Nga ekspozita në Washington
Nga: Frank Shkreli
Ishte vërtetë nder i madh për ne — thuhet në portalin e Fondacionit të Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit në Washington – që të presim këtu në hapësirat e Fondacionit të Viktimave të Komunizmit në Washington, Ipeshkvin Salvatore Cordileone, Ambasadorin Sam Brownback dhe Dr. Katrina Lantos Swift (e bija e ish-kongresmenit të ndjerë Tom Lantos i cili ka punuar aq shumë për Kosovë e për Shqipëri, sa ishte gjallë) – me qëllim për të zhvilluar një bisedë shumë të nevojshme për martirët e komunizmit dhe për lirinë e fesë në përgjithsi www.facebook.com/photo.php?fbid=963798822509801&set=a.320535363502820&type=3 — Në një sallë të mbushur plot me pjesëmarrës në këtë bashkbisedim të rëndësishëm, bashk-organizuar para dy ditësh — në hapësirat e Fondacionit të Viktimave të Komunizmit — nga Instituti Papa Benedikti i XVI dhe Organizata Ndërkombëtare e Lirisë së Fesë, morën pjesë edhe përfaqsues të Komunitetit Shqiptar të Arkdioqezës së Arlingtonit, jo larg Washingtonit. Përfaqsuesit e komunitetit shqiptar në Virxhina kontribuan në këtë takim të rëndësishëm të pëkujtimit edhe të viktimave të komunizmit në Shqipëri duke informuar të pranishmit mbi fatin e keq të martirve shqiptarë të fesë nën komunizëm. Me një theks të veçant dhe me emocione u përmend rasti i Kardinalit shqiptar Ernest Troshani simbol i rezistencës kundër komunizmit– i cili mbijetoi mundimet dhe persekutimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Merita McCormack (Bajraktari) në një komunikim me mua e cilësoi takimin si “Një ngjarje me rëndësi dhe emocionues për komunitetin shqiptar në Washington me rrethina… E ndjejë veten të privilegjuar që takova folësit kryesorë të këtij takimi. Por edhe për mundësinë që m’u dha të ndajmë me të pranishmit historinë e martirëve të komunizmit në Shqipëri, ndërsa u shpërndamë pjesmarrësve karta lutjesh në anglisht për martirët e komunzmit shqiptar. Ishte për ne (komunitetin shqiptar në Virxhinia) një ndjenjë krenarie morale dhe mendore, veçanërisht, kur që në fillim të konferencës, Senatori Sam Brownback foli mbi përvojën dhe persekutimin e klerikut të përvuajtur, Kardinalit shqiptar Ernest Troshani nën regjimin komunist të Enver Hoxhës. Ndërsa fjalimi u pasua nga pjesëmarrsit e interesuar me pyetje-përgjigje mbi viktimat fetare të komunizmit në Shqipëri”, tha përfaqsuesja e Komunitetit shqiptar në Arlington të Virxhianas, Merita Mc Cormack (Bajraktari) për takimin përkujtimor të viktimave të komunizmit në botë, përfshir viktimat e komunizmit shqiptar, që u mbajt këto ditë në Washington.
khttps://www.facebook.com/photo.php?fbid=963798822509801&set=a.320535363502820&type=3 …
Është interesant se si klasa politike shqiptare e këtyre 35-viteve të kaluara nuk i shikon viktimat e komunizmit si të denja të kujtohen, ashtu që të mos harrohen, me qëllim që ato krime të mos përsëriten më. Shpesh herë në shkrimet e mia modeste kam venë në dijeni lexuesit shqiptarë për masat serioze që kanë marrë vendet perëndimore dhe ato ish-komuniste – ndryshe nga Shqipëria por edhe Kosova – për të kujtuar viktimat e komunizmit në vendet e tyre dhe në botë. Konferenca e ditëve të fundit në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, në kujtim të viktimave të komunizmit anë e mbanë botës ishte në vazhdën e lloj-lloj aktivitetesh që janë organizuar në nivele private dhe zyrtare — por edhe në nivele shtetërore e federale — anë e mbanë Amerikës, përfshi edhe vendimet legjislative në kujtim të vikitmave të komunizmit anë e mbanë botës – me qëllim që brezat e ardhëshëm të mos harrojnë krimet e komunizmit jo vetëm të shekullit të kaluar por edhe sot, anë e mbanë botës. Kujtimi i viktimave të komunizmit në botë, përfshir viktimat shqiptare të regjimit të Enver Hoxhës, kujtohen edhe në Amerikë, megjithse komunizmi si ideologji zuri rrenjë në këtë vend dhe nuk u vendos kurrë në Shtetet e Bashkuara si një regjim sundues. Ndërkohë që në Shqipëri dhe në Kosovë, mbretëron heshtja zyrtare ndaj krimeve të komunizmit — shqiptarët nuk duhet të heshtin por të kujtojnë dhe të dënojnë krimet e sllavo-komunizmit aziatik kundër shqiptarëve anë e mbanë trojeve dhe të distancohen, zyrtarisht, njëherë e mirë nga ajo periudhë e trashëgimie vëllavrasjeje shqiptare, ashtu siç ka bërë bota perëndimore. Frank Shkreli: Nuk mund të hesht për krimet e komunizmit! | Gazeta Telegraf
