Nga: Nusret Pllana
BRUS – lagjja Peshter
Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam sot Nënëloken e UÇK-së, Nënë Stanen dhe bijtë e saj, bashkëluftëtarët tanë: Fatmirin, Viktorin e Filipin, bijtë dhe bijat e tyre, nipat dhe mbesat e tyre, disa prej të cilëve kishin ardhë enkas nga Kroacia, për të na dëshiruar mirëseardhje.
Bashkë me ne ishte edhe Famullitari i Kishës në Peshter, z.Dom Shtjefën Doda e Motra e Nderit, znj. Hana Nikollaj.
Në këtë vizitë të bukur familjare, sot, me ne, te Nënë Stana, Nënë e 8 djemve dhe tri vajzave, te kjo pasardhëse dinjitoze e Gonxhe Bojaxhiut – Shën Terezës, ishin edhe bashkëluftëtarët tanë, Ejup Gashi e Naser Ahmeti.
Në këtë shtëpi, bazë e luftës së UÇK-se, sot na kanë pritur shumica e pjestarëve të kësaj familjeje të lavdishme shqiptare, të cilët përveç kontributit me pushkë në dorë, kanë pritë e përcjell qindra luftëtarë të lirisë, por edhe të plagosur, siç ishin Rrahman Dina( dëshmor i kombit) e Afrim Myrtaj – luftëtar emblematik i UÇK-së.
Kjo është Familja e madhe patriotike e atdhedashëse e Ndue dhe Stanë Gashit, që dhanë gjithçka nga zemra e tyre bujare, për qindra luftëtarë të lirisë të UÇK-së, duke i pritur e përcjellur, me bukë e krip e zemër, deri në përfundimin e luftës dhe çlirimin e Kosovës dardane nga barbaria e mizoria serbe.
Me këto veprime heroike e sakrifica mbinjerëzore, ishin plotësisht të vetëdijshëm se, do ta rrezikonin çdo anëtar të familjes së vet, e që do të martirizoheshin komplet Familja, në stilin Adem Jasharian, por e zgjodhën rrugën e dhimbjes, të nderit e të krenarisë kombëtare, për të mbetë përgjithmonë e nderuar dhe e respektuar, deri në përulje, nga populli ynë i shumëvuajtur e liridashës.
E dashura Nëna Stanë, Ty dhe Familjes tënde të lavdishme, përjetësisht të jemi falënderues për kontributin e madh dhënë lirisë së Kosovës e Bashkimit Kombëtar!
Urime dhe Gëzuar Krishtlindjet!
Prishtinë, më 22 dhjetor 2024