ARKIVI:
15 Janar 2025

Në UBT u mbajt promovimi i librit të ri “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale” të autorit, gazetarit, publicistit dhe profesorit Musa Sabedini

Shkrime relevante

Votoni për brezin e ri politik!

Florim Zeqa Përveç zhgënjimit të qytetarëve të vendit, politikanët e papërgjegjshëm kosovarë...

Albini ma dha mue “listën e vrasjeve…!”

Agim Morina, Prizren ALBINI MA DHA MUE LISTËN E VRASJEVE… ___ E dij që...

Forca e vërtetë është që të qëndrosh i palëkundur përballë tradhtisë e dhimbjes

Halil Geci, Skenderaj Njeriu i fortë nuk është ai që ngre pesha,...

Shpërndaj

Në hapësirat e UBT-së u mbajt promovimi i librit të ri “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale” të autorit, gazetarit, publicistit dhe profesorit në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT, Musa Sabedini. Ky libër i radhës i profesorit Sabedini, përfaqëson një shtyllë të rëndësishme për studentët e gazetarisë, studiuesit e medias, gazetarët hulumtues dhe redaktorët e përkushtuar ndaj profesionalizmit.

Në këtë ngjarje të veçantë, e cila mblodhi shumë mysafirë, ishin të pranishëm personalitete të shquara nga fusha akademike dhe mediatike, përfshirë Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, profesorin dhe recensentin e librit, Dr. Safet Zejnullahu, si dhe vetë autorin Musa Sabedini. Gjithashtu, në këtë promovim morën pjesë një numër i madh studentësh, ekspertësh dhe dashamirës të librit, të cilët e vlerësuan këtë punim si një kontribut të jashtëzakonshëm për fushën e gazetarisë në Kosovë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e këtij libri si një udhëzues për standardet etike në gazetari. Ai vlerësoi përkushtimin dhe përvojën e gjatë të profesor Sabedinit, duke e cilësuar këtë vepër si një bazë të fuqishme për formimin e gazetarëve të rinj dhe avancimin e gazetarisë profesionale në Kosovë.

“Ende ka shumë për të bërë, pasi ka mungesë të literaturës dhe tematikave që duhet të mbulohen në aspektin profesional. Ky libër është një lajm pozitiv dhe i rëndësishëm, duke pasur parasysh se deri në vitin 2025 nuk kemi pasur një botim të tillë mbi etikën gazetareske. Si UBT, kemi kënaqësinë që ta sjellim këtë vepër për studentët dhe për audiencën në përgjithësi”, tha Rektori Hajrizi.

Përmbajtja dhe mesazhi i librit

Libri “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale” sjell një analizë të thelluar mbi rëndësinë e etikës në gazetari dhe mediat bashkëkohore. Në parathënien e tij, autori thekson se vepra vjen si rezultat i një pune të gjatë hulumtuese dhe përvoje mbi 33-vjeçare në gazetarinë informative dhe hulumtuese, si dhe mbi 13 vite si themelues i një portali me ndikim dhe anëtar i Bordit të KMShK-së.

“Libri, gjithashtu, erdhi si rezultat i punës sime të palodhshme disavjeçare, gjatë së cilës jam përpjekur ta avancoj etikën, në të gjitha dimensionet. Përvoja ime mbi 33-vjeçare në gazetarinë informative dhe atë hulumtuese, përvoja tjetër mbi 13-vjeçare si themelues i një portali me ndikim dhe po kaq vite si pjesë e Bordit të KMShK-së, më mundësuan të mësoj shumë për gabimet e përditshme që bëjnë portalet dhe të metat e shumta, që shfaqen gjatë të bërit gazetari online”, shkruan autori Sabedini.

Autori ka trajtuar në detaje konceptet dhe parimet kryesore të etikës, duke ndriçuar rolin e saj thelbësor në mbrojtjen e profesionalizmit gazetaresk. Me shembuj konkretë nga mediat vendore dhe ndërkombëtare, Sabedini ofron udhëzime praktike për shmangien e shkeljeve etike dhe avancimin e standardeve profesionale.

