokratike. Dështimi i tij për të zbuluar konfliktet e interesit dhe gatishmëria për të bashkëpunuar me figura të sanksionuara tregojnë një tradhti të rëndë ndaj etikës gazetareske.
E ardhmja demokratike e Kosovës varet nga integriteti i peizazhit të saj mediatik. Për sa kohë që figura si Buzhala dominojnë diskursin, aftësia e publikut për të marrë vendime të informuara do të mbetet e cënuar. Kjo nënvizon nevojën për më shumë llogaridhënie dhe transparencë në sektorin mediatik të Kosovës.
Lidhjet e Berat Buzhalës me figura të sanksionuara si Artan Grubi dhe Zvonko Veselinoviq, minimi i vazhdueshëm i sigurisë së Kosovës dhe përputhja e tij me narrativa të mbështetura nga Kremlini përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare dhe aspiratat demokratike të Kosovës. Veprimet e tij jo vetëm që shkelin Memorandumin e Mirëkuptimit SHBA-Kosovë për të luftuar dezinformimin, por gjithashtu vënë në rrezik stabilitetin e brishtë të Ballkanit.
Ndërsa Kosova ndjek rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe euro-atlantik, mbajtja e figurave si Buzhala përgjegjëse është e domosdoshme. Kjo kërkon përpjekje të përbashkëta nga shoqëria civile, media e pavarur dhe partnerët ndërkombëtarë për të ekspozuar dhe kundërshtuar ndikimet e dëmshme që kërcënojnë të ardhmen e Kosovës. Vetëm përmes transparencës, llogaridhënies dhe një angazhimi të qëndrueshëm ndaj vlerave demokratike, Kosova mund të mbrojë sovranitetin e saj dhe të sigurojë vendin e saj në komunitetin e kombeve përparimtare.
Berat Buzhala: Tallet në një përpjekje për të Shmangur Llogaridhënien
Ne i kemi dhënë z. Berat Buzhala disa mundësi për t’iu përgjigjur pyetjeve²⁰ të ngritura nga SPOTLIGHT lidhur me raportimet për lidhjet e tij me individë të sanksionuar, narrativat e tij mediatike dhe përputhjen e tyre me interesa që potencialisht kërcënojnë sigurinë kombëtare të Kosovës. Në përgjigje, z. Buzhala zgjodhi të injorojë seriozitetin e këtyre pyetjeve, duke u përgjigjur me komente përbuzëse, përfshirë:
“Ik bre budalle 😂” dhe “I nderuar z. Xhem💩’i, po të përgjigjem për herë të dytë: ik bre budalla”. — Berat Buzhala.
Duke marrë parasysh mungesën e një përgjigjeje serioze dhe refuzimin e tij për t’u përballur me çështjet thelbësore, ne nuk shohim arsye për të shtyrë më tej publikimin e këtij materiali hulumtues. Z. Buzhala, dukshëm, ka zgjedhur të përdorë taktikat e tij të zakonshme për të minimizuar dhe përqeshur seriozitetin e çështjes, në një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë.
Analizë e përgjigjes së tij: Refuzimi i z. Buzhala për të dhënë përgjigje serioze tregon një përpjekje të qëllimshme për të shmangur përgjegjësinë dhe për të devijuar vëmendjen nga çështjet kritike të ngritura. Përdorimi i talljeve dhe përçmimit për të mos iu përgjigjur pyetjeve të bazuara ngre shqetësime për integritetin e tij dhe përpjekjet e tij për të shmangur transparencën dhe llogaridhënien. Përgjigjet e tij, në vend që të qartësojnë dyshimet, vetëm sa i thellojnë ato, duke treguar një model të papërgjegjshmërisë ndaj shqetësimeve të ligjshme publike.
Jane disa persona qe aq shume jane te dhene pas partise ne pushtet sa qe edhe kur dikush ju tregon hajnite dhe abuzimet me paranë publike ata atë e konsiderojne si “perforcim te narrativave qe shkaterrojne besimin e publikut te institucionet demokratike”
Berat Buzhala mund t’i kete gabimet e veta, por ai (dhe jo vetem ai) me shume te drejte ekspozojne abuzimet e shumta te politikaneve tanë.