Mbasi u shpërdor e po shpërdoret në mënyrë dashakeqe fjala që përdori Albin Kurti në tubimin festiv të fitores në zgjedhje, po më duhet me trajtu prap përkufizimin e fjalës ‘hajvan’. Megjithëse në fillim mendova se po bahet vetëm me qëllime tendencioze, kur krahasova fjalorët, pashë se ndonjëni ka mundë edhe me u hutu e me u kequdhëzu edhe nga fjalorët.
Në fjalorin e shqipes të vitit 1980 që fjala ‘hajvan’ shpjegohet ma gjanë e ma saktë. Sipas këtij fjalori, as që do të duhej me dhanë shpjegim për një lexues të vëmendshëm. Por, sipas Fjalorit të shqipes të vitit 2006, përkufizimi asht skandaloz dhe ata që e kanë konsultu këtë fjalor nuk kanë faj kur e kanë lexu një përkufizim të tillë.
Në fjalorin 1980 jepet përkufizimi për kuptimin figurativ të kësaj fjale në vështrimet 3 dhe 4.
«3. fig. Njeri i trashë nga mendja, budalla, gomar. Ç’hajvan qenka!
4. si mb. ~, ~E I trashë nga mendja, budalla. S’kishte njeri më hajvan se ai. Paska qenë fare hajvan (hajvane).»
Ndërsa në Fjalorin 2006 kuptimi shpjegimi asht reduktu dhe asht ngatërru keq, sepse kuptimi i parë themelor asht shkri me kuptimin figurativ dhe ka dalë vetëm:
HAJVAN -i m. sh. -ë(t) edhe fig. edhe keq. bised. kafshë, gomar: paska qenë fare hajvan!
Ky përkufizim asht krejtësisht i gjymtë dhe tregon se sa asht damtu fjalori, nëse ky parim asht ndjekë edhe në shpjegimin e fjalëve të tjera të fjalorit.
Derisa te Fjalori 1980 jepen vështrimet 1 dhe 2, që tregojnë kuptimin themelor: (1) ‘kafshë shtëpiake’, dhe (2) “sasia e ngarkesës”, kjo mungon te Fjalori 2006, ku janë ba bashkë kuptimi jofigurativ dhe figurativ. Ky gjymtim në përkufizimin e kësaj fjale asht skandaloz dhe len mundësi interpretimi krejtësisht të gabueme.
Për me kuptu që Fjalori 1980 asht ma i saktë, po e ilustroj me përkthimin që Viktor Kalemi ia ka ba romanit të Gustav Floberit «Zonja Bovari».
Nëse fjala ‘hajvan’ në këtë përkthim zavendësohet me ‘injorant, i paditun, i trashë nga mendja’ atëherë asht zavendësim i saktë. Nëse zavendësohet me ‘kafshë’, qysh po thotë fjalori 1980 dhe disa që e kanë keqkuptu apo po e shtremnojnë qëllimshëm, atëherë shihet se kjo nuk qëndron.
(Fjala ‘hajvan’ asht shkru me germa të mëdha për punë nënvizimi.)
Gustav Flober, «Zonja Bovari», përkthy nga Viktor Kalemi:
“- Budalla! – thoshte ai. – Hej, budalla i shkretë! Koqe budallai! Gjë e madhe, lëre mos e nga ç’është flebotomia! Është dhe trim pale, s’tutet nga asgjë! Ky farë ketri, siç e shihni dhe vetë, që ngjitet në majat më të larta për të shkundur arra! Po, po, fol po deshe, mburru, sa të duash! Lëre ç’farmacist paske për t’u bërë; se nesër mund të thirresh në rrethana të rënda para gjyqit, që të sqarosh gjykatësit; po s’ka aty, ose do të ruash gjakftohtësinë, të arsyetosh si njeri, të tregohesh burrë, ose pastaj të të marrin për HAJVAN!”
[‘për injorant” ka kuptim, por “për kafshë”, s’do të kishte kuptim]
“Më tej, Omeu i tregonte se sa të fuqishëm e të shkathët do ta ndiente veten pas asaj, dhe bile i linte të kuptonte se kishte për t’u bërë më tërheqës për femra, ndërsa stallieri fillonte të buzëqeshte si HAJVAN.”
[“buzëqeshte si kafshë” nuk ka kuptim, sepse kafshët nuk buzëqeshin]
“Doktor me titull në mjekësi, pesëdhjetëvjeçar, me nam të mirë dhe i sigurt në vetvete, kolegu si pa të keq nënqeshi me përçmim kur zbuloi atë këmbë të gangrenizuar deri në gju. Pastaj, pasi e tha troç se ajo duhej prerë, shkoi te farmacisti dhe s’la gjë pa thënë për HAJVANËT që e kishin katandisur atë qyqar në atë gjendje. Duke tundur zotin Ome që e kishte kapur nga kopsa e redingotës, ai sokëllinte nëpër farmaci.”
[“s’la gjë pa thënë për kafshët” nuk ka kuptim mbrenda kontekstit]
“Kur ju hynit në ndonjë dyqan unë rrija në rrugë, ju vështroja nga xhami tek hiqnit dorashkat dhe numëronit paratë mbi banak. Pastaj i ratë ziles së derës të shtëpisë së zonjës Tyvazh, ua hapën, dhe unë ndenja si ndonjë HAJVAN përpara portës së madhe e të rëndë që u mbyll sa hytë ju brenda.”
[“ndenja si ndonjë kafshë” nuk ka kuptim mbrenda kontekstit]