Në fjalën e tij gjatë promovimit, Sabedini deklaroi se “Etika është shpirti i gazetarisë profesionale. Pa të, çdo shkrim, kronikë apo analizë humbet vlerën dhe kredibilitetin. Ky libër nuk është thjesht një udhëzues për gazetarët, por një apel për gjithë shoqërinë që të respektojë dhe avancojë etikën si një element kyç për emancipimin kolektiv”.

“Etika është thelbi i gazetarisë profesionale, sepse nëse gazetari nuk ka etikë personale, ai do ta ketë të vështirë ta zbatojë etikën kolektive ose të respektuarit të etikës në jetën publike. Jo rastësisht është thënë se pa etikë nuk ka gazetari. Etika është shpirti dhe detaji që e forcon çdo shkrim, kronikë, analizë apo tekst gazetaresk. Nëse e kemi respektuar etikën, ne automatikisht jemi bërë përgjegjës ndaj vetes dhe ndaj lexuesve tanë. Etika e mirë, etika me autoritet në gazetari dhe media, është ilaç për një shoqëri të emancipuar. Kuptohet etikën nuk duhet ta ruajnë apo ta avancojnë vetëm mediat e gazetarët, sepse ajo duhet të respektohet edhe nga lexuesit, dhe ata që i kemi sy e vesh, për punën tonë të përditshme”, ka shkruar profesori Sabedini.

Strukturimi i librit

Libri është i ndarë në tre kapituj kryesorë, ku çdo kapitull trajton tema të ndryshme që lidhen me etikën në gazetari:

Teoria dhe konceptet bazë të etikës – përfshirë definicionet, rëndësinë e saj në gazetari, sfidat dhe ndikimin e gjuhës së urrejtjes, dezinformimin dhe shpifjet.

Kredibiliteti dhe përgjegjësia e gazetarëve – duke ofruar shembuj konkretë të shkeljeve etike dhe rekomandime për përmirësimin e standardeve.
Dilemat etike në mediat bashkëkohore – me fokus në sfidat e mediave digjitale, rrjetet sociale dhe rastet studimore mbi ndikimin e etikës në raportimin gazetaresk.

Recensenti i librit, Dr. Safet Zejnullahu, e cilësoi veprën si një udhërrëfyes të domosdoshëm për gazetarët dhe mediat shqiptare. Ai vlerësoi qasjen hulumtuese dhe kompetente të autorit, duke theksuar se libri ofron një alternativë të plotë për të kuptuar dhe zbatuar etikën në praktikën e përditshme gazetareske.

Në kapitullin e parë libri trajton ballafaqimin e teorisë mbi etikën, sferën e etikës, kodet dhe parimet e saj, përkufizimet e etikës, rëndësinë që ka ajo në gazetari, thelbi i etikës, rëndësia e saj, sfidat që bartë me vete, gjithashtu autori ka shkruar gjerë e gjatë mbi gjuhën e urrejtjes, dezinformimin, privatësinë, shpifjen, lajmet e rreme, për vlerat etike të lajmit, për parimet etike, për raportimin jo etik në mediet e Kosovës, për dëmet ligjore që shkakton etika, për shkeljet etike, për sfidat e gazetarisë etike.

Kurse, në kapitullin e dytë shkruhet mbi kredibilitetin e gazetarit, për etikën në gazetari e media, për plagjiaturën dhe copy-paste lajmet, kam ofruar shumë shembuj praktikë të portaleve që kanë bërë shkelje të kodeve të etikës, janë ofruar udhëzime e qëndrime të KMSHK-së, KPM-së, si dy mekanizma që merren me vetërregullimin e mediave online dhe atyre televizive, për etikën në foto, video dhe videografi, për sharjet e dhunën banale në televizionet tona, për vdekjet e personaliteteve nga bota, tek të cilët është shkelur etika dhe raste studimore të vdekjeve, edhe të njerëzve të famshëm në Kosovë, që ishin atakuar me shkelje të etikës nga mediat, për ndershmërinë e gazetarit dhe problemet që medie digjitale ka në zbatim të etikës, për avantazhet dhe disavantazhet e kodeve të etikës.