Ndërkohë që këto ditë në Washington u kujtuan viktimat e komunizmit në botë, përfshir viktimat e regjimit komunist të Shqipërisë, si pjesë e një vizite në Shqipëri dhe takimit me Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë Dr Sali Berisha në Tiranë – ditët e fundit, një delegacion i konservatorëve britanikë vizitoi edhe Shkodrën. Sipas lajmeve vendore nga qyteti verior i Shqipërisë, kryetari i delegacionit të konservatorëve britanikë, Andrew Rosindell shfrytëzoi rastin për të vizituar në Shkodër, “Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës”, një prej burgjeve më famëkeqe të komunizmit në Shkodër dhe mbarë Shqipërinë, për të mos thënë përfshir edhe Ballkanin e Evropën. Gjatë vizitës së tij në Shkodër, parlamentari konservator britanik nuk la asnjë dyshim se cili është qëndrimi i tij mbi krimet e komunizmit në Shqipëri dhe thirrja e tij për të mos harruar atë histori të tmershme për shqiptarët. Ai citohet nga mediat vendore ta ketë arsyetuar vizitën e tij në “Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës”, në Shkodër me këto fjalë:
“Ndodhem këtu për të vizituar një muze që përfaqëson disa nga krimet më të tmerrshme që kam dëgjuar ndonjëherë gjatë kohës sime në politikë. Ky është një vend që dikur u përdor për tortura, vrasje dhe trajtim çnjerëzor ndaj atyre që thjesht dëshironin të ishin të lirë – që dëshironin të praktikonin fenë e tyre dhe të jetonin në një shoqëri të hapur, por u mohua kjo e drejtë. Të dëshmoj një vend ku janë kryer krime kaq mizore nën regjimin komunist ka qenë një përvojë tepër prekëse”, duke i bërë thirrje klasës politike shqiptare të këtyre 35-viteve të ashtuquajtur “post-komunizëm”, se përkujtimi i viktimave të komunizmit është me rëndësi, për Shqipërinë dhe për botën:
“Është thelbësore që ta kuptojmë këtë histori, të mos e harrojmë dhe të mos lejojmë që dikush ta mohojë atë. E gjithë bota duhet ta dijë se në Shqipëri u kryen krime të tmerrshme gjatë sundimit komunist. Kjo është arsyeja pse ne, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në demokracitë e tjera anembanë botës, jemi të vendosur të luftojmë kundër çdo përpjekjeje për të imponuar sundimin totalitar. Historia na tregon se ku çon ky sundim – në shtypje, tortura dhe vrasje brutale, siç kemi parë edhe në Shqipëri”, tha ai ndër të tjera, gjatë vizitës së tij në Shkodër.
Ndërsa klasës politike shqitare të tre dekadava të kaluara, që sot e kësaj dite refuzon të distancohet dhe, zyrtarisht, të dënojë krimet e komunizmit enverist, politikani konservator britanik, Z. Andrew Rosindell, si kundërshtar i komunizmit që deklarohet, shprehu shqetsimet e tija se si dhe pse “socializmi vazhdon ende të mbizotërojë në Shqipëri”.
“Së pari, dua të them qartë se e kundërshtoj komunizmin dhe nuk jam dakord me një qasje socialiste ndaj qeverisjes. Më duket shqetësuese që ndërsa shumica e vendeve e kanë lënë pas këtë ideologji, socializmi vazhdon të mbizotërojë në Shqipëri. Besoj se kjo është e dëmshme për popullin shqiptar, i cili meriton një të ardhme më të lirë dhe më demokratike. Kur vizitova Shqipërinë 29 vjet më parë, mendova se vendi ishte në rrugën e duhur drejt një demokracie të plotë perëndimore. Fatkeqësisht, sot nuk më duket se ky tranzicion ka ndodhur dhe mendoj se është i nevojshëm një ndryshim politik për t’u dhënë njerëzve shpresë për të ardhmen”, është shprehur politikani britanik nga Shkodra.
Është absolutisht e pakuptueshme dhe e papranueshme që jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë ende vazhdon të mbizotërojë ajo frymë skllavëruese sllavo komuniste që vrau e preu kundërshtarët e saj për pothuaj një gjysëm shekulli. Ndërsa bota e qytetëruar kujton viktimat dhe dënon krimet e komunizmit në botë me qëllim që të mos përsëriten më – klasa politike shqiptare vazhdon të hesht. Me këtë heshtje zyrtare dhe me refuzimin e saj për t’u distancuar njëherë e mirë nga e kaluara komuniste dhe refuzimi për të dënuar krimet e komunizmit dhe për të kujtuar viktimat e regjimit komunist, ashtu siç ndodh në Washington, Londër e vende të tjera, përfshir ato ish-komuniste të Evropës — politika zyrtare në Tiranë dhe në Prishtinë mbetet e lidhur dhe besnike e palëkundur e trashëgimisë së komunizmit sllavo-aziatik anë e mbanë trojeve shqiptare – një majtizëm fanatik politik, të cilit tanimë jo vetëm që i ka dalur boja si ide politike, por po e mbyt Kombin shqiptar!