RRËFIMI IM SE SI DIKUR ISHA MYSLIMAN DHE FALESHA PESË HERË NË DITË, NDËRSA SOT JAM KATOLIK!
Që në fëmijëri, teksa e shihja gjyshin tim duke u falur dhe duke shkuar në xhami, fillova të ndjej një interes për fenë islame. Jo sepse e kuptoja thellësisht, por sepse doja të kaloja më shumë kohë me gjyshin tim. Ai ishte Sherif Baku, një burrë dy metra i gjatë, me plis të bardhë, veteran i Luftës së Dytë Botërore, që jetën ia kishte kushtuar familjes dhe punës së palodhur. Me vite të tëra, ai u kujdes për bagëtinë në Bjeshkët e Kaliqanit për të mbajtur 40 anëtarët e familjes sonë.
Në atë kohë, në Kosovë, Islami që praktikohej ishte më tepër tradicional se ideologjik. Një pjesë e madhe e njerëzve shkonin në xhami, por nuk e agjëronin Ramazanin dhe nuk ishin të indoktrinuar. Pas vdekjes së gjyshit, vazhdova të shkoja në xhami, duke besuar se aty do ta ndjeja ende praninë e gjyshit tim. Me kalimin e kohës, fillova ta mbaja Ramazanin dhe të falem rregullisht, derisa, në moshën 17-vjeçare, kur fillova angazhimin tim politik dhe studimin e historisë së kombit shqiptar, gjithçka ndryshoi.
Në të njëjtën kohë, fillova të lexoj me përkushtim Kuranin dhe hadithet e Islamit. Por sa më shumë i studioja, aq më shumë ndihesha i larguar prej tyre. Paralelisht, zbuloja të vërteta historike të cilat më tronditën—vuajtjet e shqiptarëve nën Perandorinë Osmane, dhuna me të cilën Islami u imponua në trojet tona dhe përpjekjet për të fshirë identitetin tonë europian. Nuk mund ta mohoja më realitetin: feja islame nuk kishte ardhur te ne natyrshëm, por me imponim dhe nënshtrim.
I tronditur nga ajo që zbulova, fillova të shkëputem nga çdo lidhje me fenë. U shndërrova në një agnostik që besonte në një Zot me të cilin komunikoja shqip, por pa ndjerë më asnjë lidhje shpirtërore me ndonjë religjion. Nuk festoja Bajram, nuk uroja Ramazan, madje as nuk doja të dëgjoja për to.
Kështu kaluan 17 vite, derisa më 3 tetor të vitit të kaluar, bashkë me familjen time, pranova Krishtin dhe u pagëzova si katolik. Ky nuk ishte thjesht një hap fetar, por një kthim në rrënjët e vërteta të kombit tonë—në besimin e të parëve tanë, në identitetin që për shekuj na ishte mohuar.
Përveç historisë së kombit shqiptar, ishin edhe këto tregime që më shtynë të mendoj thellë, gojëdhënat e burrave të vjetër, përfshirë edhe gjyshin tim, kur tregonin: “Aty ishte një kishë, këtu ishte një kishë, Nika ishte i pari ynë, ky është livadhi i Markut, ky është livadhi i Gjokës”, e kështu me radhë… kupa filloi të mbushej. Tashmë nuk mund ta mohoja më atë që ishim, atë që jemi në fakt dhe atë që duhet të jemi—shqiptarë katolikë.
Nuk mund ta mohoja se Jezusi kishte trokitur në zemrën time, ashtu siç kishte trokitur dikur në shpirtin e paraardhësve të mi. Ai tashmë ishte shndërruar në një realitet të gjallë në jetën time.
Me këtë rast, dua t’i inkurajoj të gjithë shqiptarët: lexoni historinë tuaj! Hulumtoni të kaluarën e popullit tonë! Kur ta bëni këtë, do ta kuptoni se feja islame nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë pjesë e identitetit tonë të vërtetë. Ajo nuk ka asnjë lidhje me qenien shqiptare—as identitare, as historike, as shpirtërore.
Ne nuk jemi arabë, nuk kemi lindur në Lindjen e Mesme dhe nuk na lidh asgjë me kulturat që na janë imponuar me forcë. Ne jemi bijtë e Ilirisë, të një kombi europian me rrënjë të lashta në krishterim.
Unë zgjodha dritën dhe të vërtetën. Po ju?
Tungjatjeta z. Blerim Metaj!G
Lexova me kujdes shkrimin tënd këtu në DRINI, portal të cilin e udhëheqë i nderuemi Bajram Gjeergj Kabashi, dhe më la përshtypje ngase ti në njënën anë në Titullin e shkrimit e shkruen emnin e Gjyshit tënd Sherif Baku, ndërsa emin tënd e shkruan: Blerim Metaj? Diçka mbiemri nuk po përputhet?! Ti shkruan: Dikur isha mysliman ndërsas sot jam katolik”, por nuk shkruan se a e ke ndrruar emnin!? Dhe kjo më bëri përshtypje të jap koment, në të cilin po theksojë fjalët tua me të cilat e përfundoni shkrimin, po citoj:
“Me këtë rast, dua t’i inkurajoj të gjithë shqiptarët: lexoni historinë tuaj! Hulumtoni të kaluarën e popullit tonë! Kur ta bëni këtë, do ta kuptoni se feja islame nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë pjesë e identitetit tonë të vërtetë. Ajo nuk ka asnjë lidhje me qenien shqiptare—as identitare, as historike, as shpirtërore.
Ne nuk jemi arabë, nuk kemi lindur në Lindjen e Mesme dhe nuk na lidh asgjë me kulturat që na janë imponuar me forcë. Ne jemi bijtë e Ilirisë, të një kombi europian me rrënjë të lashta në krishterim.
Unë zgjodha dritën dhe të vërtetën. Po ju?”
*
Po jap këto mendime:
1. Respekto féné tënde, por mos urrej fénë e tjetrit! (Bibla)
2. Parimet Islame e pranojnë Biblën /Ungjillin/ si Libër të Shënjtë dhe Jezu Krishtin si profet.
3. TOLERANCA FETARE: Populli shqiptar me tri besime: Islam, ortodoks dhe katolik, ka qënë simbol i harmonisë fetare në historinë e popujve të Ballkanit. Vetë ekzistenca e objekteve të kultit, xhamive, kishave e manastireve, simbolizon të kaluarën e popullit shqiptar. Bashkëjetesa në harmoni e besimeve fetare në trojet shqiptare përgjatë historisë e deri më sot është shembull dhe dhurata më e mirë. Trashëgimia e bashkëjetesës fetare njëkosisht me vetëdijen se ideja kombëtare qëndron dhe duhet të qëndrojë mbi çdo ide tjetër, është dhurata më e çmuar që na si komb e kemi.
respekt,
Ismet M. Hasani, Suedi
Shpreh konsideratën e respektin për këshillat miqësore që përmban komenti i të nderuarit z. I. M. Hasni.! Urtësia e tij në komentin e mësipërm është më e pranueshme ,më e dashur nga lexuesit se cdo orvatje për të futur në qorrsokak cdo njeri të thjeshtë .Respekt !