Edhe kapitulli i tretë përbëhet nga materiale interesante, ku kam trajtuar dilemat e etikës, për dëmet që sjell TikTok, për rrjetet sociale e mediat sociale, që përshkruhen me shkelje ekstreme të etikës, për etikën në Bllog dhe bllogerët, për abuzimin gjatë aksidenteve, vrasjeve, vetëvrasjeve, dhunës në familje, për vetërregullimin dhe standardet e medies online, për parimet më të pranuara etike, për konfliktin e interesit dhe kualitetin e portaleve në fushën e etikës etj.

“Por, tema që trajton e bën atë të veçantë dhe të ndryshëm. Sepse trajton një temë e cila, si kudo në botë, i ndihmon gazetarët të mos gabojnë ose të gabojnë minimalisht, pasi edhe gabimet njerëzore janë, i ndihmon mediat të bëhen më të mira dhe më profesionale, sepse këtë e kanë obligim parësor, pa çka se nganjëherë e harrojnë, me ose pa qëllim”, ka nënvizuar profesor Zejnullahu.

Sipas tij libri vjen si sublimim i një përvoje të gjatë mbi tridhjetëvjeçare të autorit në të bërit gazetari aktive të terrenit, të të qenit pjesë e trupave rregulluese të gazetarisë në Kosovë, si dhe i profesorit të gazetarisë, që e bën atë të trajtojë temat e shtruara për diskutim nga të tri rrafshet, të veçanta secila: duke praktikuar gazetarinë profesionale e pa shkelje, duke monitoruar shkeljet e të tjerëve, si dhe duke parë në praktikë cilat cilësi e parime u duhen sot më së shumti gazetarëve të rinj.

Profesor Zejnullahu ka thënë se “Teknologjia dhe rrjetet sociale e mundësojnë këtë, por gazetarët profesionistë dhe trupat rregulluese e vetërregulluese janë ato që duhet të ndihmojnë në këtë periudhë transitore shumë të rëndësishme të medias në Kosovë, duke minimizuar “gazetarinë amatore” dhe duke qëndruar fuqishëm në parimin e gazetarisë profesioniste, të cilën e krijojnë, e zhvillojnë dhe e mbrojnë vetëm profesionistët”.

“Duke u nisur nga përmbajtja, literatura e bollshme dhe referente e shtjelluar nga autori, shembujt meritorë dhe porosia se vetëm profesionalizmi e mbron gazetarinë, besoj se libri “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale” do të jetë një mjet i fortë në duart e atyre që bëjnë gazetari, për të bërë gazetari të mirë e profesionale dhe për të eliminuar lëshimet që, edhe i bëjnë keq gazetarisë, edhe e ngufatin mendimin e lirë në një vend në tranzicion e në zhvillim, siç është Kosova.

Gazetaria e Kosovës është shumë e mirë, krahasuar me rrethanat në të cilat zhvillohet. Hulumtimet dhe librat si ky i kolegut Musa Sabedini ndihmojnë shumë që ajo të bëhet edhe më e mirë, edhe më profesionale” ka përfunduar Zejnullahu.

Ndryshe libri ka 520 faqe ndërsa botues është UBT.

Përfundimi dhe rëndësia për të ardhmen

Promovimi i librit “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale” u përmbyll me diskutime të frytshme mbi nevojën për avancimin e etikës në gazetari. Studentët dhe pjesëmarrësit patën mundësinë të shkëmbejnë mendime dhe të parashtrojnë pyetje për autorin dhe panelistët.

Kjo vepër pritet të ketë një ndikim të madh jo vetëm në rrafshin akademik, por edhe në praktikën e përditshme gazetareske, duke shërbyer si një udhëzues për brezat e rinj të gazetarëve dhe për të gjithë ata që janë të angazhuar në mbrojtjen e profesionalizmit dhe integritetit mediatik.

 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu