Shkruan: Drenojeta Berisha
Reflektim mbi jetën dhe veprën e një humanisti me vlera të larta civilizuese.
Autori përmes kësaj monografie i ofron lexuesit dëshmi autentike për punën e palodhur si veprimtar, humanist para së gjithash edhe edukator me etikë të lartë profesionale për Rexhep Kuçin.
Kjo vepër e autorit Fadil Bytyçi është një monografi reflektuese mbi jetën dhe
veprën e humanistit Rexhep Kuçi në periudha të ndryshme të jetës së tij. Vetë
titulli i veprës, “Një jetë kushtuar njerëzve në nevojë,” me konotacione të gjera,
përfshin dimensione të ndryshme ku Rexhep Kuçi ka dhënë kontributin e tij për
çdo person që kishte nevojë. Titulli prek vlerat e humanizmit, etikes dhe moralit,
duke theksuar përkushtimin e tij ndaj njerëzve në nevojë, duke përfshirë familjarët,
ish-nxënësit, grupe të margjinalizuara të shoqërisë dhe çdo person tjetër rreth tij.
Ai prek gjithashtu përpjekjet e tij për rindërtimin e Kosovës nga pasojat e luftës,
rindërtimin e infrastrukturës dhe arsimit, bashkëpunimin e tij me organizata
ndërkombëtare dhe aktivitetin e tij në çdo sferë tjetër për përmirësimin e jetës së
qytetarëve tanë.
Kjo monografi nuk shtjellohet në një ngjarje kronologjike. Është e ndarë në 6
kapituj, ku secili përshkruan periudha të veçanta nga jeta e personazhit, duke
përfshirë edhe ngjarje dhe rrëfime nga familjarët, bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij.
Në kapitullin e parë, të pjesës hyrëse, autori përshkruan rëndësinë që i
kishte kushtuar kësaj vepre dhe përgjegjësinë që ndjente mbi supet e tij për
të përmbledhur një pjesë nga puna dhe veprimtaria e Rexhep Kuçit. Ky
kapitull përbëhet nga tri pjesë: Trungu familjar, Familja e ngushtë e Rexhep
Kuçit, Fëmijëria dhe shkollimi.
Kapitulli i dytë përshkruan veprimtarinë politike dhe institucionale të tij,
duke theksuar ngjarjet nga periudha e paraluftës, gjatë luftës dhe pasluftës.
Kapitulli i tretë ndahet në tri nën-tituj, ku autori përshkruan me delikatesë
punën e tij në Handikos, si pasion dhe dashuri.
Personale, ku autori ndan një moment personal me mikun e tij që i kishte
mbetur në kujtesë, si një moment për ta vlerësuar. Dhe pjesa e tretë:
“Humanisti nuk vdes kurrë,” ku autori rrëfen momentin kur kishte marrë
lajmin për vdekjen e mikut të tij, duke theksuar se ndarja e jetës së Rexhepit
është vetëm një ndarje fizike, sepse një humanist si ai nuk vdes kurrë.
Kapitulli i katërt është një kapitull i veçantë, ku ish-nxënës,
bashkëpunëtorë dhe personalitete të shquara të vendit tonë ndajnë momentet
ose ngjarjet më të rëndësishme të jetës së tyre në raport me personazhin.
Kapitulli i pestë, "Familja vlerëson Rexhën," është një kapitull rrëfyes dhe
emocional, ku familja e ngushtë dhe një pjesë e anëtarëve të tjerë vlerësojnë
dhe kujtojnë figurën e tij.
Kapitulli i gjashtë është kapitulli përmbyllës, që i kushtohet mirënjohjeve
dhe çmimeve që i janë dedikuar Rexhep Kuçit, dhe pjesa përmbyllëse ku
autori edhe njëherë vë në pah gjithë kontributin e personazhit në fusha të
ndryshme, sidomos në periudhën kur Kosova karakterizohej me një gjendje
tejet të rëndë për shoqërinë tonë.
Siç e theksova më lart, kjo monografi nuk shtjellohet në një ngjarje kronologjike,
por i takon periudhave të ndryshme dhe fushave të ndryshme ku Rexhep Kuçi
është angazhuar gjatë jetës së tij, të cilat autori i përshkruan me delikatesë dhe me
gjuhë formale, duke pasqyruar një ton serioz dhe të përkushtuar. Ajo përmban
terma filozofikë dhe etikë, si dhe përshkruan saktë dhe qartë ngjarje nga jeta e
qytetarëve në periudha të vështira, duke përshkruar situata të veçanta me një
nuancë emocionale. Citatet nga filozofë dhe personalitete të njohura e bëjnë veprën
më tërheqëse dhe më të fuqishme për lexuesit. Ky element ka ndikuar që teoritë e
njohura të etikës dhe humanizmit t'i japin një gravitet shumë më të lartë veprës.
Vlen të theksohet se autori ka përdorur edhe figura stilistike si metafora dhe
krahasime, mirëpo asnjëherë duke e hiperbolizuar figurën e personazhit. Vepra
është e pasur me argumente dhe fakte mbështetëse nga burime të besueshme.
I gjithë ky material na sjell në një konkluzion për rëndësinë e humanizmit dhe
faktin e gjallë që kishim mes nesh, që duhet të jetë një reflektim dhe shembull për
t’u ndjekur nga të gjithë. Një person nuk duhet të jetë i privilegjuar për detyrën dhe
pozitën e tij; pozita duhet të jetë e privilegjuar për njeriun që ka në krye. Dhe kjo
thënie vlen për Rexhepin, sepse çdo pozite, detyrë apo karrige në të cilën ai ulej,
ishte e privilegjuar për personin që kishte në krye.
I ndjeri Rexhep Kuçi do të mbetet një personalitet i shquar i shoqërisë sonë, i cili
autoritetin e tij e ka ndërtuar mbi punën, sinqeritetin dhe humanizmin. Krahas
mallit për të, familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij janë me fat që
përgjithmonë do ta mbartin me vete ndjenjën e krenarisë për të. Ky libër do të
mbetet një dëshmi e dokumentuar mbi veprat e tij, dhe për këtë realizim duhet
vlerësuar lart autori i këtij libri, prof. Fadil Bytyçi.