Presidentja Osmani e ftuar nderi në drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare në Capitol Hill dhe në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë në Washington D.C.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë sot në drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare në Capitol Hill, si e ftuar nderi, ndërkaq në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë, pati një adresim.
Gjatë Drekës Ndërparlamentare Ndërkombëtare, të organizuar në kuadër të Takimit Vjetor të Lutjes Kombëtare, Presidentja Osmani foli për rrugëtimin e popullit të Kosovës nga sfidat më të mëdha deri te arritjet e sotme, si dhe angazhimin e paluhatur për luftim të forcave dhe ndikimit malinj në Kosovë.
Në Drekën Ndërparlamentare Ndërkombëtare, Presidentja ishte e ftuar përkrah Mbretit dhe Mbretëreshës së Burundit, kryeministrit të Fixhit, si dhe kongresistëve amerikanë, ministrave e deputetëve të shumtë nga mbarë bota. Me këtë rast, ajo pati mundësi të diskutoj me ta për thellimin e raporteve bilaterale.
Ndërsa në Forumin Ndërparlamentar të Sigurisë, Presidentja Osmani u fokusua në rolin strategjik të Kosovës në luftimin e ndikimeve keqdashëse të Kinës, Rusisë dhe Iranit, duke theksuar partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Investimi dhe angazhimi amerikan në Kosovë, përveç se është në dobi të sigurisë dhe zhvillimit tonë, është po ashtu në përputhje me objektivat e Administratës Trump. Kjo do të pengonte po ashtu përhapjen e luftës hibride ruse, ndikimin ideologjik të Iranit dhe presionin ekonomik të Kinës në rajon. Kosova është një aleat i palëkundur që forcon ndikimin e SHBA-së në Evropë dhe Ballkan”, theksoi Presidentja Osmani.
Sipas Presidentes Osmani Kosova është një aset strategjik për SHBA-të në përballjen me ndikimet destabilizuese në Evropë dhe mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj interesave strategjike të Shteteve të Bashkuara.
Ndër të tjera, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e investimeve amerikane dhe investimeve në infrastrukturën kritike të Kosovës duke siguruar pavarësinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit.